| E marte, 22.03.2022, 08:03 PM |
Shota dhe Azem Galica sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e Kosovës
Nga
Ibrahim Kabili
Historia
jonë është e mbushur me ngjarje të mëdha. Çdo etapë historike ka kthesat dhe
protagonistët e saj. Në këto ngjarje kanë dhënë kontributin e tyre shumë figura
atdhetare të kombit tonë. Duke qenë në kontakt të gjatë me trajtimin e
historinë konkludon se ngjarjet e mëdha
i bëjnë njerëzit me ideale. I tillë qe edhe çifti Shota dhe Azem Galica. Ato
jetën e tyre i'a kushtuan lirisë së Kosovës. Jeta e tyre e shkurtër është e
prerë në mes, por e mbushur me nder dhe lavdi. Ato i bënë një shërbim të madh Kosovës
dhe çështjes kombëtare. Për çiftin Galica, është shkruar shumë, janë bërë
libra, monografi, janë berë filma, është luajtur në teatër, janë thurur këngë,
etj. Mendoj se përsëri ka vend për të folur për jetën dhe veprën e tyre. Ata
kanë qenë, janë dhe do mbeten një model dhe burim frymëzimi për gjeneratat që
vijnë. Çifti i maleve të Drenicës, i'a kushtuan gjithë jetën e tyre lirisë dhe
pavarësisë së Kosovës... Mua si mësues i historisë në vite, më ka motivuar dhe
frymëzuar jeta dhe veprimtaria e tyre patriotike e atdhetare. Ndaj e ndjej si
obligim moral, etik dhe qytetar të shkruaj disa radhë për To, dhe disa
bashkëluftëtarë të tyre.
Shota
lindi në vitin 1895 në Radishevë të Drenicës. Asaj i'a vunë emrin Qerime dhe si
mbiemër kishte atë të të atit të saj, Halilit. Babai i thërriti me emrin Shota
pasi ajo ishte një vajzë e vogel topolake. Që e vogël u rrit me dashurinë e
nënës dhe përkëdhelinë e babait të saj. Ajo dhe Azemi u rritën dhe u
"shkolluan" në oda. Në këto kuvende të burrave u brumos dhe u formua
Shota. Këngët patriotike në oda, shoqëruar nga lahuta, fyelli dhe çiftelia i'a
shtuan dashurinë për atdheun dhe urrejtjen për armiqtë dhe bashkëpunëtorët e
tyre. Raprezaljet që bënte armiku, djegiet e fshatit të saj tre herë në vitet
1909-1919 e "burrëruan" para kohe që të rrokte armën ndaj pushtuesve
turq, austriak-hungarez dhe serbo-malazez. Armën ajo nuk e lëshoi nga dora
gjatë gjithë jetës së saj. Armiqtë ja dogjën shtëpinë. Ajo që 14 vjeçe endej sa
në rrugët e fshatrave dhe ne male, e
diktuar nga rrethanat e kohes. Kjo qe kalitja e parë për jetën e saj dhe që e
shoqëroi në vijimësi. Nusja e "maleve", martohet me djaloshin
kryengritës Azem Bejtën, lufton krahpërkrah me Të, deri në vdekjen e tij. Pas
vrasjes së Azemit ajo komandon çetën dhe bashkëluftëtarët e tij. Me aktin e saj
burrëror si luftëtare e paepur, Shota shkroi e vulosi faqe lavdie dhe heroizmi.
Vdiq në mjerim e skamje në Derven të Fushë-Krujës së bashku me fëmijët jetim të
bashkëluftëtarëve të vrarë. I kërkojë ndihmë mbretit shqiptar Zogut, ai nuk e
ndihmoi por e përbuzi dhe degradoi deri në fund luftëtaren e lirisë...Ky, qe
Zogu, mbreti që doli pas kundrarevolucionit të vitit 1924. Ai erdhi në pushtet me mbështetjen e fuqishme të
Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe e kishte të "vështirë" të
ndihmonte Shotën, pasi ajo kishtë luftuar 12 vjet rriesht kundra Serbisë.
Azem
Bejta lindi në Galicë të Drenicës në vitin 1889. I ati i tij qe patriot dhe
mori pjesë në shumë luftime kundra turqëve dhe serbëve. Azemi ra në kontakt që herët me rrethet patriotike
të kohës. U formua në oda dhe u kalit në flakët e luftës për liri. Ai mori
pjesë në shumë lëvizje të fshatarësisë, u betua se do merrte hak për vrasjen e
të atit nga turqit. Luftoi me armë në dorë për shumë vite kundër çetnikëve
serbo-malazez. Në vitin 1910 shqiptarët e kosovës nën drejtimin e Isa Boletinit
dhe Idriz Seferit zhvilluan betejat më të përgjakshme kundra ushtrive turke.
Kryengritja u shtri edhe në Drenicë ku u shqua edhe djaloshi Azem Galica. Ai ra
në kontakt me patriotët, rroku armet për liri dhe luftoi si komandant e
luftëtar i paepur gjatë gjithë jetës së tij. Fal kontributeve në luftë e
qëndresë së bashku me Shotën u "pagëzuan" me mbiemrin Drenica...
Flamuri
i Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912 u ngrit i pari në Dernicë nga
patrioti Hasan Prishtina. Azemi e përjetoi me pushkë në dorë këtë kryegritje të
madhe. Shota e ndjeu këtë akt, përhapi dhe frymëzoj njerëzit me vargjet e
këngës "Kushtrimi i Lidhjes së Prizrenit" dhe "Betimi i
Kosovës". Ndërmjet mijra kryengritësve ishin rreshtuar edhe familiarët e
Shotës dhe Azemit. Pas pavarësisë, Shqipëria londineze mbeti e cunguar, mbeti e
plagosur. Plagët e saj shtoheshin dhe shtoheshin në vijimësi. Evropa plakë qe e
padrejtë me ne... Fqinjët tanë qenë ekstremisht grabitqar ndaj tokave
shqiptare...
Kosova
dhe troje të tjera shqiptare u pushtuan nga serbët. Në Gazetën "Liria
kombëtare" më tetor 1930 shkruhej: "Kur një pjesë e Shqipërisë merrte
një farë pavarësie, Kosova, kjo krahinë shqiptare, u dënua prej fuqive
imperialiste të mbaj në kurriz një zgjedhë të re shumë më gjakpirëse se e
përparshmja - zgjedhën militariste serbomadhe". Filloi kështu dhuna,
barbarizmi, vrasjet, djegiet, dhunimet, internimet, burgosjet, plaçkitjet dhe genocidi serb mbi
popullsinë e Kosovës... Sipas statistikave të kohës vetëm në periudhën e viteve
1912-14 u zhdukën 130.000 shqiptar... Me këtë padrejtësi nuk u pajtuan
asnjëherë kosovarët. Shota dhe Azemi ishin në ballë të tyre në lëvizjet dhe
kryengritjet kaçake që nuk u ndalën asnjëherë. Këto kishin përfshitë
gjithë Rrafshin e Dukagjinit dhe e
godisnin armikun aty ku ai nuk e priste. Armiku bënte shumë raprezalje nga ana
e tij. Edhe nga familja e Azemit dhe e Shotës, pati shumë të vrarë. Kjo
situatuatë e bëri "çiftin e lirisë" edhe më të vendosur në kauzën e
tyre atdhetare... Një këngë popullore
thotë:
Qysh qat vjet q'a kan
hyrjeti,
Kësaj Kosovës s'ju da
gazepi,
Këtu jan' lshue shtat
krajlia,
Na u çue nemci, erdh
Serbia.
Gjatë
pranverës së vitit 1919 shpërtheu një kryengritje tjetër e madhe e cila
përfshiu shumë krahina të Kosovës. Thirrjes për qëndresë të parashtruar nga
Komiteti i Kosovës i'u përgjigjën në masë popullsia. Çeta e Azemit dhe Shotës e
përbërë nga mbi 50 luftëtar pas luftës në Radishevë, kaluan në zonën e
Rahovecit në ndihmë të patriotit Sadik Rama. Në shkrimin monografik për
"Shota dhe Azem Galica", me autor Ajet Haxhiu, thuhet: Disa çeta e
grupe, si: Grupi i Rahovecit me drejtues patriotët Sadik Rama, Ramadan Shabani,
Met imeri; Grupi i Drenicës i drejtuar nga Azem dhe Shotë Galica, Mursel Ahmeti,
Sadik Lutani, Fazlli Berani; Grupi i Pejës i drejruar nga Ram Alia, Halit
Ahmeti, Hasan Rexha; Grupi i Prizrenit i drejtuar nga Abaz Ostrazupi dhe Zefi i
Vogël, etj.janë organizuar dhe numri i kryengritësve ka arritur mbi 9 mijë
vetë. Qëndresa dhe heroizmi qe i madh. Në fund kryengritje në fjalë u thye.
Rezistenca ra për disa shkaqe si: Mungesa e organizimit si duhej i saj, nuk u
shtri në gjithë teritorin e Kosovës, nga mungesa e armëve, nga veprimtaria sabotuese e disa figurave që
bashkëpunonin me serbët,etj. Masakrat serbe u shtrinë edhe në Fushën e Kosovës.
Në statistikën e Komitetit të Kosovës thuhet se për periudhën janar - shkurt
1919 vetëm në 8 krahina të Kosovës pati 11928 persona të vrarë. Pas dështimit
të kryengritjes krerët drejtues të saj detyrohen të tërhiqen dhe vijnë edhe në
Shqipëri. Shota, Azemi dhe disa prijës të tjerë vijnë në Durrës dhe takohen me
Hasan Prishtinën. U organizuan dhe kthehen sërish në Kosovë. Këtu armiku serb
kishte bërë kërdinë ku krahas vrasjeve masive kishte djegur e shkatërruar
gjithçka, kishte mbushur burgjet me shqiptarë, tokat e shqiptarëve ua dha
serbëve, bëri me forcë mobilizimin e meshkujve në ushtrinë serbe,etj.
Për
Azemin dhe Shotën ishte detyrë madhore shpëtimi i Kosovës nga kolonizimi sllav,
kundërshtimi i tij me grykën e armëve, organizimi i fortë i qëndresës popullore
dhe organizimi i një kryengritje gjithëpopullore mbi pushtuesit serb. Këto
objektiva madhore i frymëzuan dhe i shoqëruan ata në luftën për liri. Çeta e
Azemit dhe e Shotës mbante lidhje të forta me Komitetin e Kosovës si organi më
i lartë i lëvizjes patriotike. Ato mblidhnin ndihma për të, luftonin
propagandën përçarëse të armikut, luftonin kundra tij duke i shkaktuar humbje
të mëdha njerëzore. Luftimet e përgjakshme të çetës në mbrojtje të Galicës,
Drenicës e krahinave të tjera vazhduan edhe në vitin 1920. Shembullin e tyre e
morën edhe krahinat e tjera. Shota dhe Azemi prinin në çdo betejë, frymëzonin
dhe ndiqeshin nga banorët dhe bashkëluftëtarët. Lufta e gjatë e tyre në male me
forcat e pabarabarta serbe i bënë këta të dy, njohës të mirë të luftës së çetave. Në vitet 1920-24 qëndresa
qe e madhe, edhe dëmet që pësoj armiku po ashtu. Çeta e Azemit dhe luftëtarët e
saj vinin dhe strehoheshin në Shqipëri. Ketu shpesh kanë pasur probleme dhe janë
ndeshur me disa çeta bajraktarësh ku ka patur disa konfrontime. Një nga
patriotët dhe truri i lëvizjes kaçake ka qenë edhe Hasan Prishtina dhe Bajram
Curri etj. Lëvizjet kanë pasur ecurinë e tyre në kohë por nuk u shuan kurrë.
Më
13 korrik 1924 rrethohet Drenica, me tre batalione, zjarri më i madh u
përqëndrua në Galicë si edhe tek shtëpia e Azemit. Rrethimi dhe luftimet
zgjatën në kohë. Qëndresa qe e madhe. Në këngë thuhet:
...Azem Bejtja rrin
n'krevat,
Rrin n'krevat, kqyr
n'frengji,
Merrni vesh more shokt e
mi,
Plot Galica me asqeri,
S'paskem besë me kët
krajli...
Bombardimet
nga artileria serbe, vrasjet, djegiet e shtëpive qenë barbare. Azemi me shokët
e tij doli nga kulla dhe vazhdoi luftën në oborr. Armiku vazhdoni më fuqishëm
luftën me mortaja. Nën thirrjet "Prite Azem Galicën", çeta me Azemin
dolën sheshit dhe luftuan ballë per ballë me armikun. Në këtë kohë Azemin e
mori një plumb dhe plagoset. Ndërkohë u vranë disa shokë të tij. U ça edhe
rrethimi i dytë. Populli u ngrit në këmbë që çeta ta çante këtë rrethim. Në
luftë morën pjesë edhe gratë. Në rrethimin e tretë drejt malit të Çiçavicës,
Azemin e merr një plumb në shtyllën kurrizore. Kënga e përjetëson:
Azem Bejtja u plague,
Shokt e mirë ngat i kan
qillue.
Kamer Llausha djal
besnik,
E ka marr Azemin ngryk,
E ka qit deri
n'Çiçavicë.
Në
këtë betejë armiku la mbi 80 ushtarë dhe xhandarë. Humbje pati edhe nga forcat
kryengritëse. Me 17 korrik 1924 Azemi qe shumë rëndë ku nuk kishte asnjë
shpresë për jetën. Ndërkohë vjen dhe e gjen Shota në momentet e fundit para
vdekjes . Ai mbledh fuqitë dhe jep amanetet e fundit për ruajtjen e atdheut,
kujdesjen për të plagosurit, për fëmijët e shokëve të vrarë, për vazhdimin e
luftës. I drejtohet Shotës ku e porosit të mos i ndahet çetës, armiku të mos e
merrte vesh vdekjen e tij, trupi i Azemit të digjej apo hidhej në shpellë...
Vargjet plotësojnë:
Azem Bejta u lodh me
dek,
Jau len shokëve amanet:
"Kërkund vorri mos
me m'u gjet,
Një zjarrm të madh për
me ndez,
Trupin tem me ma djegë.
Krejt Serbia të jetë me
ilet,
Nuk e din jam gjall a
dek".
Dhe
trupi i pajetë i prijësit legjendar u hodh në shpellë nga Shota dhe
bashkëluftëtarët e tij...Edhe pas vdekjes së Azemit, luftëtarët sulmuan armikun duke thirrur:
"O prite Azem Galicën"! Lufta e çetës vazhdoi edhe pas vdekjes së
Azemit nën drejtimin e Mehmet Delisë, Mehmet Kojuhit, në zonat e Drenicës,
Vuçiternës e Llapit. Shota solli fëmijët e dëshmorëve në Shqipëri, ajo u bë
"nëna" e tyre. Këtu u mbështet dhe nga familja e Hasan Prishtinës,
Bajram Currit etj. Ajo kërkoi që rrethet patriotike dhe Komiteti i Kosovës të
shpreheshin e vepronin shpejt, kundër planeve antishqiptare të Beogradit.
Në
ardhjen përfundimtare në Shqipëri ajo fillimisht u vendos në fshatin
Shullaz, më pas në Derven të
Fushë-Krujës. Plagët e marra në luftë, vrasja e Azemit, vuajtja e saj nga uria
dhe e fëmijëve të luftëtarëve të vrarë, e tretën dhe e sfilitën në moshë shumë
të re. Shota vdiq në korrik të vitit
1927 në moshën 32 vjeçare në Fushë-Krujë. Te koka i rrinin dhe qanin me ngashërim
luftëtarët e çetës dhe fëmijët jetim. Shota vdiq por fryma e kryengritjes nuk u
shua kurrë. Lëvizja, vazhdoj në forma të ndryshme deri në çlirimin e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë së saj.
Ibrahim Kabili
Tiranë më 21.03.2022