| E hene, 21.02.2022, 08:19 PM |
Si u gjet “Bukuroshja e Strumës”
Nga
Kujtim Mateli
“Bukuroshja e Strumës” shënon librin e 18-të të
shkrimtarit, studiuesit dhe eseistit të
mirënjohur Nuri Plaku. Ky libër me ese, sjell atë pasuri shpirtërore që banorët
e Myzeqesë kanë kultivuar dhe rritur në shekuj dhe e kanë trashëguar brez pas
brezi në tregime dhe gojëdhëna, në këngët popullore që janë një pasuri e çmuar
dhe që e kanë shoqëruar myzeqarin në çdo hap të jetës së tij. Të tri esetë e
këtij libri na japin botën shpirtërore të myzeqarit, në harkun kohor të dy-tre
shekujve të fundit. Një botë shpirtërore që ecën drejt besimit dhe shpresës,
drejt së mirës dhe guximit për ta ndryshuar realitetin e vështirë që i kishte
krijuar pushtimi osman. Një botë e pasur mitologjike shpaloset në esetë e këtij
libri, me të cilat myzeqari plotësonte botën e tij shpirtërore për t`u
lartësuar mbi realitetin e vështirë të kohës.
Nuri Plaku u lind më 10 dhjetor 1954 në Marinëz, në qarkun e Fierit. Arsimin e lartë e kreu në degët Gjuhë -
Letërsi Shqipe dhe Histori - Gjeografi, pranë Universitetit “Aleksandër
Xhuvani” Elbasan. Me krijimtari letrare është marrë që në vitet e shkollës së
mesme duke u prezantuar në organe të ndryshme të shtypit letrar të kohës. Është
pjesëmarrës në disa festivale poetike dhe takime të ndryshme letrare brenda dhe
jashtë vendit. Deri tani ka botuar nëntë vëllime poetike, dy libra studimorë,
dy monografi, tre libra me ese ku përfshihet dhe “Bukuroshja e Strumës”. Nuri
Plaku është i njohur me një numër të lartë shkrimesh dhe cikle poetike të
botuara jashtë vendit në gazeta e revista në disa gjuhë të ndryshme. Si pjesë e
rëndësishme e kësaj krijimtarie, botuar jashtë vendit, janë dhe dy librat e tij
poetikë me të cilat është përfaqësuar denjësisht në gjuhën rumune dhe atë maqedone.
Ky libër ka tre ese të mrekullueshme që japin
gjithë dimensionin historik e atë shoqëror të trevës së Myzeqesë. Tek eseja
“Jorgji Kondakçiu dhe historia e gjelbër…” autori ka mundur të sjellë një
figurë të rëndësishme, i cili kontributin e tij e dha në fillim të shekullit të
kaluar. Jorgji Kondakçiu, ka shërbyer për një kohë të gjatë si kopshtar
(bahçevan) dhe shoqërues i Omer Pashë Vrionit, babai i të cilit, ka qenë
themeleuesi i qytetit të Fierit. Njerëzit e shquar, pavarësisht kontributeve që
kanë dhënë në kohën kur kanë jetuar, nuk i shpëtojnë dot harrimit të kohës, e
cila i zbeh deri në asgjësim. Kujtesa e njerëzve gjatë përcjelljes nga njëri
brez në tjetrin, lë jashtë momente të rëndësishme që kanë bërë historinë e
individit, duke e lënë vetëm si emër dhe në fund i asgjëson dhe emrin. Për të
mos ndodhur kjo, autori i kësaj eseje sjell figurën e Jorgji Kondakçiut, në të
gjithë dimensionin e tij për të mbetur i gjallë për brezat e sotëm dhe ata që
vijnë. Jorgji Kondakçiu vjen si këngëtar i njohur në Fier dhe më gjerë, madje i
kishte mahnitur edhe përmetarët, kur kishte shkuar për një dasmë. Në të njëjtën
lartësi është edhe puna e tij si bahçevan, ku sollën në qytetin e ri të Fierit
disa lloje drurësh që erdhën nga jashtë vendit. Jorgji Kondakçiu jepet edhe në
përmasën e tij familjare, ku la pasardhës të denjë që kanë dhënë kontribute në
qytetin e Fierit.
Eseja “Kiu Poro dhe ‘Goca e berberit’”, na njeh me
këngëtarin zërrallë e të magjishëm në qytetin e Fierit dhe gjithë Myzeqenë në
gjysmën e parë të shekullit të XX. Ai
nuk e pa këngën si burim të ardhurash, por shkonte kudo dhe nuk pranonte të
paguhej. Kjo punë e papaguar i krijoi atij vështirësi ekonomike. Lartësia
shpirtërore dhe artistike që ai krijoi, ishte në kontrast me varfërinë e tij, e
cila nuk iu nda gjatë gjithë jetës. Krijoi dhe këndoi shumë këngë duke e
pasuruar botën shpirtërore të myzeqarëve. Njihet si autori i këngës së famshme
“Goca e berberit” poezinë e së cilës e krijoi vetë nga dhimbja për një dashuri
të parealizuar, e cila ka gati 100 vjet që këndohet dhe përsëri mbetet një nga
këngët më të bukura fierake.
Eseja “Bukuroshja e Strumës” i kushtohet një prej
krijimeve popullore më të realizuara në shekullin e XIX. Kënga popullore
myzeqare ka mbartur në vargje trimërinë dhe guximin, mikpritjen dhe bujarinë,
bukurinë e botës së tij shpirtërore. Një prej këtyre këngëve është edhe kënga
popullore “Bukuroshja e Strumës”. Mirëpo çdo krijim popullor ka pasaportën e
tij. Ka rrethanat e tij të papërsëritshme të lindjes, përhapjes dhe vjen një
kohë që pushon së ekzistuari. Vetë autori i kësaj eseje, në moshë fëminore,
kishte dëgjuar vargjet e këngës dhe i kishte mbetur në mendje vargu i
mrekullueshëm: “Ah, moj Shën Mëri e Strumit, ah!” Mirëpo, kur autori u rrit dhe
i lindi interesimi për t`u njohur me tekstin e plotë të këngës, këngëtari
popullor nuk jetonte më. Siç duket ishte këngëtari i fundit që i këndonte një
ngjarjeje mjaft të largët. Banorët e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar,
nën presionin e shtetit komunist që prishi institucionet fetare në të gjithë
vendin, goditi edhe vatrën e këngës popullore ku ruhej “Bukuroshja e Strumës”.
Ajo nuk këndohej më, duke ua lënë vendin këngëve të reja që pasqyronin
realitetin e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Eseja është shtrati i
kërkimit të kësaj kënge tek banorët e trevës së Reskovecit ku ajo ishte
kënduar.
Nxitje në kërkimin e kësaj kënge u bë edhe udhëheqësi i asaj kohe, Enver Hoxha.
Daja i tij, Shyqyri Çuçi nga Gjirokastra, aty në vitet 1923-1924 kishte banuar
në Bishanakë të Fierit (sot lagjia “Liri”) dhe babai i tij Halil Hoxha, si
llogaritar në biznesin e kunatit të tij. Gjatë qëndrimit në Fier, Halili ishte
njohur me këngën myzeqare dhe e këndonte atë, midis tyre edhe këngën
“Bukuroshja e Strumës”, prej së cilës vetë Enveri dinte përmendësh një pjesë të
saj. Për të gjetur këngën u vunë në lëvizje strukturat që mbulonin kulturën në
rrethin e Fierit, sidomos ato të Reskovecit. Kënga nuk u gjet, por u rikrijua
një këngë e re mbi disa vargje që ende njiheshin nga moshat e vjetra. Kënga u
këndua në festivalin e Gjirokastrës.
Mirëpo autori i kësaj eseje, Nuri Plaku, nuk u kënaq me këngën e rikrijuar.
Asaj i mungonte ai vargu i mrekullueshëm që e kishte dëgjuar në fëmijërinë e
tij: “Ah, moj Shën Mëri e Strumit, ah!” Vajza e Strumit, sipas tekstshkruesit
që u paraqit në festivalin e Gjirokastrës, ishte e bukur, me cilësitë fizike që
e dallonin midis shumë vajzave të tjera të asaj kohe, por i mungonte shenjtëria
e saj hyjnore. Ndaj autori do ta kërkonte ngado, sidomos te banorët e larguar
herët nga Reskoveci. Ata bashkë me kujtimet për vendlindjen kishin marrë me
vete edhe këngën. Dhe më në fund ia arriti qëllimit. Pandeli Prifti, në moshën
85 vjeçare, i larguar shumë herët nga fshati, pasi kishte punuar në disa vende,
përfundimisht ishte vendosur në qytetin e Fierit. Mrekullia që kërkonte autori
i kësaj eseje ndodhi. Pandeliu, jo vetëm e mbante mend këngën, por edhe e
këndonte atë. E këndoi edhe në atë moshë të thyer 85 vjeçare. Kënga e kishte
brenda edhe atë vargun e mrekullueshëm që autori i kësaj eseje e kishte dëgjuar
në fëmijërinë e tij. Në këtë ese do të gjeni këngën e plotë, rrugëtimin disa
dhjetëvjeçar që autori ka bërë deri në gjetjen e saj, si dhe një analizë
artistike për ngjyrimet e shumta emocionale dhe estetike, të vlerave që ajo mbart
duke ardhur si një metaforë brilante që flet sa një epokë e tërë historike. Aty
gjen portretin e thjeshtë të vajzës që lartësohet deri në madhështi,
karakteristikat e familjes myzeqare që mbart në shekuj heroizmin si pjesë e
identitetit të saj. Kjo këngë popullore e trevës së Myzeqesë, që ishte gati të
zhdukej, u rikthye denjësisht si pjesë e folklorit, në saje të ruajtësit të saj
dhe përkushtimit të shkrimtarit dhe studiuesit Nuri Plaku.
Me librin “Bukuroshja e Strumës” autori ka shenjuar
një tjetër lartësi në krijimtarinë e tij.
Të tria esetë e këtij libri tregojnë se autori është i shqetësuar për
atë pjesë të trashëgimisë shpirtërore që nuk është e dokumentuar. Kemi thesare
të papërsëritshme në origjinalitetin e tyre dhe këto thesare, të krijuara nga
autorë kolektivë apo me emra të përveçëm, duhet t`i depozitojmë në arkivat e
identitetit tonë kombëtar. Brezave t`u përcjellim historinë dhe kulturën tonë
për t`i patur si pikëmbështetje ku ata do të ndërtojnë kulturën dhe historinë e
tyre. Pa trashëgiminë, e nesërmja mund të shkojë në drejtime të gabuara.