| E enjte, 24.02.2022, 06:51 PM |
Hitleri i shekullit XXI e ka emrin Vladimir Putin!
Nga
Enver Bytyçi
Sot
Rusia filloi ofensivën ushtarake kundër Ukrainës. Tanke, avionë, autoblinda me
dhjetëra mijë ushtarë dhe oficerë garantuan qytete e fshatra të shumtë të
Ukrainës, duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën
e OKB-së të sovranitetit të shteteve.
Vladimir
Putin dëshmoi se nuk ka asgjë ndryshe nga Adolf Hitler. Ai duket se është
ndjekësi më besnik i udhëheqësit të nacional-socialistëve gjermanë të viteve
'30 të shekullit të kaluar.
Ngjashmëritë
dhe madje identitetet janë të njëjta. Sidomos në filozofinë e luftës. I vetmi
dallim është se Putin i ka dhënë kohë vetes më shumë sesa Hitleri. Nuk është
nxituar aq shumë deri tani. Por tash po vepron me kryeneçësi dhe kokëfortësinë
e Hitlerit.
Adolf
Hitleri erdhi në pushtet duke shfrytëzuar padrejtësitë e Konferencës së Parisit
ndaj Gjermanisë si fuqi humbëse e Luftës së Parë Botërore, më saktë ndaj
Francës, e cila kishte insistuar në cenimin e integritetit territorial të
Gjermanisë. Vladimir Putin erdhi në pushtet me kritikat e ashpra ndaj Perëndimit,
të cilin e bën përgjegjës për shpërbërjen e ish Bashkimi Sovjetik. Shpërbërjen
e BS Putin e konsideroi që në ditën e parë si president "tragjedinë më të
madhe" për vendin e tij. Dhe prej këtu nisi e gjitha çfarë ka ndodhur më
vonë Gjeorgjinë dhe çfarë po ndodh sot me Ukrainën në dy faza.
Hitleri
erdhi në pushtet me premtimin e "bashkimit të botës gjermane" dhe
rivendosjes së drejtësisë. Putin vijoi në shekullin XXI me të njëjtin premtim
për "bashkimin e botës ruse", përfshirë dhe ato popuj e kombe që
flasin sllavisht ose i përkasin besimit ortodoks. Ai elaboroi teza të frikshme
para se të hidhej në veprim për shkëputjen e rajoneve të Gjeorgjisë,
përkatësisht Abkazinë dhe Osetinë e Jugut (2008), ose të Krimesë në vitin 2014.
Derisa erdhi te agresioni për aneksimin e Ukrainës.
Krimea
u aneksua në mars të vitit 2014 me pretendimin se në gadishull po kryhej dhunë
kundër rusëve. Ndërkohë që asgjë e tillë nuk kishte ndodhur. Putin fabrikoi
asokohe gënjeshtrën se "Në Kiev dhe zonat ku banojnë rusët ishin formuar
formacione nacional-socialiste (naziste) të cilat kërcënonin rusët e
Ukrainës". Por as kjo nuk ishte e vërtetë. Asnjë lloj krimi nuk kishin
bërë ukrainasit kundër rusëve dhe minoriteteve të tjera në vendin e tyre.
Thjesht ata anuluan një ligj të Viktor Janukoviçit ku refuzohej Marrëveshja e
Stabilizim-Asocimit me BE-në. D.m.th shprehën vullnetin për t'u integruar në
BE.
Ky
vullnet i lirë i ukrainasve dhe përfaqësuesve politikë të tyre nuk i pëlqeu
presidentit të Rusisë. Ai e donte Ukrainën zonë të vetën të ndikimit dhe
imponimit. Ashtu siç ka sot Bjellorusinë dhe shumicën e republikave të
Kaukazit. Në të kundërtën do të përdorte forcën, siç nisi ta dëshmojë që prej
të hënës së shkuar, veçmas ditën e sotme. Edhe Hitleri me të tilla formula e
filloi luftën. Fillimisht "mori në mbrojtje sudetët" dhe pushtoi
Çekinë. Më pas nisi Luftën e Dytë Botërore me pushtimin e Polonisë.
Putin,
njësoj si Hitleri, ka si tipar të tijin kërcënimin. Ndërsa Evropa e kohës së
Hitlerit iu nënshtrua kërcënimeve të kancelarit gjerman, Evropa e sotme është e
trembur dhe e përçarë. Polonia, Hungaria, presidenti çek dhe ai kroat,
kryeministri slloven, politikanë në Sllovaki e Bullgari, shumica e politikanëve
dhe e opinionit publik në Serbi, madje dhe fraksione parlamentare në Francë, në
Austri, Itali e gjetkë bëjnë Kollonën e Pestë në Bashkimin Evropian dhe i japin
fuqi Moskës. Këto segmente evropiane ende nuk po shohin se armët që
vringëllojnë në Ukrainë do të stacionohen në vendet baltike e Detin e Veriut,
në brigjet perëndimore të Detit të Zi dhe madje në brigjet lindore të
Adriatikut. Atëherë bashkëpunëtorët e sotëm të Putinit do të ndjejnë dridhma
përpara tij! Ish-ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, e cila e ftoi
para disa vitesh Putin në dasmën e saj, nuk do t'i përulet më Carit rus për ta
ftuar në vallëzim, por do të zvarritet para tij!
Prandaj
bota duhet të bëhet bashkë. Madje jo vetëm Evropa dhe SHBA-të, NATO dhe BE.
Këto lokomotiva të politikës botërore duhet të tërheqin me vete të gjitha
vendet paqedashës. Duhet vënë kriteri i qëndrimeve: - Nëse je me paqen e rendin
botëror, reago, protesto dhe izoloje politikën hitleriane të Vladimir Putin. Në
të kundërtën nuk mund të jetë asnjë shtet dhe vend sovran i sigurt.
Vetëm
unifikimi evropian mund ta ndalë Vladimir Putin. Ndërkohë ka ardhur momenti që
Gjermania të rifitojë të drejtat e plota për t'u përgatitur për mbrojtje,
përfshirë dhe të drejtën e zhvillimit të arsenalit bërthamor. Nëse Britania e
Madhe, Gjermania, Franca dhe të gjitha vendet e tjera evropiane bashkohen,
atëherë Putin do të detyrohet të rikthehet në kufijtë e Rusisë dhe të
respektojë të drejtën sovrane të shteteve sipas Kartës së OKB-së. Ndryshe rendi
botëror do të shkatërrohet dhe bota do të ketë një fat shumë më të trishtë se
ai i Luftës së Dytë Botërore!