| E merkure, 30.03.2022, 07:01 PM |
Dy shqiptarë të suksesshëm Valbona Peraj dhe Toni Zogiani inagurojnë restorantin “Moo Moo’s Italian Steakhouse” in Creskill NJ
Nga
Keze Kozeta Zylo
Në
një ditë të bukur me diell dhe freski që të përkëdhelte fytyrën shkuam pranë
Restorantit “Moo Moo’s Italian Steakhouse” in Cresskill NJ të ftuar nga
pronarët Peraj dhe Zogiani si media dhe bashkatdhetarë. Mjediset e restorantit zbukuruar si për ditë
feste të shlodhnin sytë dhe të jepnin kënaqësi shpirtërore duke të larguar pak
kohë nga rutina e përditshme e punës dhe shpesh e lodhshme.
Restoranti
ndodhet në një vend me natyrë shumë të bukur në Cresskill, bashki e krijuar më
8 maj 1894, nga pjesë të Palisades Township.
Që
në hyrje të mirëprisnin të zotët e shtëpisë Valbona Peraj një artiste e
mirënjohur në Diasporë dhe në Atdhe si dhe Toni Zogiani nje djalë po aq
simpatik. Te dy të japin përshtypjen se
janë të lindur për biznes. Ata kanë
mbaruar lëndët e shkencës në inxhinieri dhe në kompjuter, por artin e punës dhe
suksesin e dëshirojnë dhe ngulmojnë për ta arritur. Bukuria e Valbonës është e një arbëroreje të
vërtetë ashtu siç dhe e këndon këngen me titull “Jam Arbnore” me tekst të
poetit të shquar Agim Doçi. Emocionuese ishte kur këndoi refrenin para kamerave
të TV “Alba Life” si: Jam Arbnore jam Arbresha/ Jam Nora e Shote Galica/ N'djep
të shpirtit gjithmonë deshta/ të rriten trimat sokolesha…
Ajo
dukej madhështore tek porta e pritjes bashkë me partnerin në biznes Toni
Zogiani. Me ngazellehet shpirti kur i
shikoj të rinjtë që ecin në udhën e dijes apo në udhen e suksesit të biznesit,
ndër këta të rinj janë Valbona me Tonin.
Toni i lindur në Kosovë dhe Valbona arbërorja e Shkodrës i bashkoi puna,
dija, biznesi dhe mbi të gjitha Gjuha Shqipe.
Valbonën
e kemi prind në Shkollën Shqipe “Alba Life” e cila ka sjellë djalin e vetëm
Albon, por ajo është me kontribut të vyer në programet artistike të shkolles që
ne e çmojmë shumë.
Tingujt
e muzikës ishin shumë frymëzuese, pjesëmarrës të shumtë vallëzonin, pinin nga
një gotë verë dhe clironin energji pozitive në këtë ditë të veçantë për
pronarët e restorantit.
Shume
krenar ndihej i ati i Tonit, z.Fation Zogiani së bashku me fëmijët e tij që
punojnë aty dhe studiojnë në universitete.
Fjalën
në ceremoninë e prerjes së shiritit e hapi z. Ramon M. Hache përfaqësues në
Bordin e Komisionerëve të Qarkut Bergen në New Jersey i zgjedhur në vitin 2020.
Z.Hache
foli fjalë miradie për dy biznesmenët shqiptarë dhe ngriti lart vlerat dhe
kontributin që ata do të japin për qytetin Cresskill në New Jersey. Ai tha se qyteti ka një traditë të mire,
është mikpritës dhe mbështet njerëzit e suksesshëm. Të tre mbanin shiritin e kuq të inagurimit.
Në
këtë ceremoni mori pjesë ish kryetari i bashkisë Cresskill dhe përfaqësues të
tjerë.
Prerja
e shiritit u mirëprit me duartrokitje, përqafime dhe urime pafund për të zotët
e shtëpisë. është emocionuese kur shikon
të huajtë të cilët duan të dinë sa më shumë për Shqipërinë, për bizneset dhe
kulturën tonë të lashtë.
Valbona
dhe Toni kishin kohë që donin të bënin inagurimin e restorantit, por ata thanë
se pandemia u bë pengesë kryesore dhe bllokoi një botë të tërë duke e
izoluar. Falënderojmë Zotin që erdhi kjo
ditë e bukur dhe ne të kemi mundësi të punojmë dhe t’ju shërbejmë njerëzve me
kulturë dhe plot mirësi.
Ne
jemi krenarë që të ndajmë me mediat, bashkatdhetarët tanë këtë histori suksesi
për pronarët shqiptarë Valbona Peraj dhe Toni Zogiani.
Urime
dhe suksese për ju!
27 Mars, 2022
Creskill, New Jersey