| E diele, 03.04.2022, 04:44 PM |
Brahim
Avdyli (djathtas) me Muhamet D. Rogovën, në një ditë vere, në Gjakovë, pas taskimit tonë
në Hotel Pashtrik
NJË JETË E TËRË NË
PËRPJEKJE DREJTË IDEALEVE TË LARTA KOMBËTARE
- Recension i interpretimit të prozës magjike të
autorit
“-Energjia
kozmike na mbronë me platformën e vet pozitive
nga
të gjitha të ligat që na vishen e prore na ndjekin.
Hemisfera
e tokës është e vogël për ATE që e identifikojmë
me
Zotin e Madh. Ndërsa energjinë negative e lidhim me
Kryedemonin,
në brendësi të Tokës. Te dy energjitë kozmike,
njëra
pro nesh e tjera poshtë neve, së bashku e përbëjnë
centrifugën
magnetike të Globit…“
Brahim (Ibish) Avdyli
Nga
Muhamet D. Rogova
Brahim Avdyli, si poet, prozator apo romancier,
dramaturg, dhe intelektual, që është marrë edhe me shumë punime shkencore, tani
na vjen me një prozë (tregime dhe novela)
të jetës së rëndë nën përpjekjet e ish-jugosllavisë për ta shkombëtarizuar,
burgosur, vrarë apo dhunuar të tërë Kosovën, tani Republika e Kosovës, apo
shumica e prozave me nota autobiografike, autori e quan me titullin “FLATRAT E
JETËS”. Jeta na ishte e tillë, por nën flatrat magjike, të cilën autori e quan “tregime dhe novela”. Në realitet është
një roman, kryesisht me proza të përmbajtjes së mirëfilltë e autobiografike.
Këtë vepër të prozave, unë po e quaj një roman, autori e
ndanë në dhjetë tregime të veçanta, por që të gjitha këto tregime kanë edhe
karakter autobiografik, përmes të cilave autori na paraqet jetën e tij që nga
periudha e fëmijërisë së hershme e deri në periudhën e jetës, plot me trazira,
të cilat autori i kalon herë në atdhé e herë në tretdhe, ashtu si e quan botën
e perëndimit, ku kishte shkuar për të punuar e jetuar, por edhe për të luftuar
për çështjen kombëtare. Këtë libër autori e fillon me një novelë (me nota autobiografike) të cilin e
titullon artistikisht “PËRPËLITJE PËR TA
ZËNË DRAMËN E FËMIJËRISË”. Këtë novelë autori e ndanë në shtatë pjesë, të
cilat i titullon “përpëlitje...”, me
emër e me numër, “e para” e deri te “e fundit”, pjesa e shtatë, “misticizmi i fjalëve”, që paraqesin
përpjekjet e jashtëzakonshme të autorit për të mbijetuar, por edhe për të
arritur shkallën e përsosmërisë njerëzore dhe intelektuale. Në secilën prej
këtyre pjesëve autori i paraqet ngjarjet nga fëmijëria e tij dhe aventurat të
cilat i kishte kaluar në atë pjesë të jetës dhe të rritës së tij. Paraqet mënyrën
e jetesën në fshatin ku kishte lindur dhe ku ishte rritur. Përshkruarn dëshirat
dhe ëndërrat e tij si fëmijë që ishte. Shiqonte qiellin dhe ëndërronte
lartësitë. Kishte dëshirë të fluturonte lart në qiell por i mungopnin krahët,
flatrat. Shpesh dilte në një pyll me plepa të gjatë e të bardhë (Mështekne), me degë të holla e mjaft delikate.
Kishte dëshirë që të ngjitej në maje të këtyre plepave, sado që babai i tij e
këshillonte që të mos ngjitej atje lartë, sepse ka rrezik që të rrëzohej nga
ata plepa dhe të vritej apo të gjymtohej. Por dëshira për t’u ngjitur lartë e
tundonte jashtë mase dhe pa i përfillur këshillat e të tjerëve, vazhdonte të
ngjitej. Duke e lakuar majen e plepit, lshohej poshtë dhe binte në këmbë. Kjo i
jepte guxim për ta vazhduar përpjekjen e tij për t’u ngjitur në maje të këtyre
plepave. Në një rast u këput pjesa e epërme e trugut dhe u rrëzua poshtë me te
dhe e goditi në kokë, derisa e kaploi gjaku dhe u desht që ta dërgonin në
spital për ta shëruar.
Në fakt, këto përpëlitje nuk iu ndanë tërë jetën, por në
forma të ndryshme. Përpëlitjet e tij në jetë, vazhduan jo vetëm në periudhëm e
fëmijërisë por gjatë tërë jetës nuk iu ndanë asnjëherë dhe janë plotë me
mendime filozofike dhe jetësore. Prej kësaj novele autori na mëson ato që janë
me karakter folozofik e mistik, por na mëson edhe gjëra që duhet t’i mbajmë më
mend, për prejardhjen e njerëzve në këtë botë, e cila quhet “bota e përkohshme” dhe prej kah jemi.
Autori i përshkruan edhe rregullat që i kishte vendosur
babai në shtëpinë e tyre. Ai i porosiste edhe anëtarët e tjerë të familjes, që
gjithmonë ta mbajnë derën e oborrit të mbyllur me shul e me çelës. Sidomos kjo
derë ishte e mbyllur për njerëz të qeverisë si policë, pylltarë, tagrambledhes
apo edhe për agallarë, sepse ai ligjet në familjen e tij i vendoste vetë dhe
nuk donte që të kishte punë me njerëz të qeverisë. Ai përafërsisht thoshte:
“Unë
nuk i bie në qafë askujtë dhe nuk dua që dikush të më bie mua në qafë.”
Këto janë rregulla filozofike-mistike e jetësore, që ta
luftojmë ne kurdoherë të ligën e të shiturën. P.sh., edhe me ironi e sarkazmë, në
tregimet “Përrallë e bukur mbi reformat”
dhe tregimin “Mbi majat e artit”, të
cilat, sikurse e tërë vepra janë të pasuruara me fusnota, që u nevojiten edhe
nxënësve, por edhe me shkëputje nga vepra e veçantë e tij autobiografike. Nëse
nuk mësojmë nëpër to, na kalojnë pa i vërejtur dhe pa i ditur.
Jo të gjithë njerëzit e fshatit ishin të tillë. Një
fqinji i tyre, Nezir Delia, një familje që gëzonte një mirëqenie të lartë, në
shtëpinë e tij e pret një misionar qeveritar që kishte ardhur nga Beogradi,
Vojo Popoviqin, me të cilin kishte zhvilluar biseda të gjata dhe pas këtyre
bisedave, Vojo ia dhuron një pushkë automatike Nezirit, me të cilën ai krekosej
edhe nëpër fshat. Kështu të gjithë njerëzit që gëzonin autoritet dhe rreth tyre
tuboheshin shumë njerëz, gjithësesi qeveria përmes njerëzve të vet, përpiqej t’i
bënte për vete dhe këta të ishin në shërbim të qeverisë. Kështu veprohej, sipas
autorit, edhe me klerikë të ndryshëm, me shehlerë apo hoxhallarë, duke e bërë
për vete këtë kategori njerëzish, që qeveria përpiqej që ta mbante në kontroll
tërë popullësinë. Babai i tij udhëhiqej prej një parimi jetësor dhe familjar,
si bir i denjë i familjes së vet të vrarë në luftërat kombëtare. Ndër të tjera,
sa më largë duhet që të qëndroje prej njerëzve të tillë, mund të hante një
kafshatë bukë i qetë në punën e vet dhe prandaj thoshte:
“Më
mirë bukë e kripë me nderë se mjaltë pa nderë.”
Të gjitha përvojat që na duhet t’i dimë i gjëjmë në këtë
vepër. Më e mira na është novela e gjatë “Hijenat
e dhunës/Një ngjarje që na lë pa fjalë”, e cila është një novelë ekzemplare
letrare dhe e mirëfilltë, e cila nuk ka asnjë notë autobiografike, sikurse
tregimi i fundit, “Antiteza e heshtjes”,
të cilat na lënë me gojë hapur, si sa i përket të dhënave të vështira të jetës
sonë, në të dy anët e dy shteteve tona, si e para në Kosovë, nën dhunën
serbo-jugo-sllave, por edhe e fundit, në Shqipëri, për të demantuar politikën
antikombëtare.
Në tregimin e mëposhtëm, me titull “Hijenat e dhunës”, autori paraqet tmerret e dhunës që kishte
përjetuar populli ynë prej aparatit shtetëror të dhunës sllave që ushtronte mbi
popullin e pafajshëm dhe njerëzit e ndershëm që përpiqeshin të jetonin me
djersen dhe punën e tyre në mënyrë të ndershme. Kështu i kishte ndodhur Besnik
Ramë Shkurtit, i cili ishte martuar me një grua shumë të bukur, Luljeta Ukë
Keqmalin, me të cilën i kishin lindur dy fëmijë të bukur si drita, që do të
bëhen luftëtarë të denjë të UÇK-së. Njerëzit e qeverisë ia kishin vënë syrin
kësaj gruaje të bukur dhe për t’i realizuar qëllimet e tyre të ulta. Besnikun e
dërgojnë në ushtrinë jugosllave dhe atje e vrasin në mënyre barbare. E sjellin
në fshat të mbyllur hermetikisht në një arkivol, duke e lënë të vetme gruan e
tij të re e të bukur.
Njerëzit e qeverisë përpiqen për t’i ardhur rrotull asaj
femre të bukur, por ajo qëndron në mënyrë stoike, derisa më në fund në mënyrë
të dhunshme e rrëmbejnë nga shtëpija e saj për ta dënuar e poshtëruar. Kjo
është një histori e dhimbshme jo vetëm e kësaj familje, por edhe të shumë
familjeve shqiptare, me dhunën që e kanë përjetuar nga qeveritarët jugoslav.
Të gjitha tregimet e novelat e kësaj vepre e përshkruajnë
jetën tonë si komb, i ndarë si pjesë të një kombi në të dy shtetet diferente,
që prej fëmijërisë e deri te tregimi i fundit, në të cilat na bie në sy vija
e një realizmi magjik, të përshkruara me mendime të mira filozofike dhe
jetësore, të përjetuara me ndjenja të vërteta. Duke i përshkruar ngjarjet dhe
rrjedhën e jetës në fshatin dhe familjen e tyre, që të dukeshin herë si nëpër
ëndërra e herë si nëpër përralla, duke jetuar në një ambient edhe me plot
bestytni, ishte e pamundur që njeriu e sidomos fëmijtë, të mos ndikohen prej
tyre. Në prapavijë na shtrohen vendet ku jetonin. Ai ishte i mbushur me plotë
mistere, që mbjellnin frikën në shpirtrat e njomë të këtyre fëmijëve. Sidomos
kur shkonin andej nga varret. P.sh. atje kishte shumë gjarpinjë, sidomos te
lisi i vjetër, që e kishte një zgavër. Ndër to, e kishte vendin e saj bolla me
flokë të bardha. Bollat i lidhnin njerëzit, i rrahnin me bishtin e tyre si me
shkop prej gome të policisë. E fusnin kokën e tyre nën sqetullat e njerëzve dhe
iu hanin mushkëritë duke iu shkaktuar një vdekje të lemeritshme.
Në këtë formë, në novelën e parë, bollat bëheshin aleate
me shtrigat dhe kulshedrat për ta mbajtur përherë popullin në ankth. Kishte
edhe njerëz, sidomos gra plaka, sikurse
e përshkruan autori plakën Lidili, me sy
jeshil, djali i të cilës paraqitej edhe në varre i mbuluar me një çarshaf të
bardhë, që dukej si lugat, i ngritur nga varri dhe e ndiqte pas këtë djalë të
vogël duke lëshuar britma. Shtriga plakë Ledili lëshonte ndër ëndërra edhe
zjarr nga goja sikurse kulshedrat e përrallave dhe i ndiqte njerëzit për t’i ngrënë,
duke i tmerruar. Prej tmerrit që e kishte përjetuar nga ajo plakë ugurzezë, për
çdo natë i vinte në ëndërr, duke e ndjekur dhe duke lëshuar flakë nga goja dhe
nga tmerri, e djali lëshonte ulurima të tmerrshme dhe e gjithë familja ngritej
në këmbë për ta qetësuar, por pa dobi.
Nga kjo e keqe vetëm Baba Jahë, një mistik që nuk e
pranonin në rrethin e tyre as shehlerët e as hoxhallarët, e uli në prehër, dhe i
tregoi se si duhet të shpëtojë prej asaj plake, që ishte shtrigë. Baba Jahë e
mësoi si duhet djaloshin si autorë të kthyer në fëmijëri, që kur ta ndiqte, t’ia
mbyllte derën dhe t’ia shtërngonte kokën me derë. Ajo plakë-shtrigë që nxierrte
flakë nga goja, pasi ia shtërngoj kokën me derë, sipas porosisë së Babës Jahë, e
la fuqia dhe i doli fytyra e saj e vërtetë e veshur si një grua fshatare.
Në këtë pjesë të librit përshkruhet edhe lufta në mes të
mirës dhe të keqës, një luftë që ka vazhduar dhe vazhdon përherë në shoqërinë
njerëzore. Ata që luftonin kundër së keqës, ishin dragonjët, mashkuj të lindur
me fuqi mbinatyrore, të cilët luftonin përherë kundër kulshedrave që nxirrnin
flake nga goja. Ndonjëherë ata i gjuanin kulshedrat me rrufé dhe i mbytnin.
Bubullimat i simbolizojnë femrat e prishura. Kjo është një mitologji shqiptare,
e cila edhe shpjegohet në këtë formë, për herë të parë në botë. Madje, edhe
shkencore. Në ato raste shpërndaheshin retë e zeza dhe toka ndriqohej nga
rrezet e diellit.
Jo pak e mistershme na paraqitet edhe jeta dhe bëmat e
Babës Ukë, një mistik i vërtetë që kalonte përmes mureve të larta prej guri, si
një shpirt dhe që tregohej për te. Në të vërtetë, ai kishte shkuar në burgun e
Idrizovës, pa u hetuar prej askujt, dhe e kishte nxjerrë një shqiptar të njohur
prej burgut, të cilin e kishte dërguar në Gjermani dhe ai na e kishte thënë të
vërtetën. Përshkrimi i këtyre mistereve i japin këtij libri karakterin e një
proze magjike.
Çdo tregim është i plotësuar me fusnota dhe i përcjellë
nga shkëputje të autobiografisë. Këtu mund të llogaritet tregimi “Jeta e këputur në mes”, i botuar këtu
në versionin e shkurtuar nga Kryeredaktori i revistës së LSHK-së “METAFORA”,
nga i ndjeri Abdyl Kadolli, duke na e përshkruar “jetën e këputur në mes” të së miturës së pronarit të restorantit
në të cilën punonte autori, në shenjë të përkrahjes së poetit kosovar, me të
cilin e kalonte tërë kohën e lirë dhe shkëputet demostrativisht nga jeta e saj,
për të dhënë një mesazh. Këtu na vjen kulmi i misticizmit dhe alegoria
simbolike.
Në tregimin autobiografik me titull “Katrahura e dhembjes” autori i paraqet vuajtjet e mëdha që kishte
kaluar në vendin e tij por duke u përpjekur për t’i shpëtuar intrigave të shumta
dhe përndjekjes qeveritare, kalon nga atdheu në tretdhe, pra në shtetin e
Zvicrës, për të bërë një jetë më të qetë por edhe për t’u marrë me çështjen
kombëtare. As aty nuk e lënë të qetë, jo njerëzit e huaj por edhe bashkëvendasit
e tij, si Rezil Aga, një dervish që autori i quan dervish-çervish, që ishin
njerëz të shitur dhe punonin për UDB-në dhe ia kishin grabitur edhe rrogat e
tij prej punëdhënësit, madje kishin thurrur një seri intrigash kundër tij, gjithashtu duke i bërë
edhe magji për t’ia ngatrruar jetën dhe për t’ia bërë ferr. Autori nuk kishte
besim as te shiitët e as te sunitët për të cilët thotë se të gjithë këta janë
njerëz të shitur, që nuk iu intereson as populli e as atdheu, por vetëm
përpiqen që të zhvasin sa më shumë, duke kaluar një jetë të shthurrur nëpër
kafene, duke pirë alkohol dhe duke shitur pallavra. Për të gjitha vuajtjet që
kishte përjetuar autori i akuzon këta njerëz që me magjitë e tyre ia kishin
bërë jetën ferr.
Autorin nuk e lënë të qetë as pjesëtarët të partive të
ndryshme duke u përpjekur për ta futur nën ombrellën e tyre dhe për të punuar
për interes të tyre siç ishin Hekuran Albani dhe Besnik Halimi, në tregimin “Kur thërret Atdheu”. Ata nuk ishin
aspak njerëz të sinqertë dhe nuk iu kishin besën për të punuar për ta.
Besnik Halimi me guxim iu thotë:
“Asnjë
parti nuk po ia mbanë krahun aspiratave të popullit, Hekuran! Të gjithë ia kanë
me dredhi popullit të vet! Sikur janë marrë vesh me njëri-tjetrin për ta
polarizuar e për ta ndarë masën, në
mënyrë që ajo të mos bashkohet në ndonjë formë tjetër, më energjike, kundër
pushtuesve!”
Kështu autori e kishte humbur besimin te këta njerëz me
shumë fytyra, që më tepër punonin për interest e tyre se sa për çështjen
kombëtare e për ta bashkuar ate.
Në këtë kuptim vijnë edhe tregimet e mbushura plot me të
dhëna realiste dhe postrealiste, “Klithjet
e Alpeve nëpër kohë” dhe “Një mik i
jashtëzakonshëm”. Duhet ta marrësh parasysh një linjë të veçantë, që i
lidhë të gjitha këto tregime. Prozat magjike e
filozofike të autorit na duken si një roman me thekse autobiografike dhe
magjike, pra si një prozë magjiko-filozofike, që është e para si i tillë.
Unë i bëra provat e para të
interpretimit të kësaj vepre, më disa tregime e novela mjaft të gjata, që duken
si roman, edhe pse autori nuk e thotë këtë gjë. Kualifikimi i tyre shihet
kësisojit, i shkruar me një gjuhë të rrjedhshme dhe duke i shpalosur
vale-valë problemet e ndryshme që ka kaluar populli ynë në ato periudha shumë
të errta. Kjo ka një vlerë të veçantë për t’i parë dhe vlerësuar ato situata
nëpër të cilat ka kaluar populli ynë. Personazhet që janë paraqitur në këtë
roman janë me karaktere nga më të ndryshmet dhe përmes tyre paraqitet lufta dhe
përpjekja në mes të mires dhe së keqës.
Kështu përherë shoqëria njerëzore ka kaluar përmes këtyre
rrugëve. Prandaj kurrë nuk është qetësuar dhe vazhdon të mbetet e tillë.
Lexuesi përmes shkrimit dhe personazheve të këtij romani mund të mësojë
shumëçka nga jeta apo jeta më e përgatitur për t’iu bërë ballë vështirësive që i
sjell jeta.
Ne po i kthehemi thënies së autorit tonë, në fillin të
këtij punimi. E kam shënuar në një bisedë me te, në Gjakovë. Ajo e shprehë vetë
një shprehje domethënëse dhe mistike. Autorit i dëshirojmë suksese të
mëtutjeshme për shkrimin e botimin e veprave të tjera.
Gjakovë,
25.02.2022
Isuf
Bajrami, Prof. Dr. Astrit Memia, Muhamet D. Rogova dhe Brahim Avdyli, në Tiranë