| E premte, 04.03.2022, 08:55 PM |
Burri më i mirë i fshatit... një grua!
Nga
Ndue Dedaj
Aty
nga viti 1995, në një ndejë kulle, dikush iu drejtua Alfredit, njërit prej
djemve të Perlatit, që me ardhjen e demokracisë kishte fituar vendin e tij në
shoqëri, se cili ishte burri më i mirë i atij fshati? Kishte dhe në atë sofër
individë që prisnin të shqiptohej emri i tyre. Por jo! Zotëria, në mënyrë
befasuese tha se burri më i mirë kishte qenë... Nënë Mrika. Ata burra panë
njëri-tjetrin, si ishte e mundur që ai po i fynte, për më tepër që në atë rreth
njerëzish kishte dhe të atin, burrë jo i padëgjuar për ç’kishte hequr nga
regjimi i kaluar, si dhe për hokat e tij të këndshme.
Ata
burra, fshikulluar ashtu pa mëshirë nga
një shoq i tyre, që deri në 90-n e vetmja gjë që kishte bërë në jetë, ishte se
kishte lexuar libra artistikë pafund, tash po i brente kurreshtja të dinin se
pse ai, si për t’i sfiduar në krenarinë e tyre, kishte shqiptuar emrin e një
gruaje të munduar jo pak nga vështirësitë e jetës familjare, e cila ishte shuar
aty nga fundi i viteve ’60.
“Nëse
ti nuk po tallesh, ç’lidhje ka ajo grua me burrninë e katundit tonë?”
“Nuk
tallem aspak, por unë ashtu mendoj, që “burri” më i mirë ndër ju ishte ajo që
sapo iu thashë!”
Dhe
vazhdoi t’i ironizonte: “Të gjithë ju mund të tregoni histori trimërish se si
keni “vrarë e prerë” në jetën tuaj, gjysh pas gjyshi, kurse Mrika e Pal Krosit
bëri një gjë që nuk e bëri askush nga ju. Kur Prifti i tha se djali i saj,
Nikolla duhej të vente në shkollë, mbasi ishte i dhënë fort për mësimet, por
s’i ishte e lehtë të gjendeshin lekët e bursës, ajo tha: “I gjej unë paratë!”
dhe e shiti sendet e arkës së saj të nusërisë, vathët prej sermi e mbase dhe
teshat e dekës dhe e shkolloi djalin, deri sa ai u diplomua për hidroteknikë në
Torino, në vitin 1938, duke qenë inxhinieri i parë nga krahina e Mirditës dhe
njëri nga inxhinierët më të dëgjuar të vendit në profesionin e vet. Kudo
ndërtoheshin diga të larta në Shqipëri ishte dhe firma e tij e pashmangshme...”
Atëherë,
ata burra të lënduar në sedër pak më parë, gjetën njëfarë ngushëllimi. Fundja
ajo grua përmendej për diçka shkollore dhe nuk kishte hyrë, në punë burrash, si
trimëria etj. Nuk ishte hera e parë që gra të thjeshta të maleve t’ona kishin
qenë më të emancipuara e të sakrificës se burrat, kur ishte fjala për familjen,
pasardhësit dhe anë të tjera humane e sociale.
P.S.
Menduam se nuk do të kishte një rast më të volitshëm për ta publikuar këtë
skicë-batutë se sa në vigjilje të Ditës së Mësuesit dhe Ditës së Gruas.