| E marte, 08.03.2022, 08:45 PM |
Natyra shoviniste e
popullit rus
Nga
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Kryeshovinistit të
këtij shekulli me emrin Vladimir Putin, ia ka nxjerrë bojën publikisht
ish-shoku i tij i klasës Juri Shvec, ish-oficer i Drejtorisë së Parë Qendrore
të KGB-së, i diplomuar në Institutin e Zbulimit të Jashtëm “Andropov”. Për
këtë president të tipit fashist, në krye të mafias ruse, Juri Shvec ka
deklaruar:
“Putini nuk ka
punuar asnjëherë në zbulim për shkak të aftësive të tij poshtë mesatares”, çka
rezultoi pas kalimit të testit të inteligjencës që u bëhej të gjithëve para se
të pranoheshin në atë shkollë (shih në internet materialin me titull “Putini
në kujtimet e shokut të klasës”).
Siç thekson Juri
Shvec, Putini, si një njeri me aftësi poshtë mesatares, vuan tmerrësisht nga
kompleksi i inferioritetit. Dhe domosdo, njerëz të tillë janë të pazotë për të
bërë një punë për të qenë, prandaj për ta politika mbetet e vetmja sferë e
veprimtarisë së tyre për ta gjetur vetveten. Le të kujtojmë për një çast
Hitlerin, Stalinin, Enver Hoxhën etj., të cilët vuanin tmerrësisht nga
kompleksi i inferioritetit dhe, si të tillë, kanë hyrë në histori si kriminelë
gjakatarë të shkallës më të lartë.
Diktatorë të tillë, që i bluan kompleksi në fjalë, kanë alergji të
tmerrshme nga intelektualët e shquar për aftësitë e tyre dhe bëjnë gjithçka për
t’i shfarosur, a thua se këta ua kanë fajin për dënimin që u ka dhënë natyra.
Putini, me sa
duket, e njeh mirë natyrën shoviniste të popullit rus, prandaj edhe ka “sukses”
në ushtrimin e politikës kriminale që ndjek ndaj Ukrainës. Le të kujtojmë për
një çast pushtimin e Krimesë në vitin 2014. Asokohe, përkrahja e Putinit në
radhët e popullit rus u rrit deri në 86%.
Nënkuptohet që kur
një udhëheqës shovinist i një vendi të caktuar ka në themel të strategjisë së
vet pushtimin e territoreve të huaja, ai, pa dyshim, mundohet të sigurojë mbështetjen
e popullit të tij të shtypur. Dhe kjo mbështetje nuk është e vështirë për t’u
siguruar në radhët e një populli që nuk di se ç’është demokracia, sepse këtë ai
nuk e ka provuar kurrë në jetën e vet. Prandaj intelektuali i njohur rus Vladislav
Inozemcev (1968), ekonomist, sociolog dhe personalitet politik,
doktor i shkencave ekonomike, deklaron shkoqur fare:
“… cilatdo forma
të jashtme qytetërimi që merrte politika ruse, ajo, gjatë gjithë shekujve, ka
pasë qenë vërtitur rreth individëve… Cili është përfundimi që del nga kjo? Për
të qenë skajshmërisht i ndershëm, duhet thënë se del vetëm një përfundim: në
Rusi, gjatë mijëvjeçarit të fundit, demokracia nuk ka pasë ekzistuar dhe sot
nuk ekziston”. (Vladimir Inozemcev. “Pesë arsye se pse në Rusi nuk do
të ketë demokraci”. Faqja e internetit “Snob”. 20 tetor
2015).
Gjatë shekujve, në
psikologjinë e popullit rus carët kanë kultivuar me shumë kujdes maninë e
madhështisë së Rusisë dhe etjen për pushtimin e territoreve të huaja. Periudha
e sundimit të Pjetrit I (1672-1725) ose të Ekaterinës II (1729-1796),
në formimin psikologjik të popullit rus, vlerësohet si një epokë madhështore e
historisë kombëtare, jo për arsye të shndërrimit të Rusisë në një vend të
evropianizuar, por, para së gjithash, për shkak të sukseseve ushtarake dhe të
zgjerimit territorial të perandorisë ruse me pushtime hapësirash të huaja.. Si
rrjedhojë e një mendësie të tillë perandorake, lirinë dhe hapjen që solli Gorbaçovi
(1931) në vitin 1985, populli rus e hodhi pas krahëve në sfondin e humbjes
së një pjese të madhe të territorit të ish-superfuqisë sovjetike.
Por mania e
madhështisë së Rusisë në psikologjinë e popullit rus, është shoqëruar me
humbjen e personalitetit të njerëzve, sepse pushtimi i terrioreve të huaja ka
pasë sjellë si pasojë varfërimin dhe vuajtjen e tyre të përhershme gjatë
shekujve. Por, i dehur nga mania e madhështisë së Rusisë, populli e ka pasë
bërë kurban lirinë e vet, duke pranuar varfërinë dhe vujajtjen si kënaqësi
shpirtërore.
Si njohës të mirë
të formimit psikologjik të popullit të vet, dy shkrimtarë të njohur, Fjodor
Dostojevski (1821-1881) dhe Ivan Shmelovi (1873-1950), kanë
deklaruar:
Dostojevski: “Mendoj se kërkesa më
kryesore, më rrënjësore e shpirtit të popullit rus, është kërkesa për vuajtje,
për një vuajtje të përhershme dhe të pashuar, kudo dhe në çdo gjë. Me këtë etje
për vuajtje, ai, me sa duket, është infektuar që kur bota është zënë. Rrjedha e
vuajtjeve përshkon gjithë historinë e tij, jo vetëm nga fatkeqësitë dhe gjëmat
e jashtme, por ngaqë ajo zien përbrenda vetë zemrës së popullit. Në vetëdijen e
popullit rus, madje në çaste lumturie, gjendet patjetër një grimë vuajtjeje,
ndryshe lumturia e tij për të nuk është e plotë. Asnjëherë, madje edhe në
minutat më solemne të historisë së tij, ai nuk merr një pamje plot krenari dhe
ngazëllim, por vetëm një pamje mallëngjyese deri në përvuajtje. Ai trishtohet
dhe falënderimin e vet ia përcjell mëshirës së Hyjnisë. Në vuajtje populli rus
sikur gjen kënaqësi”.
Shmelovi: “Rusët janë një
popull që e urren lirinë dhe hyjnizon
skllavërinë, i ka qejf prangat në duart dhe në këmbët e veta, i do despotët e
vet gjakatarë,.. gjatë qindravjeçarëve jeton në errësirë, në obskurantizëm dhe
nuk ka marrë as mundimin më të vogël për diçka njerëzore, por ama gjithmonë
është i gatshëm t’i skllavërojë, t’i
shtypë të gjithë pa përjashtim, mbarë botën. Ky nuk është popull, por një
mallkim historik i njerëzimit”.
Në arkivat ruse
gjendet Testamenti i Pjetrit të Parë. Në atë Testament për brezat e ardhshëm,
ai e konsideronte pushtimin e vendeve të Perëndimit dhe të Lindjes nga populli
rus si një mision periodik, të dekretuar nga Providenca. Por pas Pjetrit të
Parë, politika ruse, deri sot e kësaj dite, nuk e ka denoncuar një Terstament
të tillë.
Në një mbledhje të
Byrosë Politike të vitit 1937, Stalini, duke ndjekur gjurmët e Pjetrit të Parë,
deklaroi se vendet e Perëndimit evropian duhen nxitur që të hanë kokat e
njëri-tjtrit, që pastaj Bashkimi Sovjetik t’i vinte nën çizmen ruse. Deri sot e
kësaj dite, politika ruse pas Stalinit nuk e ka denoncuar absolutisht këtë
orientim kryeshovinist.
Duhet theksuar se
edhe shkrimtarë të shquar rusë kanë
ndikuar në kultimin e shovinizmit
në radhët e popullit të vet. Kështu, Pushkini (1899-1937) u rreshtua në
krah të carit shovinist Nikollaj I (1796-1855) për shtypjen e
kryengritjeve çlirimtare anticariste që patën shpërthyer në vitin 1830 në
Poloni, në Letoni dhe pjesërisht në Bjellorusi dhe në Ukrainë. Ato
kryengritje ushtria cariste i shtypi me egërsi dhe vendet në fjalë i vuri nën
sundimin e perandorisë ruse.
Në prill të vitit
1877, kur në krye të fronit ishte car Aleksandri II (1818-1881) dhe
asokohe pati filluar lufta ruso-turke, Dostojevski doli në përkrahje të
shovinizmit rusomadh dhe pati bërë thirrje për pushtimin e Konstantinopojës, e
cila, sipas tij, duhej t’i aneksohej Rusisë.
Një tjetër
shkrimtar i madh rus me bindje shoviniste, ka qenë Sollzhenjicini
(1818-2008). Në korrik të vitit 1990, Sollzhenjicini pati
shkruar një broshurë me titull “Si ta rregullojmë Rusinë”. Në atë broshurë,
Sollzhenjicini shpreh pikëpamjet e veta për Kazakistanin dhe për Ukrainën.
Sipas tij, pjesa më e madhe e Kazakistanit i takon Rusisë, kurse Ukrainën ai e
vlerëson si pjesë të Rusisë.
Këto qëndrime kryekëput shoviniste të këtyre shkrimtarëve
të mëdhenj, domosdo që kanë luajtur një rol shumë të madh dhe kanë lënë gjurmë
mjaft të thella në nxitjen edhe më shumë
të psikologjisë shoviniste të popullit rus në raport me vendet e tjera.
Bashkimi Sovjetik
pushtoi Afganistanin në vitin 1989, por në vitin 1989 Moska u tërhoq nga
Afganistani me bisht ndër shalë, duke lënë në territorin e atij vendi 30 mijë
ushtarë të vrarë dhe solli me vete 60 mijë të sakatuar. Por kryeshovinisti
Putin nuk ka qejf të nxjerrë mësime nga historia, prandaj iu sul Ukrainës për
ta pushtuar. Deri tani, që nga Vladivostoku deri në brigjet e Detit Balltik,
nuk kemi parë dhe nuk kemi dëgjuar asgjë për ndonjë shpërthim protestash nga
ana e popullit rus në përkrahje të popullit të Ukrainës. Por ama protesta të
fuqishme të popullit rus patën shpërthyer në përkrahje të Serbisë për masakrat
që ajo po kryente në Kosovë në vitet ’90. Rreth 70 mijë mercenarë nga radhët e
popullit rus, pa llogaritur ushtarakët, qenë regjistruar në ministrinë e
mbrojtjes në Moskë për t’u rreshtuar pranë kriminelëve serbë për vrasjen e
shqiptarëve në Kosovë.
Kam bindjen e
plotë se ushtria agresore ruse do ta hajë në Ukrainë dajakun që meriton, ashtu
si edhe pararendësja e saj sovjetike në Afganistan dhe politika ruse do të
mbulohet me turp.
Nëse Organizata e
Kombeve të Bashkuara është një institucion ndërkombëtar serioz, Rusinë duhet ta
flakë nga anëtarësia e saj. Por nëse ky institucion do të heshtë para qëndrimit
fashist të kryeshovinistit Putin kundër Ukrainës, atëherë duhet pranuar se kemi
të bëjmë jo me një institucion serioz.
Feniks, Arizona
07 mars 2022