| E shtune, 05.02.2022, 08:11 PM |
Copëza nga historia
Nga
Astrit Lulushi
Shumë
gjëra pak ndryshojnë sado kohë të ketë kaluar. Fjalët e urta bëhen zakone, nuk
shqiten, si për shembull “armiku i armikut tim është miku im”. Kur një person i
ikën përndjekjes, ai shkon në një vend me marrëdhënie të këqija ose aspak
diplomatike me atdheun e tij. Edhe në lashtësi njerëzit bënin të njëjtën gjë.
Aleksandri
i Madh iku në Iliri kur tensionet ishin rritur në Maqedoni për fronin; Iliria
ishte armik tradicional i Maqedonisë dhe Aleksandri, pasi pati një incident me
të atin për të qenë trashëgimtar ligjor ose jo, ikja në Iliri ishte zgjedhje
logjike.
Ja
çfarë ndodhi, sipas Plutarkut në biografinë e Aleksandrit:
Në
dasmën e Kleopatrës, me të cilën Filipi ra në dashuri dhe u martua, xhaxhai i
saj Atalus uroi që maqedonasit t'i luteshin perëndive t'u jepnin një pasardhës
të ligjshëm të mbretërisë. Këto fjalë e zemëruan aq shumë Aleksandrin, sa që
përplasi gotën dhe tha: "Pse ç’jam unë, bastard?"
Filipi,
duke marrë anën e Atalusit, u ngrit dhe do ta kishte qëlluar djalin e tij, por
nga vera që kishte pirë, i rrëshqiti këmba, dhe u rrëzua. Me këtë rast
Aleksandri e ofendoi: "Shikoni njeriun që bën përgatitje për t’u hedhur
nga Evropa në Azi, nuk kalon dot as nga një kënd i odës në tjetrin."
Pas
kësaj, ai dhe nëna e tij Olimpia ikin dhe pasi e vendosi atë te vëllai i saj në
Epir, Aleksandri vetë u tërhoq në Iliri. Një ditë, Demarati Korinti, një mik i
vjetër i familjes, erdhi për vizituar Filipin dhe pasi mbaruan komplimentet dhe
përqafimet e para, Filipi e pyeti nëse grekët ishin në miqësi me njëri-tjetrin.
Demarati i tha: "Lëri grekët dhe shiko më mirë shtëpinë tënde".
Filipi u bind nga ky qortim, dhe me ndërmjetësimin e Demaratit e ftoi
Aleksandrin që të kthehej. Kjo ndodhi në vitin 336 pes, kur Aleksandri ishte 20
vjeç.
Më
356 p.e.s., Filipi mori këto tre mesazhe njëherësh; se Parmenio kishte mundur
ilirët në një betejë të madhe, se kali i tij i garës kishte fituar në Lojërat
Olimpike dhe se gruaja e tij kishte lindur Aleksandrin.
Pra,
ilirët ishin thyer, kishin humbur territore dhe nuk përbënin ndonjë kërcënim
dhe nuk ishte e çuditshme që Aleksandri të shkonte atje. Princi maqedonas mund
të përdorte disa trupa ilire nëse donte të bënte një përpjekje të detyruar për
fronin. Kjo nuk ishte e paimagjinueshme. Në fakt kishte ndodhur më parë. Në
vitin 424 p.e.s., Perdicas i Maqedonisë kërkoi ndihmën e spartanëve kundër
Arrhabeausit të Lyncestis, i cili me ndihmën e ilirëve, donte të rrëzonte
dinastinë Argead për kontroll mbi Maqedoninë. Por frika e frymëzuar nga
karakteri luftarak i ilirëve bëri që përçapja të dështonte dhe Arrhabeaus mbeti
i pakontestuar në Lyncestis, megjithëse nuk arriti të marshonte kundër Pellës
dhe të rrëzonte Argeadët.