| E diele, 20.03.2022, 10:31 AM |
Libri i mallit
Nga
Bekri Murselaj
Libri
poetik "Dorëshkrimi i ringjallur" i poetit Sali Bashota sjell mallin
dhe dhimbjen e subjektit nëpër kohë.
Në
këtë libër poetik udhëton malli i lashtë për vendlindjen që tash në poezinë e
tij merr konotime nga më të ndryshmet duke sublimuar mallin në një dashuri të
pakufishme për të. Këtu subjekti lirik shijon mallin në çaste kur mungon ajo që
dikur e bënte të lumtur (vendlindja), subjekti në të shumtën e rasteve e ndjen
lodhjen dhe mërzinë kur gjithçka para vetes duket e zymtë dhe e zbehtë, duke
krijuar sa melankoli po aq mall para vetes në të njejtën kohë. Ajo çka e
karakterizon këtë libër poetik të poetit Bashota, është vrulli i madh
shpirtëror i subjektit lirik, që në realitet s'mund të pajtohet me asgjë dhe
melankolia e shpirtit e kthen në mall të pafund. Bota emocionale e subjektit
udhëhiqet nga ndjenjat e forta që i përjeton subjekti në të njejtën kohë me
lirizëm dhe mall për dashurinë. Malli në librin poetik "Dorëshkrimi i
ringjallur" shumëfishohet dhe merr konotime të ndryshme, ku dashuria
fillon të zgjerohet dhe të merr përmasat e një dashurie reale, duke përjetuar
majat e një përjetimi të thellë.
Këtu
bota e subjektit lirik mbushet me mall dhe dashuri të pafundme.
Libri
poetik "Dorëshkrimi i ringjallur" i poetit Bashota, ka tri cikle
poetike në vete që, synon të arrijë misionin poetik në fjalë. Ciklet
"Elegji e bekuar", "Buzëgazi i ngjalljes" dhe "Lulja e
bardhë". Ciklin e parë tregohet një botë e mbylltë prej kohësh e subjektit
lirik, ku malli dhe dashuria e preokupojnë, dhe shpalos ëndrrën për
vendlindjen, duke emërtuar këtë cikël me një titull metaforik "Elegji e
bekuar" ku shfaqen vajtimet e njeriut për vendlindjen.
Të gurët e vendlindjes
do të ngjallen
Midis qiellit e tokës do
të zgjohen të gjithë engjujt e dashuruar
Këto
vargje simbolike, po aq domethënëse bartin në vete një mision te lexuesi, duke
sjell mesazhin më të mirë për një dashuri që i kushtohet vendlindjes.
Vargjet
e lartëpërmendura janë shembulli më i mirë duke sjell një dashuri të
pakrahasuar për vendlindjen.
Cikli
i dytë "Buzëgazi i ngjalljes", përmbush ëndrrën personale, i cili ia
kthen vetes buzëqeshjen në mes të kujtimeve, duke kujtuar një moment që e përjeton
subjekti në mes kujtimesh.
Ky
titull i ciklit të dytë ka për synim që të rikthejë buzëqeshjen e humbur duke
kërkuar mallin nëpër kohë.
Asnjë zog nuk ka
fluturuar nëpër flokët e shprishura të hënës
Dhembja nuk është
shkruar në ditarin e kujtimeve
Buzëqeshja nuk është
tretë në sytë e blertë të vjeshtës
Këto
vargje na paralajmërojnë se asgjë nuk ka ndryshuar kundrejt buzëqeshjes e cila
buzëqeshje si duket do ta ruan freskinë e saj në çdo kohë. Aty përjetohet
fuqishëm buzëqeshja pas një kohë të vështirë.
Cikli
i tretë "Lulja e bardhë" plotëson një dëshirë të subjektit që e shfaq
në dy ciklet paraprake, ku cikli i parë shfaq mallin dhe dashurinë e shpirtit,
cikli i dytë, synon dhe kërkon ringjalljen e buzëqeshjes dhe lumturisë, kurse
cikli i tretë, synon të shfaq mallin dhe dashurinë hapur si në vijim:
Hija e shpirtit
Prapë lotin e vret
Në parajsën e dashurisë
Këtu
dashuria ndjehet fuqishëm dhe përjetuese, duke synuar të tejkalohet gjithçka
dhe shpirti t'i shijon çastet e lumtura të dashurinë.
Pra,
libri poetik "Dorëshkrimi i ringjallur" i poetit Sali Bashota,
ringjallë mall, dashuri, buzëqeshje dhe lumturi.