| E hene, 31.01.2022, 09:55 PM |
Historia tregon se çfarë është një komb, si e ka nxjerrë në dritën e kohëve identitetin e tij, dhe a e ka ruajtur ai komb apo popull nderin, lirinë dhe të vërtetën e tij. Dhe, siç do të thoshte Schiller: “Kombi është i pavlerë, nëse nuk e jep gjithçka për nderin e tij!”. Por një gjë e tillë nuk mund t’i japë vetes nder më të madh sesa kur i mban dhe i respekton bijtë e bijat më fisnikë të gjakut dhe shpirtit iliro-arbëror, të cilët qëndrojnë përgjithmonë aty si dekor e stoli i atdheut para botës, si një këshillë sublime. Këta janë shembulli i madh dhe i përsosur i brezave të kombit.
Për
të gjitha këto vlera të pashembullta të kombit tim, edhe në këtë libër i kam
kushtuar vëmendje e rëndësi figurës së pavdekshme të mbretit tonë arbëror
Gjergj Kastrioti, i cili e ka vulosur identitetin tonë si një komb europian, me
bëmat e tij na ka lënë themelet e shtetit, si dhe na ka dhënë flamurin si
simbol të fitores, sakrificës e lirisë.
Edhe
në këtë libër studimor, unë e shikoj dhe e analizoj botën e brendshme të Gjergj
Kastriotit në shumë dimensione, përqendruar më së shumti te vepra e tij e
paçmuar ndaj atdheut, si dhe jetën dhe vizionin e strategjisë së tij. Këtu
qëndron thellësia e hyrjes në botën e këtij personaliteti mbikohor dhe të
papërsëritshëm të historisë së kombit tonë. Me shekuj është folur, rrëfyer e
janë shkruar vepra të tëra për këtë figurë emblemë të kombit shqiptar, duke e
trajtuar atë në tërësi nga këndvështrime të ndryshme. Ka ndodhur që gjatë
trajtimit të kësaj figure monumentale nuk i është hyrë në thellësi epokës kur
ai jetoi, aq më tepër botës së tij të brendshme, si një shembulli i pavdekshëm
i një udhëheqësi, mbreti, komandanti, diplomati, heroi, strategu e, mbi të
gjitha i të qenit njeri, në kuptimin e plotë të fjalës.
Ndërsa
figura të fuqishme të nderit të kombit tonë, si Marin Barleti, Pal Engjëlli,
Frang Bardhi, e më pas edhe rilindës si Naim Frashëri e shumë të tjerë deri në
ditët e sotme, i kanë analizuar në detaje epokën dhe bëmat e tij, botën e
brendshme morale, jetën dhe veprën, e mbi të gjitha vizionin e strategjisë së
tij. Për të gjithë këta studiues legjendarë, Gjergj Kastrioti ishte mishërim i
të mirës morale, asaj kombëtare të shtetit të Arbërit, por edhe si një shembull
i edukimit të brezave në frymën e lirisë dhe të atdhedashurisë.
Një
pjesë tjetër e këtij botimi iu është kushtuar shqiptarëve, si pasardhës të
pellazgo-ilirëve, bazuar në dokumente historike edhe të autorëve europianë që
janë marrë me historinë e prejardhjes së shqiptarëve dhe gjuhës së tyre.
Gjithashtu, në fund të librit mund të gjenden edhe dokumente mbështetëse të
nxjerra nga bibliotekat dhe arkivat e ndryshme e që shërbejnë për ta përforcuar
më shumë gjithçka që është trajtuar në këtë libër. Nuk është lënë pa përmendur
edhe Kongresi i Berlinit, por edhe ato të Konferencës së Londrës dhe Parisit.
Nuk mund të lë pa nënvizuar gjithashtu edhe kontributin e Austro-Hungarisë dhe
Italisë në formimin e shtetit shqiptar, si dhe mbrojtjen e Shqipërisë prej tyre
në qarqet ndërkombëtare, aty ku rrezikohej integriteti territorial i shtetit
shqiptar. Në vazhdim trajtohet rrugëtimi i kombit, pasojat e ndarjes apo të
copëtimit të trojeve të vendit, haxhiqamilizmi, ballabanizmi dhe fati i kombit
tonë. Njëherësh përmendet edhe udha e dritës së kombit tonë, rruga që ai duhet
të ndjekë, si një komb i lashtë me Gjergj Kastriotin në ballë. Ndaj, kurdoherë
që të rikthehet në familjen europiane, ky komb do ta zinte vendin e vet të
merituar e që i takon me shumë të drejtë.
Libri
botohet në kuadër të SHB “Lena Grafik” ,Prishtinë. Autori falënderon shtëpinë
botuese Lena Grafik për punën e mirë në realizimin e këtij
botimi.Poashtu,autori falënderon edhe sponzorin: z.Krist Kqira - mërgimtar e
patriot i devotshëm.Pronar i firmës: Robert Bedachungen GmbH Villmergen,
Schweiz(Zvicër),i cili e mbështeti botimin e këtij libri.
Libri
i ri nga e Hëna (javën tjetër) mund të gjendet në:
Libraria Artini-Toena -
Prishtinë
Libraria Dukagjini -
Prishtinë