| E marte, 01.02.2022, 08:33 PM |
VRASJA E HAJDARAJT ISHTE INTERES I KRERËVE TË SHP TË UÇK
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Vrasja
e Smajl Hajdaraj, veprimtar i çështjes kombëtare; të kryetarit të LDK-së, për
Rugovën; të shefit të operativës të Brigadës 136 "Rugova"; të
komandantit të UÇK-së për trevën e Rugovës; të deputetit të Parlamentit të Kosovës, ishte interes i drejtëpërdrejtë
i krerëve të SHP të UÇK-së të LPK-së, për ta marrë pushtetin me dhunë, duke i
likuiduar, përgjakshëm, kundërshtarët politikë.
Smajl
Hajdaraj, si intelektual i kompletuar, si luftëtar dhe si veprimtar e luftëtar
i dëshmuar, ishte e pritshme, që, në një të ardhme të afërt, të konkuronte dhe
të fitonte besimin e qytetarëve, për ta drejtuar komunën e Pejës. Për ta
shmangur konkurrencën, njëherësh, disfatën e sigurtë të
"komandantëve", SHP të UÇK-së të LPK-së, zgjodhi likuidimin fizik të
Smajl Hajdaraj, si masë preventive, ende pa u provuar me votë, të bindur se
ishte i patejkalueshëm në fitore.
Krerët
e LPK-së, tashmë, të konvertuar në PDK-e, përkatësisht, në PAN, vrasjet
politike, të kryekomunarëve të pritshëm, e kishin filluar qysh përgjatë luftës.
Njëjtë kishin vepruar me Idriz Rrecaj, kryetar i LDK-së, në Skënderaj, gjatë
luftës, si kandidat potencial, për të parë të komunës, duke e shpallur, kinse,
të zhdukur nga pushtuesit; me komandant "Drinin", alias Ekrem Rexhën;
Shaban Manaj, nga Istogu, për të njëjtat motive.
Dhe,
për të vazhduar me logjikën kriminale vrastare, me kryetarët e suksesshëm në
detyrë, Ismet Rracin e Klinës, Ukë Bytyçin e Suharekës dhe shumë qindra kuadro
e veprimtarë të LDK-së; ushtarakët luftëbërës të FARK-ut, si dhe brenda llojit
ideologjik, kuadrot dhe veprimtarët e hershëm të LPK-së, konkurrentë
potencialë, për pozita drejtuese në parti dhe pushtet.
Synimet
vrastare për marrjen e pushtetit me dhunë e përgjakje, të krerëve të LPK-së,
njëherësh, edhe krerë të "UÇK-së", të LPK-së, përkatësisht, të PAN-it
të sotëm, Smajl Hajdaraj i ka denoncuar qysh gjatë luftës, si paralajmërim për
planifikimin e vrasjeve të kundërshtarëve politikë, me gjyqe fiktive,
"partizançe", në stilin e kriminelit Enver Hoxha, i cili luftën
çlirimitare, e konvertoi në luftë civile, ndër-shqiptare. Andaj, Shqipëria nuk
gëzoi dëmshpërblim, reparacionet e luftës, siç përfituan vendet tjera të kyçura
në luftë kundër fashizmit.
"Në
jemi të vendosur për krijimin e shtetit, me sa po duket dikujt kjo po i pengon
dhe dëshiron të marrin pushtetin me dhunë, frikësime, kërcënime dhe shpërndarje
të afisheve, për të arrestuar veprimtarë të pushkës dhe të penës, çka është më
e keqja për t´i vrarë, likuiduar, linçuar sipas metodave Envero-Staliniste",
- kishte deklaruar publikisht Smajl Hajdaraj, gjatë luftës.
Krimi në pushtet, nuk
zbulon kriminelët
Pyetja-dilemë,
tashmë, e bërë virale në Kosovë dhe përtej saj, kudo që frymojnë shqiptarët,
është përse vrasësit e Smajl Hajdaraj dhe intelektualëve të tjerë të LDK-së,
nuk u zbuluan asnjëherë nga drejtësia në Kosovë?! Përgjigje më adekuate do të
ishte se askush nuk i bënë gjyqin vetës. Në Kosovë, gjatë dhe pas luftës
"lulëzoi" krimi shpengueshëm.
Protagonistët
e krimit i ka lakuriqësua prokurori amerikan, Jack Smith, me ekipin e tij.
Përgjatë hetimeve disa vjeçare, ai ka konstatuar se krimet janë numerike,
përveç atyre të soldateskës serbo-sllave, edhe krimet kundër shqiptarëve të
pafajshëm, kryesisht, likuidime politike. Për këtë akuzon disa
"komandantë", që thirrën në emër të UÇK-së! Dhe, ata i emërton,
saktësisht, si - Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale -. Padyshim, kjo është një
gjetje adekuate. Sepse krimet janë bërë nga bandat e krijuara nga
"komandantët", për interesat e tyre, në Dukagjin, Drenicë, Llap e
Gollak, Anamoravë e Karadak. Anashkalimi i kësaj emërtese akuzuese, do të ishte
rivrasje e shumë qindra viktimave politike.
Për
vrasjen e komandantit dhe deputetit Smajl Hajdaraj, ka dëshmi dhe pista
relevante hetimi:
1.
Ndalja e veturës të Hajdaraj, nga një komandant, me bandën
"ushtarake" të tij dhe kërcënimi "ose hiq dorë nga LDK-ja, ose
të pret revolja kokës!"
2.
Një komandant kishte marrë urdhër nga SHP, për ta vrarë Smajl Hajdaraj, por,
ishte penduar dhe vetëdenoncuar, se "nuk e bëj këtë krim!"
3.
Një raport-letër e Hajdarajt, flet për
luftën e UÇK-së dhe grupin që e pengonte organizimin ushtarak në Rugovë.
4.
Arma e shprazur, në hollin e banesës përdhese, alarmoi familjen. E para hap
derën vajza e Smajlit dhe duke e parë të shtrirë dhe të përgjakur babanë,
shpërthenë në vajë e thirrje. - "Pse po bërtet? Nuk asht ba nami pse asht
vra baba", - i thotë polici, gjakftohtë, vajzës, i cili kishte shoqëruar
atentatorin. Edhepse polici, në detyrë, është identifikuar, askush nuk ka
provuar ta hetojë atë, pse u ndodh aty, pikërisht, në atë çast të kobshëm?!
Disa
komandantë kriminelë, duke qenë në krye të partive politike, u katapultuan në
shtet e pushtet. Me bandat e tyre, të krijuara gjatë luftës, të instruktuara
nga sigurimsat e Enver Hoxhës, shërbenin si logjistikë të shantazheve,
kërcënimve, rrahjeve, kidnapimeve, vjeljen e haraçit të përgjakshëm dhe deri në
vrasjet në pusira, ditën për diell dhe natën në errësirë. UNMIK-u bënte sehir.
Arrestonte kriminelët faktueshëm dhe i lironte ata korruptueshëm!
Nisma
e Qeverisë Kurti, për bërjen e Vettingut, ka hasur në rezistencën e organizuar
të Prokurorit të Shtetit, të Këshillit prokurorial dhe Këshillit gjyqësor.
Sepse i gjithë sistemi i drejtësisë është kapur nga "komandantët"
kriminelë e hajna zyrtarë, të ndihmuar fort nga SHIK-u i tyre, që thirrën në
luftën, por, realisht, nuk kanë qenë pjesë e luftës. Spastrimi i drejtësisë,
nga elementët e shantazhar dhe korruptivë, është domosdo për çkapjen, jo vetëm
të drejtësisë, por edhe të shtetit në përgjithësi.
Haga dikur, Eulex më
vonë, zhgënjyes në drejtësi!
Fillimisht,
Gjykata e Hagës ishte shpresa e parë, për hetimin dhe zbulimin e vrasjeve
politike. Arrestimet ishin të studjuara, mjaftueshëm të faktuara, sepse krimet
kishin ndodhur, shumë syrësh, pothajse, mund të cilësohen si "një e
fshehtë publike". Megjithatë, denimet ose ishin simbolike, ose liroheshin
"për mungesë provash!" Ndërkohë, varret, shtatoret, bustët e të
vrarëve të kundërshtarëve politikë ishin, dhe janë, kudo nëpër Kosovë!
UNMIK-u
reduktoi stafin burokratik, duke u zëvendësua nga EULEX-in, i cili zbarkoi me
premtime të mëdha se "do të vendosë rend e ligj". Por, nuk bëri
asgjë, sepse as nuk hetoi, as nuk zbuloi dhe aq më pak të luftojë e ndëshkojë
krimin dhe kriminelët! Ky ishte zhgënjimi i madh i radhës.
Vërtet,
LPK-ja e djeshme, përkatësisht, PAN-i i sotëm, i ka pranuar krimet vrastare, të
paktën, të kuadrove dhe të veprimtarëve të LDK-së, kur në organin kryesor të
partisë, ka shkruar: "Ata që po i vret UÇK-ja, po i vajton LDK-ja".
Një fakt tjetër i pranimit të fajësisë, është porosia e Hashimit, të dhënë
kolegëve të tij vrastarë, ende duke qenë në liri: "Mbrohuni në heshtje, në
hetuesi dhe në gjyq!"
Krijimi
i Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, u prit me aprovim, nga
shqiptarët e kudondodhur. Të gjitha sondazhet kapin shifrën e tej 85 %, e të
anketuarëve, të cilët kërkojnë drejtësi për krimet makabre, gjatë dhe pas
luftës. Kjo është një shpresë e dytë, e radhës, se, më në fund, do të këtë
drejtësi edhe për ekzekutimet politike, të ushtarakëve të FARK-ut, kuadrove dhe
të veprimtarëve të LDK-së, si dhe kuadrove të hershëm të LPK-së.
Natyrshëm,
nga Gjykata Speciale pritet, më në fund, të hetojë, zbulojë dhe të ndëshkojë
krimet politike. Por, ajo që e vënë në dyshim këtë Gjykatë, është kufizimi në
kohë i hetimit të krimeve! Duke pasur parasysh se - Ndëmarrja e Përbashkët
Kriminale -, identifikohet me vrasjet e listuara dhe të ekzekutuara, deri në
fund-vitin 2000, pse të mos shtrihet në kohë, edhe dy dekada më vonë, që kanë
vazhduar vrasjet politike, të paktën, deri në shkurtin 2020, kur vritet dhe
shkrumbohet në veturën e tij, dëshmitari potencial i Gjykatës Speciale, nga
radhët e LPK-së, në një fshat të Pejës. Ky kufizim, për të cilin kanë punuar
dhe paguar shumë "komandantët" e inkriminuar, duhet të hetojë deri në
fund, krimet numerike. Përndryshe, dështimi i kësaj Gjykate do të ishte
parathënë.
LVV
ka premtuar, bujshëm, se pushteti i saj do ta këtë parësi luftimin e krimit të
organizuar dhe të korrupsionit, pra, hajninë zyrtare. Por, kryeministri Kurti e
huqi premtimin! I pyetur për të izoluarit në Hagë, Kurti tha se "unë do
t`i kisha dënuar për korrupsion", duke mos përmendur krimet vrastare. Kjo u
lexua si amnistim i krimit të organizuar! Dhe, kjo është zhgënjyese për
shqiptarët, që presin drejtësi.