| E hene, 14.02.2022, 08:09 PM |
Shën Valentini/ Flasin, Roza Anagnosti, Margarita Xhepa, Paro Ziflaj, Alida Hisku, Jorgo Papingji, Luan Zhegu, Kastriot Tusha, Bashkim Alibali
Nga
Albert Z. ZHOLI
Në këto vite 14 shkurti Shën Valentini është bërë
festa më e spikatur, më sinjifikative, më e përbotshmja sidomos tek ne që deri
dje nuk mundnim ta festonim. Mendimi juaj?
Dashuria është çelësi i paqes dhe i mirëkuptimit.
Roza Anagnosti
Në prag të Shën Valentinit!
Dashuria është temë universale. Është çelës magjik në çdo
situatë.
I uroj të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, publikut që na do dhe
na respekton, sa më shumë dashuri për njeri tjetrin.
Filozofinë time për dashurinë e gjej tek kjo lirikë japoneze:
“Do jetoja me qejf në një kasolle të varfër në mal, duke punuar, lëvruar
dhe duke mbjellë tokën në çdo mot. Të lahesha te
përrenjtë e ftohtë…..mjafton të kaloja jetën me ty tok.”
Falë Zotit, me Dhimitrin kemi një jetë të gjatë së bashku.
Dashuria që të jetojë do ushqyer çdo ditë.
Mendoj se çelësi është : sinqeriteti, respekti dhe toleranca. Këto janë
shtyllat kryesore dhe në familje, në punë e kudo. Edhe në gjërat e thjeshta ka dashuri. Kur gatuaj vajzat më thonë: ”Mami sa e mirë të
doli!” Unë gjithmonë i them: “Është bërë me dashuri,
prandaj!”.
E kam pikë referimi Nanën dhe të shenjtën Terezë, e cila thotë:
“ E gjitha krijohet me dashuri!” Fjalë të thjeshta po me filozofi të
madhe, që përcillen dhe me këtë lutje të saj:
O Zot, më bëj mjet të paqes tënde.
Ku të ketë urrejtje, të sjell dashuri!
Ku të ketë trishtim të sjell shpresën!
Ku të ketë dëshpërim, të sjell gëzimin!
E pyeta Dhimitrin se çfarë kupton me fjalën dashuri? –“Dashuria
për Zotin, për jetën e njerëzve në tokë”. Gëzuar për të gjithë
shqiptarët. Dashuria është çelësi i paqes dhe i mirëkuptimit. Roza Anagnosti
13/02/2022
**
Paro Ziflaj
Erdhi sërish 14 shkurti. Por këtë vit na gjen të mbyllur. Zemra
na gëzon, por dhe Pandemia na sulmon. Megjithatë…Sa e bukur kjo ditë, sa
magjike! Kujtdo kjo ditë zgjon kujtime, zgjon mendime, ëndrra. Në këto vite kjo
është bërë festa më e spikatur, më sinjifikative, më e përbotshmja sidomos tek
ne që deri dje nuk mundnin ta festonim. Por një ditë për dashurinë s’është
asgjë përpara dashurive të mëdha jetësore mbarënjerëzore. Dashuria është e
përjetshme dhe duhet të jetë e përditshme. Por dhe një ditë e përcaktuar është
një emër i veçantë një emër që s’mund të tjetërsohet apo zëvendësohet. Kjo ditë
është monumenti i Dashurisë. Kjo ditë është 14 Shkurti. Gëzojeni me gjithë
fuqinë e shpirtit.
Margarita Xhepa
Dhe pse mes dhimbjesh se po na ikin njerëz të dashur, pjesë e
jetës sonë sërish 14 Shkurti duhet kujtuar. Festa e të dashuruarve! Eh! Erdhi
mes mimozash…Në sistemin monist ne nuk e kemi ditur ç’është Shën Valentini dhe
nuk e kemi festuar. Ishte tabu një festë e tillë. Bashkë me demokracinë u bë e
njohur dhe festa më popullore, më e bukura në botë, më e komentuara Shën
Valentini. Një ditë plot gaz, hare, plot mirësi, dashuri, harmoni. Një ditë që
ofron shumë buzëqeshje, gëzim lule dhurata. Për mua mbetet një festë pa ligje,
por e ligjëruar. Një festë shumë e veçantë. Një festë që për mua s’duhet të
kufizohet vetëm tek të rinjtë. Në këtë ditë të gjithë duhet të durojmë dhe të
marrim urime për dashurinë njerëzore. Çudi se dhe mimozat çelin enkas në këtë
ditë të bukur. Dhe mimozat janë simboli më i mirë i dashurisë. Kjo ditë na
afron më shumë me njerëzit, me të afërmit. Ndihem mirë në këtë ditë, sepse kam
recituar shumë vargje të poetëve të shquar të të gjithë botës. Kam përcjellë
vargje poetësh që të mbërthejnë dhe të çojnë në magjinë e bukur të dashurisë së
sinqertë. Poetët i këndojnë më bukur dashurisë dhe unë kur recitoj të tilla
vargje më duket sikur u jap njerëzve më shumë atmosferë dashurie të pastër. Do
doja që ditë të tilla të kishim sa më shumë. Janë ditë të pastra qiellore që të
mrekullojnë.
Jorgo Papingji
Erdhi pasi pashë mimozat. Pandemia na ka mbyllur por 14 Shkurti
të tundon. Ah, sa bukur që më kujtove!…Jam në Vlorë. Magjia e Vlorës të
mbërthen. Jam fare pranë…Aty ku valët të çojnë në magjinë e ëndërrimit. Jam
këtu ku deti magjepsës dhe të dashuruarve u jep më shumë frymëzim. Jam tek
vendi ideal për të dashuruar me gjithë fuqinë e shpirtit. Këtu romantizmi të
vjen vetiu dhe të ngulet në zemër. Deti të entuziazmon me madhështinë,
sekretet, mistikën e tij. Deti duket sikur orkestron dhe thotë; Dashurohuni sa
më shumë. Dashuria të zbukuron të fisnikëron. Mes detit, valëve, mimozave kjo
ditë sikur bëhet më hyjnore…!
Luftar Paja
Dhe pse situatë e
vështirë është një ditë e bukur. Duket se sjell pranverën një muaj më
shpejt….Duket sikur zgjon ndjenja të fuqishme dashurore njerëzore për të qenë
më të butë, të paqmë, të sinqertë…Në këtë ditë kaq të bukur, disa janë
çmendurisht të dashuruar, të tjerëve u pëlqen ideja e dhuratave, disa të tjerë
duan të festojnë për inerci. Baza mbetet e njëjtë për çdo Shën Valentin: Ai nuk
kuptohet pa dhurata. Një festë e të dashuruarve, e cila ka qëllim të na
përkujtojë triumfin e dashurisë. Por ndryshe nga festat e tjera siç janë
Krishtlindjet apo Viti i Ri, njerëzit për Shën Valentin kanë tendencën të
presin deri në momentin e fundit për të blerë dhuratën për partneren për të
qenë të gëzuar shpirtërisht. Në këtë ditë gjenden fjalët e duhura, lulet,
ëmbëlsirat dhe çdo gjë që duhet të mbështjellë me letër të kuqe apo rozë, për
ta përecjellë sa më bukur respektin për dashurinë. Dhuratat në këtë ditë janë
gjëra që njerëzit i vlerësojnë, por që nuk do t’i blinin asnjëherë për vete në
ditë të zakonshme. Sa e bukur kjo ditë që na afron dhe na zbukuron ditën.
Gëzojeni!
Alida Hisku
Bashkatdhetarët e mi! Sa
doja të isha sot aty në Tiranën tonë. Të ishim jo kështu të mbyllur. Po ah,
s’është në dorën tonë. Ndaj ju uroj gëzuar nga Gjermania. Një ditë që dua të
dhuroj sa më shumë lule, lule, buzëqeshje. Se gëzuam në rininë tonë. Le ta
gëzojnë fëmijët tanë. Është një ditë hyjnore. Unë shumë shkurt do ta
përkufizoja dashurinë si dhe të dashuruarit : Të duash dikë s’mjafton 14-15
shkurti ! Një vit ka 365 dit/net s’do bëja dallim kur është puna t’i japësh
dashuri dikujt që e do më shumë se veten.
Kastriot Tusha
Shën Valentini është dita
më romantike e vitit, ku shumë të rinj e dërgojnë kartolinën e të dashuruarve
me anë të zemrës. Por ky 14 Shkurt nuk është si më parë. Gëzimi nuk mund të
shpërthejë natyrshëm. Shën Valentin do të thotë paqe, dashuri, mirëkuptim,
lumturi, gjatë kësaj feste. Në shekullin e 17-të, Puritanët amerikanë, që ishin
një shoqëri e krishterë, me arsyetimin (se është dita e të dashuruarve) se
është një besim i kotë, u munduan ta ndalonin. Edhe këtë herë dashuria
triumfoi, dhe ata nuk ia dolën ta ndalojnë këtë festë. Sa na duhen festa të
tilla! Ato janë qetësia shpirtërore në ëndrrat e rinisë pse jo dhe të çdo
moshe. Diku për këtë ditë kam lexuar një kartolinë dashurie: Unë ndjehem një
botë më vete, një botë plot trëndafila të lulëzuar dhe çdo fjalë që të shkruaj
çdo buzëqeshje e syve kur të mendoj më kthehet në një këngë dashurie që e
këngëzoj midis buzëve të mia..
Bashkim Alibali
Dua ta pres me këngë, e
pres me Sot dua të bëj një këngë për dashurinë. Një këngë shumë shpirtërore.
Gëzohem shumë në këtë ditë. Lumturohem. Më duket çdo gjë si një magji. Le të
gëzojnë njerëzia aq më shumë rinia. Të duhen. Eh, ne dje s’na e lanë ta
gëzonim, dhe pse ka një histori shumë të bukur. Kam lexuar shumë për këtë ditë.
Sidomos kur vjen kureshtja më shumë të lexoj dhe më shumë. Në shekullin e
18-të, shfaqen kartolinat e para për ditën e dashurisë. Ishte zakon që ato
kartolina të punoheshin vet nga personi që do i dërgonte. Kartolinat
zbukuroheshin me gërma të florinjta dhe dantella. Në to shkruhej poezi
dashurie, dhe më pastaj dërgoheshin. Ndërsa disa kartolina zbukuroheshin me
zemra dhe brenda i futej qeskë parfumi. Këto kartolina sot ruhen si antikitete
të vlefshme nëpër muze. Muzeu më i bukur sot është përqafimi, ndjenja e
sinqertë dhe pse dhurata mbetet dhuratë. U uroj këtë festë madhështore të
gjithë çifteve të dashuruar, të fejuar, të martuarve dhe atyre që akoma janë në
kërkim të fatit me shpresë se mos vallë kjo ditë mos po ndikon për ndonjë
simpati ndaj ndonjë partneri…
Luan Zhegu
Erdhi! E prisnim. E
prisnim, po erdhi ndryshe këtë vit. Nuk do gëzojmë me atë atmosferë si
çdo vit. Është një ditë që dua të dhuroj sa më shumë lule, lule, buzëqeshje. Se
gëzuam në rininë tonë. Le ta gëzojnë fëmijët tanë. Është një ditë hyjnore. Unë
shumë shkurt do ta përkufizoja dashurinë si dhe të dashuruarit: Të duash dikë
s’mjafton 14-15 shkurti! Një vit ka 365 dit/net s’do bëja dallim kur është puna
t’i japësh dashuri dikujt që e do më shumë se veten. Mos i harroni dhuratat, të
çfarëdo natyre qofshin. Gëzoni partneret tuaja në këtë ditë….nëse nuk mundeni
apo nuk keni dhurata, falni me gjithë zemër një “buzëqeshje” ,sepse edhe
buzëqeshja është një dhuratë zemre ndoshta më e ngrohta…
Mesazhe
Oh, sa herë më ndodh të dehem tek ty dhe çdo shkronjë që të nis është një kupë
plot mall e puthje dhe një këngë e thellë! E dehur nata, ëndrra, i dehur çasti,
dita, pritja prej trëndafili të kuq, aromë në buzët e tua. (Pjese nga libri
“Një ditë për dashurinë”)
****
Sytë e mi të ylberizuar, vështrimi im i mëndafshtë, që pambarimisht ngazëllehet
në trazime malli të kulluara për ty.
***
Të të kisha afër do të bëja të dëgjonit këtë drithërimë bari të duarve të mia
në ujërat e zymta të trishtimit ndanë brigjeve të fatit tim, me ndjesinë e një
përqafimi të fortë plot mall të dëshiruar.
***
Kam mall në mes fjalësh në një varg. Nuk e di çfarë energjie të bukur, çfarë
force të padukshme, m’i çon mendimet tek ty…
****
Nëse të mungoj, vendose dorën në zemër dhe unë jam aty brenda zemrës tënde si
një karafil dashurie.
****
Dantella ndrin në këtë mbrëmje të gjelbër prej shigjetave prej mjalti të
pranverës së syve. Duket sikur fjalët e mia rrjedhin nën akull dhe tek kjo
rrëke butësie kanë vlerë vetëm disa pika shiu të kthjellët si loti. Sa herë të
ëndërroj qielli im psherëtin. Sa herë mbyll sytë shoh një fill rozë të padukshëm
që më çon tek ty si me magji.
****
Unë ndjehem një botë më vete, një botë plot trëndafila të lulëzuar dhe çdo
fjalë që të shkruaj çdo buzëqeshje e syve kur të mendoj më kthehet në një këngë
dashurie, që e këngëzoj midis buzëve të mia..
****
Çastet kur jam pa ty i kaloj me shijet e fjalëve, që të qëndis në mesazhe
zemre. Nëpër luginën e dëshirës shoh zjarrin e dritës së verbër që më prin në
vetmi për të më lexuar ndjenjat e mbuluara me velin që lëshon shiu.
****
Kënga ime e dashurisë për ty gjallon thellë në ajër aromë malli e fjalë me lëng
lulesh që kam mbi buzë çdo çast për ty.