| E enjte, 17.02.2022, 08:50 PM |
ME POETIN GJEKË MARINAJ
DHE KUAJT TANË…
Nga
Visar Zhiti
Takimi
me poetin Gjekë Marinaj në një pasdite dimri në New York ishte i përzemërt dhe
i ngrohtë, ende nuk më ka ikur ajo ndjesi e mirë, që s’ma shkaktoi vetëm
biseda, por dhe qendrimi i tij, një fisnikëri sa qytetare, po aq dhe prej
malësori të Veriut tonë. Nê fjalën e tij si themelues i Shoqatës se
shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë dhe presidenti i parë i saj, në takimin me
rastin e 20 vjetorit, ai tha urtësisht se kjo kishte qenë një arritje e
përbashkët, janë të tjerë po aq kryesorë, ai pati fatin ta firmoste…
Kur
unë i thashë se poezia e tij “Kuajt”, që u bë aq e njohur për metaforën kunder
tjetersimit të njeriut në totalitarizëm, ka paraprirë, ai u përgjigj se më parë
ishte poezia e shkruar burgjeve, që ndolli lirinë…
E
kujtoj atë poezi, “Kuajt”, s’kisha shumë që kisha dalë nga burgu, e lexova në
gazetën “Drita”, guxuan ta botonin, kur s’kishte rënë ende diktatura, bëri bujë
dhe autori i saj 22 vjeçar rrezikonte të burgosej dhe u arratis nga fshati i
tij…
Sot
është Profesor letërsie në Univeristetin e Texas-it në Dallas, PhD, në SHBA, me
po atë “përunjësi krenare” si të malësorëve, ndërkaq poet i përkthyer në shumë
gjuhë të botës.
Edhe
unë kam një poezi të bërë më mend, për kalin që më erdhi në frengjinë e qelisë
si Pegas. Pastaj e shkruajta kur munda në burg… dhe pati fat, doli, u botua…
është përkthyer, recituar dhe ajo. Po i
sjell këto dy poezi për kuajt tanë, kuaj Shqipërie… Dhe si mirënjohje për atë
takim aq mbresëlënës me poetin Gjekë Marinaj, që nuk më la vetëm në atë pasdite
të ftohtë njujorkeze. Teksa rrinim jashtë nën dritat marramendëse të metropolit
botëror, pata ndjesinë se po vinin kuajt, por jo, ishin veturat. U ndanë si të
ishim miq të hershëm…