| E marte, 22.03.2022, 07:57 PM |
SHOQËRIA “FURGON”
NGA
NDUE DEDAJ
Të
habit lehtësia me të cilën marrim çdo gjë, flasim pa e vrarë mendjen njësoj si
për pulën, për vezën, në dash dhe për gjëra tepër të mëdha, siç është lufta dhe
paqja. I vëmë pikën gjësë pa u menduar dy herë. Kot ka qenë ajo fjala e urtë
“mat shtatë herë e pre njëherë”. Po e nisim me një episod grotesk. Tre udhëtarë
të rastësishëm, që nuk njiheshin me njëri-tjetrin, në një furgon, vetëm në
tridhjetë kilometra rrugëtim, ua bënë trutë dhallë bashkudhëtarëve të tjerë,
duke i bërë gjyqin gjithë botës, me të madh e të vogël. Zunë të përflisnin me
nge krejt funksionarët lokalë të asaj zone, me emër e mbiemër, me shifra
“konkrete” vjedhjesh, e çuan pastaj stekën lart e më lart duke përfshirë në
afera korruptive ministra e kryeministra, të parë e të mbramë, që sipas këtyre
furgonistëve kishin marrë rryshfet shuma marramendëse. SPAK-u as që iu afrohej
atyre me dosejt e tij. I dinin aq mirë punët e Shqipërisë, por po aq mirë
njihnin dhe luftën në Ukrainë, çmimet në Mal të Zi, Maqedoni, edhe pse nuk
kishin shkelur kurrë atje. Nuk është se ata njerëz nuk i ceknin ashtu në
përgjithësi disa problematika sociale, por çeshtja është te lehtësia me të
cilën ne shqiptarët e sotëm iu qasemi gjërave, duke thashethemuar tokën.
Njëlloj siç shahemi e lavdërohemi përditë mes nesh, nga tribunat politike në
rrjetet sociale. Kjo është moda sot, në një anë lajka pafund, në tjetrën mllef
pa cak. Në jo pak raste, pavarësisht zërave mediatikë të kultivuar, nuk i
shpëtojnë kësaj “zallamahie” dhe studiot e debateve televizive çdo mbrëmje, që
normalisht duhet të jenë shkollë e komunikimit publik.
Pra,
ngado që ta kapësh, një shoqëri “furgon”, ku flitet për çdo gjë e gjithçka dhe
ku askush nuk mban përgjegjësi për ato që thotë publikisht. Ende pa u shqiptuar
mirë në Itali emri i Elsa Lilës nga autoritetet policore, të gjithë ne këndej,
o kundra, o pro saj. Si është e mundur që nuk lihen ujërat të rrjedhin, të
qartësohen dhe pastaj të flitet për ndodhitë nga ata që janë të mirinformuar
dhe jo o burra në “kor” kush e ngre zërin më lart! Pse duhet të përbëjë lajm
për mbarë shqiptarët deri në diasporë implikimi i mundshëm në krim i një
artisteje, sado e famshme të jetë? Apo ne mezi i presim çikërrimat rastësore të
VIP-ve, për t’i fryrë e thashathemuar, a thua se ata kanë cenuar moralin
kolektiv me atë që kanë bërë si individë. “Paparacë” të tillë që rrinë me
veshët ngrehur për të kapur “skupe” nuk i hynë në punë askujt. Shoqëria s’ka
pse të mbetet peng i kotësive apo vogëlsive të jetës së cilitdoqoftë, artist
apo politikan.
Habia
është se has të njëjtën mendësi e gjuhë rruge, si në furgon, si në zyrat e
larta të shtetit. Gjëja më e mirë që ka ndodhur këto kohë janë pa medyshje
protestat qytetare, tepër civile, që zhvillohen në Tiranë (ndërkohë që në
Athinë, vend i BE-së, protestohet me traktorë në bulevard dhe sheshin para
Kryeministrisë), por nuk mendon kështu Kryeministri ynë dhe as ministrat e
qeverisë së tij. Çfarë nuk ka thënë ai për protestuesit, duke i mbuluar me
“turp”, se demek protestat kundra rritjes së çmimeve të ushqimeve, naftës dhe
energjisë janë “karburant” për makinën e luftës së Putinit, pra çojnë ujë në
mullirin e armikut. Ndërkohë mbulohet me lavde qeveria që kinse ua ka mbledhur
bisneseve që abuzojnë me çmimet, ku sipas tregtarëve të vegjël, ata të mëdhenj
nuk i kanë ulur ato aspak(!) Kështu do të shkojë kjo punë, si në të kaluarën
moniste, shefat atje lart gjithnjë të mirë dhe të pagabueshëm, që shkrihen për
popullin dhe njerëzit poshtë të pabindur, që i sjellin vazhdimisht shqetësime
udhëheqjes me kërkesat e tyre?! Ku, pra, ta kërkosh ndryshimin, qytetarinë e
pjekurinë e shoqërisë, që kumtimet tona publike të mos jenë si flaka e kashtës,
që shuhet përnjëherësh pa u ndezur mirë. Njerëzit nuk kanë nevojë për
tollumbace, sidomos ata që punojnë fort dhe nuk merren me punët e të tjerëve. Por
këta njerëz sot duhen “zbuluar” në frontet e tyre të punës, që mund të jenë:
një fermë agroturizmi avangardë, një biznes prodhues ngritur me mundim, apo
thjeshtë një tufë dhishë në mal, këtyre duhet t’iu shkojnë pas kamerat dhe jo
politikanëve e zyrtarëve, që bëjnë “adetin” me prononcime para mikrofonave, sa
herë kjo gjë iu nevojitet për të mbrojtur veten apo nderin e institucionit që
drejtojnë.
Është
risi përpjekja mediatike për t’iu përgjigjur aty për aty zhvillimeve ditore
(përtej kronikës) përmes debatesh në studiot e televizioneve, siç ishte për dy
vite rresht pandemia e Coronavirusit, siç janë tani protestat e qytetarëve, siç
kanë qenë emisionet për rastet e rënda të kriminalitetit, aksidenteve rrugore,
apo eventet e rëndësishme politike, kulturore etj., por kjo nuk do të thotë që të “prodhohen” me
doemos ngjarje të mëdha përditë, edhe kur nuk ka të tilla e ekranet mund të
mbeten bosh. Zhvillimet politike të një selie apo të një tjetre nuk janë
argument që mund të zënë përnatë studiot e debateve, portalet dhe rrjetet
sociale. Është thënë sa herë se Shqipëria është përtej perimetrit të
kryeqytetit dhe se ngjarjet e atjeshme tashmë janë jashtë rrezes mediatike,
politike po se po. Keni parë ndonjë emision televiziv të drejpërdrejtë ku të
flitet për plugimin e tokës dhe mbjelljet e pranverës? Apo ky nuk është më një
problem kombëtar, pasi drithin e importojmë nga Serbia, Ukraina, Rusia dhe
bukën e kemi të siguruar? Po ndonjë kamër që të hyjë në thellësi të galerive të
kromit në Bulqizë apo Tropojë, ku ka pasur aksidente me vdekje të minatorëve
dhe debat televiziv për këtë katastrofë njerëzore, nëntokësore që nuk po i
ndahet tranzicionit? Kanë hyrë reporterët e terrenit apo ata të qendrës nëpër
kullat e braktisura, ku nuk ka më këmbë të riu, por vetëm pleq të vetmuar?
Raportohet në media se Shqipëria ka humbur 339 mijë ha pyje, por as kjo nuk
shihet si një temë për t’u rrokur gjerësisht, me qëllim jo vajtimin por
ripërtërirjen e tyre. E njëjta dhe me masivet e drurëve frutorë, ullishtet dhe
agrumet e rivierës, vreshtat e famshme si ajo e Shtojit që nuk ekzistojnë më
etj. Jo, asgjë nga këto, edhe pse janë probleme të mëdha të shoqërisë së sotme.
Nga ana tjetër, nuk ka resort turistik, sado larg të jetë në male, që nuk është
vizituar disa herë nga emisionet e ndryshme televizive, në emër të promovimit
të agroturizmit dhe kulinarisë vendase, çka në vetvete nuk ka ndonjë të keqe,
por jo të “ngecë” kamera veç te fërliku e byreku me hith. Ka katër vite që
është folur në media për njëqind fshatrat, nga Lazarati në Valbonë, që do të
bëheshin nga qeveria brenda një afati të shkurtër. Publiku nuk është i
informuar se si ka shkuar ky projekt, që sa dimë ne, disa sosh nuk janë bërë. A
do t’ia vlente një investigim rreth këtij projekti dhe ndonjë debat televiziv
rreth tij?
Po
që po shuhen në vetmi të plotë qytete antike si Zgërdheshi (afër Fushë-Krujës)
a ndihet ndokush? Teksa është kënaqësi të vizitosh të ngjashmit e tij, Ulpjanën
në Kosovë dhe Dioklenë në Mal të Zi. Podgorica nuk mund të kuptohet pa
vizitorët e arkeologjisë së Dukljes, kurse Tirana apo Kruja bëjnë dhe pa
Zgërdheshin historik vetëm një vrap pele larg tyre. Emisioni “Gjurmë Shqiptare”
i një gazetari të apasionuar pas historisë dhe trashëgimisë zbulon realitete të
hershme shqiptare dhe në Nish e Sanxhak, shpesh me kamera të fshehtë, ngaqë nuk
e lejojnë të filmojë, kurse institucioneve tona shtetërore, që paguhen dhe
përgjigjen për trashëgiminë, ka gjasë të mos zotërojnë mirë as inventarin e
saj. Dom Nikë Ukgjini jep përditë alarmin për shkatërrim monumentesh të
rëndësishëm në veri të vendit, duke dhënë vetë ndihmesë të pashoqe për
shpëtimin e tyre në Shkodër e Lezhë. Mirëpo a ia ka drejtuar ndokush mikrofonin
ministres së Kulturës për strategjitë në këtë lëmë dhe ndërhyrje emergjente në
objekte të parikthyeshme monumentale? Cila media bëri nga terreni ndonjë
speciale në vështrim kritik për këto thesare trashëgimore që po na turisin para
syve, ndërkohë që po lartësohen në mënyrë marrëmendëse kullat shumëkatshe të
Tiranës? Kuvendi i Shqipërisë as që bëhet fjalë të “kuvendojë” ndonjëherë se
ç’po ndodh me katrahurën urbane. As me faktin që apartamentet nuk preken me
dorë nga çmimet tepër të larta. Udhëheqësit tanë nuk duan t’ia dinë se të
rinjtë ikin dhe ngaqë me të ardhurat e këtushme nuk e blejnë kurrë një shtëpi në
Tiranë, Fier a Lezhë, përkundrazi s’e kanë problem të thonë “për një jetë më të
mirë po ikin”!? Atëherë po iu themi: zotërinj qeveritarë, bëjuani jetesën
njerëzve si tuajën dhe keni për të parë se askush nuk ka për të ikur nga ky
vend. Por kjo është veçse një utopi këtu ndër ne.
Falë
lehtësisë, e gjitha sot është e mundur. Shikoni se me çfarë lehtësie “bëhet”
muzikë, me çfarë lehtësia njerëzit kanë lënë leximin e librit, ndërsa kanë
ndërmarrë lapsin të shkruajnë libra individë pa kurrëfarë lidhje me të shkruarit,
me çfarë lehtësie shpërndahen dekorata dhe tituj nderi nga gjithkush e për
gjithkënd. Fiks si në një “furgon” ku këmbehen kalimtarët, por jo vlerat. Duket
se shoqëria moderne veç konsumon dhe hera-herës është letërsia që të ndihmon
për ta kuptuar më mirë atë. Nëse përifrazojmë një pasazh nga romani “Ujku i
Stepës” të Hermann Hesses, në vend të muzikës do të hasësh zurnanë, në vend të
gëzimit kënaqësinë e çastit, në vend të punës gjëra pa bereqet, në vend të
pasionit të vërtetë lojërat e cekëta etj., ku një nga kurtizanet e kësaj vepre
i drejtohet filozofit se e kupton fare mirë “neverinë e tij nga politika,
pikëllimin për llomotitjen dhe kotësinë zhurmëmadhe të partive, të shtypit,
dëshpërimin për luftën, për mënyrën se si mendohet sot, lexohet, ndërtohet,
bëhet muzikë, festohen festat, organizohet arsimimi”, si për të thënë se kjo
është tashmë shoqëria. E ka prekur ky lloj “moderniteti” dhe shkollën e
nxënësit, të cilëve rrallë iu jepen detyra projektesh mësimore që lidhën me
natyrën e gjallë e terrenin, duke u mjaftuar me kërkimin në internet!? Ky i
fundit duket se ka zëvendësuar laboratorët dhe kabinetet mësimore të fizikës,
kimisë, biologjisë, elektronikës etj.
Deri
tash kemi shpresuar se këto dukuri janë të tranzicionit e do të kalojnë,
shqiptarët do ta marrin seriozisht veten, trashëgiminë, ekonominë, politikën,
kulturën, turizmin, çdo vlerë që ka të bëjë me të sotmen dhe të nesërmen, por
jo. Ka gjasë që kështu të vazhdojmë edhe për do mote, si një shoqëri “furgon”,
derisa të maturohet një elitë e re për të bërë ndryshimin e pritshëm, që dhe ne
të vemi në hulli të Europës.