| E merkure, 02.02.2022, 06:58 PM |
Në konkursin letrar "FLAKA E JANARIT", Gjilan, 2022, kjo prozë u vlerësua me çmim të tretë
MAKTHI CULLAK
Mehmetali Rexhepi
Prozë
...cullak. Nuk e
dija ku kisha fjetur dhe pse paskam mbetur i zhveshur? Shtrati ishte në
dhimbjet e mia; flija në një shtrat vertikal. Shtegut ishte terr. Gjuhës i
mungonte shkrepja për të ndezur dhe, nuk ndezte në ploti as fijet e kashtës.
Mos vallë e këtillë qenka gjuha e memecit në hapësirën e natës së këtushme?
Nëpër atë hapësirë të pakëndshme, që ma dëbonte bardhësinë nga sytë e mi,
sikurse kishte dëbuar para njëqind e
pesëdhjetë vjetësh mijëra sy e shikime të fundit pa caqe... Ato shikime të
ngrira në trishtimin e tyre, i kishin hapur gropa varresh dheut dhe kujtesës.
Në hartën e kësaj hapësire, kurdo që ktheja vështrimin, errësira më dendësohej.
***
Shikoja, por
shihja të hirtën. Kurdoherë e zeza në të hirtë më përkiste mua! Dita e
ecejakeve të mia niste me një hirësi dhe vijonte me të errëtën.
“Katun”,“Qerimci” ishin veçse shenja, onomastikë memece. Hapësira më piketonte hije figurash të zeza, ri-dalje dinozaurësh e
lugetër gjenesh të vjetra, vijimësisë të rejat... Dikur kishte pasur një nisje,
ngaqë fundin nuk mund ta shihja dhe, që kur ishte e tillë kjo mynxyrë?! E dija
se do të vijojë të jetë asisoj... Me duhmën e
brendshme në zorrë, që u del nga barku, goja e mendja, ende pa u tretur
viktimat... Por, si mbeta i zhveshur, ngaqë nuk kisha kryer asnjë akt mbi një
të cullakuar tjetër? Nuk kishte një shtrat për mua.
***
Bredhërija e
natës nuk më shpinte askund. I thosha dytëshorit
nata e gjumit sjell diçka të pakapshme të ditës... Në mos asgjë të shpalon
inserte mëtimesh për kërkime e prekje... Lakmoja thesarin e pandjeshëm të
gjumit. Një portë e hyrjes në amshim... Nuk më jepej ai thesar i dhimbjes,
ngase doli prej ferrit dhe, shtriheshin tentakula të zeza mbi mua.
- Terri ka veshë!
- më pëshpëriti dytëshori
- Mirëpo, nuk ka
sy! - ia ktheva.
- Ka sendorë,
shpuzore ndijimesh...
- Ku ta gjej tash
veshjen time?
Dytëshori lypte të
imagjinuarën për mbështjellje nën një zhguall enigme; ndaj nuk kishte se si të
ma mbulonte mua cullakun. Vëmendja më kot tëhollonte ndjeshmërinë e aktit të
tillë. Nuk kishte banjë, as lumë, as liqe, as det që të përtrollitej akti i
ndërresave të brendshme. Ecja zbathur
mbi gjethe të zverdhura, të thara zhap, zhap, zhap. Ndonjë asht i mprehtë mund
të më ngulej si mallkim legjitim i
harresës... Mund të trazoja qindra këmbë-zeza të alarmuara. Duhej të ecja
diku... Kah? Ndoshta andej ku fshihej kuptimi i përrallës? Andej kah kishin
fluturuar dragonjtë shumëkëmbësh me thonj e kanxha të gjata; atje ku ishin
shkërmoqur nëpër flakë, përderisa fosilet ua kishte përpirë hiri, dheu, rëra,
shirat, kripërat e pëlcitura...
***
Dyshoja në njëshin
tim. Ndryshe e shihte natën dytëshori, ai fshihej në një zhguall frike...
Mëtoja të mos hyja nën atë zhguall dhe, ai secilën herë ma ofronte. Ashtu i
përçudnuar, i cullakuar, krenaria ndjehej e cenuar, nuk kishte ku të fshihej.
Sipërfaqësisht do t`iu dukesha shpellor, ose i sapo dalë nga shpellat e pazbuluara të asaj hapësire të
errët. Kush m`i kishte hequr brekët e intimes: duart e mia të mbetura diku ose
krahët e dikujt me duar të mia?! Me rrobat e natës nuk më dyshohej raca.
- E si: a nuk
ishin edhe këta grabitqarë të kulturuar, kategori e majmunëve të zhveshur,
vetëm që u mbuluan prej leshi?
- Prej shpellave
dolën, stolitë tona morën dhe mbuluan bythët e palara.
- Ah! - lëshoi një
ofshamë dytëshori i strukur.
Çfarë deshi ai?
Zbrazi një barrë shpirti që nuk shpihej më tej...
Në mozaikun e
mendjes më vezullonte edhe ndonjë copë hamendje: pse të neveriteshin prej figurës cullake, kur edhe
ata kishin të njëjtat gjymtyrë mashkullore? Pyetja ishte e marrë, ngaqë prishte
rendin publik. Lajthitja publike e shporrte lajthitjen intime. Tashti më
kaplonin trazira për turbullimin e mendjes së shëndoshë!
- Në cilën shkallë
të lajthitjes qenkam ngjitur?!
- A mund të bie e
të mos ngrihem? - lypja tumiren e dytëshorit, i cili më shkëputej dhe kthehej
për t`mi zbutur amplitudat e tensionit.
Përderisa vesa e
agmisë më mbuloi me tisin e saj të reumës, dita do të më ekspozojë, si një
figurë e gjallë e një galerie shëtitëse, me duar herë fytyrë mbuluar, herë
poshtë lëshuar mbi herdhe. Mbase cullakoja le përshtypjen e një karikature.
Asgjë mangët nga ata, pos që karikaturat
e veta ua zbulonin grave të tyre. Në sytë e secilit isha i çmenduri me
turpin e humbur. Në sytë e secilës tinëzisht shquhej ai sendi, formati i
pallës. Një përfytyrim lëng-ndjellës për të çarën e butë dhe vrushkuj jonesh.
Isha një arkaik ose modern i pacipë, i shkalluar, i degraduar, ironizues,
protestues, i marri që duhej pështyrë e sharë, i sëmuri mental, që kishte ikur
nga shtëpia përkatëse... Madje, dikush aktin tim të cullakuar mund ta shihte si
një parodi, si shtytje e skajshme, zvetënim e rebelim për kthimin e sojit të
njeriut në zanafillë! Ndodhja ime e tillë në skajin e trishtimit, hapat mbi gjenet e humbura të parakëve të mi në
këtë anames fshatarak, do të shihen si provokim, si ndotje e sedrës femërore.
Gjithnjë një folklor i heshtur do të zgjohej me sfurqe druri e metali, të
ndiqej, t`iu hiqej sysh i huaji faqezi, shurdh-memeci, i mallkuari poshtërues!
Pothuajse të gjitha shikimet kalimtarëve u vareshin
pikësëpari në pallën time, që epohej në të majtë e të djathtë prej ritmit të
shpejtuar të ecjes dhe vrapit. Ndoshta ndonjëra e ndjente thellësisht ethshëm
përmes joneve tundimin e vagjinës, mund t`i ndodhte tjetrës
rrjedhja e tëmblit lugut të
shalëve? Ndoshta akëcilës i zgjohej vrullshëm vlimi, që i gufonte tëmblin pas
vlimit; pastaj i ftohej dhe bëhej kokrra të piksura, si droçka djathi a kosi...
Sekush shtyhej t`i rikthehej pasqyrës së gjatë, ta lypte estetikën e
dëshirueshme, të krahasueshme me shfaqjen e gjymtyrëve të mia? Kushedi?
Mushkëritë nuk e përballojnë dot marrjen dhe nxjerrjen e frymës... E ndjeja
fillim-djegien e mushkërive.
***
Gjithë atë ecje,
nuk di si i mbanin këmbët gjymtyrët tjera? Trualli ku shkelja nuk ishte i
sheshtë dhe, ligat më rridhnin nga një
kundërmim i fërgimit. Isha gati të rrëzohesha. Nuk duhej të rrëzohesha, sepse
do të më nguleshin pamëshirshëm sfurqet metalike të zhytur në plehra. Hera
herës pallës i vinte vegjetacioni i kokë-ngritjes, gjersa sfondi hapej paskajë
dhe caku nuk shihej askund... Si mos të ketë një sfond ku të më mbështetej
shpina? Përfytyrimet e dytëshorit për gjetje të shtegut për shmangie, më
shpinin në sfondin e afërm të dhjeta figurave të xhindosura me maje sfurqesh
drejt meje! Më kot i dëboja ato pamje, të cilat më sollën vezullimat
fragmentare të sfurqeve, aty ku kishin rënë bajgat! Oh...! Vullnet i qindra
fish!... Prisja trishtimin e parë të çarjes së barkut, të gjoksit, të vitheve
dhe, më vetëtoi syve një majë sfurku!... Nuk e merrja me mend nguljen në sy!
Pas secilit dëbim të dytëshorit me parandjenja të gjalla, aq sa fijet e flokut
në kokë, sërishmi më kthehej me të tilla të dyfishuara... E kërkoja një
dytëshor tjetërsoj, që nuk do të ma ndillte kapitullimin në luftën enigmatike
të pabarabartë. Nuk më bindej dytëshori. Vinte dhe sillte atmosferën e nguljes
së majave të sfurqeve në cullakun e gatitur. Nuk kisha forcën e kundërvënies
atmosferës së tij. Vetëm palla ime prirej drejt forcimit për qefin e vet të
imagjinuar! As dytëshori, as unë nuk e shpjegonim vetëmohimin e pallës në
galopin e rrëshqitshëm të ndjekjes. Vetëm sa nuk i shkëmbeja gulçimet e
frymëmarrjes me ndjekësit!... Ishte një vetëpohim i egër dhe tej arsyes,
paradoksal dhe fyes i pallës luhatëse andej-këndej... Palla e ngritur ishte një
motivues cinik i urrejtjes për të mos u ndalur moria e ndjekësve, për të mos
pasur as një fije mëshire, nëse do të më kapnin duart e tyre vrastare... Nga i
vinte ai motiv misterioz kësaj palle kobtare?! Ndoshta ishte relikte e një
gjeni të mbetur nga periudha e egërsisë së poligamive? Kush e ushqente atë
motivim të pandalshëm, buzë shkuarjeve të tejpërtejme të metalit të mprehtë në
mishin e gjallë të njeriut?! Aah, uuhh,
oooh, oohhaa!... Përnjëherë, që të mos kapesha, më përpiu humnera e ëndrrës!
Mbeta në këmbë. I
zbehtë dhe pa gjak, por nën vrujime djersësh të ftohta.
***
Mëdyshja sa vinte
e më zgjerohej... Ndoshta isha përjashtim i racës, porse rastësisht jam ky që
jam. Përpëlitesha mes akullit dhe zjarrit... Akulli i urrejtjes ishte vendor.
Zjarrin e fshehur të këtij lloji epshi dozash të forta, ma kishte kurdisur
Perëndesha Moderne e Dashurisë. Ajo në
menynë ciklike fuste substancën e flakës dhe e shuante kur i duhej asaj.
Fajtori ishte përtej meje.
- Përmbajtja e
ndodhjes të së keqes është jashtë shpirtrave engjëllorë... - duke vijuar
dytëshori shtoi:
- Që do të ndodh,
si do të ndodh, parandjenja jote nuk është një formulë e gjetjes të saktësisë
së ndodhjes.
- E ndodhura nuk
vjen kur dhe kah e parandieje ti... Ajo
mund të mos jetë trishtuese, mund të jetë shpirt-butë, ngase del nga
shpirtra të ngjashëm me tanët, të vdekshëm si ne...
Dytëshori ma
kishte kapur dorën dhe donte të më çonte te një oazë idilesh... Kjo urtësi
ishte njëri nga fragmentet e idhujtarisë tij. Ishte pos një vegim tutje qarkut
të mbyllur të fatit. Shpirtrat e sogjetarëve në këtë hapësirë të parakëve të
mi, të këtij relievi kodrinor me lugina, fusha, lisnaja, ara, livadhe e vreshta
hardhish, ishin mbushur me përshpirteni, me bekime të popëve, se prej Zotit të
tyre, kudo që ishte derdhur gjak, gjaku
u shenjtërohej!
***
Mëtoja ta gjeja
fillin e ndodhjes time...
Ai fill nuk lidhej
me prejardhjen e universit, as zgjidhej prej zgjerimit të gjithësisë. Veshët
mëtonin t`i kapnin klithmat e një foshnje prej qeshjes së çastit; prej të
vetmes qeshje pas nguljes në bajonetë, pastaj çurg i kuq mbi borë! Lëngata e
dëshpërimit është bari i përhershëm, që
mbinë e rritet pa riga të shiut... Frymëmarrjet e lagështa e ushqejnë gufimin
prej shtresimit të nëndheshëm dhe, del në pah tharja e unit nga zbrazësia e
vegjetimit. Lotët e vesës dhe ndonjë rigë mëkëmbin ferrat e gomarit, lule-gjembat, të cilat harlisen
dhe shpojnë shikimet e buta të syve. Përherë e më qartë e shihja sfondin e zi
të monodramës: thikën në qafën e qengjit, djaloshit pranveror në dorën e zezë
të një Golluboviq-it! Thika e ”bekuar” e popëve leshra thinjur e mjekrash zdrale!
Thika, popët
mjekër thinjur e lesh zdrale, koka e prerë e pranverës së djaloshit, shkeljet e
mia mbi truall klithjesh, fëmijësh të ngrirë, dënesje grash, skelete... Nëma të
tej-zgjatura të mbira prej rrënjësh të nëndheshme. Mandej thika, kisha e lutjeve
për prerje, popi mjekër-thinjur lesh-zdrale... Pastaj torzo, koka, koka, koka,
vetëm koka pa gjymtyrë, llahtar!...
SHIFRA: INTUITA