| E merkure, 16.03.2022, 08:24 PM |
Christopher Hill shkëndijë shprese për qytetarët e Kosovës!
Shkruan:
Florim Zeqa
Mund
të themi se konfirmimi nga Senati për zgjedhjen e Christopher Hill ambasador i
ri i SHBA-së në Serbi nuk është i rastësishëm! Prolongimi i arritjes së
marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi e ka detyruar presidentin Biden të bëjë
zgjedhjen e duhur me emërimin e diplomatit të karrierës ambasador në Serbi, i
cili e ka përvojën e zhvillimit të negociatave dhe zgjidhjes së shumë
problemeve ndërshtetërore dhe ndëretnike në botë.
Pritet çasje e re në
dialog
Zyrtarizimi
i diplomatit amerikan Christopher Hill për pozitën e ambasadorit të SHBA-ve në
Serbi është një zhvillim i rëndësishëm pozitiv sa i përket dinamizimit të
procesit të dialogut mes të dyja vendeve. Si pasojë dialogut të pasukseshëm 11
vjeçar Kosovë-Serbi, pritet të ndërrojë çasja dhe formati i këtij dialogu! Që i
bie se, duhet të caktohen afatet kohore për arritjen e marrëveshjes
përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, si dhe të përfshihen në dialog
institucionet e të dyja shteteve (presidenca, parlamenti, qeveria, partitë
opozitare, shoqëria civile dhe ekspertë të fushave përkatëse) në mënyrë që
marrëveshja përfundimtare në mes dy vendeve të garanton paqe dhe stabilitet
afatëgjatë në Ballkanin perëndimor.
Bazuar
në “rezultatet” e deritanishme pas rifillimit të dialogut Kurti-Vuçiq, zgjidhja
përfundimtare nuk shihet as në horizont! Në vend të progresit kemi regres për
shkak të rrëshqitjes së dialogut nga niveli politik në atë teknik, të cilit nuk
i shihet fundi!
Meqë
BE-ja si ndërmjetësuese e dialogut për 11 vite, jo vetëm që nuk arriti të ofrojë
një zgjidhje optimale, nuk e paraqiti asnjë dokument lehtësues që i përafron
palët drejt zgjidhjes përfundimtare!
Pasojat
e ngërçit politik nuk është se po i vuajnë politikanët, por po i vuajnë
qytetarët e të dyja vendeve, e në veçanti qytetarët e Kosovës, të vetmit të
getoizuar në Ballkanin perëndimor dhe pas asnjë shpresë për ardhmëri në vendin
e tyre.
Andaj,
emërimi i diplomatit amerikan Christopher Hill për pozitën e ambasadorit të
SHBA-ve në Serbi është një shkëndijë shprese për qytetarët e Kosovës, që më në
fund të shohin një progres dhe të lëvizin lirshëm dhe pa asnjë pengesë drejt
vendeve evro-perëndimore.
Hill alarm për palët në
dialog
Siq
dihet Hill ishte pjesë e ‘Grupit të Kontaktit’, ka shërbyer si Emisar Special
gjatë luftës në Kosovë dhe ishte i përfshirë drejtpërdrejt në negociatat në
Rambuje të Francës më 1999.
Për
Serbinë emri i Christofer Hill rikujton simfoninë e zhurmshme të aeroplanëve
bombardues të NATO-s ndaj caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi, ku pas refuzimit të
kësaj të fundit për nënshkrimin e marrëveshjes me Kosovën në Rambuje, kishin
nisur sulmet 78 ditëshe ndaj regjimit të Millosheviqit.
Pa
dashur të ndalem në historinë e suksesshme diplomatike të ambasadorit, vlen të
theksohet se diplomati Christofer Hill ka qenë person vendimtar në shumë
procese që determinuan veprimet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj shtetit të
Serbisë, përfshirë bombardimet e NATO-s.
Deklaratën
e tij: "Unë do ta inkurajoj Serbinë të angazhohet seriozisht dhe
urgjentisht për të arritur një kompromis" duhet kuptuar si ultimatum ndaj
dy palëve në dialog, Serbisë dhe Kosovës.
Ashtu
sikurse Serbia që duhet të përgatitet mirë për efektet diplomatike të
ambasadorit Hill, edhe Qeveria e Kosovës duhet ta merrë seriozisht diplomatin
amerikan, ngase për dallim nga diplomatët e tjerë perëndimor, ambasadori
Christofer Hill palëve në dialog nuk iu lë shumë hapësirë manovrimi, por shumë
shpejtë i sjellë para dy zgjidhjeve përfundimtare.
Kur
e themë këtë, e kam parasysh faktin se, sikurse presidenti i Serbisë,
Aleksandër Vuçiq i cili kot tenton të viktimizohet para ambasadorit Hill i cili
e njeh mirë të kaluarën e ish ministrit të Millosheviqit, edhe Qeveria e
Kosovës, përkatësisht kryeministri Albin Kurti duhet të jetë shumë i kujdesshëm
dhe praktik në dialog me Hillin amerikan, ngase këtij nuk i bëjnë përshtypje
oratoria dhe përformanca e fantazive poetike.
Sikurse
që, asnjë luftë nuk përfundon pa dialog, edhe dialogu nuk përfundon pa
kompromise të dyanshme!