| E marte, 22.02.2022, 09:02 PM |
Sinjalet e para të asimilimit dhe identifikimi me kombin pritës
Nga
Ramiz Selimi
Shqiptarët emigrimin e
perceptuan ndryshe nga popujt e Evropës Perëndimore. Ata nuk u larguan që të
tjetërsohen, por të kthehen përsëri në vendlindje. Madje kjo qasje një pjesë e
ka penguar gjithnjë në një integrim të mirëfilltë në vendet pritëse.
Perëndimoret të cilët emigruan në SHBA, Kanada, Australi,... ishin përgatitur
që në start të asimilohen.
Dhe, përsëri ndryshe nga
emigrantët Spanjoll, Italian, Grek, Portugez, të cilët pas një periudhe,
shumica u riatdhesuan në vendin e origjinës. Stërzgjatja e riatdhesimit i ka
shtyrë shqiptarët pa vetëdije në një proces të rrezikshëm, i cili nuk ka kthim
prapa. Nga tash mund të themi se mërgata e Kosovës lirisht mund të cilësohet
edhe si “kurban” i shtetit të ri, pasi shumica prej tyre kurrë më s’do të
kthehen në vendlindje, edhe pse ata vazhdimisht dhanë gjithçka për të mirën e
vendit.
Studimi i zonjave Qershina
dhe Zufall zbulon se, plotë emigrant shqiptarë nga gjenerata e parë, gjatë
bisedave kanë treguar sesi ata pa vetëdije e kanë pranuar asimilimin kulturor.
Interesant ishte fakti se nga emigrantët e rinj kemi dëgjuar ankesa të shumta
ndaj vendit pritës, për ushqimin e
dobët, për klimën dhe për adaptimin në rrethin ku jeton. Pastaj, disa e
mendojnë seriozisht sesi ne jemi një popull më i zgjuar se gjermanët, por vetëm
kapitali dhe makineria i bën ata të fuqishëm,...etj. Mirëpo, ata që kishin një
bagazh më të gjatë qëndrimi kishin një mendim krejt të kundërt. Kjo tregon se
me kalimin e kohës pas 10 viteve këto mendime ndryshojnë pothuajse 100% tek
secili emigrant, sepse tash ai e vështron të ardhmen e tij nga një kënd tjetër.
Por, nëse ndonjëri pyetej se a frikësoheshin nga asimilimi, askush nuk
dëshironte të fliste, meqë thoshin se kjo ishte një temë e vështirë për
diskutim. Megjithatë shumicën e të intervistuarve e tradhtonin ndjenjat. Ata
shfaqnin mërzinë, pasi e kishin të qartë se identiteti shqiptarë në familje
përfundonte pikërisht tek ai.
Asimilim
në heshtje dhe pa vetëdije!
Përvoja nga studimi tregon
se sinjalet e para të ndryshimit mund të vërehen pas disa viteve, kur
shqiptarët në mërgim fillojnë të flasin fjalë të mira për vendasit. Ju ka
rastisë shpeshherë t’i dëgjoni këto fjalë: ”Gjermanët janë të sinqertë,
punëtorë dhe të drejtë!”, “Shqiptarët janë gënjeshtar dhe mashtrues!”, “E kam
shefin shumë të mirë, marr pagën, pushimin dhe të gjitha benifitet sipas
ligjit, bile shpeshherë edhe më shumë!”, “Shqiptari ta merr shpirtin në punë,
pagën ta vonon!”, “Gjermanët janë popull për lakmi, e duan dhe respektojnë
vendin e vet!”, ”Shqiptarët janë të korruptuar dhe kriminel!” Ose kemi edhe
rastet kur personave të suksesshëm, nga komuniteti i tyre ju bëhet shantazh dhe
shpifet për të degraduar dhe ulur vlerat ne komunitet, si p.sh: “Ki kujdes
filan-fisteku është i yni, por mashtrues, nuk është rastësisht aty!”, “Ky, ose
ai është gënjeshtar!”, etj...
Emigranti duke lavdëruar
vendin pritës dhe duke e kritikuar pa vetëdije vendlindjen ka filluar
përqafimin e asimilimit. Pikërisht kur fëmijët fillojnë shkollimin dhe mësimin
e kulturës, prindërit fillojnë edhe shpalosjen e simboleve kombëtare apo
gjestikulimin e tyre. Prindi dëshiron t’i tregoj fëmijës, se ai nuk i përket
atij grupi, se origjina e tij është nga diku tjetër. Një numër i madh i të
intervistuarve ja transmetojnë pasardhësve të vet simbolet. U tregojnë për
historinë dhe vendin prej nga vijnë, por njëkohësisht ata mendojnë se fëmija i
tyre është më i mirë se i bashkëvendësve tjerë.
Madje sipas disave, ai nuk duhet të ju ngjaj shqiptarëve, pasi ata janë
mashtrues dhe të pa besë. Bile mbi 51% mendojnë se fëmija i tij nuk duhet të
shoqërohet me moshatar shqiptarë, pasi sipas tyre rreziku është i madh që të
merren me kriminalitet, ose punë tjera të pa dëshirueshme.
Pas fjalëve negative për
njerëzit e origjinës dhe vendlindjen, tash në kokën e fëmijës shfaqja e
simboleve kombëtare është tërësisht e pavlerë, meqë prindi ja ka mbush kokën me
negativitet për vendin e tij. Pra, ai
fëmijë kur të rritet orientohet më shumë gjasë nga vendi pritës, pasi vendin e
origjinës nuk e merr seriozisht, pas gjithë atyre që ka dëgjuar.
Lëvdatat e prindit si ato të
lartshënuara dhe këto tani, ndikojnë direkt në zhvillimin e fëmijës : “E dua
dhe respektoj pafund Gjermaninë, Zvicrën, Austrinë!”, I jam shumë mirënjohës
vendit që pata mundësinë të mbijetojë dhe të jetojë!”, “Në Kosovë do të jetoja
si një qen endacak!”...etj. Janë fjalë që na bën të kuptojmë se këtu fillon
ndarja përfundimtare me vendlindjen. Me vdekjen e prindit gjithçka do të
zbehet, vizitat do të rrallohen akoma më shumë, bisedat do të bëhen gjithnjë e
ma të padurueshme, për shkak dallimeve të mëdha në perceptime. Pastaj këta
emigrant gjithnjë e më shumë do ta përqafojnë kulturën vendase, do të fillojnë
ndryshimin e emrave dhe këtu nis identifikimi më atë kulturë.
Asimilimi
i strukturuar!
Kontaktet e shumta që patëm
me gjeneratën e dytë dhe të tretë na bënë të kuptojmë se forma e dytë
asimilimit të emigrantëve shqiptarë është më masive dhe ai ndodh në formë të
strukturuar. Pjesëmarrja e emigrantëve në jetën shoqërore është gjithnjë e më e
madhe, por akoma pa marr përgjegjësinë e plotë në vendet me interes për
shoqërinë. Angazhimi i tyre në shoqata joqeveritare, në klube sportive, në
raste të rralla edhe neper institucione janë treguesit e qartë se shoqëria
shumicë po i pranon emigrantët në procesin e asimilimit të strukturuar.
Martesat e ndryshme mes emigrantëve dhe popullit pritës është një mundësi
tjetër e mirë që shtynë akoma edhe më shpejt procesin ndryshimit të
identitetit.
Personat e paktë të emigrantëve shqiptarë që arrin të
përfundojnë shkollimin superior, përjetojnë diskriminimin me të egër të
mundshëm. Pra, Emri dhe Mbiemri është pengesa kryesore dhe këtë e kanë të
gjithë të qartë, diskriminimin e lejon hapur shteti dhe institucionet në
rajonin gjermano folës. Pasi të ndodhë asimilimi i strukturuar, automatikisht
dhe me sukses të plotë do të bëhet asimilimi i mëtutjeshëm ose ndryshimi total
i identitetit.
Ndryshimi
i identitetit!
Dimensioni i tretë dhe i
fundit është asimilimi i identitet që tek 6% e shqiptarëve kishte filluar. Këtu
personi nuk identifikohet në asnjë
mënyrë me vendin e origjinës. Grupet minoritare fillojnë të identifikohen me të
kaluarën historike të shoqërisë shumicë. Angazhohen shumë për ta ruajtur dhe
forcuar shtetin pritës. Janë të vetëdijshëm për një fat të përbashkët dhe
përfundimisht ata identifikohen me një komb. Për shembull, identiteti gjerman
(shqiptarët që kanë lindur dhe jetuar në ketë shtet me gjatë se tridhjetë vite,
nuk identifikohen ndryshe pos si gjerman), ashtu vlen edhe për identitetin
anglez, suedez,...etj, pra fillon identifikimi i plotë me kombin, këtu
përfundon diskriminimi dhe shteti pritës është i dhënë në favor të tyre.
Gradualisht në shoqëritë e
shumicës lëvizin procese të shumta të përshtatjes që minoritarët e ardhur
asnjëherë nuk i kuptojnë. Shumë shtete që kanë mungesë popullsie, siç janë
shtetet gjermanofolëse do t’i forcojnë akoma më shumë partitë ekstremiste për të
shtyrë para transformimin. Ata gjithnjë e më shumë do të kërkojnë dëbimin e
tyre, dënimin dhe sanksionimin e tyre me lejen e partive në pushtet. Kërkesa
kryesore e gjithë shoqërisë pa dallim është të ndodh një asimilim më i shpejtë.
Pra në të ardhmen modeli i shoqërisë
është që emigrantet të identifikohen me kombin ku jetojnë. Këto vlera po
mbështetën nga shoqëritë evropiane. Njohja dhe
internacionalizimi i vlerave të kombit do ta krijojnë integrimin social të
qytetarëve të barabartë ligjërisht. Një shembull i një kombi të tillë është
Franca, ku anëtarësia e kombit varet nga pranimi i vlerave të republikës,
pavarësisht përkatësisë etnike ose kulturore.....
Vijon, Tre shembuj të
asimilimit