| E diele, 20.02.2022, 08:33 PM |
Piktorja Lika Janko Grabova
simbol i vitalitetit
njerëzor dhe artistik
Nga
Prof. Dr. Avni Xhelili*
Në nderim të piktores së famshme bullgare me origjinë shqiptare, Lika Janko, shëtitorja e Liqenit të Belshit prej disa muajsh mban emrin e saj. Me ndriçim modern të realizuar nga pala bullgare, shëtitorja u pagëzua nga Ministri i Kulturës së Bullgarisë V. Minekov. Ky emërtim është një lloj monumenti, një kartëvizitë që mbart një informacion të caktuar për një figurë të shquar të artit pamor, siç është Lika Janko. Edhe pse një hap për t’u përshëndetur, objekti i emërtuar mund të mos ishte në Belsh. Më e udhës do të ishte që emrin e saj ta mbante një objekt në Gramsh, në vendin e origjinës së piktores. Këtu kjo kartëvizitë do të fliste më shumë.
Emri
i Lika Jankos i bën nder kulturës sonë. Me talentin dhe krijimtarinë e saj ajo
bëri emër jo vetëm në Bullgari, por edhe në Evropë, SHBA, Azi e gjetkë. Në
mesin e viteve ’70 të shek. XX dhe më pas pikturat e Likës filluan të blihen nga
përfaqësitë diplomatike në Sofje duke tërhequr vëmendjen e koleksionistëve të
huaj. Rreth 500 vepra të saj janë pronë e koleksioneve private nëpër botë.
Galeristët europianë e kanë vlerësuar Likën si përfaqësuesen më të shkëlqyer të
pikturës bashkëkohore bullgare, ndërsa kritiku francez Pier Restani (Pierre
Restany) e ka krahasuar krijimtarinë e saj me atë Pablo Pikasos, kurse vetë
autoren e ka quajtur “Pikasoja me fustan”. Në Shqipëri, përjashtur aty-këtu
ndonjë shkrim, figura dhe arti i Lika Jankos kanë mbetur pak të njohura.
Institucionet
tona të kulturës janë mjaftuar me dy-tri veprimtari të vogla, edhe ato me
nxitjen e palës bullgare. Hapja në Tiranë e një ekspozite serioze me punimet më
përfaqësuese të Lika Jankos, të përgatitur në bashkëpunim galeritë bullgare, do
t’i jepte ngjyrë jo vetëm jetës sonë kulturore, por do të ndihmonte në njohjen
e artdashësve tanë me krijimtarinë e kësaj artisteje të madhe.
E
lindur nga prindër shqiptarë, Lika u rrit, u shkollua, jetoi dhe krijoi në
Bullgari, prandaj njihet si piktore bullgare, por pakkush e di se ajo tërë
jetën kishte ruajtur shtetësinë shqiptare dhe vdiq me pasaportën e shtetit
shqiptar në xhep. Në Bullgari ka banuar një kontingjent jo i vogël shqiptarësh,
të cilët deri në fund të viteve ’80 pajiseshin rregullisht me pasaporta
shqiptare nga shteti shqiptar. Më pas ky shërbim ishte ndërprerë, çka u kishte
krijuar atyre mjaft shqetësime. Mungesa e pasaportës i pengonte të regjistronin
bizneset, të kryenin veprime bankare, të lëviznin jashtë shtetit etj. Ripajisa
e tyre me pasaporta shqiptare u bë në vitin 1999. Pasaportat ua dorëzoi ish
presidenti R. Mejdani në një takim me ta gjatë një vizite zyrtare në Bullgari.
Me një pasaportë të tillë u pajis edhe Lika, edhe e motra, Danka. I ndodhur me
punë në përfaqësinë tonë diplomatike në Sofje, mbaj mend se kur Danka ndërroi
jetë, autoritetet bullgare dorëzuan pasaportën e saj në ambasadën tonë.
Shtetësinë
shqiptare Lika e ka pohuar edhe vetë në letrën që i ka drejtuar bordit të
Lidhjes së Artistëve Bullagarë më 10.01.1978, ku, ndër të tjera, shkruan: “Kam
lindur në Sofje më 19 mars 1928 - origjina shqiptare, shtetësia shqiptare”.
Datëlindja
19 mars 1928, e shkruar me dorën e saj, i bën të paqena disa vite të tjera të
lindjes së saj që qarkullojnë për të. Lika ishte më e vogël nga vëllai, Petri
dhe motra, Danka. Emri i vërtetë i saj ishte Evangjelina, por tablotë ajo i
nënshkruante si Lika Janko. Babai i saj, Llazar Janko, ishte nga Grabova e
Sipërme, një fshat piktoresk me arumunë që ndodhet në skajin më lindor të Gramshit,
ndërsa nëna, Frosina, kishte lindur në fshatin Llëngë të Pogradecit, po me
popullsi arumune. Nga malli për vendlindjen dhe dëshira për të ruajtur rrënjët
e saj, familja Janko i shtoi mbiemrit toponimin Grabova. Në jetën e përditshme
Lika njihej si Lika Janko Grabova ose Lika Grabova. Familja e saj ishte
vendosur në Sofje në vitin 1920. Llazari merrej kryesisht me tregtinë e lëndës
së drurit, por edhe me veprimtari të tjera. Shumë shpejt ra në kontakt me
personalitete e aktivistë të Shoqërisë “Dëshira” dhe u përfshi në veprimtarinë
e saj atdhetare, ndërsa në vitin 1928 zgjidhet kryetar i saj. Llazar Grabova
përcillte me interes të madh zhvillimet shoqërore, politike dhe kulturore në
Shqipëri. Edhe pse prej vitesh qe shkëputur nga vendlinja, ai jetonte me
problemet dhe hallet e saj. I tillë ishte rasti i mobilizimit të aktivistëve të
“Dëshirës” në Sofje dhe qytete të tjera bullgare për grumbullimin e ndihmave
për familjet korçare të dëmtuara nga tërmeti i vitit 1931.
E
kam pasur për nder të takohem me Likën, me këtë grua të brishtë, por me bukuri
të rrallë shpirtërore e me zemër të madhe. Sapo i kishte kaluar të
shtatëdhjetat. Fliste pak e shtruar. Nuk kishte dëshirë të fliste për vete,
madje as të fotografohej e filmohej. Nga biseda me të kuptova se rruga e saj
artistike gjatë regjimit komunist në Bullgari kishte qenë tejet e vështirë. Më
tepër u interesua të dinte për kolegët e saj piktorë në Shqipëri pas
ndryshimeve demokratike, nëse u ishte dhënë mundësia të komunikonin me botën,
nëse kishte filluar blerja e veprave të artit si pronë intelektuale, nëse
kishte ndryshuar sadopak shija artistike e njerëzve etj. Malli për vendlindjen
e prindërve të saj nuk i ishte shuar. E kishte peng që nuk kishte mundur të
vizitonte qoftë edhe një herë të vetme Shqipërinë e Grabovën. Ngado që
rrotullohej biseda, do të gjente rastin të pyeste sa shtëpi kishte Grabova, me
se merreshin banorët e saj, a kishte shumë familje të shpërngulura e pyetje të
tjera si këto. I bëri përshtypje informacioni i bollshëm që kisha për Grabovën
dhe nuk nguroi të më pyeste. I shpjegova se edhe fshati im ku kisha lindur
quhej Grabovë dhe ishte fare afër me Grabovën e saj, por besimin fetar e kishim
të ndryshëm. Iu bë qejfi kur i thashë se gjyshi dhe babai im miqtë më të mirë i
kishin në Grabovën e krishterë; ata merrnin pjesë rregullisht në festat dhe
gëzimet e njëri-tjetrit, madje kishin bërë krushqi. Qe një bisedë mjaft e
ngrohtë me këtë bashkëbiseduese jo të zakontë. U ndava me të duke i premtuar se
do të shiheshim në ekspozitën që do të hapte në Sofje.
Lika
fillimisht u shkollua në Kolegjin francez “Saint Joseph” në Sofje, ku pati
mundësinë të frekuentojë bibliotekën e Aleancës Franceze dhe të kalojë nëpër
duar albume me vepra të përfaqësuesve më të mëdhenj postimpresionistë, si Pol
Sezan (Paul Cezanne), Van Gog (Vincent van Gogh), Pol Gogen (Paul Gauguin), të
cilët patën ndikim të madh në krijimtarinë e piktores.
Veçanërisht
atë e tërhiqnin veprat e Van Gogut, për të cilin shprehej se ishte i vetmi
“mësues shpirtror” i saj.
Në
vitin 1946 filloi studimet për pikturë në Akademinë e Arteve të Sofjes.
Mjeshtërinë e pikturimit e mësoi nga profesorët Deçko Uzunov dhe Ilia Petrov. I
përfundoi studimet në vitin 1952.
Punimet
e diplomës komisioni i vlerësoi si të nivelit mesatar. Shkaku ishte prirja e
studentes për të qenë origjinale, larg akdemizmit të asaj periudhe. Akademia e
atyre viteve nuk ishte një mjedis tolerant ku nxitej iniciativa vetjake dhe
origjinaliteti, ku gjente përkrahje formimi i individualiteteve të reja
artistike; përkundrazi, ajo bëhej pengesë me kërkesat strikte të realizmit
socialist, me konceptimin e artit dhe kulturës si instrument në shërbim të
ideologjisë.
Pas
përfundimit të Akademisë Lika Janko e filloi karrierën artistike me gjininë e
peizazhit. Në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar ajo do të gjendej
shpesh në fshatrat e rajonit të Rodopeve dhe në qytetin e vjetër bregdetar të
Sozopolit. Por në peizazhet e frymëzuara nga këto vende të bukura të Bullgarisë
nuk gjejmë thjesht disa skela e peshkatarë në det, apo disa shtëpi e banorë me
veshje popullore, disa portrete grash fshatare me shami të qëndisura e fustane
me lule. Që në këto vite ajo ishte në kërkim të një stili të ri të pasqyrimit
të realitetit, donte të sillte në art një vizion më subjektiv dhe më emotiv. Në
peizazhet e saj gjenden të pasqyruara edhe emomocionet e autores, edhe mbresat,
edhe këndvështrimi vetiak ndaj botës që e rrethonte. Studiuesit e krijimtarisë
së Likës kanë vënë në dukje se peizazhet e saj janë një shembull i habitshëm i
realizmit mistik, ku objekte fare të zakonshme marrin kuptim simbolik.
Peshkatarët në këto piktura duken si personazhe biblike, ndërsa deti simbolizon
djepin e jetës. Simbole të tilla në veprat e Likës si dielli, peshqit, zogjtë
etj. janë elemente të një gjuhe specifike. Ato janë të pranishme brenda një
kornize të caktuar fetare mitologjike. Krijimtaria e saj përshkohet nga vlera
tradicionale të krishtera.
Me
rreth 50 punime të kësaj periudhe të përzgjedhura nga komisioni i pranimit,
Lika hapi në Sofje ekspozitën e parë personale më 16 janar 1967. N. Mitkovska,
një ndër kuratoret e ekspozitave me veprat e Likës, tregon se “krijimet dhe
tematika e tablove në këtë eksopzitë nuk ishin parë herë tjetër deri në atë
kohë”. Autorja kishte sjellë elemente të artit modern të shekullit XX përmes
një qëndrimi krejt vetjak e me mjete të reja artistike. Pa u mbushur java
autoritetet e kohës urdhëruan mbylljen e ekspozitës. Artistja u akuzua për
avangardizëm, formalizëm dhe indisiplinim. Sipas autorit të monografisë për
Likën, prof. Dimitër Avramovit, “dy ishin ‘ekzekutorët’ e flakjes në rrugë të
veprave të Likës: zyrtari dhe kolegu i penelit” (Dimitër Avramov. Lika Janko.
Sofje, 2002).
Përgjigjja
e letrës që i drejtoi Lidhjes së Artistëve për të mbrojtur krijimarinë e saj
ishte e drunjtë: “Krijimtaria juaj nuk i përgjigjet frymës dhe kërkesave të
artit bashkëkohor realist”. Dyert e sallave të ekspozitave për Likën u mbyllën.
Për vite të tëra emri i saj ishte tabu. Vetëm në vitin 1981 Lika mundi të çelë
ekspozitën e saj të dytë. Ishte vetë ministrja e kulturës Ludmilla Zhivkova,
vajza e kryetarit të shtetit bullgar të asaj kohe, e cila e ftoi të ekspozojë
punimet e saj. Ekspozita u hap në vjeshtën e atij viti në Sofje dhe pati shumë
sukses.
E
braktisur për 14 vjet nga kolegët e saj të penelit dhe e lënë në varfëri e pa
mjete jetese, Lika Janko Grabova nuk u dorëzua, vendosi t’i qëndrojë besnike
“aventurës” së saj deri në fund. Ja çfarë i rrëfen ajo D. Avramovit: “Thashë me
vete: meqë nuk nuk më pëlqejnë, unë do të bëj vetëm atë që më pëlqen mua.
Derisa s’do të merrem me ekspozime të punimeve të mia në publik, atëherë mund
t'i lejoj vetes çdo liri për të eksperimentuar, dhe kështu do të shprehem edhe
më fuqishëm, edhe pa asnjë kufizim” (Po aty, f.27). E mbyllur në një dhomë të
apartamentit të saj, të sajuar si studio, ajo vazhdoi me këmbëngulje e
fanatizëm të kërkojë rrugën e saj në art.
Vitet
’60 dhe ’70 përcaktuan përfundimisht stilin dhe drejtimin e krijimtarisë së
piktores. Pas peizazheve nga Sozopoli e Rodopet, Lika Janko filloi të
pikturonte vepra shumëngjyrëshe dhe
abstrakte
deri në punime të aplikuara me teknikën e kolazhit duke përdorur shpesh sende
të gjetura si spango, guralecë deti, guaska, rruaza, rrjeta, copëza xhami me
ngjyra të lëmuara nga uji, copëza pasqyrash, ashkla metalike, litar kërpi etj.
Shpesh tablotë e saj jo të zakonshme ngjajnë me ikonat e vjetra që shquhen për
idetë, bukurinë dhe përmbajtjen e tyre të brendshme.
Nga
fillimi i viteve ’80 ngjyrat në tablotë e Likës ia lanë vendin bardhësisë,
madje autorja është cilësuar si “zotëruesja” e ngjyrës së bardhë. Vetë ajo do
të shprehej se ngjyra e bardhë asnjëherë nuk i mjaftonte, e bardha për të ishte
ngjyra e Zotit. Në vitet ’90, ndryshe nga periudhat më të hershme të
krijimtarisë së saj, Lika Janko kishte bërë për vete një stil krejtësisht të ri
të pasqyrimit të realitetit. Ajo u tërhoq në një botë tërësisht të sajën që
s’kishte asgjë të përbashkët me realitetin e dukshëm. Sipas saj, “gjëja më e
rëndësishme është e padukshme për sytë, ajo shihet vetëm me zemër”. I gjithë
misteri i universit të artistes kalon jo vetëm përmes mendjes dhe dorës, por
edhe përmes zemrës së saj. Arti i Lika Jankos është autentik, unikal dhe i
papërsëritshëm. Pikturat e saj sjellin dritë të brendshme, pastërti fëmijërore
dhe primitivitet mistik.
Artistja
e madhe ka fituar disa çmime: Çmimi i Sofjes iu dha në vitin 1989, ndërsa në
vitin 1999 Instituti Biografik Amerikan e shpalli Gruaja e Vitit me
motivacionin “Për të gjitha arritjet dhe kontributin e saj në shoqëri”. Po në
vitin 1999 ajo mori çmimin “Sllavka dhe Boris Denevi”.
Lika
Janko u nda nga jeta më 22 qershor 2001 në Sofje në moshën 73 vjeçare nga një
pneumoni akute. Një javë më parë ajo kishte lënë testamentin për ndarjen e
veprave të saj. Pjesa dërrmuese e tyre shkoi për Galerinë Kombëtare të Arteve
të Bullgarisë dhe për Galerinë e Arteve të Qytetit të Sofjes. Pjesa e mbetur,
sipas testamentit iu shpërnda “Të tjerëve”. Nisur nga prejardhja dhe shtetësia
shqiptare e saj, Ambasada jonë në Sofje iu drejtua komisionit të krijuar për
këtë qëllim me kërkesën që ndër përfituesit nga pasuria artistike e Lika Jankos
të ishte edhe Galeria Kombëtare e Arteve e Shqipërisë. Komisioni përbërë nga
Prof. Dimitër Avramov, Doc. Katerina Karaivanova dhe piktorja Ivet Kujumxhijeva
patën mirësinë t’i ndajnë Shqipërisë 15 piktura, të gjitha të punuara me
teknikën e kolazhit, të cilat Ambasada ia dorëzoi Galerisë Kombëtare të Arteve
në Tiranë. Prej vitit 2001 kjo pasuri e Lika Jankos është bërë pronë e Galerisë
sonë.
Jeta
e Lika Jankos ishte një rrugëtim i gjatë e i lodhshëm në përpjekjet e saj për
të dalë nga kornizat e kohës , për t’u larguar nga stereotipet, për të fituar
pavarësinë e mendimit dhe frymën e lirisë në art. Lika Janko do të mbetet
simbol i vitalitetit njerëzor dhe artistik. Ajo solli një stil të ri, një frymë
të re europiane në krijimtarinë e saj, në të cilën rreh zemra e një gruaje të
madhe shqiptare.
* Ish ambasador
(1997-2002)