| E merkure, 09.03.2022, 08:38 PM |
Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Azem Syla
SHTAB-ISTËT E
"ROGNER-IT" SABOTUAN LUFTËN DHE E PENSIONUAN UÇK-NË E TYRE, ENDE PA
HYRË NË LUFTË!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
"Krerët e UÇK-së", nuk kanë qenë as koka dhe as bishti i
UÇK-së, sepse nuk kanë qenë pjesë e luftës"!
Komandanti markant i Kosharës heroike, Gjeneral Hisen Berisha,
rishtar i organizuar në PDK-e, ka befasuar skajshëm, me përzgjedhjen e tij
partiake. Ndonëse i pakonsumuar, energjik dhe gojëtar i zhdërvjelltë, ka
paraqitje të shpeshta publike, në veçanti, mediale. Shumë aktiv në agjitimin
partiak, në përpjekje për ta përmirësuar imazhin e përtokur të PDK-së, fort të
përfolur për krime seriale dhe hajni industriale zyrtare.
Dihet angazhim luftarak për çlirim dhe liri i Gjeneralit. Si
pinjoll i Familjes luftarake e fisnike të Agës së Rashkocit, tradita vazhdon.
Por, liria pa demokraci, është e mangët, është "një përrallë dimri"!
Kosova u përgjak nga bijtë e saj bastardë, duke ua ngrirë buzëqeshjen
shqiptarëve të kudondodhur.
Në nëntorin e vjemë, u takuam në Koshare me Gjeneralin, kur po i
jipnim lamturmirën një djalit tonë, ish-ushtar në luftën e Kosharës. -
Gjeneral Berisha, preferoni t`ju quajmë Komandant apo Gjeneral, - e pyeta unë?
- Ju, modestisht, u gjegjet: "Si të dëshironi". Nuk e zgjata më tej,
sepse ishte rast i rëndë mortor. Mendja më shkoi tek disa komandantë, të cilët,
në mënyrën më të vrazhdët e bizare e keqpërdorën, deri në përdhosje këtë
emërtesë shumë domëthënëse. Dëshmi të krimeve janë varret, bustët, pllakat
përkujtimore e deri shtatoret e kolegëve Tuaj FARK-istë; kuadro dhe veprimtarë
të LDK-së; si dhe viktimat, brenda llojit, kuadro të hershme të LPK-së.
Tashmë, soldateska serbo-sllave ishte përzënë nga Kosova, nga
NATO-pakti. Vrasja e shqiptarëve vazhdonte të bëhej nga shqiptarët. Për këto
krime, kryeministri në ekzil, Dr. Bujar Bukoshi, alarmoi botën, përmes mediave
më prestigjioze botërore, si "Nju Jork Times" amerikane, "Der
Spiegel" gjermane dhe të tjera.
"DER SPIEGEL"- citon kryeministrin Bujar Bukoshin:
"Pas luftës u bënë spastrimet më mizore, në mesin e shqiptarëve, me
pretekstin se ishin "bashkëpunëtorë të serbëve", krerët e UÇK-së
likuiduan kundërshtarët e tyre politikë. Numri i viktimave është mbi
1.000". E gjithë akuza ishte në adresë të Hashim Thaçit, meqë ishte
vetemëruar drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së!?
Gazeta amerikane "NJU JORK TIMES", intervistoi
kryeministrin Bukoshi: "Të gjithë në Kosovë e dinë, por askush nuk guxon
të flasë për këtë, krimet. Hashim Thaçi, Rugovën, Bukoshin dhe
Komandantin e FARK-ut, Rrustem Berishën, i ka cilësuar "tradhtarë që së
shpejti do të dënohen"!
Huqja e parë e Gjeneral Hisen Berishës
Me zellin e kërkuar, për të dhënë kontributin e tij, në subjektin
politik, rishtaz të aderuar, PDK-e, Gjenerali Hisen Berisha, ka nismuar
përpjekjen për legalizimin dhe rehabilitimin të Organizatës ilegale e kriminale
SHIK. Është e saktë se kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli, i kërkoi bashkëpunim
Presidentit Rugova, lidhur me SHIK-un. Por, ishte tepër vonë, sepse krimet
makabre, tashmë, kishin ndodhur. Dhe, kushti "vogël" i Dr. Rugovës,
ishte ringjallja e viktimave të SHIK-ut!
"Me ty do të kryejmë punë shumë shpejt",- i tha Hashim
Thaçi, në telefon, Kolonel Ahmet Krasniqit. Dhe, pas pak javësh, Koloneli u
ekzekutua! A vritet Ministri i Luftës, në vlugun e luftës?! Dhe, kjo ka
mjaftuar që Dr. Rugova të refuzojë çfarëdo bashkëpunimi me SHIK-un, njëjtë siç
veproi dhe refuzoi Qeverinë e Përkohshme të Hashim Thaçit.
Huqja e dytë e madhe e Gjeneral Hisen Berishës, është deklarata
në seancën e Kuvendit:
"Albin, përmbylle problemin me Serbinë, ashtu siç e solli Hashim Thaçi
pavarësinë"!?
Thënë troç, Thaçi nuk e ka sjellur pavarësinë. Përkundër, me
arrivizmin, karrierizmin e tij të shfrenuar, bëri atë që nuk i takonte, lexoi,
dhunshëm, Deklaratën e Pavarësisë, me mendjen e tij fyçkë, se do të hynte në
histori, si Ismail Qemali!
Më 17 shkurt 2008, nuk po pavarësohej Qeveria, por, Shteti i
Kosovës. Atëherë, pse duhej ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë kryeministri,
kur në sallë ishte shefi i shtetit, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryetari i
Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi?! E pakta që mund të bënte presidenti
Sejdiu dhe deputetët e LDK-së, duhej të kundërshtonin dhe reagonin, deri në
lëshimin e sallës kuvendore. Pikërisht, ambicia karrieriste e shpuri Hashimin
në krime.
Sipas gjeneral Berishës, "Hashim Thaçi e solli pavarësinë"!?
"Nxirr një kashtë, e dalin gjashtë", - thotë urtësia.
1) "Hashim Thaçi e solli pavarësinë", ndërkohë që të
gjitha veprimet e tij, dëshmojnë të kundërtën, sepse filloi me sabotimin e
unifikimit të faktorit ushtarak, rrjedhimisht, të luftës për çlirim;
2) "Hashimi themelues i UÇK-së", - thonë tellallët e
tij. Por, 4 (katër) nga themeluesit e UÇK-së të LPK-së, e demantojnë,
publikisht, duke faktuar bindshëm, se ai nuk ka qenë pjesë e themelimit të
UÇK-së;
3) "Hashimi drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së"!
Por, Asnjë forum partiak apo ushtarak, brenda apo jashtë Kosovës, nuk e ka
zgjedhur apo emëruar atë, në atë post;
4) "Hashimi kryetar i Delegacionit të Kosovës në
Rambuje", rrenë e kulluar. Sipas dëshmive nga Rambujeja, po të dëgjohej
Hashimi, lamtumirë Kosovë! Pra, nuk do të kishte as liri dhe as pavarësi të
Kosovës. Në mes tjerëve, këtë e thotë, zëshëm, edhe delegati në Rambuje, Veton
Surroi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi dhe pjesëmarrës
të tjerë. Mujëshoria dhe rrugaçëria e kuqaloshëve lëpëkeistë, e lënë pa kryetar
Delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Amerikanët ngulmonin për
aprovim të marrëveshjes, por, Thaçi kundërshtonte, ngaqë i bënte presion miku i
tij freng, Danjear Arnaud, kuadër i Shërbimit Sekret francez, DGSE, njëherësh,
dhëndër i Serbisë;
5) "Në Hagë po gjykohen krerët e UÇK-së, po gjykohet UÇK-ja
vet!" Realisht, nga katër të izoluarit në Hagë, tre prej tyre nuk kanë
qenë as koka dhe as bishti i UÇK-së, sepse nuk kanë qenë fare pjesë e luftës.
Këtë të vërtetë absolute, e ka pranuar, madje publikisht, edhe vet Hashim
Thaçi: "Unë kam qenë larg frontit të luftës".
Përkundrazi, 4 (katër) nga themeluesit e UÇK-së të LPK-së, akuzojnë
SHTAB-istët e "Rogner-it", "Hashim Thaçin, Azem Sylën, Xhavit
Halitin, Kadri Veselin, se, "në koordinim me Shërbimet Informative, të
disa shteteve armike të Kosovës, sabotuan luftën në Kosovë". Dy javë më
parë, është ritransmetuar (reprizë), në televizionin - T7 - PRESSING",
deklarata e Jakup Krasniqit, i cili e akuzonte Hashim Thaçin me shokë, për
sabotim të luftës dhe tradhti kombëtare.
Katër nga themeluesit e UÇK-së së LPK-së, publikisht, por edhe 14
të tjerë privatisht, e pranojnë se UÇK-ja e tyre, kurrë nuk arriti të futet në
luftë, me formacione ushtarake, sepse u sabotua nga shpura e SHTAB-istëve të
"Rogner-it". Rrjedhimisht, kjo UÇK-e u pensionua në Tiranë, ende pa
hyrë në luftë! Dhe, më kujton një UÇK-në e grupit tonë ilegal, të kryesuar nga
veprimtari dhe burgaxhiu politik Kadri Os(Mani), në vitet `60-a, e cila mbeti
në letër, pa u provua në luftë. Por, ne nuk sabotuam, nuk tradhtuam. E shumta,
e humbem një pjesë të jetës burgjeve.
Fatmirësisht, Kosova pati një UÇK-e tjetër, UÇK-në e themeluar nga
Dr. Ibrahim Rugova, më 1991, me emërtesën plotore e kuptimore - Forcat e
Armatosura të Republikës të Kosovës - (FARK), që realizuan betejen e suksesshme
të Loxhës, të udhëhequr nga Kolonel Tahir Zemaj; Luftën profesionale ushtarake në
Koshare dhe guerilen aktive, të prirë nga Sali Çekaj në Dukagjin; Adem e Hamëz
Jashari në Drenicë; Zahir Pajaziti në Llap e Gollak; Ahmet Hoxha në Anamoravë e
Karadak. Për të vazhduar me luftën legale çetanike, anekënd Kosovës.
Këshillat mirëdashëse të Gjeneral Berishës
Këshillat e Gjeneral Berishës, për kryeministrin Albin Kurti,
duhet marrë si mirëdashëse, nisur nga personaliteti i një Komamdanti të
suksesshëm, në luftën për çlirim dhe të Gjeneralit komandues profesional dhe
edukues aktiv në paqe. "Albin, bëjë diçka të madhe, të mbetësh në memorjen
e historisë për vlera", - këshillon ai.
Por, duhej të shtonte edhe këto këshilla: Të mos bëjsh kurrë
krimet që bëri Hashim Thaçi:
1. Eleminimin fizik të kundërshtarëve politikë, për të marrë
pushtetin me dhunë e përgjakje;
2. Pazaret e pista, me francezët dhe serbët në veriun e
Mitrovicës, për rrjedhojë dëbimin e 12.000 shqiptarëve nga vatrat e
tyre dhe premtimin e rrejshëm se "do t`ju kthej në
shtëpitë tuaja";
3. Pranimin e 6 pikëshit të Baki Munit:
4. "Fusnota";
5. Heshtja për 12 hektarët, të uzurpuar nga Manastiri i Deçanit,
duke e lakuar rrugën - kodra pas bregut -, për të cilën Vuçiq
thotë se "jemi dakorduar me
Thaçin, duke vijëzuar rrugën tjetër".
6. Dhënia e 2.500 hektarëve tokë FYROM-it;
7. Faljen e 8.200 hektarëve tokë Malit të Zi;
8. Nënshkrimin e "Zajednicës;
9. Blerja e deputetëve, duke u dhënë poste diplomatike dhe
privilegje të tjera, për të realizuar zgjedhjen banditeske president të
vendit;
10. Hapja e çështjes të kufijëve, deri në kulmoren - lobimin e
paguar për ndarjen e Kosovës, duke e kthyer çështjen e Kosovës në
parapavarësi!
PAN-i ia la
"këmbë e arushës" LVV
Renditëm vetëm disa nga të bëmat e Hashim Thaçit, të cilat
dëmtuan, skajshëm, Kosovën, për dy dekada radhazi. Dëmi i shkaktuar Kosovës,
nga Hashimi dhe banda e tij PAN-iste, ka bllokuar Kosovën, jo vetëm
ekonomikisht, por, mbi të gjitha politikisht. Po veçojmë dy çështjet aktuale,
bllokuese të dialogut me Serbinë:
a) 12 hektarët, hapësirë tokësore, e pretenduar nga Manastiri i
Deçanit, aprovimi në heshtje i Hashimit, siç e denoncoi, madje
publikisht, presidenti Vuçiq, se "jemi dakorduar me zotin Thaçi, për
ta devijuar rrugën klasike anash Manastirit, duke e lakuar pas kodrave, duke i
lënë pronë të Manastirit, hektarët e pretenduar"!
Popi i Manastirit, i koordinuar me Beogradin, ka arritur t`i bindë
Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare, përkatësisht, Shtetet e Quintit, për të
ndëprerë nismën e ndërtimit të auto-rrugës, në vijën e rrugës klasike, që
lidhë dy fshtrat e Deçanit, për të vazhduar në çarjen e bjeshkëve dhe
shrytëzimin e tyre, nga komuniteti i Deçanit me fshatrat e tij. Për rrjedhojë,
është stopuar edhe ndërtimi i auto-rrugës, tashmë, të filluar, që lidhë
Kosovën, nga Deçani, përshkon Plavën, Gucinë, vazhdon sipër luginës të Valbonës
në Shqipëri, për të kaluar përmes Mbishkodrës, duke u lidhur me bregdetin
Adriatik. Pra, kjo auto-rrugë mundëson një lidhje të tri shteteve dhe shkurton
rrugën për në Detin Adriatik.
b) Çështja e Asociacionit, Bashkësisë të Komunave me shumicë
serbe, nënshkrimi i kësaj Marrëveshje më 2013 dhe 2015, si dhe ratifikimi në
Parlamentin e Kosovës, me nismë e mbarim, me Hashim Thaçin protagonist, përbën
fajësi të rëndë, me elemente të tradhtisë kombëtare. Kjo marrëveshje u bisedua
dhe u realizua në rrethana konsirative, pa asnjë konsultim me strukturat
partiake apo shtetërore.
Dialoguesit e përzgjedhun nga Hashimi, edhe pse nuk përfaqësonin
askënd, pothuajse, të marrë nga rruga, mashtronin, gënjenin popullin se
"po bisedojmë vetëm çështje teknike dhe assesi politke", ndërkohë që
bënin të kundërtën. Nga ana tjetër, pazaret e pista me Vuçiqin i bënte
personalisht Hashimi. Klasa politike e Kosovës e dinte inkriminimin faktik të
Hashimit dhe shantazhin që i bënte Serbia, me dosjen voluminoze. Dhe,
megjithatë heshte. Madje e bëri edhe president të vendit! Njerëzit e
shantazhuar, nuk duhet kalaveshur me poste shtetërore. Aq më parë kur këtë
porosi e dha edhe Presidenti Rugova: "Hashimi nuk duhet lejuar të ngritet
në poste, sepse është i dëmshëm për Kosovën".
Nga kjo plasje zemre, LVV qendisi murët, bulevardët, sheshet e
Kosovës me apelin-kushtrim: "Një popull s`i nënshtrohet një njeriu",
- me dedikimin e drejtëpërdrejtë për të gjithë-pushtetshmin e Kosovës, Hashim
Thaçin. Thirrjen drejtuar shqiptarëve, LVV e lëndëzoi me protestën madhore, të
organizuar në metropolin e Kosovës, Prishtinë. Megjithatë, PAN-istët, në
aleancë, i shtrënguan radhët, sepse kishin ndërvartësi reciproke në krimet
serike, vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë dhe hajninë galopante
zyrtare.
Edhe Serbia manifestoi simpati të hapur, duke i krijuar dy qeveri
të harrnuara PAN-iste. Zyrtarët e Beogradit nuk e fshehin simpatinë për
qeveritë e shkuara të PAN-it, sepse "me Thaçin dhe ekipin e tij, merreshim
vesh mirë, ndërsa me Kurtin nuk bisedohet", - thonë ata! Ata sollën
peshqesh edhe dosjet në OVL të UÇK-së, për t`i dështuar dëshmitarët e Hagës.
Tashmë, maskat kanë rënë. Gjykata Speciale nuk qenka e Serbisë, por, thjesht, e
Kosovës, e cila nuk u besohet shqiptarëve, të cilët e kanë rrënuar, qëllimshëm,
sistemin e drejtësisë në vend, për të mos pasur mundësi të hetohen e
ndëshkohen, për krimet dhe hajnitë e bëra.