| E merkure, 30.03.2022, 07:25 PM |
Tiparet e sjelljes së Putin-it mund të quhen treshe djallëzore
Nga Aurel
Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike
Putin humbi fytyrën. Prandaj Rusia po përpiqet të kamuflojë dhe
shtrembërojë realitetin e rezultatit të luftës në Ukrainë. Një
person i karakterizuar nga treshe djallëzore kupton vetëm vendosjen e kufijve.
Ashpërsia duhet të vendoset kundër ashpërsisë. Në rastin e Putin-it, do të
përfshijë në mënyrë të pashmangshme konfrontim ushtarak. Të mendosh se një person i tillë përfundimisht do
të kuptojë se ka humbur është për fat të keq një utopi.
***
Kombinimi i
dinakërisë dhe gënjeshtrës me theksin në interesin vetjak dhe përfitimin
personal, si dhe gënjeshtrat dhe manipulimet e pandjeshme, amorale dhe të
paturpshme të të tjerëve quhet makiavelizëm. Tipare të tilla të kombinuara me
tipare të theksuara antisociale dhe narcisiste (çrregullimi narcisistik i personalitetit) quhen treshe djallëzore.
Sqarim: Çrregullimi i personalitetit narcisist karakterizohet nga një nevojë e
madhe për vëmendje dhe admirim, pushtetin, prestigjin dhe pamjen personale, perceptim i tepruar i rëndësisë së vetvetes, arrogancë,
shfrytëzim i të tjerëve dhe pak ndjeshmëri. Mendërisht të paaftë për të parë dëmin shkatërrues që i
shkaktojnë vetes dhe shpesh të tjerëve.
Triada
djallëzore bëhet e qartë me presidentin rus Vladimir Putin nëse krahasojmë sa
vijon: fëmijërinë dhe edukimin e tij, sjelljen e tij në ndërveprim me të
tjerët, fjalimet dhe sjelljet e tij publike dhe jo më pak sjelljen ndaj
disidentëve dhe vendeve të tjera.
Agresiv dhe dominues. Putin u rrit në një familje me pikëpamje të forta
naziste. Në një oborr të shtëpisë në Leningrad (sot Shën Petersburg) kishte
kushte të këqija (varfëri) në një mjedis të ashpër.
Qysh në
fëmijëri, thuhet se Putin ka qenë më agresiv dhe dominues se shumica e
bashkëmoshatarëve të tij. Ishte një rrugë e shkurtër derisa ai “goditi i
pari”. Ai gjithashtu mund të frikësonte duke kërcënuar se do ta tallte
personin se ishte frikacak dhe i pafuqishëm. Një tipar sjelljeje që së fundmi
doli në pah edhe në seancën bizare me Këshillin e Sigurimit, ku poshtëroi
shefin e tij të sigurisë përpara kamerave të hapura: https://www.youtube.com/watch?v=o9A-u8EoWcI
Ndikimi i
zgjedhjes brutale të akullt të fjalëve u pa qartë edhe në videon nga kremtimi i
tetë-vjetorit të pushtimit të Krimesë pak kohë më parë. Aty foli për
“tradhtarët” dhe se si duhet shfarosur pamëshirshëm.
Sistematik, afatgjatë dhe dyshues. Vetë Putini mori iniciativën për t'u
bërë agjent i shërbimit inteligjent të KGB-së. Atje ai punoi sistematikisht dhe
afatgjatë me theks edhe në detajet më të vogla për të arritur qëllimet e tij.
Në të njëjtën kohë, u përforcua tendenca e tij për të mos qenë në gjendje
t'u besonte të tjerëve përveç disa të zgjedhurve. Dyshimi ishte i nevojshëm në
çdo situatë. Kjo u përforcua nga fakti se KGB-ja priste që agjentët e
saj të ishin cinikë dhe llogaritës të ftohtë. Dhembshuria për “viktimën” ishte
një dobësi e palejueshme.
Duhet të ketë
qenë ofendim i madh për një person ambicioz si Putini që të vihej mënjanë në
Dresden dhe të mos mbyllet me seli në Berlin, ose në një qendër tjetër
perëndimore siç dëshironte ai. E njëjta ishte përvoja e tij që vendi i tij, siç
e shihte ai, ishte bërë dhe ende po poshtërohet nga Perëndimi. As Rusia dhe as
madhështia e tij nuk u pa dhe nuk u njoh. Ajo ushqeu zemërimin e tij themelor.
Tërbimin.
Mësoi të gënjejë (mashtroj) dhe të përdor sharmin. Si agjent i KGB-së, Putini mësoi se
si t'i magjepste të tjerët me sharmin dhe sjellje të besueshme. Të jesh në
gjendje të gënjesh dikë në fytyrë ishte një domosdoshmëri.
Ai mund t'i
shikonte në sy politikanët, biznesmenët dhe njerëzit e tjerë të pushtetshëm dhe
me një buzëqeshje miqësore u linte të krijonin përshtypjen se ishte dakord me
ta dhe kishte të njëjtat synime si ata. Duartrokitjet e vazhdueshme (duke
qëndruar në këmbë) nga Bundestagu Gjerman pas fjalimit të Putin-it janë një
shembull i mirë i aftësisë së tij për të gënjyer dhe për t'u besuar.
Të gjitha këto
"aftësi" erdhën në ndihmë kur Putini ia doli për herë të parë të
bëhej krye-bashkiak i krahut të djathtë të Shën Petersburgut. Kjo i dha
mundësit të kontaktoj Presidentin Boris Jelcin. Putini e bëri Yeltsinin të
besonte se ai, Putin, ishte njeriu i duhur për të promovuar demokracinë dhe
prosperitetin. Si rezultat, ai që thjeshtë nuk kishte qenë agjent i lartë në
hierarkinë e KGB-së, befas u bë kreu i FSB-së (ish-KGB).
Më pas pasoi
kurora e veprës, emërimi i trashëgimtarit të Jelcinit. Më vonë, Putin përdori
të njëjtën strategji ndaj politikanëve dhe biznesmenëve perëndimorë, ndoshta
veçanërisht ndaj gjermanëve.
Këta ishin të
bindur se Putini ishte vërtet racional dhe do të ndante vlerat e Perëndimit
nëse me të kultivoheshin dhe vendoseshin marrëdhënie biznesi për të mirën e të
dyja palëve: "wandel durch handel" (ndryshim përmes
tregtisë).
Pse nuk ranë kambanë e alarmit?!
Është shumë e
zakonshme që njerëzit të jenë pozitivë ndaj njerëzve që ju lavdërojnë dhe
vlerësojnë, që pajtohen pa kusht me të gjitha mendimet tuaja dhe madje mund
t'ju bëjnë të ndiheni të veçantë. Për këso çështjesh Putin është ekspert i
pamohueshëm. Kështu, sjellja e tij aktuale në situata të ndryshme anashkalohej
ose nuk iu kushtua peshë.
Tashmë më
shumë se 20 vjet më parë, Putin zbuloi shkurtimisht veten e tij të vërtetë.
Video regjistrimet e bisedave me politikanë dhe tregtarë dokumentojnë se ai
mund të shprehte papritur, pa paralajmërim, në mënyrë të pakufizuar agresion
ekstrem dhe fyerje në emër të Rusisë dhe vetes. Por ai, pothuajse po në ato
çaste pas këtyre shprehjeve, ndryshonte (kamuflonte) tonin me një buzëqeshje,
megjithëse të ftohtë.
As provat
(dokumentacioni) se ishte FSB ajo që qëndronte pas bombardimit të një kompleksi
banimi në Moskë në 1999, dhe jo terroristët çeçen siç pretendonte Putini, nuk e
zgjuan Perëndimin.
Ishte një veprim klasik “flamur i rremë”.
Një qasje e njohur në historinë njerëzore të personave të karakterizuar nga
treshe djallëzore.
Në televizionin rus, ai tani, duke përdorur fjalë
të thjeshta e të fuqishme të mbushura me emocione të fryra, mund të shfaqej si
lideri i mbushur me aksion, ku brutaliteti i shfrenuar ishte një shenjë fuqie.
Ai donte të gjurmonte dhe t'i vriste pa mëshirë të gjithë "terroristët”,
“edhe sikur të ishin ulur në tualet", pëshpëriti ai.
As fakti që Putini gjatë konferencës së sigurisë në
Mynih në 2007 pa paralajmërim erdhi me rezultate përçmuese dhe agresive kundër
Perëndimit në përgjithësi dhe Shteteve të Bashkuara në veçanti, nuk do të
thoshte se perëndimorët i kuptuan planet agresive afatgjate të Putinit. Nuk i
kuptuan fare, nuk u zgjuan.
Prandaj, përbuzja e Putinit për
dobësinë e Perëndimit dhe bindja për madhështinë e tij u forcua më tej.
As pushtimi i pjesëve të Gjeorgjisë dhe bombardimet
e civilëve në Siri nuk ndikoi që Perëndimi të kthjelloj trurin, të sheh
rrezikun, të zgjohet. Ne në Perëndim nuk donim të shihnim se çfarë tregonte kjo
për Putinin si person. Ne thjesht donim të shihnim atë që donim të shihnim. E
pabesueshme, u bë “biznes si zakonisht”.
Edhe pas aneksimit të Krimesë, Perëndimi nuk mundi,
ose nuk do ta shihte Putinin ashtu siç ishte. Ata ishin të zhgënjyer dhe "dënuan
fuqishëm" aneksimin, por pati disa sanksione konfuze. Përbuzja e
Putinit për dobësinë e Perëndimit dhe bindja për madhështinë e tij u forcua më
tej.
Psikologjia destruktive e grupit.
Mungesa e fleksibilitetit kognitiv dhe aftësisë së
Putinit për të pranuar pikëpamjet e të tjerëve ka bërë që ai të rrethohet vetëm
me staf që pajtohet me gjithçka që thotë.
Që nga kohërat e lashta njihet edhe si tipike e
njerëzve të karakterizuar nga treshe djallëzore.
Çdo deklaratë që vë në pikëpyetje vlerësimet dhe
opinionet e Putinit do të çojë menjëherë në përjashtim nga grupi, gjykime të
rënda dhe burgim të gjatë për sende që në realitet janë iluzionet e shqisave të
tij, perceptimet e gabuara dhe shtrembëruara. Këtë e dinë "këshilltarët"
e tij më të brendshëm, si dhe oligarkët dhe të tjerët që kanë përfituar nga
mbështetja e tij.
Kështu, një proces psikologjik grupor
vetë-përforcues shkatërrues lind në rrethin e brendshëm të mbyllur të Putinit.
A është ai i sëmurë?
Është diskutuar nëse sjellja djallëzore në rritje e
Putinit, e kombinuar me një pamje disi më të fryrë të fytyrës, mund të jetë për
shkak të sëmundjes ose efekteve anësore të, për shembull, steroideve.
Sjellja e vazhdueshme e Putinit gjatë 25 viteve të
fundit sugjeron se kjo nuk është arsyeja e sjelljes së tij. Por nëse ka një
sëmundje të tillë, ajo mund të intensifikojë sjelljen e tij.
Ai do të përdorë të gjitha mjetet
për të shmangur vulën e humbësit, pavarësisht se çfarë vuajtjeje mund t'i
sjellë ai vetes ose njerëzve të tjerë.
Një person i karakterizuar nga treshja djallëzore
nuk mund të durojë të humbasë. Që të tjerët e konsiderojnë një fushatë si të
planifikuar keq ose të ekzekutuar në mënyrë amatore, një dështim, perceptohet
si një shenjë e pafuqisë: dobësi e përbuzur. Putini nuk mund të jetojë me këtë.
Ai përforcon tërbimin dhe brutalitetin. Ai do të
përdorë të gjitha mjetet për të shmangur vulën e humbësit, pavarësisht se çfarë
vuajtje mund t'i shkaktojë vetes ose njerëzve të tjerë.
Në rastin më të keq, armë bërthamore.
Për Putinin,
bisedimet e paqes janë vetëm një lojë për galerinë, madje edhe për
bashkatdhetarët e tij. Kompromiset janë metoda e diplomacisë për zgjidhjen e
konflikteve. Për njerëzit me treshe djallëzore - ajo tregon dobësi.
Të kujdesesh
për madhështinë e vet ia kalon çdo gjëje. Nëse lufta konvencionale dështon, në
rastin e Putinit, në rastin më të keq, mund të nënkuptojë se ai do të përdorë
armë bërthamore taktike. Ka ndoshta pak udhëheqës ushtarakë që mund të ndalojnë
një përdorim të tillë në Rusinë e Putinit.
Një person i
karakterizuar nga treshe djallëzore kupton vetëm vendosjen e kufijve. Ashpërsia
duhet të vendoset kundër ashpërsisë. Në rastin e Putinit, do të përfshijë në
mënyrë të pashmangshme konfrontim ushtarak.
Një
alternativë ndaj konfrontimit ushtarak mund të jetë gjetja e një zgjidhjeje ku
Putin-i shmang humbjen e fytyrës. Por kjo do të kërkojë lëshime jashtëzakonisht
të mëdha që do të jetë e vështirë për Ukrainën dhe botën demokratike t'i
pranojnë.
Askush nuk duhet të mashtrohet. Të martën, udhëheqja ruse e mbrojtjes
tha se forcat ruse do të "ulnin në mënyrë drastike"
sulmet në Ukrainën veriore. Askush nuk
duhet të mashtrohet nga pretendimet e Rusisë, në vend të kësaj duhet të
përgatitet për më shumë agresion rus.
Të besosh se një person me karakteristika djallëzore do të jetë
përfundimisht racional, të kuptojë se ka humbur dhe të sillet si një diplomat i
mençur, i arsimuar mirë, është për fat të keq një utopi.
Strategjia afatgjate e Putinit është të krijojë paqëndrueshmëri në shtetet
e vjetra sovjetike. Evropa po hyn dhe do të përballet me konfrontim të
vazhdueshëm me Rusinë.