| E diele, 20.03.2022, 07:29 PM |
DITA E PËRJETËSISË
Kushtuar
112 vjetorit të Luftës së Mashkullorës
Tregim nga Resmi Osmani
Mashkullorë,
e martë mbrëma,18 mars 1908.
Pas rrugëtimit të gjatë e të
lodhshëm, që pasoi vrasjen e bimbashit të Gjirokastrës, në atë fillim marsi të
ftohtë, me llohë e shqotë , gërxheve malore, pyjeve e monopateve, e ndjekur nga
koshadhet turke, dhe sytë e zaptieve, çeta e vogël e Çerçiz Topullit me shtatë
luftëtarë, arriti nga Gardhiqi në Mashkullorë. Zemani, pjesëtar i çetës, u dha
strehë që të bujtnin në shtëpinë e tij, ku do të preheshin të sigurtë. I pritën krahëhapur e bujarisht.
Myrto Haskua, i ati i Zemanit, aq u gëzua për trimat që i përndritën shtëpinë,
saqë dukej sikur i qeshnin dhe rrobat e trupit. Nuk u mor vesh sa ahpejt u
gatit darka nga nikoqirja. Jatakët i shtruan në odën e mqve. Ata u shtrinë bri
njëri-tjetrit, të mbuluar me guna e velenxa dhe ca nga ngrohtësia e zjarrit, ca
nga lodhja fjetën në çast.
Mihali, me shpatullat
mbështetur në jastëk, po hidhte në një
radhua me kapakë lëkure ngjarjet e ditëve të fundit, pas vrasjes së
Halil Musa beut bimbashit të urryer të
Gjirokasres. Ai pa që edhe Çerçizin, nuk po e zinte gjumi. Mendueshëm e
disi ëndërrues ia kishte ngulur sytë tavanit stisur me dru të stolisur.
-Nuk po të ze gjumi kapedan?
-Jo, Mihal. Shoh këta trima,
shtrirë këtu si fishekët në gjerdan dhe si shumë herë të tjera pyes veten: pse
këta burra, më besuan jetën e tyre, kanë lenë shtëpinë, stanet e arat,
prindërit pleq, nuset e reja ,fëmijët kërthinj, dhe kanë rrëmbyer armët e
shkojnë në luftë, drejt rrezikut e mundimeve, duke e ditur që edhe mund të
vdesin? Mbaj mbi vete barrën e kujdesit për jetën e tyre.
-E ke gjetur përgjigjen?
-Gjykoj se po. Është zëri i
atdheut të robëruar që i thërret, është britma e lirisë. I atdheut që rënkon,
vuan e heq nën thundrën e turkut, që na vret, na grabit, na mohon gjuhën dhe
shkronjat që të shkruajmë gjuhën tënë, fjalët e shenjta: Shqipëri, Mëmedhe,
liri. Kjo thirrje trondit shpirtërat, është më e dashur edhe më e shtrenjtë se gjithëçka
tjetër, edhe se dashuria për prindërit, nuset dhe fëmijët. Se atdheu fillon te
pragu i shtëpisë , nderi i së cilës është i shenjtë e duhet mbrojtur, por
gjendet edhe kudo ku flitet shqipja jonë e bukur. Për të duhet luftuar. Se jeta
s’ka ç’duhet pa nder e pa liri. Prandaj them se burrat marrin në sy rrezikun
dhe shkojnë në luftë .
-Mirë e the kapedan. Kështu
e ndjejnë edhe shokët tanë që i janë bashkuar çetës, por edhe nëse nuk e
shprehin dot me fjalë e ndjejnë me shpirt e zemër. Historia na rrëfen se
themelitë e kombeve janë ngritur mbi pirgje eshtrash dhe lumenj gjaku. Edhe kjo
jona s’do të jetë ndryshe. Do të na duhet të luftojmë si qëmoti, për tu lënë
bijve tanë lirinë, me flamurin e shenjtë që të valojë mbi Shqipërinë. Por tani
fli, se nesër kemi për të bërë rrugë të gjatë gjer në Çajup që të bashkohemi me
pjesën tjetër të çetës.
Mihali e mbylli radhuan dhe
u mbulua me gunë. Çerçizin, që në mëndje
i buisnin rrëmujshëm mendimet, vonoi që ta zinte gjumi.
E
mërkurrë, mëngjesi i nëntëmbëdhjetë marsit 1908.
Çerçizi u zgjua. Veç Mihalit
djemtë flinin. Llamba ndriçonte zbehtë,
drita e ditës që sapo niste depertonte e paket nga dritarja që shihte nga
lindja. Çerçizi u ngrit dhe siç e kish zakon iu afrua dritares per te hedhur
një sy përjashta. Dita ishte e mugët, e vrenjtur dhe dukej se do të niste shiu.
Ai pa ca hije njerëzish që nuk i shqoi mirë se çfarë ishin dhe i thirri Mihalit:
-Pa eja shih, djem shkolle
janë a njerëz të tjerë?
Mihali pa nga dritarja, po
xhami ishte i veshur me ujë dhe ai nuk arriti ti shkoqiste mirë. Ahere Çerçizi
vuri në sy dylbitë dhe bërtiti:
-O burrani, shokë, ngrehuni
se po na rrethon ushtria e turkut!
Kjo thirrje ishte si një
goditje rrufeje. Me shpejtësi, të tronditur, veshur e paveshur, të pafjalë,
sikush mori pajisjet e tij, ngjeshën gjerdanët me fishekë, pushkët në dorë dhe
u turrën pas Zemanit, zbritën në katua, kaptuan një mur dhe u gjendën në
oborrin e prasm. Vendi ishte i zbuluar dhe atje i hante plumbi.Ishin të
rrezikuar po të dilnin në shesh. Ca më tej, në të djathtë, rridhte një përrua,
i thellë me shtratin mbushur me ujë, mollokë, gurë e shkëmbenj ku brambullinin
me rropamë e uturimë ujërat. Ishte e vetmja mundësi largimi. Morën me vrap
nëpër përrua. Pengoheshin, rrëzoheshin, ngriheshin dhe bënin me mundim përpara.
Taborri i asqerëve, me ndoca
150 shpirt, të gjithë turq, se hyqymetis’u besonte arnautëve, ishte sjellë nga Janina
dhe komandohej nga mylazim
Nexhadin beu dhe oficerë e çaushë të njohur për trimëri e të rrahur me punët e
luftës. Të përhapur në radhitje luftimi, i ishin drejtuar rrethimit të shtëpisë në tre drejtime , dhe prisnin ti zinin të
rrethuarit në gjumë e në befasi në strofullën e tyre, si në një çark. Ata nuk e
panë çetën kur mori tatëpjetë përruan.
Spiuni, që e quanin Veip, e
që i ishte taksur mjë qese me flori, e kishte në sy shtëpinë dhe i pa
luftëtarët e çetës që zbritën tatëpjetë përroit dhe bërtiti:
-Mylazim Bej, na shpëtoi
Çerçizi! Shihi si po vrapojnë në shtratin e përroit!
Buçiti trumpeta, thirrja për
luftë , dhe, plumbat u vërshëllyen mbi krye. Ushtima e trumpetës ishte e frikshme, ajri u drodh.
Ishte si një britmë vekje që të ngjethte flokët. Krismat e qindra pushkëve
ishin shurdhuese. Luftëtarët e çetës, të zënë në befasi, shtriheshin, ngriheshin,
rrëzoheshin, bënin përpara dhe nisën t’i japin zemër njëri-jatërit: “Mbahuni,
përpara burra!”Tronditja e fillimit kaloi . E mblodhën veten dhe nisi të mos u
bëjë më përshtypje e tu shtrëngojë zemër e shpirt zallahia e luftës dhe plumbat
që u vërshëllenin rrëzë veshit. E frikëshme është krisma e parë.
Në atë arrati, pa patur
mundësi të mbroheshin, ishte rrezik të vriteshin të gjithë, pa marrë as gjakun
e tyre. Ushtarët nisën të zbrisnin tatëpjetë e të afroheshin. Rrëpira u mbush
me feste të kuqe. Çerçizit iu desh të merrte një vendim. Mendja i punonte
ethshëm. E dinte që s’ka rrethim pa shteg daljeje. Ai duhej kërkuar, se
rrethimi duhej çarë dhe jeta e shokëve duhej shpëtuar. Sipër përroit, në një
shesholl, ishte një haur i rrëzuar që muret e kalonin lartësinë e bojës së
burrit. Ishte hauri i braktisur i Abaz Çanos.
-Të gjithë pas meje, më
ndiqni!-Sokëlliu zëri i tij i fuqishëm. Me çap të shpejtë, i shkathët si një
sorkadh mali, i vrullshëm si furtuna , bashkë me Asllanin vrapues i shpejtë, që
si ndahej këmba- këmbës, zuri haurin.Pas dritres-frengji, qëlloi drejt e në
shenjë, të njëjtën bëri dhe Asllani. Dy ushtarë u vranë. Të tjerët u tulatën, u
shtrinë dhe zunë vend të frikësuar pas gurëve. Gjaku i derdhur i shokëve të
tyre i lemerisi, aq sa nuk guxuan as t’i ngrinin. Përparimi i tyre u ndal.
Një e nganjë luftëtarët po
arrinin në haur. Në fund kishin mbetur Mihali dhe Haredini. Edhe një vrap dhe
ata do të ishin aty. Pa pritur, disa hapa para Mihalit, Haredini u këput si
lisi i goditur mga rrufeja, pa nxjerrë fjalë apo zë. Plumbi ia kishte përshkuar
kokën tejpërtej. Mihali briti: ”Haredin o djalë!”, iu ul në brinjë, e luajti, i
mori kokën e përgjakur në duar, por s’kishte shënja jete. Mihali u pikëllua por
edhe u mahnit: ai s’kishte parë të tillë të vdekur të nurshëm e të bukur.
Kështu duhet të ishin vetëm dëshmorët! Haredinit i kishte rënë në fytyrë një
buzëqeshje, një bukuri ëngjëllore si e
zbritur prej qiellit. Mihalit vetiu i rrodhën lotët. Psherëtiu dhe ngriti sytë
në qiell, duke iu lutur perëndisë ti jepte prehje e paqe shpirtit të Haredinit,
që ishte trim, guximtar, i mençur e që ra dëshmor duke dhënë gjakun mbi altarin
e atdheut, për lirinë e Shqipërisë. E hodhi mbi shpatulla dhe me trupin e
pajetë të Haredinit hyri i fundit në vendstrehim. Të gjithë derdhën lot për
vdekjen e Haredinit, se të qash nuk është turp, me lotët çlirohet dhimbja e
shpirtit që lehtëson zemrën dhe kthjellon
mendjen.
Çerçizi, kur i pa shokët të
ligështuar, e mblodhi veten dhe u tha:
-Të rrojë Shqipëria, se edhe
ne ,në qoftë e thënë, gjith si Haredini do të vritemi. Po oburra shokë të zemë
vendet, të luftojmë burrërisht dhe ti marrim gjakun Haredinit dhe dëshmorëve të
tjerë të lirisë! Kurseni fishekët, qëlloni veç në shenjë!
Kishin mbetur pesë. Hito
Lekdushi i vonuar, që vinte më pas i shkëputur nga shokët, në pamundësi për t’i
arritur, kishte zënë një ledh të gurtë në një arë, por ishte rrethuar nga
ushtarët dhe në rrezik për të rënë rob,
kishte çarë rrethimin dhe mori arratinë në pyll, pa mundur tu bashkohej
shokëve.
E
mërkurrë,ora shtatë e mëngjesit.
Pesë burra shqiptarë
përballë njëqind e pesëdhjetë asqerëve otomanë festekuq, nga stepat e
Anadollit. Ushtuan trumbetat, që urdhëronin sulmin, pastaj thirrjet
“Allah,allah” jehona e së cilës kthehej nga shpati i malit dhe merrte teposht
grykat dhe luginat, për të tromaksur të madh e të vogël.
Nisi lufta: e pabarabartë ,
e ashpër , e egër, mbinjerëzore, me tërbim, që mund të arrinte edhe trup më
trup, sy ndër sy, dhemb për dhëmb, për jetë në liri a vdekje në robëri! Luftë
shqipëtarisht:
Liri a vdekje!
Koha nuk priste. Kapedani i
ndau detyrat. Ballin e frontit e zuri vetë, në krahë mbajti Zemanin dhe
Myftarin. Anët, Mihali dhe Asllani për të mbrojtur krahët nga rrethimi.
Qindrat e pushkëve villnin
plumba, që vërshëllenin si gjarpërinj dhe binin si breshër,qindrat e fyteve
sokëllinin, trumbeta rrënqethëse dridhte ajrin. Qielli i vrenjtur rengarkuar
derdhte shiun pa kursim dhe herë pas here breshër kokërrmadh. Era shtynte renë
e tymit të athët e të pikër të barutit, që bënte të lotonin sytë. Ishte si dita
e kiametit. Nga lindja retë u çanë, doli dielli dhe sakaq u shfaq ylberi, si
një kurorë lavdie qiellore.
Mbështetur puq pas murit që
tu ruheshin plumbave, luftëtarët shtinin me kursim. Ishin vrarë edhe tre
ushtarë të tjerë turq. Armiku ishte përgjakur, por nga kjo nuk ishte
ligështuar, egërsia e sulmuesve sa vinte e shtohej.
Mihali, çuditërisht edhe pse
i lagur sa i ishin ngjitur rrobat për trupi, edhe i uritur, gojëtharë nga etja,
i lodhur dhe i dërrmuar, i dëshiruar për një cigare duhan, ndihej i ngazëllyer
nga ajo që po shihte! Po bëhej afro dyzet vjeç, por heroizëm të tillë as kishte
parë as priste të shihte apo dëgjonte! Pesë burra kryengritës, me guxim,
vendosmëri e trimëri e kishin kthyer këtë ahur –gërmadhë, në kështjellë të
pathyeshme qëndrese të luftës për liri. Nuk ja ndante sytë Çerçizit: Ky djalë
gjirokastrit njëzet e tetë vjeç, shtathedhur, shpatullgjerë, me hijeshi trupore
prej atleti, e bukuri të pamjes mashkullore si të hyut Apollon, ishte një
dragua, burrë i pashoq nga trimëria,
zemërhekur, syshqiponjë, luftëtar i madh e i patrembur, që si tutej syri nga vdekja. Bashkë me shokët e tij
luanë, me pushkën në dorë, gjashtoren në dhëmbë, po i jepte dërmën taborreve të
turkut. Djalë i ri por burrë i madh i Shqipërisë. Kokëjashtë, se e kishte
flakur ksulën e qullur, ujët e shiut i pikonte mbi shpatulla e fytyrë. Gjithë
kohën në lëvizje: lëvizte shpejt e
paprerë, nga vendi në vend, qëllonte me pushkë, prapste armiqtë dhe u jepte
zemër shokëve ”Mbahuni burra, se jemi bij të Skënderbeut, ne do të fitojmë se
me ne është e drejta, se jemi luftëtarë të lirisë!” Fytyra e tij ishte e
qeshur, më e çelur se kurdoherë, sytë i dritësonin, jo sikur luftonte por si të
hidhte valle, sikur ajo që bënin të mos ishte luftë por një festë! Ku e gjente
vallë gjithë atë forcë, kurajo, guxim e trimëri? Si se tradhëtonin nervat? Për
trima të tillë, nuk ka vdekje,-mendoj Mihali, - me të tillë burra nuk humbet
Shqipëria!
Lufta sa vinte dhe
ashpërsohej, asqerët guxonin dhe bënin disa hapa para, por plumbat që
derdheshin mbi ta i sprapsnin. Atëhere, kur shokët ishin të lodhur e të
sfilitur, Mihali, që tu jepte zemër, nisi këngën që e kishte hartuar muaj më
parë e që luftëtarët e çetës ia dinin fjalët dhe melodinë:
Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë
Vraponi burra se s’ka me
prit
Të vdesim sot me besa besë
Pranë flamurit të kuq që u
ngrit.
Kënga, si grishje për të luftuar e vdekur për
mëmëdhenë, ushtoi dhe jehoi e fuqishme si të këndohej nga një kor e jo vetëm
nga pesë zëra burrash. Ajo godiste njësoj si plumbat dhe shkaktoi hutim e habi.
Çuditërisht, armiku rreshti të shkrehurat e armëve. Mylazim Nexhadin beu, që e
dinte shqipen, po dëgjonte i shushatur
këngën e të rrethuarve. ”O Allah! Ç’farë ishin këta, xhinde të magjepsur, që si
trembeshin vdekjes apo njerëz?” Përgjigjen e mori nga mbyllja e këngës:
Ejani burra malit përpjetë,
Duke u betuar vdekje a liri,
Se s’ka më ëmbël në këtë
jetë,
Kur vdes shqiptari për
Shqipëri.
Ata ishin të gatshëm të
vdisnin për shqipërinë! Turqit, atdheun e tyre që e quanin vatan e kishin lënë
larg, në Azi, këtu ishin në tokë të huaj, që as e donin as i donte. Për
kryengritësit e lirisë, edhe ajo pjesëz toke ku ishin ngujuar, ishte tokë
Shqipërie dhe ajo u jepte forcë si Anteut mitik. Kur lufton në shtëpinë tënde,
të ndihmojnë edhe muret, edhe gurët edhe drurët.
Nexhadin Beu shkumëzonte nga
tërbimi: edepsëzët, qafirët, morracakët! Mund edhe të vdisnin, siç thoshte ajo
kënga e tyre, punë e tyre prej të marrësh , dhe këtë ai do ta bënte, po nga pesë burra kaçakë, si binte një gjethe
pemës madhështore të perandorisë. Kaqë gjë ata nuk arrinin ta kuptonin. Atëhere
mylazimi vendosi tu fliste me tjetër
gjuhë kryengritësve të rrethuar:
- Çerçiz Topulli! Dëgjoje mirë se çfarë do të
them: hiq dorë nga jesiri dhe bjerë teslim. Jeni të humbur. Kurseje jetën tënde
dhe shokëve të tu, se jeni në lule të
moshës. Paçka se ma përgjake taborrin, mëshira e Padishahut, që allahu i
shtoftë ymrin dhe lavdinë, është e pafund dhe jo vetëm që do të ta falë jetën,
se ai e çmon trimërinë dhe si prish trimat, por do të japë edhe rytbe, mall,
kamje e gjë!
Atbotë u përgjegj Çerçiz
trimi:
-Mylazim! Mos u fshih si
gratë pas gurëve, por dil në ta mban të flasim në shesh të burrave. Këto armë që kemi ngjeshur i kemi
për të luftuar për lirinë e mëmëdheut të robëruar e jo për ti dorëzuar. Nderet
na i bën populli dhe vendi ynë, sa për mall e gjë na mjafton e tepron ajo që
kemi. Ne se lakmojmë gjënë e tjetrit si ju. Hiqe taborrë, leri djemtë e mi të
shkojnë, se të skuq të bëj me bojë, se Çerçiz Topulli ma thonë!
Nuk vonoi përgjigja nga ana
tjetër:
-Po jeni vetëm një grusht
njerëz , more jezitë, mosmirënjohës e bukëshkalë! Dëgjoje mirë: do t’u shkoj në hanxhar dhe kufomat tuaja nuk do t’i tretë dheu se do t’ua
hedh qenve!
-Ejani,po ju presim!-qe
përgjigja.
Çerçizi, duke e sharë rëndë,
duke e quajtur halldup, doç, burracak e frikacak, nxirte kryet dhe u thoshte:
“Jemi bijt e Skënderbeut dhe nuk jepemi, por do të luftojmë deri në orën e
fundit dhe pikën e fundit të gjakut, se shqiptari di të vdesë sipas zakonit, me nder e faqe të bardhë për atdhenë!”
Fryma e fjalëve e ndezi më
keq flakën e luftës.
Pushkët villnin mizërinë e
plumbave,qielli derdhte shi e breshër, era e ftohtë priste si brisk.Furia e
luftës nuk rreshtëte.
MIhali u tmerrua, u zverdh e
u bë dyllë dhe gjunjët iu prenë kur pa gjakun në ballin e Çerçizit.Shkoi me
vrap tek ai:
-E ç’na bëre o kapedan, që
na preve krahët? Pse nuk mejton edhe për ne e nuk dëgjon këshillat e mia, por
të gënjyen e të joshën turqit hileqarë
me fjalë, gjer të zbulohesh e të plagosën?! Dale të ta mjekoj plagën.
- Ska nevojë, është vetëm
një gërvishje nga një cifël guri –tha dhe tereziti mirë pushkën, mori në shenjë
asqerin që e kishte qëlluar dhe nuk gaboi: asqeri u plandos i vdekur.
Çerçizi ishte shënjues i
përsosur.
Ora dy e
pasdrekës
Ushtoi trumbeta që i
thërriste asqerët për tërheqje. Deri atëhere ishin vrarë tetë syresh. Të
plagosurit ishin të panumërt. Të rrethuarit, pandehën se turqit po e braktisnin
fushën e luftës, por gabonin: nuk shkuan as pesë minuta kur buçiti trumbeta dhe
sulmuesit u turrën valë-valë duke qëlluar paprerë. Armiku kishte ndërruar
taktikë: ta mbulonin ahurin me zjarr të
paprerë, që të rrethuarit të mos mgrinin dot kokën e të mos zbraznin dot asnjë
pushkë.
Kapedani e kuptoi hilen e
armikut:
-Qëlloni, qëlloni qoftë
edhe verbërisht e kuturu, mos i lini të
afrohen se duan të na zënë të gjallë!-U tha kapedani. Ai, veç me pushkë,
qëllonte edhe me revolver ata që guxonin të bënin çap përpara e ti afroheshin
ahurit. Të njëjtën bënin edhe shokët. Ishte një ferr i vërtetë, ishte si të
luftoje me djallin, turqit sikur mbinin nga dheu. Duhej përpjekje mbinjerëzore
për ti përballuar e prapsur. Edhe pse shi e të ftohtë, ata kullonin djersë dhe
nga kryet e lagur u dilte avull.
Pati edhe dy të vrarë të
tjerë, gjaku turk vazhdoi të derdhej. Djemtë e Anadollit po i linin eshtrat
larg, në vend të huaj. Por nga rrethuesit u plagos Myftari.
Eh, Myftari, kur e morën në
çetë, nga stani i tij, pas kërkesës së të atit,iu duk si barrë. Me natyrë të
qetë, i përmbajtur dhe pak i mefshët, nuk premtonte shumë. Por gabonin. Burrat
provohen në luftë.Atë ditë,që ishte provë burrërie, pa droje, pa u trembur
aspak, me guxim e trimëri, luftoi si një luan, ashtu si nuk e prisnin prej tij.
U hoq pak mënjanë, u mbështet për muri dhe i tha Mihalit duke buzëqeshur:
-Më gërvishtnë pak të
ligjtë!
Plumbi e kishte marrë në
ije, Mihali ia lidhi plagën pa e xhveshur. Plaga nuk i pëlqeu se i rridhte
shumë gjak,megjithatë i dha zemër:
-Mos ki dert, plaga është e
lehtë dhe s’ka gjësendi.
Myftari u përgjegj burrërisht:
-E çdo të ketë , mor Mihal
vëllai, më tepër se një vdekje për nder të Shqipërisë?!
Kur ju ftoh plaga, Myftari u
ndje keq, iu shtuan dhimbjet dhe u ul shesh.
-Kam një amanet- u tha
shokëve- mos më lini të bie i gjallë në dorë të ushtrisë, jepmini fund jetës
dhe mermani kryet me vete!
Kishin mbetur katër pushkë.
U dëshpëruan dhe u mallëngjyen për Myftarin, por i jepnin kurajë dhe e mbanin
me shpresë se luftën as e kishin humbur as do ta humbnin dhe ai do të bëhej
mirë e do ta shihte shqipërinë të lirë.
Kjo luftë,pa rreshtur aspak,
mbajti me gjithë rreptësinë dhe tërbimin e saj deri në orët 4-5 pasdite. Plani
I luftës sulmuese që bënë nuk u solli ndonjë dobi turqve veç të vrarëve e të
plagosurve të tjerë. Ishin para një qëndrese vigane. Që as e kishin parë as
dëgjuar. Turqit të lodhur,të dëshpëruar, të lagur e të mardhur filluan të
tërhiqen. Lufta u rrallua. Kryengritësit, për të kursyer fishekët nuk po i
qëllonin gjatë tërheqies.
-Po tërhiqen si qen të
rrahur me bisht në shalë- tha kapedani-po kokëfortë si mushka që janë, zor se
heqin dorë. Çlodhuni trima- pastaj tha me ashk: ah, çfarë nuk do të jepja për
mjë cigare duhan!
Duhanin e pinin të gjithë.
Shkundën xhepat dhe mblodhën thërrime duhani sa për të pleksur një cigare të
hollë. E thithën dhe tymosën të gjithë me radhë, por gjysmën ja lanë myftarit
që ti zbusnin dhembjet.
Nuk mjaftonin turqit, por
ishin edhe armiqtë e tjerë: Urija, po bëheshin gati njëzet e katër orë pa
shtënë gjë në gojë, shiu i paprerë dhe breshëri, era e akullt, etja se ujët e
pagureve ishte mbaruar me kohë, pinë nga pellgjet dhe,….duhani. urija durohej,
por mungesa e duhanit jo!
Ora pesë
pasdite.
Kapedani vuri në sy dylbitë.
Asqerët , pasi lanë dhjetë të vrarë po shkonin pa rregull në fshat. Pa që nga
Gjirokastra kishte ardhur mytesarifi, kishte sjellë mjekë e farmacistë për të
mjekuar të plagosurit dhe ushtarë e xhandarë të shumtë për të zëvëndësuar
taborrin që thuajse kishte dalë jashtë luftimi me dhjetë të vrarë e afro dyzet
të plagosur. Çerçizi i shihte si në pëllëmbë të dorës dhe mytesarifin dhe
oficerët e tij mund edhe t’i vriste, por i tërhoqi vëmendjen midis tyre një
civil që seç u thoshte duke lëvizur këmbë e duar. Ishte spiuni, ai
gjakprishuri, që për një grusht para kishte shitur luftëtarët e lirisë, që një
natë më parë kishte shkarë si gjarpër në errësirën e natës për të zbrazur
helmin e tij në zyrat e hyqymetit dhe i kishte prirë taborrit turk.
Kapedani mbushi pushkën dhe
i puthi tytën.
-Nderomë dhe mos më turpëro,
moj grykëhollë, zbardhma faqen si përherë.
U mbështet te frëngjia,
qytën në sup, tytën mbi gurë, syrin pishë, mori shenjë, drejt e në lule të
ballit, mbajti frymën dhe tërhoqi këmbëzën. Nuk gaboi, spiuni u rrëzua
njëhershe me krismën. E pagoi tradhëtinë e tij.
Mytesarifi dhe oficerët u
shpërndanë si pulat kur u bie skifteri dhe u shtrinë përtokë. Lufta kishte
rifilluar. Asqerët dhe xhandarët zunë vend te rrapi dhe nisën të qëllojnë, e
trumba - trumba, të mbuluar me zjarr nga
shokët, mësynë drejt ahurit, me thika ndër dhëmbë, duke bërtitur: “Me dorë, me dorë,
me këllëç e me hanxhar, ti grijmë arnautët”
Të rrethuarit u përgjegjën
me zjarr të dendur, nga turqit nbetën edhe tre të vrarë. Kjo e shkrehu vrullin
e tyre sulmues.
Lufta zgjati derisa ra
muzgu. Po ngrysej, dita po ia linte vendin natës.
Gjithë atë ditë, nga egërsia
e luftës u drithëruan edhe gurët e maleve për djemtë e tyre, lisat dhe drurët e
pyjeve, prrenjtë luginat e shpellat, ku
trimat kishin limerët, jehona e britmës së lirisë ju përcoll reve dhe qiellit, që s’rreshtën së derdhuri lotët
e shiut, për të shplarë gjakun e plagëve dhe ftohur zjarrminë që u digjte
ballin. Përroi i foli luginës, lugina pllajave të malit dhe mali reve. Retë i
dëgjuan dhe butësisht si frymë përhapën mjegullën, të bardhë , të dendur, që
mbuloi ahurin-fortesë dhe fushën e përgjakur të luftës.
-O burrani, trima, pas meje
të dalim nga rrethimi, se na mbulon mjegulla, që erdhi si një bekim!
Të pestë, me kurmin e pajetë
të Hajredinit mbi supe, dhe Myftarin e plagosur, bënë tatëpjetë përroit të
thellë dhe morën udhën e malit. Rethimi ishte çarë. Çetën e prisnin beteja të
tjera.
Ajo ditë e armëve të bardha,
që me plumba e trimëri, kishte shkruar një faqe lavdie të lirisë, kishte
mbaruar për të mos u harruar kurrë dhe për të hyrë në përjetësi në kujtesën dhe nderimin e brezave me emërin “Lufta e Mashkullorës.
Tiranë, 2014-2022.