| E diele, 06.02.2022, 08:09 PM |
1978/Në burg nëna dhe e bija 13 vjeç e gjysmë
Nga
Kastriot Dervishi
Më
14.2.1978, një 35 vjeçare, nënë e tre fëmijëve, shtatzënë, së bashku me vajzën
e saj 13 vjeç e gjysmë, tentoi pa sukses të arratisej në zonën e Pogradecit. Të
dyja u arrestuan. Sipas nenit 7 të Kodit Penal të kohës, mosha për përgjegjësi
penale e një personi duhej të ishte mbi 14 vjeç. As ligjet e veta nuk
respektonin. Por për të dënuar vajzën, gjykata falsifikon aktet e gjendjes
civile, duke e paraqitur në gjyq 5 muaj më të madhe, sikur kishte mbushur
moshën 14 vjeç. Gjatë kohës së paraburgimit në Pogradec, gëlltiti një bisht
luge dhe rrezikonte jetën. U dërgua në spitalin e Pogradecit, por mjekët
gjinekologë, kirurgë, patologë dhe radiologë, arritën në përfundimin se ishte
stimulante dhe bënte kot. Nga këmbëngulja e të pandehurës, u dërgua në spitalin
e Korçës dhe atje u konstatua se bishti i lugës ndodhej në stomak dhe
rekomandohej operimi urgjentisht. Gjykata e Rrethit Pogradec, e drejtuar nga
një grua, me vendimin nr.31, datë 9.5.1978, i deklaroi fajtore dhe i dënoi:
nënën me 10 vjet dhe vajzën me 2 vjet heqje lirie. Nëna vuajti 4 vjet, 9 muaj,
1 ditë burgim. E bija, ndonëse fëmijë, thuajse e kreu të plotë dënimin, vuajti
1 vit, 11 muaj, 10 ditë burgim.