| E hene, 07.02.2022, 03:53 PM |
FRYMËZIMI HEROIK DHE VEPRIMI PATRIOTIK
Sami
R. Dërmaku, ”TË NDRITURIT”, poezi, botoi Sh. B. “DRITAPRESS”, Prishtinë 2021,
faqe 132, ISBN 978-9951-825-30-6. Redaktor: Kadri Rexha, Recensues: Sulejman
Dërmaku & Shefqet Dibrani
Shkruan
Shefqet DIBRANI
FILLIMI ose PROLOG PËR POETIN
Vargjet e librit, “TË NDRITURIT”, të Sami R.
Dërmaku, janë poezi përkushtimi për ngjarje dhe personalitete të njohura të
kulturës dhe të rezistencës shekullore të popullit shqiptar.
Poeti, ka qenë edhe vet pjesë e atyre zhvillimeve,
bashkëveprimtar i heronjëve, dhe ka bashkëvuajtur për vite të tëra, dënimin e
rëndë politik, nëpër burgjet serbe e jugosllave, duke përjetuar persekutimin
barbar të politikës së Sërbisë kundrejt Kosovës dhe popullit shqiptar të saj.
Përmbledhja me poezi “TË NDRITURIT”, shoqërohet me
mendimin e vyeshëm të Sami Frashirit: “Liria është thelbi i shpirtit dhe mendjes; aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë", (faqe 5). Ky mesazh e qartëson më mirë objektivin e autorit,
i cili në fokus të përkushtimeve ka figura të shquara nëpër mes të të cilëve ai
jep mesazhin se “Liria si nocion” është “Jeta si botëkuptim”, e Sami
R. Dermakut, i cili tashmë është i njohur për kontributin dhe rezistencën
që ka treguar nëpër burgjet e rënda dhe të gjata, dhe përkushtimi i tij i
viteve të fundit për shtetndërtimin e Kosovës.
PA THYESHMËRIA DHE BESNIKËRIA E FISME
Pra, të gjithë ata që e njohin, Sami R. Dërmakun,
përveç pamjes së njeriut madhështor dhe zërit të zotëriut autoritar, e dinë se
ai gjithmonë është shquar për rezistencë të pathyeshme përpara hetuesisë, kurse
me kalimin e kohës është shndërruar edhe vet Ai në simbol qëndrese shembullore,
kudo nëper ato vende ku ka mbajtur burgun nëpër kazamatët serbe e jugosllave,
dhe si njeri i përkushtuar për çështjen e Atdheut dhe të Lirisë, Sami R.
Dërmaku, është vet Heroi i asaj rezistence, i asaj besnikërie të fisme që
ka dominuar ndër të burgosurit politik, tregohet si shembulli i rezistencës
idealiste, i qëndrueshmërisë dhe pathyeshmërisë në gjithë karrierën e tij
jetësore.
PROMETEU I LIRISË ose SIMBOLI I REZISTENCËS KOMBËTARE
Promete, e thonë vargjet e poezisë kushtuar Simbolit
të Rezistencës Kombëtare, Heroit të Kosovës, Adem Demaçi,
poezi-poemë, kjo e vënë në fillimin e fillimeve të këtyre përkushtimeve poetike
për të çartësuar lexuesin, për përmbajtjen dhe konceptin letrar të poezive, dhe
për më shumë për ta kuptuar edhe mesazhin që përcjell kjo poezi, ende pa e
shfletuar dhe pa e lexuar, dhe s’ka se si ndryshe kur të gjithë personalitet,
duke përfshirë edhe vetën e tij, e kanë dëshmuar angazhimin e tyre në shërbim
të kauzës kombëtare. Ja, se si, poeti i drejtohet Simbolit të Rezistencës
Kombëtare:
Linde që të jetosh për jetë
Emri të të behët legjendë
Simbol lirie zë kushtrimi
I pa mposhtur zë bashkimi
Faqe 13.
E për këto epitete, të gjithë ata që e kanë njohur Adem
Demaçin, i kanë parë, i kanë vërejtur në personalitetin dhe karizmen e tij
njerëzore dhe si qytetar. Pastaj, në vijim të kësaj poeme, Sami R. Dërmaku,
do t’i thur edhe epitete të tjera Heroit të Kosovës:
Shkrimtar pishtar në errësirë
Veprimtar zgjimi në gjakim
Qëndresë krenarie në çdo stinë
Trim tribun shembull për çlirim
Po aty, faqe 13.
Edhe këto epitete intelektuale janë merita dhe
vazhdimësi e atij mozaikut të përgjithshëm që i kishte me bollëk Adem Demaçi,
i cili ishte, pa dyshim, figura më karizmatike e historisë së Kosovës. Njeriu
më i merituar për tu mbajtur ndezur motivi i lirisë dhe për të mos u shuar
kurrë vetëdija nacionale për mëvetësi e indipendencë të Kosovës. Prandaj
Adem Demaçi, në të gjitha etapat kohore ishte figurë unikate që ndikonte
në vetëdijësimin e shoqërisë, më shumë dhe më tepër, se sa propaganda e
sistemit komunist jugosllav, që ishte robëria, ishte pushtimi klasik i Kosovës.
Dhe, pa dyshim, të gjitha meritat, si karakteristika të
jetës qytetare dhe të idealizmit patriotik që i posedonte Adem Demaçi, i
kemi të kristalizuara në poezinë e Sami R. Dërmakut, kushtuar këtij
kolosi e bashkëveprimtari, bashkëluftëtari dhe simbolit të Rezistencës
Aktive, Heroit të Kosovës, Adem Demaçi, të cilit tashmë nga
distanca i drejtohet:
U gëzuam Bacë erdhi demokracia
I tërë llumi u ngrit dhe zuri
pritë
Vërshuan krimi dhe kleptokracia
Hajdutë spiunë dhe banditë
Faqe 18.
Prandaj thellësisht dhe kushtimisht, poeti është
bindur se me Adem Demaçin, "... u frymëzua rinia" dhe se
"Brezat e ardhmërisë me ty do të rritën/ Se ti ishe Promete se ti je vet
Historia", (faqe 20). Poezia “ISHE
PROMETE, VETË HISTORIA”, të cilën poeti, ia ka
kushtuar Simbolit të Rezistencës Kombëtare Adem Demaçi, është postulati
më i saktë, me të cilin identifikohen sukseset e Lirisë së Kosovës, dhe
përshkohet edhe kalvari i përpjekjeve të gjeneratave të tëra për të tashmën e
arritur të Kosoves.
HUMANIZMI ËSHTË VIRTYTI
NJERËZOR I POETIT
Poeti, Sami R. Dërmaku, është i njohur edhe
për falje, sidomos kur janë në pyetje interesat e mëdha kombëtare, është i
njohur për humanizëm, dhe posedon vlera njerëzore të shumta. Po me të njëjten
ndjenjë humanizmi është shkruar edhe poezia kushtuar dr. Shaqir Shaqirit,
me të cilin poeti ka vuajtur burgun. Dhe, të gjithë të burgosurit, e kanë të
njohur raportin e tij me prof. dr. Shaqir Shaqiri, prandaj përkushtimi i
Samiut, në këtë poezi ka më shumë humanizëm e ndjeshmëri, ka më tepër
emocione të përjetimit real. Si të themi, edhe përmes poezisë dalin në pah,
përpjekjet dhe sakrificat e Sami R. Dërmakut, atëherë sa ishin në burg,
për t’ia shpëtuar shëndetin dhe jetën mikut dhe njeriut. Ndërsa tash, me këtë
përkushtim, poeti mëton, për t’ia kthyer shpirtin, të paktën për ta rikthyer
kujtimin e tij dhe të shokëve, për prof. dr. Shaqir Shaqirin. Kjo
përpjekje poetike për ta kthyer mikun dhe shokun në mesin e të gjallëve është
virtyt njerëzor që e posedojnë vetëm poetët. Në anën tjetër, poeti synon për
t’iu treguar të gjithëve se Heronjtë nuk vdesin kurrë, ata ringjallën sa
herë të ka nevojë Atdheu dhe Historia. Dhe s’ka si të jetë
ndryshe kur poeti arrin për ta prezantuar pasaportën e njeriut ideal për të, e
kjo pasaportë ishte për prof. dr. Shaqir Shaqirin, mikun e tij të burgut
e të paqe, ku e lexojmë këtë shënim artistik:
Lufta kundër mortajës sllave
kur nuk u ndal
Xhaxhain Jasharin të dënuar me
pushkatim
Babai Emini veprimtar i Lidhjes
së Pejës ilegal
Gjyshja bijë e oxhakut të Jakup
Ferrit të luftëtarit trim
Faqe 61.
Kurse në strofën vijuese të kësaj poezi poeti
çartëson edhe më shumë karakteristikat e protagonistit në poezinë e tij:
Kjo ishte pasaporta e Shaqës
për armiqtë e tërbuar
Që në vegjëli e përcillnin
udhëtimin e tij në jetë
Udhëtimin tënd nëpër teh shpate
e kishe pranuar
Me këta armiq të egër të mjerë
e të shkretë
Faqe 62.
Brenda
poezisë kemi të ndërthurur edhe një element karakteristik për të plotësuar
maksimen popullore se “Trimi i mirë është me shokë shumë”, d.m.th. se prof.
dr. Shaqir Shaqiri, ishte i mirë, por rreth vetes kishte edhe shokë të
mirë! Përveç autorit të librit (themi ne), kishte edhe:
Shoqërinë i kishe shokë të besës e të përzgjedhur
Teki Dervishi, MT, Kadri Rexha, Jusuf Gërvallën
Kujtimin Myftari, familja Dobruna, Nexhmedin Soba
Poetë shkencëtarë veprimtarë atdhetarë të përkushtuar
Në organizimet e thella ilegale Jusufi printe vallen
Faqe 64.
E, në
vazhdim ai pohon se, “Ty dhe Kadriut torturat e tmerrshme ju shtuan”,
por “Ju nuk pranuat asgjë...”, (faqe 64), duke materializuar sintagmën
më simbolike të rezistencës dhe solidaritetit që ekzistonte në mes të burgosëve
politik, të asaj kohe, mesazh ky që na thotë se vujatjet e këtij brezi duhet të
jenë: “Porosia (më e mirë) që duhet të zë vend në zemrën e çdo
atdhetari”, (faqe 68). Jo vetëm kaq, por kjo porosi duhet të zë vend në
zemrën e çdo qytetari të hapësirës shqiptare në Ballkan dhe kudo të shqiptarëve
në rruzullin tokësor, e themi ne.
HEROI I REZISTENCËS ËSHTË EDHE
HERO I SAKRIFICËS
Poeti Sami
R. Dërmaku, me kaq pietet flet edhe për bashkëvuajtësit tjerë me të cilët kishte mbajtur burgun
politik. Janë këto veti dhe karakteristika të tija, pse ne besojmë se autori i
librit është Hero i rezistencës aktive dhe sakrificës intelektuale e
patriotike. Mjafton poezia kushtuar, Metush Krasniqi, i vrarë me tortura
mizore nga UDB-ja, për ta besuar këtë që thamë, por më mirë le t’iu referohemi
vargjeve të poetit:
Korbat UDB-eske gjakatare
Trupin tënd masakronin
Me metodat ma mizore
Për vdekje të torturonin
Faqe
27.
Dhe
mbase për ta kuptuar lidhjen shpirtërore të autorit me protagonistin, duhet të
mbash vet burgun e gjatë nëpër kazamatet serbo-jugosllave, ashtu siç e kaloi Sami
R. Dërmaku, një pjesë të madhe të madhërisë së tij, por me përvojën
jetësore, poeti shndërrohet në humanist, prandaj madhërinë, kurdoherë e kërkon
në personalitetin e të tjerëve, mbase ky është motiv i heroik kur i drejtohet
Metush Krasniqit:
O mësues i dashur farën e lirisë e mbolle
Dhe ne bijtë e shqipes do ta rrisim prore
Amanetin tënd do ta qojmë në vend
Për lirinë e Kosovës deri në fitore
Faqe
28.
Ky
përkushtim është perlë përjetuese, është vlerë mora, është kult qytetar, është
burrëri dhe fisnikëri, kur ia atribuon meritat Heroi - Heroit, të cilin
përmes vargut poetik edhe një herë e rikthen kujtimin për Heroin Metush
Krasniqi, në mesin tonë.
Frymëzim
e përkushtim të tillë, shprehen edhe për
Komandantin Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, për të cilin shkruan se,
“Po të
jepej çmimi Nobel për një të tillë flijim", (faqe 24), i takonte
atij dhe Familjes Jashari. Në këtë rast poeti nuk dëshpërohet, sepse ai e din
se: "...çmimin madhështor/ Familjes JASHARI ia dha mbarë kombi shqiptar",
sepse ai luftoi, "Për tokat e Arbërit, për Shqipërinë", (po
aty, faqe 24). Së këndejmi, Komandanti Legjendar, Adem Jashari, nuk është vetëm
frymëzim por edhe motivim për unitet të kombit tonë:
Komandant ti je kushtrimi dhe liria jonë
Ti je simbol i unitetit dhe i bashkimit kombëtar
Ti je qëndresa frymëzimi dhe forca në çdo zezonë
Je legjendë e ditëve tona që çdo mit e tejkalon
Faqe 24.
HEROI I FLAMURIT
Fazli Grajçevci, për poetin dhe për breza të tërë, është Heroi i Flamurit, i
sakrificës dhe i flijimit, si dhe i vazhdimsisë së përpjekjeve për Flamur,
Liri dhe për Pavarësi të Kosovës.
Si gjithnjë mësues i dashur
Dritë diturie në errësirë
Nën robërinë e shpërfaqur
Mësues atdhetar zemër dëlirë
Faqe 31.
Tashmë
dihet se Heroi i Flamurit, Fazli Grajçevci, amanetin e tij të
fundit e kishte lënë, djalin ta pagëzojnë me emrin FLAMUR, pasi vet Fazli
Grajçevci, për flamur po flijohej:
Amaneti
yt i fundit
Për liri
e flamur unë po vdes
Djalin
Flamur të ma emëroni
Kjo ishte
e vetmja kërkesë
Po aty,
faqe 32.
Edhe Isa Kastrati, është një frymëzues
tjetër i përhershëm i poetit, por Ai, është edhe personifikues i idealit dhe
përpjekjeve për liri, luftës së pa epur dhe i sprovës së madhe:
I luftës së paepur dhe sprovës
I rritës së saj dhe i shpresës
Mendimet tuaja plot thellësi
Qiell me diell në kaltërim
Faqe 36.
Sepse Isa
Kastrati ishte:
Rebel i shquar kryengritës
Në furtuna i paepur
Në dallgët e jetës i pa tretur
Sy patrembur trim luan
Faqe 37.
Me kaq pasion poeti i ka kushtuar poezi edhe
bashkëluftëtarit tjetër, Rexhep Mala, madje duke na zbuluar edhe një
sekret, për të mësuar se ku i paskan nisur fillet e poezisë së tij.
Vjershën e parë në jetën time
Po e shkruaj për ty o vëlla or shok
Përplot mbresa e kujtime
Zemra po më grihet po më bëhet copë
Për kujtime të pa harruara
Për qëndresë e trimëri
Për fjalët tua të pa shkruara
Për mirësjellje e mençuri
Faqe 47.
Ndërsa
prindëri e Rexhep Malës, për poetin Sami R. Dërmaku, ishin “Fytyrën reliev Kosove", (faqe 51). E, Kamandant Plakun ose Xheladin
Gashin, poeti nuk mund quante Plak kur nuk ishte plak?! Këto nuanca,
janë vargje të pakta por janë përkushtime të mëdha për heroizmin e madh të të
rënëve për liri dhe atdhe. Këta emra, të cilët i ka veçuar autori, janë vetëm
disa nga ata qindra të tjerë të cilët i japin pamje “KOSOVËS SË PËRGJAKUR NËPËR
SHEKUJ”, (titull poezie, faqe 69-74), në të cilën poeti është shprehur:
Me shekuj qëndrove në robëri
Deshën të të zhbëjnë nga faqja e dheut
Pesë shekuj nën Turqi e një nën Serbi
Të shkoi jeta gjithmonë e veshur në zi
Faqe 71.
Po ashtu në këtë libër gjejmë përkushtime e
përjetime të rralla. Disi më i veçantë dhe mjaftë karakteristik, më duket të
jetë ai për Shabi Hajdinin, nga fshati Çerkez i Kumanovës:
Nga dhimbja më dridhet zëri kur të kujtoj
Krenar që të patëm në një front
Mburrje që të kishim në mesin tonë
O shok, o vëlla, bashkëveprimtar i pandashëm
Nuk do të harrojmë kurrë
Ja pra me ne këtu ku jemi mbledhur
Në këtë mbrëmje përkujtimore
Që të kemi në mesin tonë shembull prore...
Poezia,
"TË DUAM PËR JETË", kushtuar Shabi Hajdinit,
nga
fshati Çerkez i Kumanovës, faqe 81.
Poezia “NË VIZITË”, iu kushtohet, Ahmet Haxhiut,
Xheladin Rekaliut, Jashar Saliut, Xhavit Hoxhës, Fadil Vatës, Shabi Hajdinit, dhe
shumë bashkëveprimtarëve të tjerë të shtrirë në spitalet e Zvicrës, të cilët
nga sëmundjet vdiqën. Por përkushtimi i Sami R. Dërmakut, është virtyt për
heroizmat e bashkëveprimtarëve. Andaj poeti me përkushtimet poetike shëmbëllen
për mirësi e humanizëm në njërën anë, kurse në anën tjetër poezitë, janë
uvertyra të realizuara me pasion dhe dashuri të rrallë.
Ishim të mbledhur aty në hol
Dhe pritnim të brengosur
Na thoshin të mos ju shqetësojmë
Se jeni në kllapi e të rraskapitur
Faqe 85.
Ose:
Ju e përbuznit vdekjen
As për vete nuk mendonit
Mendjen e kishit te Atdheu
Që tërë jetën ia kishit kushtuar
Idealit më të lartë lirisë
Dhe Atdheut...
Poezia “NË VIZITË”, faqe 85.
Pa dyshim të gjithë heronjtë e Sami R. Dërmakut,
kanë bërë historinë e tyre dhe kanë treguar qëndresë e rezistencë të
pathyeshme. Ashtu siq e theksuam më lartë edhe vet poeti, shndërrohet në Hero
i Veprës së tij. Nga kjo na duket se Sami R. Dërmaku, përseri jep
nga vetja, pasi të gjitha përkushtimet, heroizmat, qëndresa dhe pathyeshmëria
janë përkushtime të tij për të tjerët, por në esencë e gjitha e ka burimin nga
shpirti i tij fisnik, nga qëndrueshmëria dhe nga atdhedashuria që ka pasur
gjithmonë, Heroi për Kosovën! Këto virtyte, edhe më tej materializohen
tek poezitë: “Tryezë e shtruar”, “Lugetërit e errësirës”,
kushtuar të burgosurëve në Burgun e Dubravës, e ndonjë tjetër.
MOTIVI PËR VENDLINDJEN
Motiv i ndjeshëm dhe i përjetuar, poezi me plotë
dashuri, është ajo për fshatin e tij të lindjes, Shipashnicën me titull “Kujtesë
për vendlindjen”, në të cilën poeti është shprehur:
Shipashnicë vendlindja ime
Dërmak i tërë fshati unikat
Bashkë në hidhërime e gëzime
Me bujarinë dhe trimërinë spikatë
Faqe 107.
Rezistenca anti osmane e antiserbe e familjes Dërmaku
nga Shipashnica e Dardanës, e ka gjenezën e saj qysh nga Lidhja
Shqiptare e Prizrenit, e vitit 1878, kurse vargjet e më poshtme e dëshmojnë
këtë fakt historik.
Në lëvizje kombëtare të angazhuar
Oficeri Ramë Dërmaku siguron objektin
Të lidhjes së Prizrent nga armiq e tradhtarë
Të lidhin besën të forcojnë unitetin
Faqe 108.
Vargjet të përjetuara emocianlisht, por në të
njëjten kohë kuptohen edhe si rezistencë shekullore e bashkëfshatarëve të tij,
nga të cilët e për të cilët, do të nis udhë edhe veprimtaria e tij dhe këto
përkushtime të Samiut, po ashtu janë frymëzimi më heroik dhe perkushtimi
patriotik i poetit.
Vendlindja ime gumëzhin nga shkollarë
Doktorë shkence, magjistra e profesorë
Mjekë e inxhinierë e të vyeshëm arsimtarë
Profile të ndryshëm veprimtarë e humanitarë
Faqe 124.
Kur jemi tek poezia kushtuar bashkëfshatarëve të
vet, përmendoren që ia ndërton me këto vergje vendlindjes së tij, në
imagjinatën e lexuesit, po aty ne Shipashnicë, do të shihet saktë, Permendorja
e Veprimtarit dhe Heroit të gjallë Sami R. Dërmaku, i cili një jetë
ia kushtoi veprimtarisë kombëtare dhe atdhetare. Pikërisht janë këto arsye, të
cilat na shtyjnë që këtë shënim kritik, (në cilësin e recensuesit të librit),
ta kompletojmë edhe me disa shënime kronologjike për veprimtarinë e tij.
EPILOGU ose SHËNIMI BIOGRAFIK PËR POETIN
Sami Rexhep Dërmaku, lindi më 7.11.1948 në Shipashnicë. Shkollën fillore e kreu në
vendlindje dhe në Hogosht, ndërsa të mesmen (gjimnazin) në Dardanë
dhe Gjilan. Fakultetin Elektroteknik e ka mbaruar në Universitetin e
Prishtinës. Është pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968. Ka punuar arsimtar
në fshatin e lindjes, etj.
Më 1970, me rastin e ardhjes së Titos në Kosovë,
bashkë me Rexhep Malën dhe Isa Kastratin, e izolojnë dhe e
burgosin në burgun e Gjilanit. Është dënuar tri herë me kundërvajtje me
pesë muaj për veprimtari armiqësore dhe dy herë penalisht, me gjashtë dhe dy
vjet, gjithsej 8.5 vjet burg. Pas mbarimit të fakultetit është punësuar në
ndërmarrjen “Elektromontazha”, me drejtor Zaim Kurtin, babai i Albin
Kurtit, të cilit, (edhe në libër), i ka shprehur mirënjohje për
guximin e treguar me rastin e pranimit në punë, meqë atëherë paraqiste pengesa
sigurimi shtetëror jugosllav.
Për t’iu shmangur burgimit të tretë, më 1986
emigron në Zvicër, dhe vendoset në Gjenevë. Sami R. Dërmaku,
ishte njëri nga themeluesit e LDK-së, dhe ka qenë edhe Kryetar i Nëndegës së
LDK-së në Gjenevë, pastaj Kryetar i Parë, në Fondin Humanitar
të LDK-së, Fondit Humanitar Gjithëkombëtar dhe shtabit të
mobilizimit në kuadër të Fondit “Vendlindja thërret”. Sami R.
Dërmaku edhe në kuadër të UÇK-së ishte i angazhuar qysh nga data
01.09.1998, kurse në muajin mars të vitit 1999 në Tiranë është angazhuar
në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes të Qeverisë së Përkohshme. Kurse
pas përfundimit të luftës, në Prishtinë, po në atë Qeveri, ka
qenë ndihmësministër i mbrojtjes, nënkryetar i komisionit për kontrollim dhe
evidentim të pronës private dhe shoqërore.
Për vite me radhë, ka punuar në Korporatën
Energjetike të Kosovës, këshilltar i kryetarit të KEK-ut, menaxher
projekti, koordinator i komisionit për kontroll financiar, udhëheqës i sigurisë
në punë, udhëheqës i infrastrukturës dhe garazheve për termoelektranat A dhe
B., etj. Përveç veprimtarive që i theksuam më lartë, Sami R. Dërmaku, ka
botuar librat: “EKLIPSIMI I FIGURËS SË DËSHMORIT” (2015) dhe monografinë
“SELMON Sh. DËRMAKU - Veprimtar e humanist” (2018). Vlenë të theksohet
se redaktor i librit me poezi ”TË NDRITURIT”, është mr. Kadri Rexha,
kurse recensentë: Sulejman Dërmaku dhe Shefqet Dibrani. Libri u
botua nga Sh. B. “DRITAPRESS”, Prishtinë 2021.
Sami R. Dërmaku, tani është në pension, i paangazhuar politikisht. Jeton në Prishtinë
dhe në Gjenevë të Zvicrës.
St. Gallen, 12 janar 2022.