| E premte, 04.03.2022, 07:43 PM |
Luftë speciale për zbrazjen e xhepave të mërgimtarëve!
Shkruan:
Florim Zeqa
Siq
duket liderët shtetëror të Kosovës me qëllim të mashtrimit të qytetarëve po e
ngatërrojnë situatën reale të prezencës ushtarake të NATO-s në Kosovë me
anëtarësimin në këtë organizatë! Zgjedhja e rrjeteve sociale për luftë speciale
ka për qëllim zbrazjen e xhepave të mërgimtarëve, kinse për forcim të FSK-së si
kusht për anëtarësimin më të shpejtë të Kosovës në NATO!
“Merhaba asker”
Dorën
në zemër, presidentja e Kosovës u prit në mënyrë dinjitoze në Turqi, por e të
njëjtit nivel ishte edhe përshendetja në gjuhën turke e presidentes kosovare
“Merhaba asker” (përshendetje ushtarë)!
Mirëpo
vetëm disa minuta më vonë u sqaruan rrjedhat e bisedimeve mes presidentes së
Kosovës, znj. Vjosa Osmani dhe presidentit turk, Erdogan, ku ky i fundit i
tregoi qartë “rrathët e ferrit” nëpër të cilët duhet të kalojë Kosova për
anëtarësim në NATO dhe BE (përmes dialogut me Serbinë).
Disa
orë para themelimit të “Fondit të Sigurisë”, i parapriu në rrjetet sociale
thirrja e Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj drejtuar qytetarëve dhe
mërgimtarëve; “Të gjithë së bashku, në profilet tona të rrjeteve sociale të
vendosim”: #KosovoInNATO e #KosovoInEU!
Kësisoji,
vetëm pak orë më pas, i njëti ministër (Armend Mehaj) e bëri publike themelimin
e “Fondit të Sigurisë” dhe ju bëri thirrje bashkatdhetarëve për derdhje të
mjeteve në këtë fond: “Të kontribuojmë së bashku, për të mirën e institucioneve
tona të mbrojtjes dhe sigurisë”!
Kjo
ishte një parapërgatitje të opinionit për lansimin e fondit më të ri të Albin
Kurtit, “Fondi i Sigurisë”! Mbetët të shihet se a do t’i përgjigjen thirrjes së
kryeministrit Kurti të gjithë ata që i shpërndanë slloganet mashtruese të
ministrit Armend Mehaj!
As foshnjorët nuk
mashtrohen me balona në ajër
Pak
më tepër se qasje adoleshente ishte deklarata e ministrit Mehaj në Facebook;
“Kosova që 20 vjet është në NATO, duke e ngatërruar (qëllimshëm) prezencën
ushtarake të NATO-s dhe BE-së në Kosovë!
As
foshnjorët nuk mashtrohen me balona në ajër zoti Mehaj!
Jo
që një 20 vjet zotri Mehaj, por që 23 vjet e kemi prezencën e NATO-s dhe të
BE-së në Kosovë, por ne ende kemi mbetur të izoluar dhe largë anëtarësimit në
këto dy organizata prestigjioze!
Le
t’i kthehemi edhe një herë fondit të sapoformuar “Fondi i Sigurisë”, i cili
sipas autorizimit të kryeministrit Albin Kurti do të menaxhohet nga Ministria e
Financave me transparencë dhe llogarënje të plotë!
E
sa i përket transparencës dhe llogaridhënjes së plotë siq deklarohet edhe
ministri Mehaj, Ministria e Financave njëpartiake nuk e siguron transparencën
dhe as llogaridhënjen e plotë të levizjeve financiare të këtij fondi.
Një
fond kaq i veçantë, i rëndësishëm dhe i jashtëzakonshëm do duhej të themelohej
nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe jo nga Qeveria, ngase Ushtria e Kosovës
nuk është çështje partiake dhe as pronë private e askujt, por është e shtetit
të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Paraprakisht
themelimit të “Fondit të Sigurisë” duhej të bëheshin përgatitjet paraprake,
planifikimet strategjike dhe projektet e ngritjes dhe forcimit të FSK-së,
pastaj të kalohej në Kuvend statusi i këtij fondi për debat parlamentar si dhe
të formohej një “Task Forcë” për menaxhimin e fondit e përbërë nga të gjitha
subjektet politike parlamentare, nga përfaqësuesit e mërgatës dhe nga ekspert
të sigurisë kombëtare.
Kjo
do ta bënte fondin më të sigurtë dhe më kredibil për qytetarët dhe mërgimtarët,
të cilët llogaritet të jenë arteria kryesore e këtij fondi.
E
kaluara e fondeve të kontrolluara nga një grupacion politik na ka dhënë
leksione të hidhura të abuzimeve dhe shpërdorimeve të mëdha, për të cilat
askush nuk i dha llogari askujt apo siq i thonë asaj fjalës popullore “m’rrove,
t’rrova brisku i berberit”, pra askush nga qeveritë paraprake deri tek kjo e
fundit nuk e qau hallin e parave të mërgimtarëve!
Prandaj,
të gjithë ata që llogarisin në paratë e mërgimtarëve, fillimisht duhet t’i
bindin mërgimtarët me masat mbrojtëse të fondit nga abuzimet e jo hajt se i
mbron kjo ministri apo ai ministër, kryeministri apo presidentja!
Nuk
jemi në vitet 98-99, por jemi në vitin 2022, kemi buxhet dhe infrastrukturë të
organizuar shtetërore, dhe krahas kësaj e kemi brenda në Kosovë prezencën më të
fuqishme ushtarake në botë e cila është garantuese e lirisë dhe sovranitetit të
shtetit tonë.
Andaj,
mjafton menaxhimi i mirë i parasë publike (tatimpagueve) dhe koordinimi i
veprimeve me aleatët tonë, NATO-n, SHBA-në dhe partnerët strategjik evropian,
pa të cilët as që mendohet e ardhmja jonë si shtet në Ballkanin e trazuar!
Këtë
shkrim po e përfundoj në një mënyrë të pazakontë, të improvizuar nga rreshtat e
huazuar të një kënge folklorike; “Moj Kosovë tu ndjeftë e mira, a po i sheh
këto kohë të vështira, a po i sheh e a i ke pa, politikanët tuj u perla, tuj u
perla e haj medet, kush i pari tek paret del”!
Florim Zeqa, 03.03.2022