Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Baladë për Kompozitorin

| E diele, 06.03.2022, 01:46 PM |


Migjeni i pentagramit shqiptar

Baladë  për Kompozitorin

30 vjeçarit të përjetshëm Kastriot GJINI (14.07.1949-02.03.1979)

Nga Albert HABAZAJ

Migjeni i pentagramit shqiptar,

profili i buzëqeshjes Kastriot Gjini-

bukurosh nëpër fletë e gjethe lulesh,

çeli stinën e këngës së gëzimit:

U nxorri lot malli shelgjeve në breg,

lulëzim’ i shpirtit në drit’ të hënës varur,

fejesa e Otit  me Anën - rini e dehur,

për Anën martesa - e qeshura e plasur.

Të enjten erdhi dhe iku të  premten…

Ah,  Dy Mars ‘shtatëdhjetë e nëntë!

Dhe sot kur kujtoj atë ditë fatale vrehem,

nga dhembja,

për një çast

më merren mendtë…

Dhe iku në apogje Kompozitori,

(vërtet që nuk ndodhi apokalips),

një këngë tej vitrinash - apel rinor,

universi muzikor u ndie ligsht.

U trishtuan fijet e barit, u ulën,

ditët ecën të heshtura nëpër llohë.

Në tërë kohët janë këngët e tij,

kurse vdekja e tij në asnjë kohë.

Nderim gjer në paharrim!

Vlorë, e premte, 2 Mars 1979