| E premte, 11.03.2022, 08:59 PM |
Vuçiq me Putin e ndërkohë Edi me Aleksandrin!
Nga
Enver Bytyçi
Lufta
në Ukrainë, për shkak të sulmit rus kundër saj, ka shkaktuar edhe disa efekte
pozitive. Kryesorja është se ajo bashkoi Europën. I dha asaj një dimension të
ri. Me këtë luftë Vladimir Putin humbi gjithë investimin e këtyre 20 viteve të
fundit që ta përçajë faktorin Europian dhe ta shpërbëjë Bashkimin Europian. Ai
i çoi për skrap të gjitha financimet që ua bëri fraksioneve ekstreme të djathta
e të majta në Europë, me qëllim që të fuqizojë ndikimin e tij e madje
hegjemoninë ruse në Europë.
Më
24 shkurt Europa dhe bota ndryshoi. Të djathtë e të majtë, të qendrës e të
ekstremit, u bënë bashkë për të kundërshtuar atë që nuk e kishin parashikuar: -
Sulmin rus kundër një vendi europian sovran. Ishte e mjaftueshme kjo luftë që
miqtë e Vladimir Putin të ktheheshin në armiq të tij. Që NATO të rikthejë
fuqinë dhe lavdinë e dikurshme, edhe pse nuk dërgoi trupa në Ukrainë. Por
solidariteti europian dhe ai euro-atlantik është më i lartë se kurrë në
histori.
E
gjitha ndodhi brenda 24 orëve. Ndodhi, sepse rreziku trokiti në derën e
Europës. Ndaj u zhdukën dallimet midis shteteve, midis fraksioneve politike,
midis politikanëve dhe në mes vendeve me kultura diverse. Vetëm Serbia i
qëndroi besnik traditës. Nuk e ndryshoi qasjen e saj ndaj aleatit tradicional,
Rusisë. Në Serbi dhe kudo ku ka serbë shprehet mbështetje institucionale dhe
vokacionale për Rusinë dhe Vladimir Putin. Diktatori rus shpalli sot listën e
vendeve armiqësore. Në këtë listë janë shënuar Shqipëria, Maqedonia e Veriut
dhe Mali I Zi. Por nuk është shënuar Serbia. As Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova.
Kosova nuk është shënuar, sepse Kremlini e konsideron atë pjesë të Serbisë.
Bosnjë-Hercegovina nuk është shënuar, sepse institucionet e saj nuk
funksionojnë dhe vendimmarrja kundër Rusisë e aktit brutal të saj të luftës në
Ukrainë nuk vjen për shkak të vetos së Republikës Srpska.
Jo
vetëm Serbia, por edhe aleati i saj, Dodik, janë garant të mbështetjes së
veprimeve ruse në Ukrainë. Një vend, një aleat i serbëve, pra Rusia e Vladimir
Putin shkel të drejtën ndërkombëtare dhe i imponohet me dhunë ushtarake një
vendi sovran, ndërkohë Beogradi dhe Banja Luka e mbështesin atë. E mbështetën
dhe disa serbë të Veriut të Kosovës. Pati tentativa që gjithashtu serbët e
Malit të Zi të shprehin mbështetjen e tyre për Vladimir Putin, përmes një
proteste simbolike. Kjo është tragjedia e Europës dhe rajonit tonë. I vetmi
komb në Europë në mbështetje të agresorit rus në Ukrainë është Serbia, krahas
Bjellorusisë.
Ndërkaq
kësaj tragjedie i shtohet qëndrimi pro-Vuçiq I kryeministrit të Shqipërisë, Edi
Ramës. Në vend që të dënojë qëndrimin e Serbisë, ai e radhit Beogradin në anën
e Perendimit. Madje shkruan se vota e Serbisë pro-rezolutës në OKB dëshmon se
vendet e Ballkanit Perendimor radhiten krah Europës dhe NATO-s. E më pas
shprehet se atij i mjafton ky fakt për ta çuar përpara iniciativën e Open
Balkan, ose atij minishengenit të famshëm të themeluar në Novi Sad e në
Beograd. Megjithëse serbët dhe bjellorusët janë të vetmit jashtë listës së
armiqësisë së Moskës, Edi Rama vazhdon t'i konsiderojë ata si pro-perendimorë?!
Aleksandër
Vuçiq e ka ndarë mendjen: Ai mbështet Rusinë agresore të Vladimir Putin. Nuk ka
ndërmend të vendosë sanksione kundër tij, sepse ky akt do ta shndërronte
Serbinë automatiksht në një vend armik të Rusisë. Nuk ka ndërmend që ta dënojë
aktin e pushtimit rus në Ukrainë, sepse e krahason këtë akt dhe bën analogji me
bombardimet e NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës. Presidenti i
Serbisë nuk ka ndërmend të largojë bazën ruse në Nish. As të distancohet nga
politika e Kremlinit në kontinentin europian. Ndërsa Edi Rama luan me zjarrin.
Një dorë e mban në Perendim dhe një dorë tjetër në supet e Aleksandër Vuçiq.
Retorikën pro-euro-atlantike e përdor për të fshehur mbështetjen që i jep
presidentit të Republikës së Serbisë.
Në
fakt kryeministri i Shqipërisë ka detyrime ndaj presidentit të Serbisë. Para
një viti Aleksandër Vuçiq e ndihëmoi Edi Ramën për fitoren e tij në zgjedhjet e
25 prillit. Tani, gjithashtu në prill, Serbia zhvillon zgjedhjet parlamentare e
presidenciale. Rama po ia kthen borxhin. Dëshiron ta ndihëmojë mikun e tij që
të vazhdojë të qeverisë si autokrat i llojit Putin në Serbi. Njëra dorë lan
tjetrën. Dora e Vuçiq lau dorën e Edi Ramës para një viti dhe tani dora e këtij
të fundit lan të dy duart e presidentit të Serbisë.
Por
kjo sjellje kushton, ka kosto. Kostoja është përçarja e faktorit shqiptar. Të
gjithë e dimë se Serbia, presidenti e qeveria e sa,j nuk mund të bëhen miqtë e
shqiptarëve, aq më pak të Kosovës. Kjo është përçarja më e madhe që na ndodhë
në këto 9 vite të qeverisjes së aleatit të Serbisë në Tiranë. Kjo është edhe
kostoja që po paguajnë shqiptarët, sidomos ata të Kosovës.