Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Bashkimi Europian rritej ekonomikisht e politikisht, ndërsa ushtritë shiheshin me përçmim!

| E marte, 01.03.2022, 08:59 PM |


Blerim Latifi:

Çdo herë pas përfundimit të një lufte, njerëzit janë të prirur të mendojnë se kurrë më nuk do të ketë luftë.

Kështu ka ndodhur në përfundim të Luftës së Parë Botërore. Po ashtu në përfundim të së dytës.

Edhe kur mbaroi Lufta e Ftohtë në vitet '90 të shekullit të kaluar u shfaq e njëjta ndjesi. Asokohe europianët festonin "fundin e historisë", happy end-in e përplasjeve të mëdha ideologjike. Luftërat në ish Jugosllavi shiheshin vetëm si përplasje fisesh primitive ballkanike që nuk mund ta prishnin festën e madhe.

Bashkimi Europian rritej ekonomikisht e politikisht, ndërsa ushtritë shiheshin me përçmim. Askush në Europë nuk donte të humbiste para në to. Filluan të shtoheshin zërat se edhe NATO-s i duhej vënë dryri, ndërsa individualistët liberalë dhe pacifistët multikulturalistë shpallnin fundin e kombeve, nacionalizmit e shteteve kombëtare. Ëndrra e bukur e paqes së përhershme më në fund po bëhej realitet.

Askush nuk e merrte seriozisht faktin se mbi gërmadhat e Bashkimit Sovjetik po ndërtohej një përbindësh i ri, autoritarizmi oligarkik i Putinit. Edhe kur e panë shfaqjen e tij, përsëri nuk u trazuan, sepse besonin se ky përbindësh do të mjaftohej me punët në oborrin e tij dhe nuk do të përzihej në punët e shtëpisë tonë liberale e demokratike.

Sulmi mbi Ukrainën i këtij përbindëshi i dha fund krejt këtij ëndërrimi me sy hapur.

Gazeta Time në ballinën e saj e përmbledhi thelbin e këtij fundi: The Return of History.

________

Me vite e vite me këtë zanin tonë të vogël e kemi përsëritur se Serbia nuk ka ndryshuar, se ajo vazhdon të qëndroj e lidhur fort me trashëgiminë e Millosheviqit, se prapa pafuqisë së saj për t'u ballafaquar me historinë e krimeve të saj kundër të tjerëve, qëndron miratimi i heshtur i tyre.

Askush nuk na besonte. Madje filluan të ndjenin bezdi nga fjalët tona. Për më tepër edhe vëllezërit tanë në Tiranë filluan të bezdisen prej tyre. Dhe ja ra ky mort i Ukrainës dhe shpirti i vërtetë i Serbisë doli në shesh.

Kur gjithë Europa ndodhet në një anë në kundërshtimin e agresionit rus në Ukrainë, Serbia ka zgjedhur anën e kundërt, atë të Rusisë.

________

E lexova një analizë të Sky News mbi profilet e njerëzve më të afërt të Putinit. Të gjithë me mindset( mendësi) të kohës së Luftës së ftohtë. Të gjithë pjesë e asaj që në gjuhën politike ruse quhen “Siloviki”.

Siloviki përfshin njerëzit e formësuar në shërbimet sekrete e militare të periudhës sovjetike, që botën e shpjegojnë dhe e kuptojnë vetëm nga pikëpamja e forcës brutale.

Josif Brodskij, shkrimtari disident i periudhës sovjetike, i vlerësuar me Çmimin Nobel për letërsi në vitin 1987, ka shkruar dikur mbi rrezikun nga ardhja në pushtet e spiunëve: “Kënaqësia më e madhe për një spiun është mendimi se ai luan rolin e Fatit, se ai mban në duart e tij të gjitha fijet”.

Spiunët janë të prirur të përvetësojnë pikëpamje konspirative mbi botën dhe pikëpamje mbi natyrën e keqe të qenieve njerëzore. Ata shohin e shpikin konspiracione e njerëz të rrezikshëm gjithandej, dhe kur pushteti bie në duart e tyre, atëherë autoritarizmi bëhet fakt i kryer. Sepse regjimet autoritariste nuk funksionojnë dot pa mitet konspirative.

Sot Putini dhe njerëzit e rrethit të tij të ngushtë janë shembulli më i shquar i kësaj psikologjie politike.

________

Duke i dhënë mend Borisit! Anash qatipët tërë sy e vesh për të mos lënë të ikë asgjë nga fjalët e tij të arta. Dhe Borisi i gjorë duke u ndi inferior pranë kësaj koke të madhe të mendimit botëror.????