Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Don Mark Xhani – Burri i besës shqiptare

| E premte, 25.02.2022, 08:19 PM |


Përgatitë nga Fritz RADOVANI:

Pjesa e VII e Zamakut Flamurit të KASTRIOTIT

DON  MARK  XHANI

BURRI  I  BESËS  SHQIPTARE

PYETNI PSE E MBYTËT PRIFTIN E NDERUEM  DON MARK XHANI ?!

Askush nuk pergjegjet pse?! E vetmja pergjegje e Arkivit Ministrisë asht: “Nuk ka Dosje fare kjo Ministri per Don Mark Xhanin!”

Don Marku asht lé në fshatin malor Xhan të Dukagjinit në vitin 1909. Vazhdoi shkollen e mesme në Seminarin Papnuer në Shkoder, ndersa, studimet e nalta teologjike i kreu në Antonianum,  universitet i njohun në Romë Itali. Atje u njoh me një brezni që shumica e tyne u pushkatuen porsa erdhën në vitet e para të pushtimit sllavokomunist në Shqipni.

U caktue me sherbye si famullitar në Orosh të krahinës së Mirditës, ku u njoh afer me një nga figurat e spikatuna dhe shumë të nderueme të Klerit Katolik Shqiptar Imzot Frano Gjinin, Abat i Mirditës.

Per pak muej ishte edhe sekretar i zyres së Tij në Abacinë e njohun të Mirditës. Porsa e filloi misionin e Tij atje, mbrenda një kohe të shkurtë fshatarët e Mirditës e adhuruen per sjelljen e Tij dhe pershpirtninë e Don Markut në sherbimet fetare në atë krahinë. Ai nuk ishte i angazhuem fare në kaosin e politikes verbuese të shqiptarëve, dhe as nuk donte me dijtë per veprimet politike të kohës. E vetmja gja që ndikoi në arrestimin e Don Markut në muejt e parë të vitit 1945, ishte “porosia e instruktorëve jugosllavë për Partinë komuniste në Shqipni, per zhdukjen e Klerit Katolik Shqiptar dhe inteligjencës antikomuniste, që kishte krye shkollat në Europen Perëndimore.” Perveç motivacionit si Klerik Katolik, tek Don Marku spikati edhe dëshira e madhe per pajtimin e gjaqeve nder krahinat malore, një vlerë e madhe per ato krahina.

Ndoshta, kjo e fundit ishte ma antikomuniste se gjithshka tjeter, mbasi politika që ishte në të gjitha hallkat e shtetit komunist, kishte parim kryesor “perçamjen dhe vllavrasjen per me realizue sundimin dhe skllavrimin sllav të Popullit Shqiptar.” Sasia e madhe e Atdhetarëve antikomunistë që ishin nder malet e Shqipnisë së Veriut, ku perfshihej nder shekuj edhe Mirdita e Markagjonëve, ishte një krahinë kryesore që synohej per sundim nga shteti dhe sigurimi i Enver Hoxhes. Prandej, duhej ushtrue terror i vazhdueshem dhe i pamëshirë ashtusi u veprue per 47 vjetë panderpremje. Periudha e masakrave komuniste asht kenë në Mirditë ma e vështira ajo e viteve 1944 deri në vitin 1954, ku janë ba edhe zhdukje në masë të popullsisë së pafajshme nga Ndjekja, kryesisht nga sigurimi komunist antinjerzor per motive antikatolike.

I perfshimë në këte luftë asht edhe Don Mark Xhani, Kleriku “pa Dosje Hetuesije”, nga vetë fakti i vdekjes së Tij nder torturat e mnershme nga duertë e shefit të sigurimit Shën Palit, oficerit të njohun si kriminel dhe vllavrasës antishqiptar komunistit Bardhok Biba.

Bashkëvuejtësit kujtojnë Don Markun e varun perkrahësh nder hatllat e sigurimit të shtetit në Shën Pal derisa një ditë të zezë Ai dha Shpirtë. Po krimineli Bardhok Biba nuk u knaq me kaq! Trupin e masakruem të Don Markut e hodhën buzë një rruge ku e shkyen copa e grima qejtë e fshatit. E kjo ngjiste per të tmerrue katundin dhe gjithë Mirditen antikomuniste.

Kur era e keqe e prishjes së Trupit Martirit filloi me pengue kalimin e fshatarëve andej, atëherë, kriminelët e pangopun të Ndjekjes barbare (ase të sigurimit të shtetit), e hodhën në lum.

Flitej se Don Marku nuk ka tregue “disa porosi dhe letra sekrete të Abatit Frano Gjini, dhe se dinte sekrete të takimeve të Tij me të arratisun...” Kjo nuk qendron mbasi atëherë ishte shumë shpejtë me u mendue atje per takime t’ arratisunish, kur njerzit ishin nder shtëpi e jo në shpella.

Rezulton nga disa shkrime analfabetësh gjoja edhe “futja e armëve në Kishen e Oroshit, nga Klerikët e atjeshëm ashtusi në Kishen e Fretenëve në Shkoder, Lezhë etj.” Agjentët e sigurimit Rakip Beqja, Jup Kastrati etj., harrojnë se kur u arrestue Don Mark Xhani, nuk kishte mërrijtë në Shqipni ende nga KGB sovjetike “urdhni i futjes së armëve nder Kishat Katolike”, mbasi Stalini atë urdhen e dha në Tetor e Nandor 1946, mbasi sigurimi organizoi “Lëvizjen e Postribës”, me 9 shtator 1946. Nder Kisha të BS dhe të demokracive “popullore”, urdhni i “futjes së armëve” ka fillue aty nga korriku i vitit 1946. Pra, Kleriku Don Mark Xhani, nuk ka asnjë lidhje me “akuzat e armëve nder Kishat Katolike Shqiptare”, mbasi Don Marku kishte vdekë një vit ma parë në tortura,  me 5 Shtator 1945.

Mbetet me u besue e vetmja “akuzë” kunder Don Mark Xhanit, po që edhe qendron. Kjo asht dëshmia e Imzot Frano Illisë per Don Mark Xhanin, i mbytun nga sigurimi në moshen 36 vjeç: “Ishte i devotshem e i zellshem. Ndersa po e torturojshin, Atij i kerkojshin të mallkonte Jezu Krishtin, por Ai thirrte me za të naltë: “Rrnoftë Jezu Krishti!” Kjo, u persërit perditë, derisa vdiq nder torturat shnjerzore të tyne.

Fjalët e Don Mark Xhanit u treguen me lot nder sy prej Nikollë Përndojt, nga Kthella e Mirditës, i cili ishte në të njejten qeli e muejti t’ shifte e të ndigjonte përmes plasave të drrasave.

Trupi i Tij u dergue në Shën Pal e u hodh në humneren e plehnave, ku u coptue prej qejvet. Ishte Hero i vertetë dhe i vendosun i Fesë Katolike”.

Melbourne, 25 Fruer 2022.