| E enjte, 17.03.2022, 09:31 PM |
PELLAZGËT DHE SHTREMBËRIMET PREJ HISTORIANËVE
Nga
Mathieu Aref
Një përballje
natyrale lind ndaj disa "historianëve" (me një "h" të vogël
sepse e kam të vështirë t'i quaj ata Historianë) dhe disa gjuhëtarëve në
Perëndim dhe gjetkë të cilët kanë gabuar shumë rëndë nga anët historike dhe
gjuhësore që nga fundi i shekullit XIX. Çudia është se shumë shqiptarë
historianë, arkeologë, etj. janë bazuar mbi këta "autorë" në mënyrë
të verbër dhe veçanërisht Akademia e Shkencave e Tiranës. Të besosh se këta
vetëm autorë kishin apo kanë të drejtë si edhe monopolin e të Vërtetës absolute
tregon se këta "dijetarë" shqiptarë nuk janë në gjendje të punojnë
vetë në këtë fushë të historisë të lashtësisë pa ndihmën e jashtme.
A nuk kuptojnë apo
nuk kanë vullnet të mendojnë thellë kur lexojnë? Kjo mund të tingëllojë si një devijim i rëndë i pa
kuptueshëm. Historianët shqiptarë të kohës enveriste dhe disa të sotëm u bazuan
në disa autorë të huaj që nuk e zotëronin çështjen pellazge apo e kishin
injoruar. Gjithashtu ata janë bazuar në disa autorë të lashtësisë së hershme
dhe të vonshme që ishin të njëanshëm apo nuk zotëronin çështjen pellazge. Tani
po kthehem prapë te këta autorë modernë të cilët i kritikoj ashpër në librat e
mi dhe gjithë shkrimet e mia.
Në të vërtetë këta
autorë nuk e përfytyruan përvetësimin nga Helenët të civilizimit të para
ardhësve të tyre, domethënë atë të Pellazgëve autoktonë, "të lindur nga
toka" si "Pélasgos". Ata as nuk i ndjejnë me saktësi manipulimet
e kryera në panteonin e Olimpit, ku emri i Zeusit i cili nuk ishte grek u
përdor për të bërë që Helenët të zbresin nga perëndiu Zeus kryezoti. Prandaj
edhe panteoni i Olimpit e bë lëmsh ku ishin përzier perëndi, perëndesha, heronj
ose heroina dhe që në fund u bënë
"helene" dhe gjithë bota i besoi ashtu. Ata as nuk e perceptuan
pse kishte katër shekuj, Epokat të Errëta, në të cilët asgjë "helene"
nuk qe shfaqur.
Ata nuk u
përgjigjën se as Helenët, Ilirët dhe Dorianët nuk u përmenden në Iliadë dhe tek
Odiseja; ndodhi ashtu sepse qenë emra të vonshëm. Ata bëjnë zë që në Iliadë
kanë mbijetuar pasazhe të ndryshme komprometuese për Grekët, ngase u kanë
shpëtuar censurës dhe shkathtësisë së logografeve të parë grekë. Në Iliadë
ishte i tillë rasti i Pellazgëve hyjnorë, i Zeusit pellazg dhe Dodonës si
kryeqendër fetare-kulturale e Pellazgëve, i ekzistencës së një gjuhe të Perëndive
(ajo e Pellazgëve) dhe e një gjuhe të "njerëzve" (ajo e helenëve).
Raste të tjera janë ekzistenca e pellazgëve në dy kampet të kundërta të Luftës
së Trojës si dhe ekzistenca të emrave dhe fjalëve (onomastike) të
padeshifrueshme nga greqishtja. Gjithë ata emra e fjalë shpjegohen vetëm falë
gjuhës shqipe dhe sidomos gegënishtes e
cila është shumë e afërt me jonishten e lashtë, etj.
Këta historianë
modernë nuk kanë zbuluar gjithashtu se autorët e lashtë nuk kanë folur kurrë
për një civilizim Mikenas. Për të autorët e lashtë njihnin vetëm qytetin e
Mikenës dhe banorët e tij Mikenas, por jo ndonjë qytetërim miken. Sepse i vetmi
qytetërim para-helen që njihej ishte ai i Pellazgëve. Më në fund, ata nuk e
kuptuan se pseudo-arkeologu dhe tregtari i pasur gjerman, në fakt një gjahtar
thesari dhe jo një arkeolog, Heinrich Schliemann (1822-1890) nuk ishte
një arkeolog i patentuar. Ai me gërmimet e tij në qytetin Mikenë në Greqi (në
fakt, në Argosin pellazgjik) është në
zanafillën e kësaj shpikjeje të
rastësishme të një "civilizimi mikenas".
Këtë e quaj
mashtrimin historik më të madh i cili më pastaj është shfrytëzuar gjerësisht
dhe naivisht, i marrë dhe i shpërndarë kudo në botë. Ndjekja e atij
"zbulimi të rremë" ku civilizimi Mikenas quhet “grek” është një gabim
tjetër i rëndë historik. Këtë e ndjek një tjetër gabim i madh gjuhësor i bërë
nga kërkuesit Ventris dhe Chadwick në vitin 1952 gjatë
hulumtimeve të tyre mbi shkrimin Linear-B
i cili rrjedh nga shkrimi Linear-A kretas. Ata e caktuan se Lineari-B
ishte edhe mikenas edhe një "greqishte të lashtë". Ndërsa Helenët
(grekët) ende nuk ekzistonin në atë kohë shumë të lashtë e ashtuquajtur
periudha Mikene. Dhe, për më tepër, katër shekuj 1200 – 800 p.e.s. kanë ndarë
shfaqjen e helenëve (pas vitit 800 p.e.s) nga fillimi i epokave të Errëta (-1200).
Prandaj ky shkrim
mund të kishte të bënte vetëm me gjuhën e Pellazgëve, domethënë pellazgjishten
e lashtë dhe jo greqishten e lashtë meqenëse helenët nuk ekzistonin akoma
atëherë! Në lidhje me këtë çështje, autorët e lashtë grekë kishin pohuar
unanimisht se "Pellazgët" ishin para ardhësit e vetëm të Helenëve dhe
jo stërgjyshërit e tyre. Mikenët e vetëm që dinin ishin banorët e qytetit të
Mikenës në Argolidë. Kurse Jonët ishin Pellazgët e parë para se të bëheshin
helenë të cilëve u lanë një trashëgim të pasur me një pjesë të madhe të gjuhës,
kulturës dhe legjendave të tyre. Në fillim gjuha greke ishte një gjuhë
mjeshtërore e krijuar nga jonishtja dhe eolishtja (baza pellazge autoktone) me
përzierje të tjera gjuhësore që rridhnin nga origjinat e ndryshme të helenëve
(egjiptiane, fenikase dhe asiriane që i kam quajtur “semito-egjiptiane”).
Më në fund
ekziston problemi i dekriptimit të diskut të Faistos. A ishte shkrimi i atij
disku të shekullit XVIII p.e.s. një mbetje apo gjurmë e qytetërimit që ka
ekzistuar në kohën e Pellazgëve ? Kjo bën me pohuar se ky shkrim mund të jetë
një Pellazgjishte e lashtë ose një para-Jonishte. E cila do të thotë të njëjtën
gjë pasi, siç pohon Herodoti, Jonët ishin pasardhës të Pellazgëve. Herodoti jep
një tregues të çmuar (I, 171) ku ai pohon se Karianët janë në origjinën e
përkrenares me krifë, me një tufë pupleshe ose qime kali. Kjo përkrenare të
kujton kokat e luftëtarëve të Filistinëve, të shkrojtur si Peleset/PLST prej egjiptianëve, si Pelleshtimët prej
hebrenjve, domethënë Pellazgët. Në tezën time të Doktoraturës kam një kapitull
mbi Filistinët që ishin Pellazgë të mirëfilltë. Ekzistenca e kësaj përkrenare
filistine pohohet ikonografikisht dhe kronologjikisht nga relievet e tempullit mortor
në Medinet Habu në Egjipt kushtuar mbretit Ramses III, 1186 - 1155 p.e.s.
Ajo përkrenare
është riprodhuar nëntëmbëdhjetë herë në të dy faqet e diskut Faistos i zbuluar
në Kretë. Deri më sot, asnjë objekt tjetër i ngjashëm nuk është gjetur. Dy
prova janë të pa diskutueshme : Filistinët ishin Péllazgët dhe Karienët ishin
jo vetëm pellazg por kishin të njëjtën përkrenare me Filistinet. Gjithë
historia e lashtë është mbushur me fakte dhe hollësi të këtij lloji por duhet
me qënë i aftë për të ndarë bykun nga gruri dhe zbuluar gënjeshtrat,
paqartësitë, ngatërresat, dyshimet, mashtrimet, e manipulimet e shumta.
Në të vërtetë
vërehet se poezitë epike të traditës gojore pellazge (Iliada dhe Odisea),
shkrimet e para të vërteta të Antikitetit botuar nën pushtimin e Pisistratit në
mes të shekullit VI p.e.s. u përvetësuan dhe u monopolizuan nga pushtuesit
helen. Ato u përkthyen me ndihmën e pellazgëve dygjuhësh, u modifikuan, u
manipuluan dhe u shkruan së pari në "Jonishten" (Jonët e parë ishin
Pellazgë para se të bëheshin helenë) dhe së dyti në "Eolishten". Ato
qenë poezi të traditës gojore para-helene, pra me origjinë jo greke, domethënë
Pellazge ! Ato poezi u botuan në mes të shekullit VI p.e.s. nga Pisistrati
(600-527 p.e.s.) dhe i biri i tij
Hiparku. Për të gjithë autorët e lashtë, parahelenët e vetëm ishin
Pellazgët, paraardhësit e helenëve dhe jo stërgjyshërit e tyre.
Më në fund, përveç
këtyre autorëve modernë të lehtë dhe që përsërisin si papagall çfarë thonë të
tjerët gabimisht, do të theksoja se vlerësoj shumë autorë të tjerë modernë nga
shekulli XVII - XVIII dhe shumë pak të tjerë të shekullit XX. Ata shpesh i
citoj në shkrimet e mia për rëndësinë e tyre, mprehtësinë e tyre dhe anën e
tyre vizionare edhe nëse nuk kishin kryer studime specifike mbi Pellazgët ose
Shqiptarët. Këta autorë modernë të fundit si dhe autorët e antikitetit, të
cilët i admiroj, i njihnin shumë mirë Pellazgët.
E gjithë kjo është
e studiuar me gjerësi dhe rigorozitet falë veprave të mia shumë-disiplinare,
kërkimeve të gjëra dhe serioze, analizave të thella, argumenteve bindëse,
ballafaqimeve të teksteve të ndryshëm, krahasimeve me studime të tjera,
dëshmive të ndryshme antike, referencave të verifikueshme, të padiskutueshme.
Gjithë kjo punë e madhe studimore e nxjerr gjahun nga strofka dhe zbulon gënjeshtra, gabime, paqartësi, ngatërresa,
mospërputhje dhe manipulime të tjera, etj. Përfundimet e këtyre zbulime janë
lidhur në mënyrë “matematikore”. Prandaj teza ime e dokumentuar u pranua si
Doktoraturë nga Universiteti i Sorbonës në Paris më 3 Janar 2012.
Po e përfundoj
këtë vështrim historik duke iu drejtuar Akademisë Shkencore të Tiranës për t'i
thënë solemnisht se falë studimeve të mia shumë-disiplinore, historia e fshehur
për më shumë se 2500 vjet nuk është më një enigmë. Dhe se së fundmi e vërteta
për historikun e Pellazgëve ose origjina e Helenëve doli në dritë. Le ta prekë
Doktoraturën time veçanërisht ish-drejtori i Akademisë së Shkencave të Tiranës,
Myzafer Korkuti, e të shohë se puna ime metodike dhe titanike që më kushtoi dhjetëra
vite u krye në një mënyrë shkencore nga një studiues serioz, historian
shumë-disiplinor. Unë nuk jam një
"amator i pasionuar, romantik dhe
diletant” siç foli ai ditën kur u takuam në Tiranë në 2007 gjatë një
debati steril në Tv Top Channel. Ky person kishte ardhur për të debatuar mbi
librin që sapo kisha botuar në gjuhën shqipe dhe ai nuk e kishte lexuar. Ironia
e fatit donte që ai të vinte në debat pa e lexuar librin tim, gjë që tregonte
një pa aftësi e pa korrektësi flagrante dhe mos respekt nga ana e tij!
Për çështjen
pellazge shpresoj që tani Akademia do të kuptoje se ka marrë një kthesë të
gabuar dhe se kjo rrugë mund ta çoje vetëm në një rrugë pa krye. E ardhmja do
të gjykojë. Veprat e mia vërtetojnë se Pellazgët ishin paraardhësit e drejtpërdrejtë të trako-iliro-shqiptarëve, sepse ata flisnin
të njëjtën gjuhë dhe Shqiptarët sot flasin gjuhën e trako-ilirëve. Shqiptarët e
sotëm janë bijtë e Pellazgëve të hershëm. Kjo është e vërtetuar nga teza ime
dhe Doktoratura e mbrojtur në Universitetin e Sorbonës në Francë. Në të gjithë
botimet e mia janë parashtruar provat, argumentet bindëse, analizat e thella
dhe referencat e verifikueshme.
Njohuritë e mia të
gjuhës shqipe zyrtare (që i afrohet më tepër toskërishtes) dhe gegënishtes të
mësuar që në djep dhe me një anë tjetër kur isha nxënës në Liceun Frances të
Kajros/Egjypt zbulova në Iliadë XVI, 233/236 se Zeusi nuk ishte grek por “pellazg”
këto më kanë ndihmuar në studimet dhe kërkimet e mia të
ndërmarra më vonë mbi Pellazgët. Dhe që atëherë fillova një rrugëtim studimor shkencor
historik-gjuhësor që më kushtoi djersë, vështirësi, pagjumësi dhe shpenzime për
më tepër se 50 vjet të jetës sime. Kënaqësia tani është se ia vlejti gjithë ai
mund e kohë në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Brezat më të rinj e
dinë tani se si qëndron e vërteta e fshehur për mijëra vite.