| E premte, 18.03.2022, 09:46 PM |
SI PO MPOSHTET USHTRIA RUSE?
Nga
Kolonel Dritan Demiraj
Ndërkohë
që ndodhemi në ditën e 22-të të konfliktit Rusi-Ukrainë, situata në të dy
kampet vazhdon e përkeqësohet edhe më shumë. Deri në ditën e sotme, humbjet në
pajisje luftarake dhe efektivë të Rusisë janë më të mëdha se ato të dy
luftërave së bashku kundër Çeçenisë (1994-1996, 1999-2006).
Pavarësisht
krimeve të shumta të kryera nga ushtria e Rusisë dhe forcat e saj ushtarake,
ajrore, njësitë tankiste, të blinduara, mekanizuara, artileria e rëndë dhe
sulmet me raketa kundër spitaleve, shkollave, banesave të qytetarëve, qëndrave
të biznesit, industrisë ushtarake të Ukrainës, institucioneve qeveritare dhe jo
vetëm në qytetet Mariupol, Odesa, Kherson, Donetsk, Kharkiv, Lviv dhe Kiev, ajo
që bie më shumë në sy është se çdo ditë e më shumë ushtria Ruse po shfaq
paaftësinë e saj për të përbushur objektivat taktike dhe operative të saj.
Kjo
duket në paaftësinë e skajshme të taktikave të njësive të saj ushtarake për të
avancuar në marrjen e kontrollit të qëndrave të qyteteve, të cilat edhe pse
kanë përdorur të gjithë arsenalin e armëve, nuk kanë qënë në gjendje që të
sigurojnë kontrollin por vetëm shkatërrimin e tyre.
Miratimi
i një ndihme shtesë të asistencës ushtarake nga Kongresi Amerikan ditën e
djeshme me më shumë se 800 milionë dollarë (2 miliardë në total), e cila do të
konsistojë kryesisht me mjetet më të sofistikuara të luftës kundërtanke,
kundërajrore, të pajisjeve të inteligjencës dhe dronëve me raketa Switchblades,
padyshim që do të rrisë edhe më shumë kapacitet operacionale të ushtrisë së
Ukrainës, njësive të rezistencës popullore në rrugët e lagjet e vendit dhe
rrjedhimisht edhe humbjet e ushtrisë Ruse.
Kjo
e ka tërbuar Vladimir Putinin, i cili me qëllim që të ruajë fytyrën e tij
përpara botës ka filluar të ‘përdorë’ ministrin e tij të jashtën Lavrov për të
filluar negociatat me qëllim gjetjen e një “exit strategjie” për të dalë nga ky
mankth.
Kjo
krahas shumë indikacioneve të tjera, u pa qartë në kërkesën e tij ditën e
djeshme, kur Ukraina refuzoi propozimin e Lavrovit për të vazhduar bisedimet
për paqen që Ukraina të bëhet një vend neutral si Suedia dhe Austria.
Këshilltari i presidentit Zelenski, Mykhaiho Podoliak deklaroi se: “Çdo
marëveshje për paqen, duhet bërë sipas termave të Ukrainës”.
Ky
presion sa vjen dhe shtohet, ndërkohë që sanksionet e perëndimit e kanë dërmuar
rëndë ekonominë e Putinit, ndërkohë që në rast se ky konflikt vazhdon me këtë
intensitet deri në fund të muajit prill, rezervat e ushtrisë ruse në mjete,
pajisje, armatim dhe trupa luftimi do mbarojnë dhe humbja e Rusisë është e pashmangshme.
Kjo
shfaqet qartë edhe nga urdhëri i fundit për mobilizimin e ushtarëve të
shërbimit të detyrueshëm, të cilët pas një stërvitje një mujore do të dërgohen
me mision që të vriten në Ukrainë.
Në
këtë moment, Putini i ka drejtuar sytë nga Kina dhe presidenti Xi Jinping, të
cilit siç e kam theksuar në të dy rastet, i ka ‘marrë leje’ për pushtimin e
Krimesë (mars 2014) dhe në datën 24 shkurt 2022 për pushtimin e Ukrainës.
Nëse
kthehemi dhe analizojnë marëdhëniet midis dy vendeve, një nga fushat kryesore të
bashkëpunimit është edhe fusha ushtarake. Në këtë këndvështrim, Kina 77 % të
importit të armëve e blen nga Rusia, ndërkohë Rusia 18 % të sasisë së
përgjithshme të eksporteve ushtarake të saj i realizon me Kinën.
Por
tani situata ka ndryshuar.
Sipas
informacioneve të sigurta, Rusia për shkak të pamundësisë së vazhdimit me të
njëjtin intensitet të ofensivës ushtarake, ka bërë kërkesë që Kina ta mbështesë
me mjetet e mëposhtme ushtarake:
Dronë
ushtarakë sulmi, pajisje inteligjence të avancuara, automjete të blinduara pasi
i janë shkatërruar më shumë se 1100 të tilla, automjete për mbështetje
logjistike, raketa tokë-ajër madje edhe paketa ushqimore të gatshme (imagjinoni
nuk ka as mundësi për të ushqyer ushtarët në luftë).
Por
Kina e ka të qartë se në rast se e ndihmon Rusinë me asistencë ushtarake, do të
përballet me sanksione të fuqishme ekonomike. Për këtë qëllim, këshilltari i
sigurisë kombëtare të Presidentit Biden, Jake Sullivan deklaroi dje se: “Ne nuk
do të lejojmë asnjë vend në botë që të ndihmojë ekonomikisht ose në
anashkalimin e sanksioneve ekonomike që janë vendosur ndaj Rusisë”.
POR LIND PYETJA SE KUSH
JANË FORCAT KRYESORE TË CILAT PO E SHKATËRROJNË ÇDO DITË FORT USHTRINË RUSE?
Padyshim
në këtë sukses të pamenduar nga askush më parë, një meritë të madhe kanë forcat
e operacioneve speciale ukrainase, të cilat po shfaqen si komponenti më kryesor
dhe i suksesshëm i strategjisë ushtarake të kundërshtimit të qeverisë së
Kievit.
Misioni
i tyre vazhdon çdo ditë dhe natë, në çdo rajon duke dëmtuar rëndë ecurinë e
operacioneve luftarake ruse, duke rritur ndjeshëm kostot njerëzore dhe
materiale, duke ulur në tokë moralin e ushtarëve të paushqyer dhe pastërvitur
rusë, përmes një kombinimi ekselent të përdorimit të armëve moderne, taktikave efikase guerrile, kundërsulmeve të
shpejta, luftës kundër-tanke, luftës kundër-ajrore, operacioneve të zbulimit
special, goditjeve në thellësi të prapavijave të armikut si bazat ajrore,
logjistikës, komandim-kontrollit, mbrojtjes së lëvizshme, stërvitjes dhe
drejtimit në luftim të grupeve të rezistencës në të gjithë vendin.
Forcat
speciale të Ukrainës u rikrijuan pas pushtimit të Krimesë në vitin 2014 me
mision luftën kundër operacioneve klandestine, njësive speciale, njësive të
parregullta separatiste dhe për tu përballur me sukses me kërcënimet e
vazhdueshme hibride të njësive të GRU-së nr-26165 dhe njësisë ushtarake
nr-74455.
Njësitë
e forcave speciale të Ukrainës i ofrojnë mbrojtjes së vendit aftësi të veçanta,
të cilat synojnë të kapërcejnë boshllëqet kritike në fushat kryesore ushtarake,
ndërkohë që njësitë e këmbësorisë vazhdojnë operacionet në vijën e frontit me
pajisje të rënda dhe artileri. Por ndërkohë që numri dhe intensiteti i ushtrisë
ruse javën e fundit është rritur, kjo nënkupton se edhe forcat speciale do të përfshihen
më shumë në luftime me intesitet të lartë konvencional, kundër një kundërshtari
të armatosur rëndë që nuk zbaton asnjë rregull angazhimi.
Arsyet
e suksesit të tyre qëndrojnë jo vetëm në aftësitë superiore të taktikave të
përdorura në krahasim me shumicën e trupave ruse, por edhe në pajisjet,
armatimin modern dhe aftësitë për të operuar me sukses natën kundër taktikave
të dobëta të ushtrisë ruse, e cila ka shfaqur mungesë të theksuar të
koordinimit të taktikave të njësive të vogla, luftimit në qëndrat e banuara,
operacionet e patrullimit dhe paaftësisë për të përdorur manovrën me zjarr.
Ata
kanë zmbrapsur me sukses të plotë forcat e mekanizuara dhe blinduara ruse në
periferi të Kievit, në qytetet Bucha, Irpin dhe Hostomel kanë mohuar avantazhin
e përdorimit të ajrit për mbështetjen e autokolonave nga ajri, duke u shkaktuar
humbje të mëdha forcave ajrore dhe të blinduara ruse. Në rajonet e tjera ata
janë angazhuar në luftë të parregullt dhe në operacione në prapavijat e armikut
për të sulmuar kolonat e mbështetjes logjistike dhe postë rojet në aeroportin
‘Chornobaivka’ në afërsi të qytetit të pushtuar të Khersonit.
POR SI U ARRIT KY
SUKSES?
Vendimi
i qeverisë së Ukrainës për të krijuar një Komandë të Operacioneve Speciale
(SOCOM) si një komandë e veçantë erdhi në fund të vitit 2015, pas dështimeve të
njëpasnjëshme ushtarake në rajonin juglindor të Donbasit, ku separatistët e
mbështetur nga Rusia shfrytëzuan mungesën e kapaciteteve ushtarake të ushtrisë
së Ukrainës.
Kjo
përvojë e dhimbshme dhe kërcënimi i vazhdueshëm rus në rritje, e detyruan
udhëheqjen politike në Kiev të fillonte ristrukturimin e forcave të armatosura.
Rritja e buxhetit të mbrojtjes të Ukrainës midis viteve 2015-2020 ishte 100 %,
e cila shkoi nga 2.96 miliardë dollarë në rreth 6 miliardë dollarë (rreth 4,1 %
të GDP-së).
Komanda
e Operacioneve Speciale të Ukrainës, e cila ka në organikë rreth 2.000
operatorë të ndarë në shtatë regjimente të operacioneve speciale, ka qënë një
nga investimet më të suksesshme së bashku me shërbimin kryesor të inteligjencës
SBU. Ata kanë marrë mbështetje të madhe nga agjensitë perëndimore. Në këtë
këndvështrim, programet e fshehta të stërvitjes së tyre nën drejtimin e SHBA-ve
rritën ndjeshëm kapacitetet dhe cilësinë e tyre.
Për
një kohë të shkurtër, ky bashkëpunim përmirësoi shumë ndërveprueshmërinë dhe
aftësitë e tyre, duke bërë që në vitin 2019, komanda e 140-të e forcave
speciale të ishte njësia e parë jo NATO që mori certifikatën e Forcave Speciale
të NATO-s.
Ky
nivel, mundësoi që efektivët e saj të kishin akses të privilegjuar në pajisjet
moderne, përfshirë këtu dylbi të avancuara nate, termale, pajisje moderne të
inteligjencës, pajisjeve të sigurta të komunikimit, armatimit modern, etj.
Dritan Demiraj, Ph.D. Ish Komandant i Forcave Speciale
2007-2013.
https://www.facebook.com/profile.php?id=100044589662161