Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Shehaj: SPAK nuk guxon të sekuestrojë inceneratorin e Tiranës!

| E enjte, 31.03.2022, 05:58 PM |


Agron Shehaj:

Arrestimet e fundit të SPAK për aferën e inceneratorëve, jo vetëm që nuk e venë drejtësinë në vend, por më e rendësishmja është se nuk e ndalin vjedhjen gjigande.

Inceneratori fantazmë i Tiranës është një aferë korruptive njësoj si ai i Elbasanit dhe i Fierit. Është i njëjti ministër që firmosi koncesionin. Janë të njëjtët njerëz që kanë marrë koncesionin, Zoto dhe Mërtiri. Më e rendësishmja, janë të njëjtat kompani që janë përdorur për të paguar rryshfete dhe vjedhur paratë e qytetarëve.

Kompania në pronësi të Zotos, aktualisht nën sekuestro nga SPAK, ka marrë 20 milionë euro pagesa si nënkontraktor nga inceneratori i Tiranës.

Gjithashtu, inceneratori fantazmë i Tiranës ka paguar 400 milionë lekë për kompaninë Pivot 04. Është kompania fiktive që SPAK e provoi se ishte përdorur për korrupsion në Fier dhe Elbasan. Kështu janë paguar dhe shumë kompani të tjera fantazmë për të çuar rryshfete tek zyrtarët.

SPAK-u pranon në njoftimin zyrtar se babai i Alqi Bllakos ka qënë i punësuar fiktivisht dhe ka marrë pagesat korruptive nga kompania Integrated Energy, pra kompania që ka koncesionin e Tiranës. Jo në Fier apo Elbasan.

Por pavarësisht gjithë këtyre fakteve të qarta dhe kokëforta, SPAK nuk guxon të sekuestrojë inceneratorin e Tiranës. Kjo është drejtësi me leje. Dhe kjo është të bekosh vjedhjen.

Për çdo ditë që kalon, inceneratori fantazmë i Tiranës u merr qytetarëve shqiptarë 70 mijë euro. Pra 70 mijë euro vjedhje në ditë me bekimin e qeverisë dhe hezitimin e pakuptueshëm të SPAK për të vënë në sekuestro kompaninë.