| E hene, 04.04.2022, 06:58 PM |
Ditën e enjte dt. 31 mars 2022, ora 12.30, në sallën “Ibrahim Madhi” në kuadër të festimeve të 60-vjetorit të Fakultetit të Muzikës u organizua përurimi i librit “Historia e Muzikës Shqiptare“ me autor Prof. Asc. Nestor Kraja. Ky aktivitet u mbajt në prani të pedagogëve, studentëve e ish studentëve, muzikantëve të njohur, drejtuesve të shoqatave të ndryshme muzikore, medias etj.,
“Në këtë kohë pandemie, kur
flitet për luftë, ekonomike, politike e shoqërore, unë vendosa të botoj një
libër, si një gur në historinë e kulturës sonë që me kohën me siguri do të vijë
e do të bëhet edhe më i madh”. Me këto fjalë ju drejtua autori Nestor Kraja të
pranishmëve në këtë të ditë të shënuar për të gjithë artdashësit e kulturës
muzikore.
Ky libër, një çast me rëndësi
në karrierën e vetë autorit doli pas një pune disa vjeçare si një kontribut për
trashëgiminë kombëtare.
Në ceremoninë e organizuar me
këtë rast vlerësuan punën e autorit emra të njohur të këtij Fakulteti si:
pedagogu dhe violinisti Lorenc Radovani, kompozitori dhe pedagogu Aulon Naçi të
cilët u përqëndruan në analizën e kësaj pune studimore e dokumentuese. Në
fjalët e tyre Radovani dhe Naci u ndalën edhe tek karakteri atdhetar i librit
që përcjell sidomos tek të rinjtë krenarinë për kulturën kombëtare. Dekani i
Fakultetit të Muzikës Prof. Dr. Isak Shehu në fjalën e tij përshëndeti autorin
dhe tregoi mbështetjen që botimet e kësaj natyre të vijojnë dhe të jenë edhe
për studentët, brezat e rinj e më gjerë.
Libri “Historia e muzikës
shqiptare” është mbështetur nga Fakulteti i Muzikës i Universitetit të Arteve
në Tiranë. Përpara se të hynte në botim libri u prezantua me lexuesit duke u
botuar fillimisht në faqen e internetit në Universitetin e Arteve ku qëndroi
për më shumë se dy muaj. Autori e ftoi trupën akademike të këtij Universiteti
të kontribuonin në pasurimin e këtij botimi duke i përfshirë mendimet e atyre
që ju përgjigjën ftesës, në versionin përfundimtar.
“Historia e Muzikës Shqiptare”
është një format i ngjashëm për nga karakteristikat me botimet ndërkombëtare të
kësaj natyre. Ai nuk është konceptuar si enciklopedi muzikore ku çdokush ka
lëvruar muzikën dokumentohet si një zë i saj, por si shumë prej modeleve më të
rëndësishme të historës muzikore ndërkombëtare, është menduar të ndalet në
pikat më domethënëse, duke u përqëndruar në krijimtarinë muzikore shqiptare.
Autori është mbështetur në
përjetimet personale mbi dokumentacionin e shfletuar gjatë punës për hartimin e
saj.
Në këtë libër paraqiten
studime përgjatë periudhave të zhvillimeve muzikore në Rilindje, në periudhën e
Pavarësisë dhe të Mbretit Zog, të periudhave socialiste si dhe të zhvillimeve
të fundit të dekadave të demokracisë. Informacionet, konstatimet, ngjarjet,
arritjet, portretet dhe vlerësimet mbi muzikën e pas viteve ’90 vite zënë një
vend të vecantë. Shumë nga analizat muzikore të përfshira në këtë libër botohen
për herë të parë.
Në libër janë ndërthurur
portretet e kompozitorëve tanë, duke vendosur rubrika mbi muzikologjinë tonë,
etnomuzikologjinë apo historinë e institucioneve kryesore në vend. Bibliografia
e gjerë përmend një listë të gjatë të veprave të shqyrtuara.
Pas Tiranës, stacioni i radhës
i përurimit është Kosova, më të cilën autori Kraja ka një lidhje dhe përvojë të
fortë emocionale.
“Historia e Muzikës Shqiptare”
gjendet në librarinë “Bookland” pranë Galerisë ETC në Tiranë si dhe online në:
Për të gjithë të interesuarit jashtë Tirane, apo jashtë vendit që dëshirojnë ta kenë librin mund ta
porosisin direkt online: https://bukinist.al/en/studime-kritike/13047-historia-e-muzikes-shqiptare.html?search_query=Nestor+KRaja&results=1
Transporti bëhet me Posta
Shqiptare, DHL.
Bukinist bën dergesa edhe në Kosovë kundrejt shumës 5
euro të transportit.
Pagesa bëhet me Pay Pal,
kartë krediti dhe me transaksion bankar.