| E shtune, 05.03.2022, 10:26 PM |
ADEM JASHARI NË KOSOVËN E PASLUFTËS
Nga
Jusuf BUXHOVI
Opinioni
kosovar prej kohësh është i mbërthyer brenda kllapave: presidenti historik dhe
komandanti legjendar. Realiteti brenda të cilave sot jeton qytetari ynë në
vazhdimësi bën trysni mbi ndërgjegjen e tij historike sa epitetet e tilla duken
si eufemizma që mbulojnë një gjendje irracionale të jetës shoqërore të këtij
aktualiteti tonë. Sa më shumë kohë që shkon dhe sa më shumë që konsolidohet një
proces historik gjithnjë e më shumë vjen duke u kristalizuar ndërgjegjja
historike, e cila shtron shumë imperativë jo vetëm nga individë dhe grupime
shoqërore, por edhe nga qytetari i zakonshëm, të bëjë një ridimensionim të
këtij procesi historik.
Kush
është në të vërtetë komandanti legjendar Adem Jashari në këtë kostelacion të
ndryshueshëm mental, cila është përmasa e tij reale dhe vendi në këtë proces
historik?
Dy
janë pozicionet reale:
a)Madhështia
e sakrificës, dhe
b)Roli
i tij në formacionet së pari politike e së fundi ushtarake.
Adem
Jashari, si prijatar i gjithë familjes Jashari, së bashku më të vëllain,
Hamzën, për shkak të një sakrifice të jashtëzakonshme, që tejkalon modelin e
Oso Kukës, ofron shembullin e sakrificës sublime për një ide, idenë e shtetit
të Kosovës dhe lirisë së popullit të Kosovës. Në këtë sakrificë kaq të
dhembshme sa është shndërruar në një metaforë që përfshin sakrificën kolektive
pa çmim, për një ideal. Përmasa e kësaj sakrifice ka bërë që emri i Adem
Jasharit, që nënkupton të gjithë familjen, të marrë një referencialitet jo
vetëm politik, por edhe shpirtëror. Nuk është i rastit lindja edhe sloganit të
njohur, me rastin e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur: “Bac, u krye!”, e
cila më vonë pëson modifikime të ndryshme, por gjithnjë duke ruajtur në thelb
atë mesazhin kryesor se sakrifica është me vend apo edhe se ajo po shpërdoret.
Mirëpo, esenca e mesazhit mbetet e pandryshuar: ideali për të cilin u bë
sakrifica duhet të jetë i përhershëm dhe se është figura e tij duke u mitizuar
është ngritur në piedestalin e lirisë prej nga sheh gjithçka dhe që na qorton.
Mirëpo,
figura e Adem Jasharit, duke qenë se është reale, se ka një histori, e cila ka
pësuar transformime të ndryshme, na detyron ta trajtojmë këtë histori të
personalitetit brenda një kornize reale aq sa edhe historike.
Adem
Jashari, Hamzë Jashari dhe e gjithë familja Jashari që nga fillimi i viteve të
nëntëdhjeta ka qenë e angazhuar në procesin politik të shtetndërtimit, të cilës
i ka prirë LDK-ja. Madje në këtë angazhim shtetndërtues kjo familje është
dalluar për seriozitetin e angazhimit, qoftë kur është fjala për organizimet e
aktivitetit në nivel politik, por edhe në nivele të tjera, siç është kontributi
i Rifat Jasharit rreth Fondit të Republikës së Kosovës, i cili më vonë në
mënyrë pezhorative u quajt si “Fondi i Tre përqindëshit”, që realisht i mbante
gjallë segmentet kryesore të jetës institucionale në Kosovën e atëhershme.
Mirëpo, aktiviteti i tij nuk përmbyllet vetëm në aktivitetet rreth
përditshmërisë politike në jetësimin e një projekti ideal, sepse përfundimi i
këtij procesi kërkonte edhe angazhime të formave të tjera.
U
pa qartë se pa një veprim ushtarak nuk mund të jetësohet deri në fund projekti
historik i Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Me kohë, duke evoluar proceset,
edhe lëvizja shqiptare në Kosovë për pavarësi ndryshoi modalitetet e veprimit,
duke e hetuar qartazi se pavarësia nuk mund të realizohet vetëm me metoda
paqësore.
LDK-ja
madje që vitet e hershme e kishte të ashtuquajturin planin “B”, domethënë
organizimin ushtarak. Opinionit tonë nuk i është shumë e njohur një marrëveshje
midis dy shteteve, atij shqiptar me atë kosovar për një bashkëpunim ushtarak,
problematikë kjo që shtrohet te vepra
“Kosova” në pesë vëllime si dhe në botimin anglisht. Prandaj Adem Jashari është
ndër prijatarët e zbatimit të marrëveshjes mes dy presidentëve, Ramiz Alisë dhe
dr. Ibrahim Rugovës, për përgatitjen e formacioneve ushtarake dhe shndërrimin e
tyre në formacione operative që në rrethana të caktuara do të futen në
territorin e Kosovës dhe do të merren me organizimin e luftës në të gjitha
nivelet.
Të
gjithë e dimë përbërjen e formacionit të djemve të rinj që ushtruan në Surrel,
midis të cilëve shquhen Adem Jashari, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti dhe shume emra
të tjerë që me të drejtë trajtohen si nismëtarë të organizmit ushtarak në
territorin e Kosovës.
Cili
ka qenë roli i Adem Jasharit dhe i këtij formacioni ushtarak mbetet që më vonë
të trajtohet nga historiografia ushtarake, e cila do të merret me shqyrtimin e
strategjive dhe doktrinave ushtarake që do të zbatoheshin në rast të fillimit
të luftës në Kosovë, gjë që e cila edhe ndodhi. Mirëpo, një gjë është e qartë:
lufta në Kosovë momentin e vet të fillimit e ka në sulmin e policisë dhe
ushtrisë serbe mbi familjen Jashari dhe me sakrificën e Jasharajve.
Roli
i Adem Jasharit në këtë luftë është trajtuar në mënyra të ndryshme. Rënia e tij
jo në ditët kur ndodhi sakrifica e madhe, por pak kohë më vonë, filloi të
mistifikohet dhe vetë personaliteti i tij të vishet me një vel mistik sa që për
një kohë të shkurtër nga realiteti historik kalon në legjendë.
E
vërteta është se Adem Jashari e filloi luftën, por jo bashkë me formacionet
ushtarake, si ato të Labinotit e as të tjera, që u formuan paralelisht, me
synimin që ta zënë një hapësirë boshe e krijuar atëherë nga paqartësitë edhe te
subjektet tona institucionale, por edhe nga vetë defensiva e faktorit
ndërkombëtar në raport me zhvillimet e reja. Në këtë konstelacion figura e Adem
Jasharit na del tejet komplekse. Në njërën anë, ai vishet me një vello
legjende, duke ia mbyllur një histori të jetës dhe të veprës, dhe në anën
tjetër, megjithatë, si personalitet i mistifikuar apo pa këto elemente, ai
mbetet një nyje kyçe në zhvillimet ushtarake.
Është
e vërtetë se ai i ka takuar vetëm një formacioni ushtarak, grupacionit që në
vijën institucionale është dërguar të ushtrojë në poligone të ndryshe ushtarake
me qëllim që të krijohet një kuadër i përgatitur për ta organizuar dhe
zhvilluar një luftë çlirimtare. Si i tillë ai ishte dhe duhej të mbetej një
ndërlidhës, personalitet që si pak kush do të mundësonte të lidhej politika me
luftën.
Dihet
mirëfilli për një dhjetëvjeçar është zhvilluar një politikë dhe një proces
shtetndërtimi, ku në sipërfaqe ka qenë parimi i politikës pa luftë. Pas disa
viteve në sipërfaqe del koncepti tjetër, prapë i çalë, i luftës pa politikë.
Këto mangësi sot po i vuan shteti i ri sepse në momentet kyçe të historisë nuk
arriti të bëjë një unifikim, një front të përbashkët lufte dhe një përfaqësim
politik. Ky vakum, të cilin është përpjekur ta përmbush personaliteti i Adem
Jasharit, por që mbeti i parealizuar për shkak të ngjarjeve në të cilat rolin
kryesor e pati Adem Jashari dhe familja e tij. Po të përmbushej ky vakum
institucional sot as do të kishte nevojë për gjykata speciale e as për status
dualiteti të shtetit, sovraniteti i të cilit jo vetëm se është i brishtë, por
cenohet në të gjitha mënyrat.
Vetëm
me Adem Jasharin, si personalitet pa aureolë mitike e legjendare, Kosova do të
kishte atë homogjenitetin e domosdoshëm politiko-ushtarak, të cilin nuk e ka
dhe për të cilin sot po paguan një tagër të rëndë.
Vepra
dhe jeta e Adem Jasharit nga pozicioni i sotëm shtron nevojën për një
rishqyrtim të pozicionit që domethënë heqjen e aureolave të tymit mbi të dhe
kthimin e meritave reale historike. Nëse vitet e nëntëdhjeta, deri në shpërthim
të luftës, janë shquar më një homogjenizim nacional para rrezikut të mundshëm
të një konflikti më të gjerë që do të pasonte pas dekompozimit të ish federatës
jugosllave, me fillimin e luftës ky lloj homogjeniteti ra, u bë fragmentimi i
forcave politike dhe i popullatës në përgjithësi, duke e kaluar popullatën
nëpër Kalvarin e një përndjekje që e quajtën biblike, periudha e pasluftës
kaloi në përpjekjen për monopolizim të institucioneve në fillim parashtetërore
e pas shpalljes së pavarësisë edhe shtetërore.
Prandaj
ky despotizëm që po e karakterizon gjendjen e këtij shteti është pasojë edhe e
mjegullimit të rolit të personaliteteve të caktuara që na i dha ajo periudhë e
vrullshme. U harrua sakrifica e madhe e Jasharëve, Deliajve, Ahmetajve dhe e
Reçakut, që ishte uvertura për një ndërhyrje ushtarake të Perëndimit në emër të
shpëtimit të një populli nga gjenocidi.
E
vërteta është se Adem Jashari dhe familja e tij, bashke me shume familje të
tjera të njohura të Kosovës, ranë në emër të shtetit, në emër të përfundimit të
një procesi historik të filluar nga shumë breza para nesh për një shtet që
dikur quhej Dardani dhe që ishte epiqendër e zhvillimeve botërore.
Kështu,
Adem Jashari mbetet shembull i sakrifikimit për shtetin. Edhe të gjithë
luftëtarët e tjerë që dhanë këtë e vetë e dhanë pikërisht për këtë shtet, që
duhet të jetë shenjtëri.
Klasa
e sotme politike e ka harruar mesazhin e përjetshëm të sakrificës së Jasharëve
dhe të familjeve të tjera, duke e shndërruar këtë shtet në një monedhë për
kusuritje për shkak të ambicieve vetjake, në një projekt që nuk po i dihet
fundi.
Me
tradhtinë ndaj amanetit të Jasharëve nuk po tradhtohet vetëm mesazhi i një
sakrifice, por edhe një investim ndërkombëtar. Miqtë tanë ndërkombëtarë, falë
të cilëve na sot e kemi këtë shtet, janë shumë të dëshpëruar me ne, me mungesën e logjikës së shtetformimit,
me personalizimin e pushtetit, me monopolizimin e institucioneve. Dhe që të
gjitha këto janë larg praktikave demokratike të botës .
Ky
vend nuk ka nevojë për praktika revolucionare, nuk ka nevojë për ikonografi dhe
stoli revolucionare, të cilat nxjerrin në pah një gjë: monopolin mbi të
vërtetën e aq më tepër monopolin mbi pushtetin institucional të të gjitha
niveleve. Sukseset në jetë nuk maten me disfata po me fitore. Është koha që kjo
mendësi sllave të hiqet nga të menduarit tonë për historinë dhe filozofia jonë
historike.
Ridimensionimi
i një procesi historik dhe i figurave përfaqësuese të saj shtron një nevojë të
paevitueshme: kthimin e dëshmorëve dhe gjithë atyre që kanë luftuar për shtetin
e Kosovës nga prona partiake në pronë të përgjithshme se ata janë personalitete
që dolën prej popullit dhe duhet t’i kthehet popullit, të jenë pronë e të
gjitha partive e jo instrumente për luftën për pushtet.
Vetëm
kështu mund të kemi histori reale dhe një të ardhme jokonfliktuale.
Herëdokur
do t'iu jepet llogari brezave që vijnë për veprimtarinë e sotme. Njeriu e jeton
jetën që të dalë faqebardhë para brezave që vijnë.
Prishtinë, më 8 mars
2015.