| E marte, 15.02.2022, 07:35 PM |
ORKESTRIMI I SULEMEVE
KORALE KUNDËR VJOSËS, ALBINIT, DONIKËS
-
PRONTO-mafia, si NPK, dëmtoi dhe rrënoi imazhin e Kosovës –
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Opozita në panik, për krimet dhe hajnitë zyrtare, të bëra përgjatë
tej dy dekadave. Të nisur nga motoja "sulmi është mbrojtja më e
mirë", opozita e frustruar dhe e çakorduar, është hedhur në sulm frontal
kundër pozitës, LVV dhe Listës "Guxo". Ajo nuk po zgjedh metoda as
mjete, për ta sulmuar e denigruar udhëheqjen aktuale. Të nisur nga makiavelizmi
klasik, "qëllimi i justifikon mjetet", opozita e sforcuar, skajshëm e
marrëzishëm, synon pengimin e ndryshimit, aq shumë të dëshiruar dhe të kërkuar
nga populli i Kosovës.
Dhe, këtë e manifestoi në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, kur, në
masën plebishitare, ia besoi këtë ndryshim LVV dhe Listës "Guxo", me
bindjen se vetëm të painkriminuarit dhe të pashantazhuarit, mund ta sjellin
integritetin dhe dinjitetin e këtij populli, keqas të nëpërkëmbur nga banditër
dhe bandat, në qeverisjen e kaluar.
Në kuadrin e sulmeve korale ndaj Qeverisë Kurti, nga opozita
dështake e PAN-it, nuk po kursehet as presidentja Vjosë Osmani. Ky grupim
kriminal, i cili sabotoi luftën për çlirim dhe përgjaku Kosovën, gjatë dhe
pasluftës, pas humbjes së pushtetit, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, vazhdon
të rezistojë, dëshpërueshëm, ndryshimin. Dhe, kjo rezistencë, zbulueshëm, po
manifestohet me refuzimin e - Vetting-ut - në sistemin e drejtësisë, të cilin,
eksponentët zyrtarë të krimit e shkatërruan, qëllimshëm, për të livadhisur
shpengueshëm, për të pamundësuar hetimin e ndëshkimin, edhe pas humbjes së
pushtetit.
Juristja e dimplomuar, Dr. Vjosë Osmani, nxënëse e Shkollës
demokratike amerikane, me një përgaditje supreme profesionale dhe intelektuale,
përgjuese e vëmendshme e rrjedhave politike rrënuese për Kosovën, vendosi për
sfidimin, përballjen, deri në stopimin e së keqes fatale. Në këtë nismë, iu
bashkua edhe simotra e saj, po kaq luftarake, për prosperim e demokraci,
veprimtarja e shquar e Mërgatës Shqiptare, Donikë Gërvalla.
Binomi unik, Vjosa-Donika, të brumosura me demokracinë
më të zhvilluar botërore
Binomi unik Vjosa-Donika, të brumosura me demokracinë më të
zhvilluar botërore, të Amerikës dhe Gjermanisë, ishin fort të shqetësuara, për
krimin dhe korrupsionin galopant në Kosovë. Familjarizimi pozitë-opozitë ndër
vite, shprehej në heshtjen reciproke, ngaqë nga degradimi shoqëror dhe
shtetëror, ishin palë përfituese, zhvatëse të pasurive të brezave shqiptarë.
Andaj, dyshja simpatike, Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla, pavarësisht riskut,
vendosen të përballën me batakçinjtë, qofshin ata të partisë së tyre, LDK-së
apo të grupimit kriminal PAN.
Kësaj radhe, po trajtojmë ndaras, sulmet nda presidentes Osmani
dhe herë tjetër një trajtesë të veçantë për ministrën Gërvalla.
Ka rinisur një luftë speciale kundër Presidentës së vendit, Vjosë
Osmani, në koordinim perfid nga eksponentë të caktuar publik e medial, të prirë
nga televizioni "shtetëror"- RTK! "Presidentja nuk respekton
UÇK-në, sepse nuk e përmendi në homazhet e Kosharës", - thonin PAN-istët.
Por, kjo demantohet bindshëm, me përkujdesjen dhe respektin që bënë Presidentja
për dëshmorët, familjet e tyre dhe luftëtarët e mirëfilltë të mbijetuar.
Por, ajo është selektive pozitive, duke mos "futur në një
thes", disa "komandantë" fiktiv, të inkriminuar dhe të dëshmuar
si hajna zyrtarë. Dhe, mirë bënë, sepse Presidentja e vendit, si shtetare e
parë, duhet t`ua thotë vetëm të vërtetën qytetarëve të këtij vendi. Ajo njeh
popullin e vet, rrjedhimisht, edhe ata që fshihen prapa emërtesës shenjtërore
UÇK-e, edhe pse nuk kanë qenë kurrë pjesë e saj.
Vjosa ka bërë një prerje të plotë me partin?ë
"Presidentja Osmani ka dalë nga roli kushtetues, duke mos u shkëputur
nga veprimet partiake",- shpifin gojëkëqinjtë opozitarë! E vërteta është
se Vjosa ka bërë një prerje të plotë me partinë. Madje, ka prishur shumë
miqësira, duke shkëputur të gjitha lidhjet fizike dhe telefonike, me
bashkëpartiakët e saj. Ajo kishte përvojën e shkarkimit të padrejtë të
presidentit Fatmir Sejdiu, nën akuzën se ka ushtruar edhe detyrën e kryetarit
të partisë. Realisht, ishte një pabesi e Hashim Thaçit dhe përfaqësuesit të
OSBE, të cilët kishin një marrëveshje xhentilmene, njësoj si me pararendësin e
tij, Presidentin Rugova.
Por, viktimizimi i Sejdiut kishte dy shkaqe tjera:
1) Në cilësinë e Presidentit, ai nuk miratoi 6 pikëshin e Baki
Munit;
2) "Vrasjet e ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut dhe të
veprimtarëve të LDK-së, nuk i kanë bërë jashtëtokësorët", - deklaroi
publikisht presidenti Sjediu. Dhe, kush e ka "mizën pas veshit", i
djeg fort.
"Shkelje të Kushtetutës", nga Presidentja, opozita e
quan shkarkimin e ligjshëm të kryetares të KQZ, Valdete Daka, e cila e pranoi
se "ishte bërë gruaja më e urryer", në Kosovë, sepse duke qenë e
mbrojtur nga PRONTO-mafia, PAN-i, i shpalli të pavlefshme, qëllimshëm, 72 mijë
zarfa me fletë-votime të Mërgatës tonë!
Akuzat tendencioze paushalle, janë renditur se presidentja,
"nuk ka realizuar njohje, anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, NATO,
BE, OKB, investime të huaja", duke përgojuar atë për mungesë vizioni! Në
fakt, është adresim i gabuar. Janë PRONTO-mafia, si NPK, që ka dëmtuar dhe
rrënuar, madje, me fund, imazhin e shtetit të Kosovës, ka stopuar dhe
pamundësuar çfarëdo nismash në këto drejtime.
Por, vetë CV-ja e Vjosë Osmanit dëshmon për përgaditjen
profesionale e politike, si dhe njohëse e mirë e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Edhe kur presidentja Osmani realizon dhjetra takime me personalitete shtetërore
botërore, në mes tjerëve edhe me presidentin gjerman, Steinmajer, edhe kur
takon nënpresidenten amerikane, Harris, dhe deklaron: "Me Vjosë Osmanin u
pajtuam për forcimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë", Pan i quan, cinikisht e
poshtërsisht, "eskursione të presidentes!"
Refuzoi zgjedhjen banditeske të Hashimit president
Ata që akuzojnë, padrejtësisht, presidenten Osmani se "heshtë
për rrymën, pandeminë", i bëjnë thirrje se "tregoju qyetarëve të
Kosovës se ju nuk i përfaqësoni më interesat e tyre!" Ndërkohë, të njëjtët
e pranojnë se "qytetarët të kanë votuar përshkak të "guximit",
(edhe pse e thojëzon!), që ke shfaqur për të kundërshtuar vendimet e padrejta
ndaj tyre, dil e shpjegoju qytetarëve arsyen e heshtjes tënde"?
Realisht, presidentja nuk ka heshtur, madje, në asnjë rast.
Përkundrazi, vazhdon të jetë shumë aktive, duke justifikuar, devotshmërisht,
besnikërinë plebishitare të 300 mijë votuesëve shqiptarë. Vjosë Osmani sfidoi
Thaçin kryeministër, për veprimet skandaloze, rrast të dyshimta, si aprovimin e
6 pikëshit të Baki Munit, Demarkacion, Asociacionin. Refuzoi zgjedhjen
banditeske të Hashimit president, me bekimin e kreut aksidental të LDK-së, Isa
Mustafa.
Vjosa luftoi dhe shkatërroi klanin Mustafa, duke i bërë një
shërbim të madh LDK-së, atëherë patericë e PDK-së, demokracisë në Kosovë, duke
rrënuar e pamundësuar kulte dhe autokraci, me klane e bërrylime. Ajo e shpalli
votimin aklamativ armik të demokracisë, duke u përcaktuar vetëm për votën e
fshehtë demokratike. Vjosë Osmani e ndjek, besnikërisht, metodën politike të
Presidentit Rugova, parimore dhe e vendosur, në realizimin e objektivave
atdhetare.
Ekstremi majtist-stalinist, PAN, i cili, rrejshëm, thirret në
djathtizëm, kopjon komunizmin envero-stalinist, në fushën e agjitimit denigrues
të kundërshtarit politik. Social-komunistët e Shqipërisë, nga 24 gazeta që
kishte vendi, dikur, zotëronin 22 syrësh, ndërsa PDSH-ja e Dr. Berishës vetëm
dy sosh! Sot, nga 60 portale të zëshme dhe një duzinë stacione televizive, me
pak përjashtime, janë në zotërim të PRONTO-mafisë PAN-iste. Dhe, këto media
kanë një qendër orkestrimi, për të bërë lajme me porosi, për t`i
"qepuar", në mënyrën më të poshtër dhe më kriminale, presidentes!
Gjithnjë në stilin "shpif, shpif, se diçka mbetet! "
Dhe, vërtet, kjo fushatë e egër kundër presidentes, në veçanti, disa minstrave
dhe Qeverisë Kurti, në përgjithësi, u reflektua në zgjedhjet lokale të tetorit.
Megjithatë, presidentja Vjosë Osmani, e zgjedhur, pothuajse, në
mënyrë referendare, është e gatshme për çdo sfidë ndaj një opozite çakorduese
PAN-iste. Bukur e shpërfaqë këtë përballje, njeriu i mirë, urtak unik,
studjuesi Vehbi Miftari: "Ajo, (Presidentja), ka përjetuar shumë
mosmarrëveshje politike, si brenda LDK-së, ashtu edhe me partitë tjera. Ajo
gjithmonë u përmbajt parimeve të Rugovës dhe demonstroi një nivel të lartë të
përkushtimit dhe besueshmërisë".