| E hene, 21.02.2022, 08:51 PM |
Në
foto, nga e djathta në të majtë: profesor Jahja Halabaku dhe autori i tekstit
Hamza Halabaku
PROFESORI PENSIONIST SI
MODEL I NJERIUT AMBICIOZ DHE ANGAZHIMEVE KONKRETE
Profesionisti
i dijshëm dhe i përkushtuar jo vetëm në lëndën e matematikës, si dhe
intelektuali shembullor që gjithë përvojën e tij në punë e kaloi në përpjekjet
për edukimin e shumë brezave shkollarësh, Jahja Halabaku, tani si pensionist
është shembull i njeriut ambicioz, që kohën e kalon me angazhime konkrete
Shkruan:
Hamza HALABAKU
Shumica
e banorëve të fshatit Pozharan, komuna e Vitisë, i përkasin fisit Thaç dhe të
këtij fisi janë edhe farefisnia e Halabakëve, lagje kjo që tani ka më shumë se
njëqind shtëpi, ndërsa pjesëtarë të farefisit Halabaku ka edhe në Prishtinë, në
Zvicër, në Gjermani, në Austri, në Londër e përtej Atlantikut. Halabakët e
Pozharanit nga koha që unë mbaj mend dhanë shumë mësues, arsimtarë e profesorë
jo vetëm për fshatin e tyre.
Njëri
nga intelektualët që zë vend të merituar në familjen e Halabakëve të
Pozharanit, është edhe Jahja Halabaku, i cili në vitin 1965 ka mbaruar Shkollën
e Lartë Pedagogjike – Dega e Matematikës në Prishtinë, me një notë të lartë
mesatare. Menjëherë pas kryerjes së Shkollës së Lartë Pedagogjike, ka filluar
me punë në Shkollën Fillore në fshatin e lindjes, në Pozharan, ku më herët
kishte qenë nxënës i dalluar në mësime e sidomos në lëndën e matematikës.
Nxënësve të klasave të larta të Shkollës Fillore të Pozharanit, për katër vite
me radhë, Jahjaja u kishte shpjeguar me zë të ultë e të kuptueshëm, qartë e me
përpikëri lëndën e matematikës. Katër vite më vonë, një vit të tërë shkollor, lëndën
për të cilën ishte kualifikuar në SHL Pedagogjike në Prishtinë, u kishte
ligjëruar nxënësve të Gjimnazit të rregullt në Ferizajt.
Në
vitin 1975, Jahja Halabaku diplomohet në Fakultetin e Shkencave Matematiko –
Natyrore, Dega e Matematikës në Prishtinë dhe e kishte fituar titullin e
profesorit të kualifikuar për të dhënë mësim në cilëndo shkollë të mesme. Nga
shtatori i vitit 1969 e deri në vitin 2001, për tridhjetë e dy vite me radhë,
profesor Jahja Halabaku, ka përhapë dijen e lëndës së matematikës në Gjimnazin
“Kuvendi i Lezhës” në Viti.
Më
ka ndodhur shpeshherë që të takohem me ish-nxënësit e profesorit Jahja, qoftë
ata të Shkollës Fillore të Pozharanit, apo ata të Gjimnazit të Vitisë dhe
Gjimnazit të Ferizajt, të cilët kishin fjalë miradije për profesorin e tyre.
Shumica e tyre kishin bindjen se ishte e pamundur që të mos kuptohet lënda e
matematikës që e shpjegonte profesor Jahja Halabaku. Sepse, ai jo vetëm që
ishte një njohës i shkëlqyeshëm i lëndës së matematikës, por edhe një pedagog
shembullor që dinte t’ia afron nxënësit materien që e shpjegon, duke e
menaxhuar në mënyrën më të mirë orën e mësimit. Aty ku ligjëron profesor
Jahjaja, vërtetë, është orë e kuptueshme mësimi që ai e mbanë me autoritet dhe
e mbikëqyr me kujdes rrjedhën e saj.
Njeri i fjalëve dhe i
veprave
Matematika
na mëson të jemi të përqendruar dhe të përgjegjshëm për atë që bëjmë, thotë
shpeshherë Jahjaja. Unë mendoj që saktësia është një karakteristikë e
matematikanëve, pasi çdo nocion dhe fenomen ka një përkufizim të saktë dhe të
qartë dhe kjo mbase ndikoi që edhe Jahja Halabaku, si arsimtar dhe profesor i
përkushtuar në lëndën e matematikës, të
jetë përherë njeri i fjalëve dhe i veprave.
Nga
viti 1989 e deri në vitin 2000, profesori Jahja bëhet drejtor i Gjimnazit
“Kuvendi i Lezhës” në Viti. Më vonë, nga maji i vitit 2001profesori i
matematikës, Jahja Halabaku, angazhohet në Drejtorinë Komunale të Arsimit në
Komunën e Vitisë, të cilën e udhëhoqi deri në vitin 2004. Gjatë karrierës së
tij shumëvjeçare në arsim, Jahjaja dha një kontribut të jashtëzakonshëm për
edukimin dhe arsimimin e shumë gjeneratave, ndërsa u dallua edhe si luftëtar i
pakompromis për të drejtën e arsimimit të shqiptarëve në Kosovë.
Profesor
Jahja Halabaku si një intelektual i dalluar dhe arsimdashës ishte i ndjekur nga
pushteti serb. Ai është dënuar dy herë nga Gjykata e Vitisë, në kohën kur në
Kosovë çdo gjë mbikëqyrej nga pushtetit i forcave serbe që shin instaluar që
nga 5 korriku i vitit 1990. Sipas Aktvendimit UP. I nr. 4797, datë 14 tetor
1992, deri sa ishte në detyrën e drejtorit të Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës”, në
Viti, dënohet me 60 ditë burg për shkak se më 12 e 13 tetor të vitit 1992, “ka
organizuar tubim të pa lajmëruar, me
nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetarët shqiptarë dhe pas atij tubimi i ka dërguar
drejtorit të gjimnazit (Petar Dajiq), kërkesë me shkrim, të cilën e ka
nënshkruar vet, për lirimin, respektivisht hapjen e klasave apo hapësirave të mësimit në mënyrë që të
zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë të gjimnazit”. Në
këtë aktvendim gjykate thuhet se “i
akuzuari Jahja Halabaku i ka keqpërdorur nxënësit, arsimtarët dhe qytetarët
shqiptarë, dhe me organizimin e tubimit e ka rrezikuar sigurinë dhe rahatinë e
qytetarëve të tjerë, respektivisht e ka prish rendin dhe qetësinë publike”.
Katër
muaj më vonë, me 4 shkurt 1993, tani me Aktvendimin Up. I nr. 4962 Gjykata e Komunës së Vitisë, të cilin atë
kohë e udhëhiqnin kuadrot serbe të
instaluara nga pushteti i Republikës së Serbisë në krye me Sllobodan
Millosheviqin, profesor Jahja Halabakun, e dënon me gjobë prej 50.000
(pesëdhjetë mijë) dinarësh, ose me dënimin me burg prej 30 ditësh.
Profesori
Jahja nuk i konsideronte të papritura vendimet e gjykatës së asaj kohe për
dënimin e tij, pasi ai po bënte përpjekje për të hap shkolla dhe për të
shpërndarë dije për nxënësit shqiptarë në atë periudhë, të okupimit klasik që i
kishte bërë Serbia Kosovës, duke i zënë frymën çdo gjëje që frymonte shqip në
Kosovë e veçanërisht fushës së arsimit dhe edukimit shqip.
Kultivues i pasionuar i
luleve, pemëve dhe bletëve
Profesor
Jahjaja nga 11 shtatori i vitit 2009, është në pension, por jo edhe në pushim
si shumë njerëz të brezit të tij, që dalin e rrinë kafeneve të qyteteve apo
edhe të fshatrave, me që tani kemi shumë sosh edhe nëpër fshatra, ose ulen
pranë aparateve televizive dhe shikojnë filma, debate, emisione kulturore,
ngjarje historike e tjera.
Profesionisti
i dijshëm dhe i përkushtuar jo vetëm në lëndën e matematikës, si dhe
intelektuali shembullor që gjithë përvojën e tij në punë e kaloi në përpjekjet
për edukimin e shumë brezave shkollarësh, tani si pensionist është shembull i
njeriut ambicioz, që kohën e kalon me angazhime konkrete. Ai para shtëpisë së
vet e ka rregulluar oborrin për mrekulli. Aty ka bërë një kopsht të shkëlqyer
pemësh dhe lulesh. Profesori ka mbjellë me dorën e vet shumë lloje pemësh dhe
hapësirën në mes trupave të pemëve, çdo pranverë, e mbushë me lule të llojeve
të ndryshme. Të kënaqet syri kur sheh lulet shumëngjyrëshe, por edhe frutat e
pemëve.
Në
kopshtin e tij profesori ka edhe disa koshere bletësh, të cilat thithin
nektarin e luleve dhe të pemëve. Pra profesor Jahjaja është bërë një kultivues
i pasionuar i luleve, pemëve dhe bletëve. Me bukurinë e ngjyrave të luleve dhe
të frutave të pemëve kënaqen edhe bletët për të cilat kujdeset shumë profesori
dhe natyrisht, jo vetëm ai po, edhe ata që e vizitojnë, kur është koha e
mbledhjes së mjaltit, e shijojnë atë, kurse profesori dhe familja e tij kanë
edhe dobinë e tyre materiale...