| E hene, 21.02.2022, 08:53 PM |
Bashkë
me Bardhyl London, miqtë Uran Butka, Lazër Stani dhe Visar Zhiti
BARDHYL
LONDO
Poet
dhe mik, qytetar me guxim qytetar, ti, fisnik i natyrshëm, vetvete gjithkund,
vetvetja estetike, dinjitoze ashtu si poezia jote e angazhuar… kudo ku jemi
parë e takuar, në vende e moshë të ndyshme, edhe në kohën, kur ishin të
kërcënuara poezia dhe poetët, ti ishe po ai.
Në
Tiranë, pastaj dhe në Prishtinë, Tetovë e Shkup, por dhe më tej, në Itali, etj,
ku na çonte poezia e patëm rast të ishim bashkë, por dhe ku na mbante puna,
perkushtimi, në ministri e kuvend, në rrugë e bare, me kafe, cigare e libër e
heshtje, ti prapë ishe po ai, po ajo mirësi, po edhe kur s’ishim, dhe kjo është
kohë më e shumtë, se realiteti na jep largësitë e na mbush me mungesa, ti prapë
ishe prani e dëshirueshme, mjaftonte një mesazh, një ese a përkthim apo një
kujtim në një juri a festival poezie a në Lidhjen e shkrimtarëve që s’është më.
Ti mbetesh kryetar.
Bardhyl
i dashur,
na
kishe thënë, madje e ke shkruar se dikur të kishin kërkuar të bëjë
akt-ekspertizën policeske të poezive të mia, kur po më burgosnin për to dhe ti
nuk pranove, kundërshtove. E çmoj këtë qëndrim dhe akt. Dhe pastaj jam gëzuar
që ti u gëzove me parathënien që bëra unë për përmbledhjen e poezisë tënde të
zgjedhur.
Por
sot na dëshpëron ikja jote, por nesër ti vjen prapë me poezinë tënde, dje ajo
mori çmimin e parë, më shkruajte se do ma dërgoje “Prillin e hidhur”. Po se mos
vetëm prilli është i hidhur… Rëndësi ka që po të hapim një libër tëndin, aty ti
je. Dhe do vazhdosh të jesh në çdo antologji të poezisë shqipe, pse jo dhe
europiane. Poezia jote iu shtua asaj të botës për ta bërë më të mirë ditën, çdo
“ditë njerëzore”, pavarësisht ëndrrës…
Miqtë
e tu,
Eda e Visar (Zhiti)