| E diele, 30.01.2022, 05:15 PM |
Besimi i qytetarëve fitohet me atdhedashuri e jo me dhunë!
Shkruan:
Florim Zeqa
Protesta
është e drejtë themelore e qytetarëve në një sistem demokratik, e drejtë e
shprehjes së pakënaqësisë qytetare ndaj vendimeve (të padrejta) qeveritare apo
ngritjes së çmimeve që e rëndojnë jetën e qytetarëve. Për të arritur efektin
një protestë, duhet të jetë me qëllime të pastra dhe pa ndikime partiake.
Mirëpo në Kosovën e pasluftës, në vend që programet politike dhe vizionet
pragmatike të liderëve partiak të jenë inspirim i qytetarëve për ndryshime
politike, protestat janë bërë mjet i ardhjes në pushtet të partive politike pa
ide dhe pa vizion të çartë shtetërorë dhe kombëtarë.
Politizimi i një
proteste legjitime qytetare
Pra,
protestat partiake nuk kanë qëllim interesin dhe as mirëqenjen e qytetarëve,
por arritjen e qëllimit politik për ardhje në pushtet. Duke u thirrur në emër
të interesit të qytetarëve, në emër të mashtrimit dhe manipulimit të
pushtetarëve, vijnë përseri në pushtet mashtruesit dhe manipulantët politikë,
të cilët nuk e kanë gjetur vetën në partitë e tjera dhe për këtë, si mundësi të
mirë i shohin pakënaqësitë e qytetarëve për të ardhur në shprehje me idetë e
tyre kontraverse, aspak bindëse dhe reale për përmirësimin e jetës së
qytetarëve!
Si
gjithnjë partitë jashtëparlamentare e shfrytëzojnë paaftësinë e partive
opozitare në Kuvend për t’iu kundërvënë partisë apo partive në pushtet dhe e
kundërta, partitë opozitare në Kuvend i suportojnë vegëzat e tyre jashtë
parlamentit për të provokuar trazira dhe dhunë kundër pushtetarëve, për të
ardhur më lehtë tek qëllimi politik i mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme!
Një
gjë e tillë u shpërfaq edhe në protestën e fundit të organizuar nga PSD-ja e
margjinalizuar në skenën politike kosovare. Shtrenjëtime të rrymës kemi pasur
edhe në të kaluarën dhe do të ketë edhe në të ardhmen. Por, shtrenjëtimet e
rrymës kësaj radhe janë të ndikuara nga faktorët e jashtëm (global) dhe të
brendshëm si produkt i keqmenaxhimit të aseteve energjetike të vendit.
Jo
për ta arsyetuar qeverinë për shtrenjtimin e rrymës, pasi më së paku i shkon
për shtati asaj ngritja e çmimit dhe protestat e qytetarëve. Mirëpo
përgjegjësinë që mbanë qeveria për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike
qëndron në faktin pse nuk është në gjendje të implementojë vendimet e saj në
mënyrë lineare për të gjithë dhe në tërë territorin e vendit.
Ngritja
e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët lojal të shtetit të Kosovës dhe
lirimi në të njëjtën kohë nga pagesa e rrymës për antishtetërorët, siq e
parapelqejë t’i quaj serbët e Veriut (të amnistuar nga pagesa e rrymës nga të
gjitha qeveritë paraprake), është pak më tepër se përgjegjësi shtetërore, është
paaftësi e inkasimit të rrymës së prodhuar me mund të madh dhe blerë nga
taksapaguesit shqiptar dhe jo serb të Republikës së Kosovës.
Kjo
është ajo pjesa me të cilën nuk jam pajtuar me asnjë qeveri paraprake dhe as me
këtë të fundit, e cila kishte premtuar unifikim të sistemit energjetik dhe
shtrirje të sovranitetit edhe në Veri të vendit!
Ana e errët e protestës
Sikurse
në çdo protestë tjetër, edhe në protestën e djeshme u shpërfaqën anët negative
të përdorimit të dhunës ndaj ruajtëvse të rendit dhe qetësisë publike, në këtë
rast ndaj Policisë së Kosovës dhe përdorimi i gjuhës fyese dhe armiqësore ndaj
drejtuesve shetërorë dhe shtetit të Kosovës në veçanti.
Si
gjithnjë protestat paqësore dhe demokratike janë një mundësi e mirë e agjenturave
të jashtme për të infiltruar elemente destruktive për t’i dhënë kahje tjetër
protestës siq ndodhi në protestën e djeshme, ku së paku një qytetarë i Kosovës
e kërkoj kthimin e Serbisë në Kosovë “vetëm Serbia e qet në terezi këtë vend”!
Kjo
është dëshmia më e mirë se agjenturat e jashtme dhe shteti Serb në veçanti
është i gatshëm të investoj miliona dhe miliarda për destabilizimin e situatës
në Kosovë për realizimin e aspiratave të saj hegjemoniste ndaj Kosovës. Një
situatë e tillë i jepë dimension tjetër protestës, e cila nuk ka të bëjë fare
me rrymën dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve.
Për
këtë anë të errët të protestës, përgjegjësia bie drejtëpërdrejtë mbi
organizatorin, i cili përveq distancimit, do duhej përjashtuar menjëherë nga
protesta personat të cilët kërkonin kthimin e Serbisë në Kosovë! Por, në vend
që të ndodhë kjo, goditet dhe sulmohet fizikisht polici i shtetit nga
organizatori i protestës!
Pjesëmarrja
dhe vënja në ballë të protestave e figurave të dështuara politike, e matrapazëve
dhe mercenarëve politikë i ka dhënë shije të keqe protestës dhe i ka vënë në
lajthitje qytetarët e ndershëm të këtij vendi.
Protesta
e djeshme e PSD-së është dëshmia më e mirë për nevojen e një Alternative të Re
politike, e cila do ta bëjë shkëputjen përfundimtare nga klasa aktuale politike
në pushtet dhe opozitë. Politika në Kosovë nuk guxon edhe më tutje të udhëheqet
nga mercenarë dhe misionar të shkatërrimit të shtetit, por duhet të udhëheqet
nga intelektualë të urtë dhe atdhetarë që e fitojnë besimin e qytetarëve me
programe të çarta dhe ide të shëndosha politike. Pra, besimi i qytetarëve
fitohet me atdhedashuri e jo me protesta dhe veprime të dhunshme e vandaliste.
___________