| E hene, 07.03.2022, 08:43 PM |
Anomalia je ti, Lul
Nga
Alfred Lela
Lulzim Basha ka kohë që nuk habit; në pastë
habitur ndonjëherë. Duke mos kuptuar në proces se, ndër shumë veti, politikanit
i duhet ndër të tjera edhe të habisë, pra t’i bëjë të tjerët të kthejnë kokën:
me një qëndrim, një ide, një argument, dhe sidomos me një fitore. Kryetari i
asaj plaçke
paqeje që quhet PD, dhe ai po e trajton si plaçkë
lufte, doli sot, dhe nuk na habiti, kur kërkoi që të habiteshim ne.
Me një gjë që shumë nesh e themi: pushteti e ka futur Shqipërinë në anomali.
Por, po ata që e artikulojnë këtë, para Bashës dhe më mirë se ai, presin prej
opozitës, jo vënien në pah të gjërave, por zgjidhjen e tyre. Duke mos na
habitur, Basha na tha sot se rezulati katastrofik i zgjedhjeve, që e pa PD-në e
tij të mundte vetëm partinë e Arian Galdinit në zgjedhjet e pjesshme, ishte
faji i anomalisë. Ai përmendi nja dy-tre të tilla, nga ato që, jo vetëm i kemi
dëgjuar, por edhe artikuluar me kohë. Ndryshimi mes artikuluesve dhe
politikanëve është se këta ta fundit priten dhe priren që të ndryshojnë
anomalitë që vërejnë të parët.
Basha sot foli si analist politik, si
vëzhgues zgjedhjesh, si një njeri jashtë procesit politik.
Kjo është anomalia e parë.
Basha prej kohësh nuk njeh fitoret e kundërshtarit dhe
humbjet e vetes dhe të forcës që drejton. Përnjëmend, përnjëmend duhet thënë,
se është në të drejtë në disa prej ankimimeve të tij. Po, ka ndërhyrje në
zgjedhje, manipulime në forma të ndryshme që socialistët në pushtet i
kanë nxjerrë nga ajo që Klass & Cheesman quajnë
‘çanta e instrumenteve të diktatorit’, por ato (ankimimet) bëhen irelevante,
apo anulohen, nëpërmjet stëpërsëritjes.
Kur, herë pas here, kreu i një partie politike kryesore
përsërit arsyen e humbjes në procesin elektoral, ai është duke risjellë edhe
mesazhin e paaftësisë së vet (për këtë Perëndimi artikulon me anë të
dorëheqjes). Kjo u lexua sot kur Basha foli sërish për masakër zgjedhore dhe
nevojën e reformës, duke e sjellë këtë të fundit si leksionin që, ai dhe ne,
duhet të nxirrnim nga rezutati i PD. Ndërkohë edhe vëzhguesit më të
painteresuar të procesit zgjedhor të 6 marsit e dinë se socialistët kishin
angazhim të pjesshëm në këto zgjedhje. Ata e nuhasnin riskun e vogël që
përbënte një opozitë e përçarë së pari, dhe, së dyti një forcë politike
drejtuar prej një personazhi që ‘ia kishin marrë dorën’.
Edi Rama ka folur më shumë për Ukrainën se sa për këto
zgjedhje të pjesshme. Në kësi konteksti, përpjekja e Bashës për të shtendosur
reagimin ndaj humbjes së tij të radhës, është në vazhdën e një mëtimi tashmë
klasik, relativizimit të ngjarjeve politike ku ai është personazhi mediokër.
Pas sfumimit të habisë politike, relativizimi i të
vërtetave është dëmi i dytë i madh që Lulzim Basha i bën, jo vetëm Partisë
Demokratike, por edhe procesit politik në veçanti dhe shoqërisë në përgjithësi.
Basha ka arritur ta bëjë fitoren një akt të turpshëm duke heroizuar humbjen. Në
proces është prodhuar një viktimë sadomazokiste që sheh nga e ardhmja e formës
deus ex machina për t'u çliruar nga goditjet e fatit të keq.
Relativizuesit e dëmtojnë rëndë fibrën politike dhe
shoqërore, ata ndihmojnë në humbjen e nocioneve bazë të kategorive politike,
sociale e morale. Ata mbjellin kaos aty ku janë thirrur në emër të rendit.
Pasë vrarë habinë politike, dhe instaluar relativizimin e
akteve dhe procesit politik, Lulzim Basha përbën një anomali. Nuk është ai
përballë anomalive, siç u rrek të na thoshte sot, por e kundërta: ai përbën
anomalinë penguese.
Ai mund të mos e pranojë këtë dhe ta pengojë zgjidhjen e
kësaj anomalie, por natyra e gjërave, siç i mbjell, edhe i shkul anomalitë. Kjo
nuk do të thotë se duhen mbajtur duart kryq dhe pritur rendi.
Një sjellje e tillë do të ishte lulbashizëm.
politiko.al