| E diele, 20.02.2022, 08:54 PM |
SHKËMBINJTË KU MBIN DASHURIA
Përsiatje
mbi librin poetik ‘Trokitje të prushta” të Albina Idrizit
Nga
Timo Mërkuri
Duke lexuar librin e
ri poetik “Trokitje të prushta” të poetes Albina Idrizi ndjejmë qysh në vargjet
e para një ngrohtësi dhe mirësi shpirtërore që del prej fjalëve, si afshi i
nxehtësisë nga prushi i vatrës, që ngroh fillimisht pëllëmbët e duarve dhe depërton
më tej në gjithë qenien tonë. Ky prush shpirtëror i poetes, krijuar nga
dashuritë njerëzore të djeshme dhe të sotme, na vjen me valë nxehtësie dhe na
krijon përshtypjen se buron prej bukurisë së vargjeve dhe vetëm pasi e lexojmë
poezinë, kuptojmë se vetë vargjet janë ajo flaka e hollë e prushit që na lodron
para syve. Dhe ne kuptojmë se “prushi” është përfituar nga dru lisi të djegur
në shpirtin e poetes, që e mbajnë flakën brenda tyre dhe jo shkurre, që digjen
me zhurmë e bëjnë vetëm hi.
Për ta kuptuar
poezinë e Albina Idrizit le të zbërthejmë strukturën e librit, prej ku do
shohim katër faza (kushtimi dhe krijimtarie) që i korrespondojnë fazave të
jetës së saj, bijë, vajzë, grua dhe nënë, duke na dëshmuar se ajo është një
poete që krijon në çdo fazë jete dhe jo thjeshtë shkruan biografinë e jetës së
saj në vargje. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se Albina Idrizi e
dashuron jetën në çdo çast të saj, sado i vështirë të jetë çasti, ndaj “end” me
dashuri poezitë, sikur do të na thotë se: “poezia është forma më e arrirë e
shprehjes së dashurisë për jetën”. Duke e parë botën me syrin e dashurisë, ajo
(bota) është e bukur, duke e parë me syrin e poezisë edhe e zeza përthyhet në
qindra ngjyra dhe “nuk është më e zezë” : ”Kaq gri në mua/që më bën ta dua
të bardhën/ dhe të zezën /po aq” […] (f. 17) shkruan thjeshtësisht dhe
ngrohtësisht poetja.
I-Albina Idrizi është
një poete e toneve të qeta, por brenda qetësisë vargjeve të të saj, si brenda
kacekëve të Eolit janë mbyllur erërat dhe furtunat, e i mjerë kush e hap
“grykën” e tij. Duke gjykuar nga poezitë themi se jeta i ka mësuar Albina
Idrizit durimin, por jo tkurrjen, i ka mësuar qetësinë, por nuk ia ka fashitur
revoltën. Ka një poezi Albina Idrizi që të trondit qysh në titullin e saj
(metaforik) “Unë e putha armikun tim”, titull që na skandalizon në hamendsimet
tona para dhe gjatë leximit, titull dhe vargje të paperceptueshme për
mentalitetin dhe botëkuptimin tradicional shqiptar, por madhështor për mesazhin
që mbart: “lufta nuk na shpëton nga dashuria, por dashuria e shpëton botën nga
lufta”.
Po përmend se kjo
poezi është shkruar në Kosovën e djegur dhe të martirizuar nga “armiku që ajo
puthi”, dhe megjithatë poetja në vend të urrejtjes ofron dashurinë: “Sot e
putha armikun tim/lehtë, butë, qetë.../Më dhembi në shpirt shija e tij/atij i
dogj në buzë e imja/ pastaj çdo gjë e hekurt shkriu mes nesh././m’u duk se
preka me dorë Hyjin/e loti e bënte tjetër syrin e tij/dhe lumturia ime e
pushtuar/se e ktheva në vete Njeriun././Nesër fitues, e di nga sytë e tij/do të
zgjohet i dashuruar”.[…].(f. 20). Rilexoni vargun: “pastaj çdo gjë e hekurt
shkriu mes nesh” për të kuptuar idenë dhe vlerën poetike të poezisë. Vërtet
Albina Idrizi është poete e toneve të ulëta, si psherëtima e pëshpërima
dashurie, por është njëkohësisht një poete e dashurisë së madhe njerëzore.
II-Te ky libër më
shumë se kudo poetja Albina Idrizit ka zgjedhur të flasë si bijë, si vajzë e
dashuruar, si grua dhe si nënë, por ajo që ka rëndësi është fakti se ajo më
shumë se sa flet, “bashkëbisedon” me prindërit, bashkëshortin apo me fëmijët në
një mënyrë ku të jemi të pranishëm edhe ne, lexuesit. Poetja shkruan sinqerisht
“Kam mësuar/fshehtësinë e të mbeturit fëmijë/ zigzageve të dikundit (f.
40), duke “treguar” një nga “sekretet” e të qenët poet, ndërkohë që si bijë,
nga fëmijëria kujton: “Kur qeshte nëna ime /në shtëpinë tone/vallëzohej me
një fishkëllimë/./ Një ëndërr e bukur fillonte mbrëmjes vonë atë natë/../ Venin
e vinin pëllumba të bardhë/ që i këndonin qiellit /ushqyer me thërrmija
gëzimi/në të nënës sime prehër” (f. 33). Sigurisht që ne kuptojmë se ky
idil poetik ishte ëndërrim i botës së saj fëminore. Kjo është e natyrshme
sepse: “Poezia nuk dëshiron të matet me atë që quhet realitet, ndonëse
realitetin e përdor si një trampolinë për lirinë e saj” (Hugo Friedrich).
Portreti në vargje i nënës së saj është mjaft i bukur: ”[...] edhe në qindra
/shtresa akulli të skalitësh / ti ngrohtësi fal,/edhe në shkëmbin më të
ashpër/të gdhendesh/ti butësi ledhon, ledhaton/ edhe në bronzin më të
zjarrtë/të derdhesh/ti dashuri dhuron./Çfarë është ajo/që bën çdo vajzë/të
dëshirojë/të të ngjajë ty f. 38). Të duket se germat këngëzohen si nota
muzikore të një melodie dashurie, ndërkohë që për babain flet me tone soleme:
“[…] ti kapiten i pa dekoratë/. /unë ushtare pa armë/ nën urdhrat enigma/
-beso, fal, duaj,/ duke qarë apo qeshur” (f. 43), duke na treguar pa dashje
edhe sekretin e vargut të saj të qetë, faktin që është rritur me moton: “beso,
fal, duaj”.
III- Thonë se vajzat
e dashuruara shkruajnë gjithmonë poezi, por vajzëria e poetes ka një veçanti që
lidhet me kohën e kësaj dashurie. Realisht ka një cikël poezish dashurie në
pjesën e fundit të librit, që duke studiuar këndvështrimin dhe strukturën e
vargut, duket se janë krijime ose skicime të para disa viteve dhe të ripunuara
së fundmi ose janë të zhbiruara në kujtesën e poetes. Këto poezi që kushtëzuan
për t’u lexuar në datën 14 shkurt, më tingëlluan si një melodi e ëmbël violine
e më bënte ta kthej kokën në rilexime. Tej bukurisë së vargjeve të befason forca
dhe finesa e shprehjes së tyre, shohim shpirtin e poetes, besimin e saj te
dashuria edhe nëse koha është e çmendur: “Çmenduri qe dashuria atëbotë/apo
qe kohë e çmendur /për t’u dashtë./ Duhej zë të heshtje krismat/puthje të qepje
plagë/përqafime të ngjitje gjymtyrë/arna shpresash, oh sa duheshin,/të mbaje
shpirtin gjallë./U gdhimë një ditë, papritur/ unë grua,/ti burrë,/pa qenë kurrë
dashnorë” (f. 68), duke na dëshmuar se dashuria është së pari forcë për të
jetuar, për të luftuar, për të parë të ardhmen në sy, duke qenë ndërkohë edhe
flijim: “Zot, me çfarë do ta/ ngushëllojë veten njerëzimi/./ për gruan e
vetmuar/që lufta la pas/e deshi veç me dashtë” (f. 54). E lexojmë përsëri E
deshi veç me dashtë […] dhe heshtim me sytë ulur, duke e ngushëlluar veten
se këtë herë nuk jemi ne fajtorë për vetminë e saj, por jo se s’jemi fajtorë
pse s’e ndalëm këtë vetmi.
Përgjithësisht arti
poetik i arrirë na bën të ndjehemi të vegjël e të ndjeshëm para tij, ndërkohë
që dashuria na bën të ndjehemi të bukur e të fortë, kudo e kurdoherë, por
Albina Idrizi shprehet me një gjuhë poetike që të krijon përshtypjen se ajo
thjeshtë rikujton vetveten në çaste tënjeshme: ”E mban mend/ qenia ime e
mishtë/ prekjen e parë të burrit/ që të bëri grua përgjithnjë /dhe pa krijuesin
në ty…//E mban mend?” (f. 84) ose “[…] e ëma/ /i tregoi se pikërisht
aty/në truallin ku mbiu/bëhet dashuria më e bukur../E mësoi të flasë /me
fluturat, barin, vesën” (f. 10-11) dhe t’i thotë se “[…] dheu ku do të
puqet/ ruan dashurinë më të madhe/ për të cilën ajo ende/ nuk e di se do t’i
jepet” (f. 8), duke na kujtuar ndërkohë fjalën e Eliot kur thotë: […].
”Poezia nuk është shfryrje e emocioneve, por shmangie prej tyre”, duke i
derdhur në vargje (shtojmë ne).
Ajo që ka vlerë në
poezitë e Albina Idrizit është fakti se dashurinë nuk e sheh si diçka të
jashtme që pret të vijë nga diku, por e ndjen si diçka të brendshme, që “[…] nuk
ka të bëjë/ me asgjë jashtë teje” (f. 25) ose Mëso të më duash/ditë për
ditë, i dashur/dhe do ta kuptosh/se unë jam vështrimi/ që flet përbrenda teje”
(f. 62). Nuk di pse ndjej një farë droje të poetes, si te çdo vajzë, me ç’rast
më kujtohet shkrimtari danez Siren Kirkegard kur thotë se: “Poeti […] e fsheh
ankthin e pafund në zemrën e tij, por buzët e tij janë formuar në atë mënyrë që
psherëtimat dhe qarjet tingëllojnë si muzë e bukur”. A thua këtu qëndron
sekreti i bukurisë së “psherëtimave” dhe “pëshpërimave” poetike të Albina
Idrizit?
IV- Gruaja e re
shpreh lirshëm veten në vargje kur i drejtohet të shoqit: “[…] si duket dita
atje tek ti?/Ka diell që bën inat me timin sy?/Apo erë që të përkëdhel/ me
afshin e dashurisë sime /unë veç kam mall, i dashur/ ndaj dua ta shoh ditën/
ashtu siç e sheh ti” (f. 86). Në një tjetër poezi shprehet: “Pasqyrë më
e dashur/më është syri yt” (f. 85) për të arritur dendësinë e shprehjes së
ndjenjave te vargjet: “Kur ti je larg/ shtëpia jonë ruan vetminë time,/./
Gërvishtjet mbi tavolinë/ janë ankthet e…para,// Janë përvjetorët që na mësuan/
të numëronim ndryshe/ me numrat e njëllojtë” (f. 69-70), duke na dëshmuar e
mësuar se dashuria nuk është vetëm një përvojë jete por është vetë jeta, dhe
siç thoshte Dostojevski: ”Ndoshta vetëm duke dashuruar përnjëmend […] mund të
kuptohet misteri i jetës”.
V-Te poezia e Albina
Idrizit nëna të befason me forcën dhe gjerësinë e saj shpirtëror, me humanizmin
dhe vizionin e saj për jetën: “[…] shumë herë më të madhe/nga ç’mund të
përfshihet/mes dy buzëve,/qoftë ajo edhe fjala./e unë sa e sa herë ju them
emrat/për t’u bindur nëse e kishit kuptuar/se në rrugë fituesi /nuk është
gjithmonë i pari,/por dashuria” (f. 29), duke na ritreguar se “dashuria “
është kryefjala e poezisë së saj.
Albina Idrizi është
poete e toneve të ulëta, që jeta e vuri para sprovave të vështira, megjithatë
për të shpëtuar fëmijët e saj, familjen e saj: ”Mund të bëj veten bukë/në
një epokë urie” (f. 13). S’di pse këto vargje më kujtojnë Jezu Krishti kur
u thoshte dishepujve; […] ”Kjo bukë që do hani është trupi im dhe kjo verë
që do pini gjaku im është”[…], por ndryshe nga biri i Perëndisë, poetja
qetësisht thotë: “[…] dhe kthehen me të gdhirë /për t’u gurëzuar përsëri,
qetë /pa rënë në sy” (f. 13). Këtë e thotë me qetësi dhe me një ëmbëlsi që
i dritëson nëpër zanoret e fjalëve si ndër sy, thua se është Rozafa që
vetëflijohet: ”Mbase kështu kam lindur/duke rikrijuar vetveten” (f. 17)
pohon poetja. A nuk thoshte Uollt Uitmani: “Poezia është fjalë, fjala është
dhimbje, dhimbja është njeri”.
Albina Idrizi shkon
më tej, shkruan për dhimbjen në jetën e saj, një mal i lartë, në shkëmbinjtë e
të cilit mbin e çel dashuria si lule.
Sarandë,
shkurt 2022