Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Bezhani: Elementi tradicional e psikologjik në tregimet e Hasan M. Selimit

| E merkure, 23.02.2022, 06:34 PM |


Vështrim libri: Elementi  tradicional e psikologjik në tregimet e Hasan M. Selimit.

KONCEPTI HISTORIKO-FILOZOFIK NË TREGIME-NOVELA, ‘’TOKËS I MUNGON NJË ADRESË”

Hasan M. Selimi: “Tokës i mungon një adresë”, (Tregime e Novela), Tiranë, dhjetor 2021

Nga Tahir Bezhani

Për lexuesit emri  i krijuesit Hasan M. Selimi, tani më është emër i njohur në mbarë hapësirat shqiptare. Me talentin dhe prirjen krijuese cilësore, në decenien e fundit botoi disa vepra në fushën e letërsisë, duke begatuar atë si në prozë ashtu edhe në poezi. Në krijimtarinë e këtij krijuesi bie në sy individualiteti me larmi figurash letrare si metafora, ka shije estetike, stil origjinal dhe guxim krijues, që e bëjnë të dalluar, të njohur në mesin e shumë krijuesve tjerë. Bota e tij krijuese, si në poezi ashtu edhe në prozë, ka bosht, subjekt, aspektet historike, psikologjike, ngjarje të rëndësisë së veçantë, që burojnë nga  thelbi i popullit, me gjithanshmërinë e tij jetësore, si filozofi me specifikat  të rralla.

Në librin  me tregime dhe novela, ”Tokës i mungon një adresë,”me autor Hasan  M. Selimi, që në fillim të  leximit, lexuesi  përballet me  talentin e autorit, i cili me elokuencë personale, nxjerr në pah traditën dhe veset negative , që kanë ngjarë ose ngjajnë në mesin tonë, të një krahine ose rrethi më të gjerë. Përgojime të aspekteve të ndryshme, ngatërresat si shkak i përfoljeve janë elemente të realitetit emancipues të një shoqërie, të cilat shpesh kanë përfunduar me fatalitet në meset tona. Trajtimi i këtij aspekti tradicional, si negativitet në vete, përmban esencën e shkathtësisë së autorit për ta luftuar këtë dukuri negative, si pasojë e trashëguar nga shkaktarë historikë, për kohë të gjatë.

Njëkohësisht me mjeshtëri e talent prej krijuesi me përvojë, në kriza  e me sakrifica, me “lojën” e protagonistëve, si nëna Marte, Iliazi, Gjeloshi etj. nxjerr përfundime paqësore e  mirëkuptuese, duke krijuar marrëdhënie të mira në tërë rrethin jetësor .Autori Selimi, me gjasë ka pasur parasysh thënien e të madhit Tolstoi se:“Kuptimi i vetëm i jetës është që t’i shërbejë njerëzimit”. Të gjitha këto ngjarje që të mbajnë pezull në secilin rresht, i lexojmë në tregimin “Dredhia e fjalës”.

Jo vetëm në këtë tregim, por në vazhdim të mëtejmë të leximit, gjejmë kënaqësinë përmes formës së fjalëve rrëfimtare,   ku autori arrin  kulmin e qëllimit prezantues të filozofisë krijuese.Mjafton të cekim se si i përshkruan të papriturat e kohës autori i librit z. Hasan Selimi, si te tregimi “Martesa”: ” Mëngjesi me lajme të reja. Arrestime, dënime dhe pushkatime të krerëve politikë.....”

Tregimi, ”Digje letrën, takohemi në Parajsë,” është njëri nga tregimet më prekëse, për mënyrën se si  trajtohet një krijues, apo krijuesit në përgjithësi, në rrethana të caktuara shoqërore politike, më filozofinë e glorifikimit të një diktature të egër, për jetën njerëzore, e në veçanti të popullit tonë. Herberti, krijuesi dhe protagonisti i tregimit (novelës) është koka më e rrezikshme për shoqërinë, andaj gjithnjë gjendet nën lupën e personave të shtetit. Herberti, Arifi e Sytkiu, gjatë kohës kur janë së bashku, detyrohen të jenë të vëmendshëm nga përgjues në forma të ndryshme. Pikërisht ky  qëndrim i pushtetarëve, nxit Herbertin  t’u thotë miqve se ”të gjitha vdekjet kanë ardhur nga karriget e mëdha.....” Këto thënie, natyrisht se në sistemet diktatoriale i kanë sekuencat dhe pasojat e rënda, me pësime....

Prandaj ,tregimi “Digje letrën, takohemi në Parajsë”, mbetet nga tregimet më prekëse i këtij libri. Historia është e mbushur me shumë e shumë ngjarje tronditëse, ku jeta e njerëzve ka kaluar nëpër rrathë dantian, por durimi dhe koha sfiduese gjithmonë kanë sjellë ndryshime pozitive në raport me diktaturat. Kjo edhe është filizoifia që na prezanton autori i librit z. Hasan Selimi në librin “Tokës i mungon një adresë”.

VEPRAT E HASAN SELIMIT SI PASQYRË E PSIKOANALIZËS FROJDIANE.

Krijuesi tani i mirënjohur, z. Hasan M. Selimi, me veprat e tij poetike dhe prozaike, ka dëshmuar në masë të madhe se është një personalitet i kompletuar  me horizont të gjerë dije në të gjitha  fushat e jetës. Ka njohuri të theksuara edhe në fushën teologjike dhe ka publikuar disa shkrime edhe nga kjo lami, jo edhe fort e njohur nga të gjithë.

Pikërisht duke vijuar me përshtypjet nga leximi i librit, ”Tokës i mungon një adresë” vërejmë atë pendën e fuqishme krijuese të zhytur në pellgun e psikologjisë së popullit të tij, duke analizuar e trajtuar ato ngjarje të rënda të kohëve të ikura, me një përfytyrim sikur ato të kishin ngjarë dje. Ngjarjet enigmatike të kohës, sajesat e rasteve eklatante, pastaj zbulimet pas një kohe të gjatë, paraqesin forcën e inteligjencës krijuese, mos harresën dhe përjetimet shpirtërore pas kaq shumë kohësh. Mesazhet e tilla të kohëve të ikura dhe shëmtitë e tyre, lexohen me padurim në novelën  “Student me pak fjalë, ”ku folësit artistik në  novelë, Zoja , Zeneli e Mëhilli, tregojnë më së miri të gjitha përjetimet e padrejtësive të një kohe diktatoriale, e kapluar nga mynxyra psikologjike e dhunimeve politike. Mjafton të lexojmë rreshtin e fundit të novelës për ta kuptuar gjithë  përmbajtjen brenda rrëfimit:” Kaq qe fjala e fundit dhe Zeneli rrugëtoi për në burgun e qendrës së ligë....”

Në tërë librin  “Tokës i mungon një adresë” ,krijuesi Hasan Selimi, me mjeshtri ka nxjerrë në sipërfaqe, bëmat e argatëve të pushteti diktatorial, por edhe spiunëve tjerë nga jashtë e brenda, me qëllimin e vetëm që një kohë, me mynxyrat e veta ,mos të mbulon  harresa, por të jenë e shkruar në faqe librash, paluar në rafte bibliotekash, ku historia e një populli lexohet dhe gjykohet nëpër breza.

TRAGJEDIZMI HAMLETIAN NE TREGIMET-NOVELA NË LIBRIN “TOKËS I MUNGON NJË ADRESË.”

Padyshim se autori i këtij libri, për një kohë relativisht të shkurtër në krijimtari letrare, ka arritur të jetë një personalitet i dëshmuar me fakte, duke sjellë risi në krijimtari, qoftë në prozë apo poezi. Prezantimi prozaik i autorit, jo vetëm  në librin që po flasim,  por edhe në ato të mëparshmet, vërejmë lidhshmërinë me ambientin e jetës, në ato alpe frymëzuese e mitike, ku kënga gurgullon si ep, pjesë e pandashme e Lugut të Zanave, ku kreshnikët luftojnë e zanat dashurohen e zanojnë. Aty ku ka luftë, ka të vuajtur edhe tragjedi, por edhe heronj.

Njëra nga novelat më të pëlqyera të këtij libri, padyshim se është novela e gjatë ,në fundin e librit, ajo më rrënqethësja e  këtij libri padyshim se është “Internimi”. Në këtë rrëfim të gjatë autori ka përshkruar vuajtjet më eklatante nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës. Tragjeditë e ndodhura për gjysmëshekulli jete kanë futur në palcën e ashtit tragjizmin në kujtesë që do mbahet në mend  përgjithmonë. Bernard Dino, mban të ruajtur gishtin e vogël të dorës së djathtë të motrës Rudina, e cila vdiq nga uria pas tre javësh në kampet e përqendrimit të asaj diktature të egër.Gishtin e kishte gjetur në shtratin e një lumi gjatë gjurmimeve, sa ishte ushtar. Pas gjysmëshekulli heshtje, ku “ashti lagej nga loti,” Bernard  Dino, i rreket zbulimit dhe hedhjes në dritë të shkakut të vdekjes së motrës dhe internimit të babait dhe disa familjarëve tjerë. Në fakt, për të njëjtat arsye e kishte pësuar edhe Tringa, motra tjetër e Bernardit.Pas ardhjes së demokracisë dhe luftës për një të drejtë njerëzore, Bernardi zbulon shkaktarët e tragjedisë familjare dhe pas shumë peripecive, realizon të drejtat e tij në pushtetin e ri demokratik të vendit.

Historia dhe ngjarje të hidhura në popullin tonë nëpër ecejaket e veta drejtë një të ardhme më të mirë, janë të mbushura me shumë vuajtje, shumë tragjizma, aq sa do ishte pakës një Shekspir për t’i hedhur në dritë ato peripeci.Krejt në fund, mund të them se libri me tregime e novela, ”Tokës i mungon një adresë,” më autor Hasan Selimi, është edhe një pasuri e pakontestueshme letrare dhe e nevojshme për bibliotekat tona.