| E premte, 04.02.2022, 07:55 PM |
VEÇANTIA E ROMANIT “PËRJETËSI PA KOHË” I SHKRIMTARIT ROBERT MARTIKO
Nga
Kostandin Vogli
Për
të shkruar dy fjalë rreth këtij libri, përveç se ta lexoja me kujdes, m’u desh
të shikoja publikimet që bën vetë autori i tij, herë pas here, në Facebook.
Dhe, kryesorja për mua, ishte edhe ta pyesja se çfarë synon me shkrimin e këtij
romani. Publikimet e Robertit në facebook, sipas vetë fjalëve të tij, janë
konkluzione të njerëzve më inteligjencë e të mençur që njohu bota deri më sot.
Është tjetër gjë që ne i lexojmë përciptas, pa u thelluar dhe kryesorja: pa
pyetur kurrë. Ajo pikërisht është kultura që vlen për të marrë e për t’u
transmetuar te fëmijët tanë, brezat që vijnë. Pasi shumë teoricienë e
llafollogë pa baza shfaqen në internet pa kuptuar gjë prej gjëje nga shpirti i
Kohës që jetojmë. Dhe do ta shpjegoj përse.
Gjeta
në publikimet e facebookut të Robertit
fjalët se një vendi si Shqipëria, me probleme aq të mëdha e të jashtëzakonshme,
i duhen dy gjëra. Dy dhe vetëm dy -nënvizon Ai. E para është kthimi i vëmendjes
te figurat me ndershmëri të pa zakontë, burra të vërtetë fisnikë si Pjetër
Meshkalla, Lasgush Poradeci, Zef Pllumi, apo vetë i pathyeshmi në hetuesi Dino
Martiko, babai i Robertit, të cilin rastis ta kem njohur nga afër personalisht.
E dyta është domosdoshmërisht njohja e Filozofisë Perëndimore, që gjatë gjysmë
shekulli diktaturë u mohua. U mësuan gjëra të karakterit fals, materialist, në
kundërshtim tragjik me të parën. Nuk mund të konceptohet kurrë një shoqëri të
shpëtojë nga vetvetja nëse, përveç modeleve me karakter absolut, nuk vendos në
plan të parë edhe MENDIMIN e individëve më gjenialë që njohu bota, duke filluar
nga Platoni e duke vijuar me filozofët më të spikatur të ditëve të sotshme, me
kuotë inteligjence në nivel Ainshtaini.
Pra
pikërisht sa pohoj me fjalët e mësipërme, gjen të konkretizuar te romani
“PËRJETËSI PA KOHË”. Është një roman artistik që lexohet lehtë nëse ekziston
dëshira për të mos e lexuar përciptas, por për të hyrë në dialog shpirtëror me
personazhet kryesorë që tregohen fisnikë deri në vdekje. Përveç historisë
tragjike të komunizmit në Rusi, madje në një nga fazat e tij më të errëta, në
të ashtuquajturat: “GJYQE TË MOSKËS”, të organizuara nga vetë Stalini, gjen në
roman edhe historinë e çiftit Gruzinski dhe Serzhit, birit të tyre. Në histori
të tilla vetëm individët që vlerësojnë MË TË LARTËN HUMANE mund të emocionohen,
jo kushdo. Ky është problemi. Është fenomeni që njerëzit kalojnë dhjetëvjeçarë
të tërë në diktatura të egra dhe, në fund, nuk arrijë të kuptojnë fare se çfarë
ndodhi. Është njësoj sikur kaluan një të diel të bukur në pyll apo duke soditur
ylberin, zogjtë, detin, horizontin, diellin që perëndon në mbrëmje. Është ajo
që shkruan ish kancelaria gjermane Anxhela Merkel se jo të gjithë kuptojnë se
çfarë ndodh nën një diktaturë apo në kushte qeverisjesh jo normale. Dhe
tragjedia e moskuptimit vijon.
Në
këtë kuptim autori hyn direkt në problemet jetike të shoqërisë shqiptare. Sipas
Robertit, piktorët, muzikantët, shkrimtarët më të mëdhenj të botës, duke
filluar nga Dantja, Mikelanxhelo, Da Vinçi, Shekspiri, Gëtja, Hygoi, e duke
përfunduar te çdo shkrimtar i sotshëm modern, nuk mund të konceptohet të kenë
shkruar gjëra, të fantaksura, pa kuptim, të palidhura me vetë Kohën që jetuan.
Dhe jo vetëm kaq! Sipas Robertit, ATA NDIHMUAN TË NDRYSHONTE, TË RILINDËTE
SHOQËRIA, ngaqë gjendeshin gjithnjë brenda DNA-së së KOHËS. Ndërsa, përsëri
sipas Robertit, po të shkruash në Google, në shqip, fjalët RILINDJE
SHPIRTËRORE, nuk rezulton asgjë. Historikisht.
Por
Roberti nuk përfundon me kaq. Ai shkon më tej. Dhe pikërisht këtu konsiston
gjithë qëllimi i tij për të ndriçuar njerëzit e mendimin intelektual. Me sa të
mundë. Përpiqet të gjejë sekretin e jashtëzakonshëm se ndonëse njerëzimi ka
origjinë të përbashkët: nga xhungla e instinkteve kafshërore primitive, disa
shoqëri zhvillohen, rilindin, krijojnë një kulturë të admirueshme me karakter
universal, të denjë për t’u admiruar, ndërsa shoqëritë e tjera mbeten në kaos,
përçarje e luftë të vijueshme civile.
Dhe
nëse këto që shkruaj më sipër nuk kanë vlerë dhe anashkalohen pa problematizim
në vetvete, jemi të denjë për të ardhmen tonë pa rrugëdalje. Do ta gjejmë
gjithnjë përpara si një fosile, konstante të gurtë, të pandryshuar, të kaluarën
mbytëse, me armiqësi e përçarje shekullore, të shumëfishuar nga diktatura,
pasi, përsëri sipas autorit: “Intelektual do të thotë të përpiqesh të zgjidhësh
nyje të pazgjidhura në shpirtin e shoqërisë”.
Para
se sa të ndaheshim nga telefoni iu drejtova Robertit me fjalët se shkrimi i tij
duhet të vlerësohet patjetër nga komisionet që ndajnë çmimet. U befasova deri
në palcë kur më tha se më parë se komisionet të ndajnë çmime, të kuptojnë, ata
vetë, të parët, se çfarë do të thotë fjala e padëgjuar deri më sot në Shqipëri:
NDËRGJEGJE HISTORIKE. Pasi asnjë shoqëri moderne në botë nuk ndryshoi fatin e
saj, nuk rilindi, me trurin dhe materialet marksiste, hibride, të së kaluarës.