| E diele, 06.02.2022, 07:18 PM |
POEZI E PROTESTËS DHE E KUNDËRVËNIES SË PËRDITSHMËRISË SË PAPËRFILLSHME
“Është e pamundur ta gjykosh letërsinë e
kohës sonë pa e lidhur me krizën e përgjithshme të qytetërimit, krizë që nuk
është thjesht e një sistemi ekonomik, po është shembje e krejt koncepcionit të
njeriut dhe të realitetit. Dhe romani aktual (natyrisht edhe poezia – v. ime)
është i lidhur ngushtë me këtë dramë, qoftë nga se është një dëshmi e njeriut
që po e vuan, qoftë nga se është rebelim i shkrimtarit kundër shoqërisë që po
shembet[1]”. - ERNESTO SABATO
NGA ANTON NIKË BERISHA
Jusuf
Gërvalla na la trashëgim një poezi të njohur kryesisht si e absurdit dhe e
protestës, për arsye se tekstet e përftuara synojnë rrënimin e rregullave të
krijesës letrare poetike të rëndomtë. Bota që shprehet në to i afrohet më shumë
realitetit të përfytyrimit dhe të ëndrrës, ku gjërat dhe kuptimet
bashkëgjallërojnë në mënyra të ndryshme, pa iu nënshtruar ndonjë rendi të
caktuar. Poezitë e kësaj natyre synojnë të jenë gjithëpërfshirëse; të kapin e
të shqiptojnë në tërësi (totalitetin) e veprimit e të gjallimit. Në thelb ato
janë kundërvënie e përditshmërisë së papërfillshme, e përshkuar thellësisht nga
tragjika dhe nga tjetërsimi, nga pësimi dhe nga zhbërja shpirtërore. Mirëpo,
autori përftoi edhe disa poezi mbi bazën e poezisë së traditës, gjë që
ndërlidhet kryesisht me tekstet që i krijoi dhe i përdori për këngë.
Tri përmbledhjet e tij me
poezi, u botuan brenda viteve 1975 – 1979: “Fluturojnë e bien” (1975),
“Kanjushë e verdhë” (1978) dhe “Shejat e shenjta” (1979)[2]”.
Veprat
letrare të autorëve shqiptarë në Kosovë në atë periudhë, kishin një kuptim më
të gjerë se sa mund të mendohet në vështrim të parë, kishin peshë dhe rëndësi
më të madhe: “Sa më ngushtë të
jesh i lidhur me librin, aq më e thellë shpaloset jeta, sepse falë ndihmës së
mrekullueshme të librave, shikimi yt për botën shkrihet në një me pamjen e
përftuar nga mijëra të tjerë si ti; duke e dashur librin, ti sodit, njeh,
përvetëson dhe thellohesh në njohjen e botës, jep ndihmesën tënde të vyer në
përparimin e saj[3].”
Jusufi i
takoi brezit të atyre krijuesve shqiptarë të Kosovës, të cilët nga fillimi i viteve ‘70 të
qindvjetshit të kaluar filluan të zbatojnë një qasje, një perceptim dhe një shqiptim
letrar poetik tjetër në krahasim me poezinë e traditës, si Teki Dërvishi, Beqir
Musliu, Ymer Shkreli e ndonjë tjetër. Këta poetë mësuan nga traditat e tjera
letrare, po dhe nga poetët tanë paraprakë ose të kohës[4], të cilët në disa poezi ose
me ndonjë vepër përligjen modernitetin e mirëfilltë të tekstit letrar poetik si
Azem Shkreli, Mirko Gashi, Ali Podrimja, Adem Gajtani, për të mos i përmendur
të tjerët. Këtij përcaktimi i paraprinë tregimet e Anton Pashkut të botuara në
vitet ’60 e më vonë dhe romani “Oh” (1971).
Këta
krijues, përmes artit të fjalës, në rastin konkret të poezisë, shprehen
shqetësimet dhe pakënaqësinë e tyre; gjakuan ndërrimin e gjendjes së tillë dhe
këmbëngulën për një hapësirë e frymëmarrje më të madhe veprimi e të lirisë
krijuese, ose siç thuhet me një shprehje figurative, synuan parajsën shpirtërore,
që ishte krejtësisht e kundërta me atë që përjetonin në realitetin e
përditshëm. Natyrisht, gjithë kjo nuk ishte e rastësishme, po lidhet me atë që
theksonte shkrimtari i madh, Stefan Cvajg: “[...] kam vënë re se në art, ashtu si në jetë, ka
gjëra që mbartin në veten e tyre të drejtën e ligjshme për ekzistencë, ngaqë me
to autorët janë familjarizuar shumë, ka vargje që për vetë autorin janë
veçanërisht të shtrenjtë, dhe jo sepse kanë vlerë por sepse janë zëdhënës
ngjarjesh që lidhen me kombin[5]”. Ngushtë
lidhur me këtë Th. Elioti thoshte se “[...] asnjë art nuk është më me ngulm
kombëtare se poezia[6]”.
Poeti
Jusuf Gërvalla e përjetoi thellësisht gjendjen e rëndë kulturore dhe shoqërore
të gjallimit të njeriut tonë, të pësimeve e të rrënimit shpirtëror, pikërisht
ashtu siç thoshte shkrimtari i madh argjentinas, Ernesto Sabato: “I bllokuar në
një botë në dekompozim e sipër, mes mbetjesh të ideologjive të
falimentuara, shkrimi ka qenë për mua mjeti themelor, më absoluti dhe më i
fuqishmi, që më lejoi ta shprehja kaosin në të cilin luftoja; dhe kështu mund
të çliroj jo vetëm idetë e mia, por, mbi të gjitha, obsesionet e mia më të
errëta dhe të pashpjegueshme[7]”.
Brenda
konceptit të përftimit të poezisë gjithëpërfshirëse dhe gjithëshqiptuese,
Jusufi, si dhe disa poetë të brezit të tij, me qëllim përdori një gjuhë dhe
shprehje figurative të veçantë; metafora të ndryshme e simbolikë të pasur për
të shqiptuar sa më thellë realitetin e brendshëm e të jashtëm, po dhe për të
dëshmuar pakënaqësinë përballë përditshmërisë konkrete të papërfillshme.
Ndodhte ajo që theksonte njëri ndër poetët tanë më të shquar, Azem
Shkreli: Fati i marrë herët na
mori n’thua dhe Kishte koha
ethe, kishte koka frymë[8]. Jusufi do të
thotë: Ka gëlltitur llavë ky durimi im (Goditja e shtëpisë në
fletore); “Dhe flas me gjuhën e gurit” (Opusi linguistik); Do të dehem me marritë që po
i mbjell koha (Vena e Spanjës); pikëllimi
na paska qenë këtu i vetmi margaritar (Dita e portokajve 2); U lodhëm më duke u puthur me gjarpinj (Humbellat
e ndërdyshjes)
Meqenëse
veprimtaria poetike e Jusuf Gërvallës u ndërpre në kohën kur poeti kishte
mbërritur në një pikë, ku krijimet e mëtejshme do të përcaktonin mirëfilli
natyrën dhe rëndësinë e poezisë së tij (Platoni thoshte se koha është pamja e
përjetësisë në lëvizje)[9], secili
që synon të përcaktojë prerazi qenësinë e saj do të ballafaqohet me
mundësinë e dështimit.
Mënyra e
shqiptimit të absurdit në poezinë shqipe të Kosovës, pra dhe e poezisë së Jusuf
Gërvallës, nuk ishte e rastit, po rrjedhojë e rrethanave dhe e rrjedhave
kulturore dhe shoqërore dhe e nevojës së ndryshimit të tyre. Kjo ndërlidhet me
veprimin e romantikëve dhe më vonë të surrealistëve: “Romantikët ia kishin
kundërvënë prej kohësh poezinë arsyes, në të njëjtën mënyrë sikurse nata është e
kundërta e ditës, por surrealistët e çuan këtë qëndrim në shkallën më të
epërme. Sipas Bretonit, sa më absurd që të jetë një përfytyrim, aq më shumë
vlen: prandaj bëhet thirrje për automatizëm, për imagjinatë të çliruar nga të
gjitha prangat racionale[...] ishte më tepër një qëndrim i përgjithshëm ndaj
jetës, një kërkim i njeriut të thellë që gjendet nën shtresën e konvencioneve
të rrëgjuara. Si mund të mos i admiroja Frojdin [Freud] dhe Sadin [Sade],
primitivët dhe të egrit? Po, në mënyrë paradoksale, kjo u shndërrua në një
metodë për të arritur një lloj të ri të së bukurës, një bukuri në gjendje të
egër. Sikurse edhe të një morali të ri, ai moral që mbetet pasi shqiten të
gjitha maskat e imponuara nga një shoqëri frikacake dhe hipokrite: një moral i
instinkteve dhe i ëndrrës[10]”.
Përmes
tekstit të poezisë Jusufi shprehu dramën e vet, e cila është para së gjithash
rrjedhojë e dramës jetësore të shqiptarit në ish Jugosllavi, përkatësisht e
kushteve në të cilat frymohej e veprohej në Kosovë në vitet ’70 e ‘80.
Rrethanat e rënda, të thuash tronditëse, shkaktuan pakënaqësi dhe pësime dhe,
natyrisht, i nxitën edhe poetët t’u kundërvihen atyre me mjetin e tyre kryesor:
me artin e tyre, siç ndodhi dhe me Jusuf Gërvallën. Poeti i madh gjerman,
Goethe (Gëte) rreth kësaj thoshte: “Të gjitha poezitë e mia kanë lindur të diktuara nga rrethanat e jetës,
realiteti që i lindi është trualli dhe baza e secilës[11]”.
Në
kushtet jetësore, ku dëshmohet një
shpër-pjesëtim i ndjeshëm midis konkretes – përditshmërisë jetësore – dhe
synimit të poetit, ishin mënyra të ndryshme për të shqiptuar botën e brendshme
dhe atë të jashtme: të shqiptohej – përftohej një botë tjetër nga ajo që
ekzistonte; të pasurohej ajo botë përmes artit, të projektohej një botë që
përkonte me shpirtin dhe me synimet e krijuesit ose përmes artit të fjalës, t’i
kundërvihet asaj.
Brenda
kaosit të tillë letërsia – në rastin konkret poezia – bëhet për poetin një
formë e vetë dëshmimit, po dhe e mbijetesës; një formë e të shprehurit të
pakënaqësisë dhe të nevojës së komunikimit. Për ta shprehur këtë gjendje Jusufi
hartoi tekste të ndryshme, larg retorikës dhe pohimit, ku mendimet gjallojnë në
shtresat e thella. Kjo përligjet nga vargjet që rrezatojnë mendime të shumta
si, fjala vjen: Koha foli me gjuhën time të harruar (Shtëpizë e lënë barinjsh); ty që bën dashuri të fshehtë me natën e përlotur (Kroi);
në zgjimin tim më të heshtur të më
ngurosin (Fletë testamenti); pikëllimi
m’u bë shok udhe (Pergament).
Kjo mënyrë e
shqiptimit poetik merr përmasë më të ndjeshme e lartësohet edhe më shumë në
pjesët më të mëdha se vargjet – në pamje poetike. Ato janë të pazakonshme, ndonjëherë dhe tronditëse. Për ta konkretizuar
faktin se ai përfton pamje poetike sa të ndërliqshme (komplekse) e të
parëndomta, që mundësojnë një komunikim të veçantë me marrësin, qoftë edhe
përmes “moskënaqësisë”, siç thoshte Th. Eliot, duke folur për një pjesë të
poezisë së Uiljem Blejkut: “[...] e ka moskënaqësinë e poezisë së lartë[12]”.
Në këtë rrjedhë po
sjell dy shembuj nga poezia e Jusufit, ku
tronditja nuk shprehet përmes pohimeve, po përmes përplasjeve dhe kundërvënies së mendimeve, gjë që përligjet nga pjesët e
pamjes, më të vogla ose më të mëdha, ose nga mëdyshjet që dalin nga teksti.
sa e largët plaka në pikturë e ngjyrë - ujë
i bërë prej qerpikësh erërash të zgjuara
e lodhur afrohet merr t’i bezdisë zogjtë
sajon imazhin tim të blertë tis të hollë
tis rrezore e qartë shprushi mjegullën në sy
vallë po zgjohet malli a po fle pikëllimi
(E largët)
dhe
dhe s’ka bukë për poetët si ti pos varre
është dashuri kjo botë rritet prej fjalësh tuaja
si të paska zbritur në ballë tërë numri i yjeve
mund të ngjajë të zgjohet orkida e butë e fjalës sate
ti do ta këndellësh botën me fjalën prej buke
(Baladë për shevarin)
Pamjet poetike të kësaj natyre, që synojnë ta shprehin sa më gjithanshëm
gjendjen absurde të jetesës, nuk përftohen sipas një gjedhi (modeli) të
caktuar, nuk i nënshtrohen ndonjë rregulli. Brenda tyre bie në sy sidomos
ballafaqimi dhe kundërshtimi i dukurive, i pamjeve dhe i mendimeve. Kjo mënyrë
e përftimit i jep tekstit një veçanti e
pasuri; merr nuanca të ndryshme, varësisht nga ai që e lexon tekstin përkatës
dhe gjakon të vërë një komunikim me të. Të kësaj natyre janë edhe këto vargje: tek
gjej ngushëllim mes sendesh që s’janë më (Skena nga jeta e fshatit); ashtu e lartësuar ajo i bie territ si pirg drite (Kulla);
shqetësimit të furishëm këtu pushimi i
është i denjë (Epitaf për shëtitësin...); e t’i këndojnë këngët tuaja e të thurin ditirambe (Baladë
për shevarin); s’di a do të ketë qenë
ditë apo në rreze hëne larë (Shtëpia në kornizë); Dashuria peshk e ngjalë në rrjetë. (Rruga që shpie në livadh); do të vish e
veshur me gjethet e rëna të përrallës (E largët); se rrufe të forta po më presin atje grykë shtegu (Si
zgor).
Poeti Jusuf Gërvalla
është i vetëdijshëm për natyrën e fjalës poetike, përkatësisht për rëndësinë e
poezisë si art, për mundësitë e saj të komunikimit dhe të ndikimit në marrësin.
Siç është e ditur, poezia nuk është imitim i jetës konkrete, i përditshmërisë,
po një realitet i mëvetësishëm i përftuar përmes fjalëve dhe të shprehurit
gjuhësor figurativ; në qenësinë e saj ajo është trillim dhe përfytyrim, që
shëmbëllen në atë që ekziston dhe që shpreh përvojën jetësore dhe shpirtërore
të njeriut: “asnjë xhevahire më e shtrenjtë
se trillimi” (Buzëqeshja). Së këndejmi, të shkruarit e poezisë,
përkatësisht shqiptimi poetik i botës së jashtme dhe asaj të brendshme për
Gërvallën bëhet domosdoshmëri: nëse heshtet fjala ajo bëhet vrastare si thika
(krahasimi, me qëllim, është përmbysur): Sa fjala ime e heshtur / Ti mund të
vrasësh pa krismë (Thikë).
Qenësore për poetin
janë fjalët e tij; është struktura gjuhësore shprehëse, janë kumtet poetike
përmes të cilëve përligjet bota dhe qenia e tij dhe komunikohet me të tjerët.
Jashtë tyre ai është i paqenë.
Mund t’i merrni fjalët e mia
e të niseni nëpër botë
Unë s’kam guxim
Kuptoj se pa dritën e tyre
Nuk do ta di rrugën nëpër dritë
Janë krijuar prej frenimesh
prej kthesash theqafjesh
dhiaresh të shenjta
zigzage
(Lufta dhe arti)
Poeti e di mirëfilli
se gjithë atë që shpreh ai nuk mund të jetë e përfillshme dhe nuk mund të
përkojë me botën e të tjerëve, sidomos kur fjala e tij e heshtur është vrastare
sa edhe thika, por është i bindur se lexuesi do të marrë atë që është e denjë, që
sjell dritë dhe bashkon: merrni nga
fjala ime veç atë që s’është ndarje (Shtatë net në Dubrovnik).
Më duket me vend që
këtë parathënie ta mbyll me atë që thuhet në poezinë e Jusuf Gërvallës “Fletë
testamenti”: në zgjimin e ri të dashurisë,
që mund ta bëjë poezia me artin e saj (“Tek po zgjohet er’ e re e dashurisë së tokës”), frymësia e saj lë të notojë në ndërrim të
qindvjetshave (“Në gjumë shekujsh me ndërrime të më zgjojnë”) dhe
njomësia e blerimit lë ta cilësojë jetën e njeriut tonë dhe kujtimin për poetin
(“Myshku le të jetë gjithmonë i blertë mbi gurë”).
Prishtinë, dhjetor 2021
1- Ernesto Sabato, Shkrimtari dhe fantazmat
e tij. Përkthyen nga origjinali: Edlira Hoxholli dhe Bashkim Shehu. Pika pa
sipërfaqe. Tiranë 2015, f. 67.
2- Romanin “Rrotull” e botoi më 1983.
3- Stefan Cvajg, Legjenda dhe portrete. Përktheu Jorgji Doksani. Shtëpia
botuese Uegen. Tiranë 2003, f. 120.
4- Jorge Luis Borges thoshte: “Secili prej
nesh, është pa dyshim të gjithë njerëzit që kanë qenë para tij dhe jo vetëm ata
me të cilët ishte i një gjaku”. Shih Jorge Luis Borges, Ligjërata. Përktheu nga
frëngjishtja Feride Papleka, Tiranë 2013, f. 164.
5- Stefan Cvajg, Legjenda dhe portrete,
vep. e përm., f. 199.
6- T. S. Eliot, Ese të zgjedhura. Zgjodhi dhe
përktheu nga origjinali Isa Zymberi. “Rilindja”, Prishtinë 1982, f. 64.
7- Ernesto Sabato, Para fundit. Ese. Përktheu
nga origjinali spanjisht Orjela Stafasani. OM, Prishtinë 2018, f. 54.
8- Azem Shkreli, Rrënjë të gurta. Poezi e
zgjedhur. Botimi i dytë i rishikuar. Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë
Berisha, Pejë 2012, f. 19 dhe f. 65.
9- Jorge Luis Borges, Ligjërata, vep. e
përm., f. 200.
10- Ernesto Sabato, Shkrimtari dhe fantazmat e tij, vep. e përm., f. 60.
11- Stefan Cvajg, Legjenda dhe portrete, vep. e përm., f. 200.
12- T. S. Eliot, Ese të zgjedhura, vep. e përm., f. 192.