| E enjte, 10.03.2022, 08:53 PM |
Qerim Arifi apo Migjeni harruar i Kosovës Lindore
1946-1990
Në kujtim të mësuesit, profesorit, gazetarit e krijuesit
të mirënjohur nga Presheva, me rastin e ditës së mësuesit shqiptar
Nga Gani
Qarri
Qerim
Arifi u lind më 22 shkurt të vitit 1946, në qytetin e Preshevës ose thënë
më mirë në kryeqytetin dhe zemrën e Kosovës Lindore, vatër që në vijimësi nxori
intelektual dhe krijues të shquar, me të cilët nderoi veten dhe të gjitha
trojet tona etnike, si dhe emra që përjetësisht mbeten në
zemrat e shqiptarëve dhe kujtesën e mbarë kombit tonë.
Ai erdhi
ne jetë si fëmija i vetëm i dy prindërve të rinj Ramizit e Safetes, të cilit
fatkeqësisht kur Qerimi ishte vetëm 3 vjeçar, i vdiq e ëma, ndërsa i ati, si
burrë i vetëm në shtëpi, të cilit i duhej të punonte e luftonte për mbijetesë,
duke mos pasur mundësi të përkujdesej për një fëmijë të mitur si Qerimi i
vogël, atë e morën dajat ta rrisnin dhe për rreth 7 vite me radhë u përkujdes
gjyshja (nëna e nënës së poetit), për krijuesin, profesorin dhe gazetarin e
ardhshëm sublim Qerim Arifi.
Shkollimin
fillor dhe të mesëm Qerimi i kreu ne Preshevë, kurse shkollën Normale dhe
Fakultetin Filozofik degën e Gjuhës dhe Letërsisë angleze, në Universitetin e
Prishtinës.
Pas
përfundimit të fakultetit, i pajisur me dije dhe diplomën e profesorit të ri të
gjuhës angleze nga Universiteti i Prishtinës, Qerim Arifi u kthye në vendlindje
dhe për disa vite, punoi dhe kontribuoi pa kursim, për edukimin dhe arsimimin
profesional të nxënësve semimaturantë shqiptar, në shkollën e mesme-gjimnazin
"Skënderbeu" në Preshevë.
Për
profesorin e ri, pedagogun dhe intelektualin preshevar me nam, nuk kishte
gjë më impresionuese, nder më të veçantë dhe kënaqësi më të madhe se sa kur ai,
me sytë e tij shihte përditë, se si rriteshin e arsimoheshin shëndetshëm dhe
frymëzoheshin drejtë e ngriheshin kombëtarisht brezat e ri të shqiptarëve
autokton, të cilët nga shkolla-gjimnazi ku ai jepte mësim, brez pas brezi
dilnin studentë, mësimdhënës dhe drejtues institucionesh e entesh edukative,
arsimore, administrative dhe politike jo vetëm në Preshevë e rrethinë por edhe
në Kosovë ku bën emër të mirë dhe lanë gjurmë të pashlyeshme.
Ata
ishin pasardhësit dhe vijuesit e denjë, të traditave, vizioneve dhe idealeve të
larta kombëtare shqiptare, bij të mundit e të djersës së prindërve të molisur
për më shumë dritë, barazi e dinjitet dhe të drejta etnike e liri njerëzore,
autor të shumëvuajtur të sakrificës së pafund dhe pinjoll të paepur të
arsimimit bashkëkohor, fillor, të mesëm e universitar në gjuhën amtare shqipe,
siç ishte edhe vet profesori, gazetari dhe poeti e krijuesi i përjetimeve të
dhembshme e vetëmohuese Qerim Arifi.
Qerimi
ishte ikonë e kohës, i cili jetoi dhe punoi me zell e përkushtim të pafund, si
korife dhe përçues sublim i idealit të shenjtë kombëtar, që ishte ideal i
gjithë gjeneratave të asaj kohe, si dëshmia më e mirë, se vetëm atdhetarizmi i
pastër dhe drita e diturisë autoktone amnore shqipe, do të mund ta ruante
gjuhën, traditat e identitetin e shqiptarëve, si dhe bërthamën e kombit në ato
troje etnike, të mbetur padrejtësisht jashtë kufijve të Kosovës, ku ishte
lindur e rritur edhe vet Qerimi.
Ishte
veprimi patriotik i tij, me të cilin u mësoi pa u lodhur dhe mundësoi brezave
të rinj të shkolluar nga ai me kolegë, që me dëshirë të lartë dhe vullnet të
pashuar, edhe ata të jepnin kontributin e vet personal e kolektiv, për
vijimësinë e të jetuarit shqip, si dhe të çonin përpara përpjekjet për liri, të
drejta e barazi të plotë kombëtare për shqiptarët e shtypur e të nëpërkëmbur
ndër shekuj e dekada në trojet e veta autoktone, nga pushtues dhe regjime të
egra antishqiptare, si regjimet pushtuese shoviniste serbe.
Por UDB,
duke parë përkushtimin e thellë kombëtar dhe angazhimin vetëmohues didaktik të
Qerim Arifit për ti përcjell ndjesitë dhe mbjellë frymëzimin kombëtar edhe te
gjeneratat e reja dhe nxënësit e tij, nisi ta shqetësonte prirja patriotike dhe
atdhetarizmi i paepur i pedagogut të ri, ndaj dhe do të bënte ç`mos, që
profesori dhe gazetari i dalluar nga Presheva shqiptare, të mos arrinte ti
jetësonte të gjitha ato, për të cilat ishte shkolluar e përgatitur dhe kishte
ëndërruar me shpirt, ti kthente në vepër, për vendin dhe bashkëkombësit e tij.
Kështu
që sipas referencave të besueshme nga vendlindja e Qerimit, UDB kishte arritur
të infiltrohej, deri në jetën bashkëshortore të poetit dhe këtij atdhetari e
kombëdashësi të madh, t`ia shkatërronte ëndrrat, planet e ardhmërinë dhe
shkurtonte edhe jetën e tij, duke e quar në vdekje të parakohshme.
Ikja nga Presheva dhe vendosja në
Prishtinë
I
kërcënuar nga paranoja sllavo-komuniste dhe gjendja e rënduar
sociale, që profesorit të ri, i përkeqësohej çdo ditë, Qerim Arifi ishte
detyruar, të kërkonte ndihmën e bashkëkombësve në Prishtinë dhe
megjithëse në ato kohë të rënda e
të vështira për të gjithë shqiptarët, Kosova edhe vet, vuante e rënkonte nën
okupimin serb, edhe nën ato kushte e rrethana kritike, me mundësi të
kufizuara veprimi, bënte krejt çfarë mundte e arrinte për shqiptarët e mbetur,
padrejtësisht dhe pa dëshirën e tyre, jashtë kufijve të Kosovës, veçanërisht
për shqiptarët e Prshevës, Bujanocit e Medvegjës, Malit të Zi dhe Iliridës,
duke dhënë çdo gjë brenda mundësive dhe kapaciteteve që kishte, për shpëtimin
nga më e keqja, mbështetjen, punësimin, shkollimin dhe avancimin në procesin
arsimor, profesional dhe administrativ e politik të tyre.
Kështu
që, për ta larguar nga atmosfera e rënduar në Preshevë, nga e cila ati i
rrezikohej edhe jeta, Qerim Arifi do të këshillohej, ta linte gjimnazin dhe ti
mundësohej punësimi në revistën "Zëri", e cila atëbotë ishte revista
më e adhuruar në Kosovë, duke iu siguruar edhe banesë e akomodim për një jetë
normale në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë.
Por i
lodhur nga problemet që i kishin lindur me partneren në vendlindje, për shkak
të dyshimeve të lidhjes së saj me UDB-në, një kohë Qerimi jetojë i vetëm në Prishtinë, ndërsa pas disa vitesh mori
edhe familjen e ngushtë të tij, duke menduar se problemet e lindura në
Preshevë, do të mbeteshin kujtime të hidhura të të kaluarës, ashtu siç edhe i
ishte premtuar poetit nga "burrat" me mustaqe të fjalës e kuvendit,
por që megjithatë, përveçse nuk i doli ashtu siç i ishte thënë, problemet e
brendshme u përkeqësuan edhe më tepër, gjë që qoi edhe në vdekje të parakohshme
gazetarin e krijuesin e mirënjohur.
Kështu
që sipas asaj që tregojnë njerëzit nga rrethi i poetit në Preshevë, në kohën
kur në kryeqytet dhe qytetet tjera gjithandej Kosovës dhe jashtë saj, kudo
jetonin shqiptarët, vijonin pakënaqësitë dhe zgjeroheshin demonstratat
studentore, me kërkesat për avancimin e statusit politik të Kosovës në
Republikë, UDB ishte vënë në alarm, për rritjen e përndjekjes së intelektualëve
me prirje atdhetare dhe pas një diskutimi sqarues- të brendshëm familjar, për
shkak të dyshimeve të poetit, për ri-kooketim të partneres me pjesëtarët e
UDB-së, policët serb dhe shqipfolës në shërbim të UDB-së, pa vonuar, do ti
futeshin në banesë Qerim Arifit, rrokullisnin atë nga shkallët duke e goditur
me shqelma e grushte dhe rrihnin aq shumë, në mes të ditës me diell, duke e
goditur qëllimisht, me sa fuqi kishin, në të dy anët e zonës së veshkave,
derisa ai ishte alivanosur dhe kishte filluar të nxirrte gjak për hunde e për
goje.
Kjo
fatkeqësi dhe rrahje skajshmërisht brutale, sipas referencave nga njerëz të
afërt të gazetarit e krijuesit dhe koha e pasqyrimit të gjendjes së tij të
trishtë shëndetësore, të cilën vet poeti
e përshkruan në poezinë e tij të famshme me titull: „Në Dhomën time…..“,
barbaria ndaj ti, nga UDB serbo-sllave duhet të ketë ndodhur nga fundi i vitit
1981 apo fillimi i vitit 1982, sulm nga i cili mjerisht trupi i hajthëm i
Qerm Arifit, nuk do të rimëkëmbej më kurrë.
Madje
për shkak të dëmtimeve të rënda që ai kishte pësuar, nga të cilat nuk mund të
ngrihej më në këmbë, dajat e ti me ndihmën e organizatës ku ai punonte,
ishin detyruar ta dërgonin Qerimin për kurim në Strugë, por mjerisht as kjo nuk
i kishte ndihmuar gjë, ngase veshkat e tij ishin dëmtuar deri në përmasa të
atilla shkatërruese, sa që funksionimi i tyre kishte pushuar tërësisht dhe ai
ishte detyruar të hynte në dializë.
Dhe
sikur mos të mjaftonin të gjitha fatkeqësitë që ai kishte përjetuar, mjerisht
as dializa nuk do ta mbante gjatë në jetë poetin, ndaj në momentet që pa se po
afrohej me të shpejtë dita, kur ai do të detyrohej ti linte lamtumirën kësaj
jete dhe largohej nga kjo botë mëkatare, Qerim Arifi kishte kërkuar ta
rikthenin në Prishtinë, në qytetin që e donte aq shumë, aty ku i‘u mundësua të
jetonte si njeri dhe shqiptar i pa ndrojtur, ku kishte kolegë e miq me të cilët
mund të fliste lirshëm, shqyrtonte gjendje dhe trajtonte situata, si dhe të
studionte mundësitë e bënte projekte, se si mund tu ndihmohej edhe shqiptarëve
në vendlindjen e tij.
Për fatin e keq të poetit, tanimë ishte bërë vonë për gjithçka dhe pa
vonuar, ai do të mbyllte sytë përgjithmonë, duke vdekur më 1990, në Strugë,
prej nga trupi i tij, do të sillej dhe varrosej me nderime të larta të
kolegëve dhe bashkëpunëtorëve në Prishtinë.
Qerimi
ishte profesor, gazetar, poet, përkthyes e krijues i gjakut të fisëm, që mbetet
vlerë e përjetshme e historisë tonë më të denjë krijuese, arsimore e kombëtare,
intelektual i shquar dhe misionar profetik me rrënjë origjinale
autoktonie, i lindur dhe rritur në zemrën e Kosovës Lindore, i cili nga ajo
ngjarje makabre mbeti i shtrirë në shtrat, deri në çastet kur mbylli sytë
përgjithmonë.
Krijues shumëdimensional e
atdhedashës i madh, që dha gjithçka nga vetja, për arsimim, kulturë e dinjitet
dhe një të ardhme më të mirë të shqiptarëve, duke mos kursyer veten as jetën e
tijë, në mënyrë që edhe gjeneratat pasuese të arrinin sa më shumë përparim
në procesin e dijes e të shkollimit dhe gëzonin pa kufizime, të drejtat dhe
liritë njerëzore e kombëtare, që u takonin në vendlindjet dhe trojet
e veta autoktone ku ata jetonin dhe jetojnë edhe sot.
Por përkundër të gjithave sa bëri
poeti për vendin dhe njerëzit e kombit e të truallit të vet, mjerisht krijuesi
Qerim Arifi vuajti dhe u mundua aq shumë dhe deri në atë shkallë
trishtuese, sa që edhe dhembjeve në trupin e tij, u kishte humbur kuptimi.
Dhe pa
vonuar ai do të vdiste shumë i ri, si një Migjen i dytë, edhe pse nga një cep
tjetër, por jo shumë i largët gjeografikisht i atdheut të përbashkët shqiptar.
Poet
mitik, profesor, pedagog e gazetar i dalluar, me të gjitha virtytet e një
mësimdhënësi shembullor dhe autori e krijuesi të shquar e të veçantë kombëtar,
i cili pasi pësoi dhembje dhe vuajti, shumë më shumë se cilido krijues
tjetër, vetëm pse ai ishte një krijues patriot dhe intelektual i shquar
shqiptar, padrejtësisht dhe pa fajin e ti, sikur mbeti i harruar nga të
gjithë madje edhe nga vet perënditë pagan...
Maratonomak
i dënuar me vdekje, jo nga Zoti, por nga njerëzit e këqij e të shfrenuar
moralisht dhe armiqtë e kombit, të cilët Qerimin e quan padrejtësisht në një
histeri të papërshkrueshme tmerri e trishtimi, i lënë i vetëm në kulmin e
mjerimit, shtrirë në errësirë, gjysmë i gjallë e gjysmë i vdekur, pa ndihmën e
askujt, katandi ku nuk kishte më, ku të shkonte më keq, sa të mos mund t`ia
kërkonte asnjërit, një kafshatë bukë, a një pikë uji, duke përjetuar për
gjallje të vet, të 9-të rrathët e ferrit të Dantes, ende pa ikur në amshim.
Të cilit
megjithëse Noli i madh te poezia “Marathonomak”, përshkruante vrapimin e
mundimshëm të lajmëtarit, që do ta çonte lajmin e gëzuar të fitores në popull,
këta dy rreshta të poezisë së tij, me titullin e lartcekur, i shkojnë shumë
gjendjes së mjeruar të poetit Qerim Arifi.
Ke një plagë, po s'e the,
Djers' e gjak pikon për-dhe
*******************************
Qerim
Arifi ishte martir i viktimizuar qëllimshëm, i cili me gjithë ëndërrimet që të
bëhej edhe ai një "maratonomak", që përçon lajme të mira e të mëdha
për fitoret e shqiptarëve, të kombit e të atdheut, ai u shkatërrua
pamëshirshëm, nga ata që nuk e priste as meritonte dhe nuk kishte më kujt t`ia
thonte as tregonte plagët dhe vuajtjet e tij, i torturuar në mënyrën më të
trishtë ç ‘njerëzore, që edhe në çastet e fundit të jetës, nuk pati me kënd ta
ndante dhembjen që ndjente as shprehte mallin e grumbulluar në shpirt që e
mundonte, i përcjellë gjatë gjithë kohës me mallkimet për vdekje, sa më të
shpejtë, nga ajo që në fakt, do duhej ti gjendej pranë dhe përkujdesej për te,
edhe në vuajtje dhe çastet më të këqija të ti, madje edhe kur krijuesi kalonte
qaste të ngjashme si në këta rreshta të poezisë sublime noliane.
Gryka si gjyryk të ç ‘fryn
Prej Vullkani flakë e tym
Se ç ‘vëngon e se ç ‘gulçon,
Zëmra brinjët t'i çkallmon
******************************
Mbahu, or Marathonomak, do të shprehej Noli i madh!
Por
poetin dhe krijuesin tonë të shquar Qerim Arifi, nuk kishte as kush ta
ngushëllonte, ti thonte mbahu e bëhu burrë i fortë, as ta ushqente me frymëzim e
dashamirësi, madje në vend të ndihmës dhe ngushëllimit, ai merrte mallkime për
vdekje, siç vë në pah edhe vet poeti, në poezinë e ti të trishtë me titull
"Në dhomën time....", ku shpreh në hollësi rrëqethëse gjendjen e
tmerrshme të para-amshimit, derisa lëshonte rënkimet nga vuajtja dhe grahmat e
frymëmarrjes së vështirësuar e të mundimshme të tij, duke u sfilitur edhe më
keq nga përgjigja ç ‘njerëzore: “Ende s`ke cofur imzot.....?!:
Qe një vjet e gjysmë më zihet fryma, marr pa hesape aminofilin
***************************************************************
Ne dhomën time ka arome gazetash dhe sëmundje, çarçafët
Me gjak. Mbi to mund të pështyj sa herë më mblidhet urea në fyt
Por, askush nuk vjen t’i heqë. Në dhomën time të blasfemuar
Nuk dëshiron të hyje askush. Më thotë: “a ende s’ke cofur imzot!"
Me një
fjalë, Migjeni harruar i Preshevës dhe gjithë Kosovës, që ishte betuar edhe
para ferrit të të gjitha vështirësive dhe jetës plot vuajte që kaloi, të shihte
vetëm ëndrra me diell dhe dritë të dëlirë për atdheun, vendlindjen e ti
Preshevën, Bujanocin, Medvegjën, Shqipërinë etnike dhe mbar kombin shqiptar.
Ikona e
intelektualit të paepur, pedagogut dhe krijuesit të dalluar shqiptar, që pas
vuajtjesh e mundimesh të stërmëdha, vdiq i ri dhe në kohën kur ai mund të
ofronte shumë më shumë krijime, me përmbajtje edhe më të pjekura e më
afirmative se kurrë më parë, duke i mbetur ëndrrat përgjysmë dhe lënë parakohshëm lamtumirën
kësaj bote të "rrejshme" në moshën vetëm 44 vjeçare, gjë që e bënë
edhe më të dhembshme shuarjen e tij të hershme e të mundimshme.
Profesor
i mirënjohur i gjuhës angleze, krijues i shquar e poet
shembullor, dhe gazetar i dinjitetshëm, i lindur mu në zemrën e
Kosovës Lindore, që punoi e vuajti aq shumë, të cilit mjerisht, vuajtja i ishte
bërë pjesë e pandashme e jetës, sëmundje ngjitëse, dhe dergjë që nuk iu
shkoq asnjëherë, deri në minutat e fundit.
Qerim
Arifi mbeti jo vetëm njëri nga të "pagjumët" e përhershëm për gjallje
të vet, por edhe i përvuajturi i përjetshëm i kësaj treve etnike shqiptare,
pothuajse i harruar nga të gjithë, sidomos pas shkuarjes së ti në amshim, i
cili njohu më mirë se kushdo tjetër, plagët e robërisë, vuajtjet e
bashkëkombësve dhe vajet e gjithë tokës së okupuar arbërore, duke ndjerë fort
në zemër dhe përjetuar thellë në shpirt, zjarrin e dhembjes së shqiptarit të
shtypur nën okupim.
Madje
megjithëse gjendja e tij jetësore mbeti gjithmonë e rëndë dhe nga më të
vështirat për një krijues produktiv e të talentuar si ai edhe në momentet më
kritike për jetën e vështirë që kaloi, nuk doli kush ta vriste heshtjen dhe
mundësonte mbijetesën e poetit ikonë, që të mos vdiste aq i ri, apo që emri i
tij, të kumbonte edhe pas vdekjes si kushtrim i pavdekësisë kombëtare.
Qerimi ishte bërë pjesa më e nëpërkëmbur e
këtyre dhembjeve dhe viktima më e pafajshme e virusit okupues që shuante
intelektualët dhe patriotët më të mirë të kombit nga këto treva autoktone
shqiptare, i cili megjithëse u përpoq deri në fund që të mos u nënshtrohej
urrejtësve paranoik dhe fatit të keq, që goditën padrejtësisht jetën e tij, atë
e mundën imoralët, bashkëpunëtorët e okupatorit dhe shpirtrat kriminel, madje
thuhet se njëri nga policët që e rrahën për vdekje, iu bërë poetit edhe
ortak, post-mortum në bashkëshortësi.....
Katrahura që jetën e
krijuesit e kthyen në tmerr, një jetë të kaluar si në botën e krimit e të
terrorit, të përshkruar vetëm në ferrin e Dante Aligherit, ku ishte katandisur
poeti, si qenie e urryer, e përbuzur dhe shndërruar në gjysmë-kufomë të
përdhunuar deri në kufijtë e ç`njerëzimit dhe katastrofës ekzistenciale, kur
edhe kërkesës për të njomur fytin e tharë nga sëmundja që e digjte, me një pikë uji, i vinte përgjigja torturues; ende s`ke cofur imzot?!
Sipas
Testamentit të Ri biblik, ferri kishte 7 rrathë por sikur mos të mjaftonin
vuajtjet e "parashkruara" në "Testament" për njeriun,
Aristoteli e rriti numrin e rrathëve, nga shtatë, në nëntë dhe ideja e tij, u
mor më pas edhe nga mendimtari e shkrimtari italian Dante Alighieri, sikur ta
dinte edhe ai, se përmes këtyre rrathëve tragjik, ishte dënuar të kalonte edhe
shpirti i pafajshëm i krijuesit tonë të shquar e të pavdekshëm kombëtar Qerim
Arifi.
Por megjithëse Qerimi mbetet profesori,
gazetari, poeti e intelektuali më i martirizuar nga Presheva dhe Kosova
Lindore, për jetën e mundimshme dhe vdekjen e tmerrshme, makabre e të
parakohshme të tij, është shkruar më së paku, për të mos thënë fare.
Madje,
Migjeni i shumëvuajtur preshevar dhe "personazhi" më real i poemave
migjeniane të mjerimit, nga kjo trevë autoktone shqiptare, angazhimet
pedagogjike, gazetareske, poetike, letrare e patriotike të të cilit, mbetën
vetëm cikle ëndrrash e dëshirash të parealizuara deri në fund, në shpirtin
e vrarë të Qerim Arifit, prej të cilave iu bë jeta pelin, sikur mos të
mjaftonte, që ai u shua parakohshëm dhe në mënyrën më të dhembshme të mundshme
të një intelektuali të pa fat, mjerisht ai mbeti i harruar edhe nga vendësit
dhe bashkëkombësit e tij.
Për aq
më tepër edhe shkrimet e pakta dhe tejet të cekëta, për jetën dhe veprën e
Qerim Arifit, duket se janë bërë qëllimshëm, shumë të shkurtra dhe tepër të
mangëta, në mënyrë që ndoshta ai edhe pas vdekjes, të mbetet i dënuar nga të
gjallët dhe fajtor kujdestar, pa asnjë faj, edhe në amshim, duke harruar se
Qerimi u mund nga fati i keq, dhe mbytë parakohshëm nga njerëzit e shitur e të
degjeneruar, në mënyrë që idealet kombëtare e krijuese të tij, të mos
shkonin deri në fund dhe as të realizoheshin në tërësi, për të mbytur edhe
ndjesitë shpirtërore të profesorit, gazetarit dhe përkthyesit e krijuesit të
ndritshëm preshevar, para kohe.
Sado që
për jetën dhe veprën e krijuesit Qerim Atrifi, nuk jepen shpjegime të
mjaftueshme, thuhet se me poezi, ai ka filluar të merret nga rinia e hershme,
ndërsa botimet e para të Qerimit datojnë nga fillimi i viteve të 70-ta, me
librin mbresëlënës "Kujtime", krijimet e të cilit, përmendet të jenë
përfshi në disa antologji dhe libra me biografi të shkrimtarëve, kurse shkrimet
e këtij krijuesi magjeps, janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja.
Qerim Arifi, megjithëse pas mbarimit të shkollimit sipëror, për disa vite ka
punuar profesor në gjimnazin "Skënderbeu" në vendlindjen e tij në
Preshevë, pjesën më të madhe të punës dhe të jetës së vet të shkurtër, i ka
kaluar si gazetar në revistën "Zëri" në Prishtinë, që aso kohe, ishte
një nga revistat më të dashura në Kosovë.
Profesori,
gazetari dhe krijuesi e poeti Qerim Arifi është marrë edhe me përkthime nga
gjuha shqipe në atë angleze dhe anasjelltas, duke mos e pushuar veprimtarinë e
tij të denjë krijuese, derisa vdiq i shkallmuar, më 1990 dhe u varros ne
Prishtinë.
Veprat më të njohura të Qerim Arifit janë:
1.“Kujtime” botuar më 1970
2.“Nokturno”
botuar më 1983
3.“Fatamorganë”
botuar më 1984
4.“Mbyllur
në urnë” më 1987
5.“Rekuiem
për kalanë”- Preshevë, më 1988
Përkthimet: “Katër kuartetet” e Eliotit
Vepra e
përkthyer në gjuhën shqipe nga Qerimi Arifi, është poema e famshme e nobelistit
të shquar britanik, Thomas Stears Eliotit „Katër Kuartetet“, e
cila ndryshe njihet edhe me titullin "Shtëpia e djegur", dhe është e
ndarë në 4 tituj: (Burnt Norton, East Coker, The Dry Salvages, e Little
Giding).
Ndërsa
për të bashkë-ndjerë dhe kuptuar më mirë, kalvarin e vuajtjeve që ky poet i
pafat përjetoi, po vendos këtu, një nga poezitë më prekëse të Qerim Arifit, në të cilën përshkruhet në
mënyrën më të prekshme, se në ç ‘kushte makabre i kaloi ai vitet e fundit të
sëmundjes që ishin edhe sekuencat më të rëndat të jetës së tij.
Në Dhomën time s`ka as
Pastërti as Shëndet!
Qe një vjet e gjysmë më zihet fryma, marr pa hesape aminofilin
Të lutem shoku mjek, cili do të jesh intravenoz se më muskujt
Më janë shterruar e tash më duket sikur gjarpri është duke më
Kafshuar e jo duke marrë injeksione. E ato nuk përfundojnë...
Po, përpos juve mjekeve, infermiereve dhe aromës së alkoolit
Në dhomën time nuk hyn tjetër kush. Mbetet te numëroj yjet në
Netët e pafund te qiellit të zi, kështu e masë vogëlsisë time
Imzot! Ne dhomën time ka arome gazetash dhe sëmundje, çarçafët
Me gjak. Mbi to mund të pështyj sa herë më mblidhet urea në fyt
Por, askush nuk vjen t'i heqë. Në dhomën time të blasfemuar
Nuk dëshiron të hyje askush. Më thot: "a ende s'ke cofur
imzot!"
(Kodra e Diellit, 1983)
Në
nderim të profesorit, poetit dhe krijuesit të paharruar preshevar, thuhet se
është formuar çmimi "Qerim Arifi", mbahen manifestime kulturore dhe
janë krijuar shoqata e grupe letrare të titulluara me emrin e tij, por ajo që
pashmangshëm bie në sy dhe lë shumë për të dëshiruar, është fakti se është
shkruar shumë pak, për të mos thënë fare, për jetën e dhembshme dhe krijimet e
bujshme e veprën e denjë të tij.
Madje
megjithëse sot ka poet, shkrimtar, gazetar etj, që marrin çmime, mirënjohje e
dekorata, përfshi edhe çmimin që mbanë emrin e Qerim Arifit, tash e mbi 32 vite
nga vdekja e poetit, jetëshkrimi dhe biografia e këtij krijuesi të ndritshëm
kombëtar, u lanë për mjerim, me përmbajtje aq të tkurrur dhe tmerrësisht të
mangët, sa që të vete mendja se çdo gjë bëhet qëllimshëm dhe me porosi, për
neglizhimin e punës dhe veprës madhore të Qerim Arifit edhe mbi 3 dekada pas
vdekjes së këtij krijuesi të përvuajtur migjenian?!
Dhe për
rrjedhojë, shprehur në mënyrën më të butë, krijohet përshtypja, për të mos
thënë edhe bindja, se edhe ata që krijuan çmimin "Qerim Arifi, duket se
këtë e bënë, më tepër për ta dekoruar njëri tjetrin, se sa për ta ngritur e
nderuar emrin dhe veprën e krijuesit edhe me shkrime pë te, pasi që deri më
tani, nuk publikuan qoftë edhe disa rreshta të vetëm, për punën e krijimtarinë
e çmuar, vitet e mundimshme e as mënyrën e vdekjes makabre të poet
Qerimit, që ishte kthyer në përditshmëri të hidhur e të rëndë jetese, për
patriotët dhe atdhedashësit më të denjë, gjithandej trojeve shqiptare nën
okupim.
Kështu
që, për fund, medoemos lind pyetja e
patejkalueshme, se athua vallë, vërtetë, këto ishin shkrimet e vetme të
ikonës krijuese të Preshevës dhe Kosovës Lindore Qerim Arifit, pas ikjes në
amshim, apo tekstet e prozës dhe poezive që ai mund të ketë lënë në dorëshkrim,
si dhe librat e shumtë, që ai thuhet se kishte në bibliotekën e tij personale,
të gjitha përfunduan atje ku nuk do duhej, ku nuk e kishin vendin dhe as nuk e
meritonin një masakrim të atillë.
Kujtim të përjetshëm dhe respekt të pafund jetës dhe veprës së mësuesit,
profesorit, gazetarit e krijuesit të shquar preshevarë, atdhetarit e
bashkëkombësit tonë të paharruar Qerim Arifi!