| E premte, 11.02.2022, 09:06 PM |
POEZIA SI PASURIM DHE NGUSHËLLIM SHPIRTËROR
(Albina
IDRIZI:"Trokitje të prushta", edituar nga Shtëpia botuese "Beqir
Musliu", shkurt, 2022)
NGA
ANTON NIKË BERISHA
Përmbledhja
më e re me poezi e Albina Idrizit “Trokitje të prushta” dëshmon për një rrëfim
poetik sa të natyrshëm aq dhe të çiltër. Poetja i shqipton fshehtësitë e botës
së brendshme, të shpirtit, për arsye se, siç thoshte F. I. Tjutçev: Mëso të
jetosh në shpirtin tënd, në të ka një botë të tërë. Njëherit, përmes një të
shprehuri modern poetik: “Në buzë je puthja që njomë; E mësoi të flasë me
fluturat”; “Të vështroj dhe shoh sytë e mi”; “Trokita në sytë e tu”, një teksti
të figurshëm e të shtjelluar me përkushtim, ajo gjakon t’i shpalosë dhe t’i
shprehë edhe fshehtësitë e dukurive e të gjërave me të cilat njeriu është në
marrëdhënie të vijueshme.
Këtë
gërmim poetik dhe shqiptim të veçantë të të fshehtave, autorja e bën përmes
njësimit të realitetit konkret me realitetin imagjinativ dhe të ballafaqimit,
të përplasjes e të kundërvënies së mendimeve e të dukurive, gjë që ndërlidhet
mirëfilli me atë që thitë poeti i madh gjerman, Gëte (Goethe): “Të gjesh mjetin
me anë të figurave që i kundërvihen njëri – tjetrit, por dhe që pasqyrojnë
njëri – tjetrin, përmes tyre t’i zbulojnë perceptuesit mendimin e thellë, për
ty të shtrenjtë” .
Ky
parim krijues poetik jo vetëm që mundëson të ndriçohen çështje të qenësishme të
dukurive e të shpirtit të njerriut, po edhe të shprehen poetikisht në mënyrë të
ndërliqshme (komplekse): shprehja poetike ka mundësi të ketë një formë më të
ngritur, të jetë më e pasur dhe, si kuptimësi, të degëzohet më shumë. Kështu
teksti poetik, edhe poezia si tërësi shtjelluese kuptimore, shndërrohet në
tinguj të pleksur, në shumësi kumtesh që janë të aftë të ndikojnë më shumë
estetikisht në marrësin. Në këtë mënyrë teksti i shenjave e bën botën e vdekur
të gjallë, të shpirtëzuar. Autorja është e bindur se poetët kanë të drejtën e
“zhbirimit nëpër tejbotë” (Shih poezinë me titullin “Nëpër tejbotë”); ata vihen
në kërkim të përhershëm të fjalës dhe bëhen edhe vetë fjalë. Pra, përftimi i
tekstit poetik nënkupton flijimin: “që më jep jetë / duke më marrë”.
Poezia
e Albina Idrizit s’ka një objekt poetik të njënjëshëm (unik), po është një
mozaik i shqiptimit të dukurive dhe të pamjeve, që “[...] rreket të dëgjojë /
heshtjen e vet” ose “lëshojnë zërë përmes heshtjes”; ose janë të pranishme
përmes mungesës, kur gjithçka gjakohet të heshtet “të një fjalë / që thuhet pa
zë”. Kjo dëshmohet me shprehjen që e përdor autorja: Heshtja flet brenda nesh.
Në
vështrim të parë fitohet përshtypja se poezia e Albinës është e qetë, butësore,
madje e hareshme, po në qenësi shumëçka lidhet me shqetësimin (“Ç’të bëj me
veten e tepruar”), me pësime (“kur duam të shkojmë / ende pa u nisur”), me
vetminë (“Kur ti je larg / shtëpia ruan vetminë time”), pra, përshkohet nga një
përmallim e pikëllim, qoftë kur dukuritë vështrohen në rrjedhën e
përditshmërisë, qoftë kur poetja i kthehet fëmijërisë dhe asaj që nuk është më.
Kjo të kujton mendimin e Nënës sonë Tereze (tashmë e shpallur e shenjtë nga
Vatikani) të thënë më 1958: “Buzëqeshja ime është një mantel i madh që mbulon
një shumësi dhembjesh ”.
Qenësia
e përmbledhjes “Trokitje të prushta” përligjet para së gjithash nga mënyra e
shtjellimit të tekstit, nga të shprehurit gjuhësor figurativ, nga shumësia e
mendimeve që dalin nga vargjet dhe poezitë, edhe kur autorja me qëllim i hesht
disa gjëra, nuk i shpreh mendimet tërësisht, po le që lexuesi të vazhdojë
komunikimin edhe me atë pjesë të tekstit që nuk shkruhen, nuk shënohen me
shenja: “fjalësh të pathëna” ose “zëri i të pathënës”. Me fjalë të tjera,
gjakohet zbulimi i kodit të heshtjes. Këto vende të zbrazëta në tekst (“Die
Leerstellen eines literarischen Textes”) sipas VV. Iseri-t (Izeri), përcaktojnë
marrëdhënien e marrësit me tekstin letrar: “Sa më shumë që tekstet të pësojnë
nga papërcaktueshmëria e tyre, aq më tepër lexuesi inkuadrohet në përfundimin e
intencave të mundshme të tyre […]” dhe
“[…] vendet e zbrazëta në tekstin letrar nuk janë mungesë, sikur mund të
mendohet, ato janë parakusht themelor për veprimin e tij” .
Në
poezitë e përfshirë në këtë libër vërehet se autorja i zgjedh dukuritë që i
bënë objekt vështrimi poetik; di të shkëpusë e të dallojë të veçantën, qoftë
edhe imtësitë, por që shprehin gjëra dhe mendime të mëdha; nuk e shfaq
pandërmjetësisht ndjenjësimin, nuk përdor fjalë pohuese, po tekstin e përftuar
e shndërron në shprehje dhe në pamje poetike. Pra, ndjenjësimi mbetet në
shtresat thellësore të shprehimësisë së tekstit.
Është
thënë me të drejtë se arti është një përpjekje, ballafaqim e flijim i pambarim;
kush mbështetet në lehtësinë e përmbushjes së qëllimit në hartimin e veprës
artistike, dëshmon se e ka shpërfillur pikërisht gjakimin: krijesa e tillë
kërkon përkushtim të shumëfishtë e të pazakonshëm, që dëshmohet edhe nga ky
mendim i Th. S. Eliotit: “Përparimi i artistit është një vetëflijim i
vazhdueshëm, një shuarje e vazhdueshme e personalitetit të tij” .
Kur
e lexon me vëmendje poezinë e Albina Idrizit dhe thellohesh në tekstin poetik
të përftuar nga ajo, kur, pas leximeve, vijon të njësohesh për herë e më shumë
me vargjet dhe me kumtet që dalin prej tyre, me poezitë si tërësi shprehëse dhe
kuptimore, atëherë vetvetiu e kujton mendimin e Edgar Allan Poe-së: “[...] një
poezi e meriton vlerësimin e saj për aq sa ajo arrin ta ngacmojë emocionalisht
shpirtin, duke e lartësuar atë” .
Kush
e lexon me përkushtim këtë përmbledhje me poezi, do ta përjetojë këtë.
Prishtinë, fund janar 2022