| E marte, 25.01.2022, 08:30 PM |
Libri “Kurth, mashtrim apo vetëmashtrim”, i autores
Vilhelme
Vrana Haxhiraj
Ditët e fundit të
vitit 2021, Sh.B.Europrint, nxori nga botimi librin, “Kurth, mashtrim apo
vetëmashtrim”
Autorja vlonjate,
pas disa studimeve të njëpasnjëshme, paraqitet para lexuesit me një vëllim me
prozë të shkurtër, me rreth 30 tituj ku
përfshihen shtatëmbëdhjetë novela, pesë
tregime dhe dy triptik. Tematika i përket realitetit aktual, ndodhi të marra
nga përditësia e jetës shqiptare.
Lexuesi aty do të
ndesh ato dukuri që shqetësojnë komunitetin,
si falja e gjakut, kur shqiptari vë mbi gjithçka interesin e kombit mbi
atë vetjak. Aty do të lexoni plagën e pashërueshme për çdo komb, emigracionin ose dhunimin dhe gjenocidin e ndjekur ndaj
shqiptarëve, luftën brenda llojit të një race e një gjaku, persekucionin. Aty
shprehet ndjenja e nënës për jetën e fëmijëve që sakrifikon simbolet e
dashurisë së saj të nëpërkëmbur nga lufta e klasave. Në këtë libër
reflektton dashuria njerëzore, si dhe
dashuria e pavdekshme, përballë së cilës qëndron pabesia dhe tradhtia e gruas
që i falet kënaqësisë së rastit, gjë që është e pafalshme për një zonjë në
dukje, veçanërisht një nënë në moshë të mesme.
I nderuar lexues! Parathënia e librit “Kurth, mashtrim e
vetmashtrim” është punuar nga Prof.Dr. Fatmir Terziu, “Mjeshtër i Madh” një nga
Elitat e Kombit, është një nga tre kritikët e shquar bashkëkohor, të
përzgjedhur nga Oksfordi. të cilit i shpreh mirënjohjen time!
Nderim dhe mirënjohje
Për realizimin e
botimit të këtij libri me tregime dhe novela, shpreh mirënjohjen time për
bashkëpunëtorët e mi të palodhur që kanë dhënë kontributin e tyre të vyer!
Nderim për redaktoren Lejla Gorishti, korektoren Blerina Ndreu,
Sh.B.“Nacional”, shtypshkronjën “Europrint”, dizenjatorin Jorgo Saqellari,
menaxherin e reklamuesin më të mirë të krijimtarisë sime, bashkëshortin tim që
nuk resht kurrë, si dhe mediat. Një falënderim të veçantë kam për gazetën
“Nacional” dhe “Fjala e Lirë”, Londër!
Me këtë rast
përmes një fotoje të vitit 2002, unë dhe bashkëshorti im, Fitim Haxhiraj,
kujtojmë me nderim të veçantë dy shkrimtarë të shquar vlonjat, birin e bregut
të praruar të Himarës autoktone, vunjotasin Prof.Odhise Grillo. Ai ishte mik jo
vetëmi fëmijëve, por dhe i të gjithë krijuesëve të rinj, i cili më zgjati dorën
në rrugën e letrave shqipe.
Nderim dhe
Mirënjohje për poetin dhe shkrimtarin Fatos Arapi!
Përshëndes me
respekt shokun tim të shkollës
Pedagogjike”Jani Minga”, poetin brilant, studiuesin dhe akademikun Xhevahir
Spahiu!
Panairi i librit Vlora-2002 Fitim Haxhiraj, Odhise Grillo, Vilhelme Vrana,
Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu e një zonjë...
Citate nga libri “Kurth,mashtrim apo
vetëmashtrim”
“...tashmë jam “i lirë . U
ktheva aty ku linda...Po ç' gjeta vallë?
U gjenda i huaj në truallin e të parëve të mi. Gjeta një portë të kyçur, pas së
cilës qava për herë të parë. Aty belbëzova rrokjen e parë “ma”, “ba”dhe fjalën e parë “nënë” dhe
“babë”. Aty ndjeva dhembjen gazmore, kur u rrëzova, ndërsa hidhja hapin e
parë... Aty mësova se si të ringrihem për të mësuar se si duhet ecur në
jetë...Dhe pas asaj porte, tashmë të huaj, gjej një pronë të
tjetërsuar...Kërkoj një familje të shkatërruar e të gjymtuar prej mohimit.
Mundohem të ritakohem me një rini të
humbur...Syri i etur prej mallit, do të kërkojë të dashurën e drobitur prej
zhgënjimit...Do mundohem t'i mbledh copëzat e jetës, por ende nuk di se ku dhe
cili do të jetë fundi?! Me çka po përballem, më bëjnë të besoj se, drejtësia
dhe e vërteta, dy cilësi të virtytit, në këtë botë mizore, nuk i përkasin të
virtytshmit, jo.”
“...Veç bukurisë fizike, ajo po
shpalos edhe një tjetër bukuri, atë shpirtërore. Duke e dëgjuar atë si në
ëndërr, ndjej fëshfërimën e gjetheve të pyllit, regëtimën e stalaktit në shpellë,
ligjërimën e ujëvarës që zbret nga mali, rrapëllimën zhurmëmadhe të dallgës
detare që zemërimin e shfreh mbi shkëmb. Gjithsesi bregu dhe vala janë
përjetësisht të dashuruar.”
“ ...Libri është një thesar i
pazëvëndësueshëm. Është dija, mendja e njeriut, i cili sjell përvojën e kohës
që shkoi. Mes tij flasim me të djeshmen e pakthyeshme. Njeriu është
vdekatar, por nëpërmjet librit do të
lerë pas jetën e cila mbart me vete kulturën, zhvillimin dhe përvojën e 21
qytetërimeve.
“Eh, emigrimi, emigrimi është një
kafshatë që nuk kapërdihet kollaj, por ngjan si një kockë që ngec në fyt, e
cila zvarget deri sa të merrë gjithë frymën. Jeta në dhé të huaj është një
betejë e tejzgjatur, së cilës nuk i dihet kurrë fundi. Jo vetëm që nuk e
besonim, por asnjëherë s'na shkonte ndërmend se kjo "luftë" bashkë me
të gjitha përpjekjet tona, një ditë do të kishin një limit. Në emigrim e
pamundura bëhet e mundur, për shkak të arsyes për të cilën ke lënë pas të
shkuarën.”
“ Sa shumë laklitarë, sa pengesa e
vargonjë nyjesh të pazgjidhshme ke krijuar dhe ke lënë pas në rrugën tënde
gjithë labirinte të fshehta, gjithë skuta të padrita, të errëta dhe më të zeza
se nata, moj jetë e përlyer dhe e pëgërë? Po në këtë kohëbotë të vështirë nuk
ngelet hak pa marrë dhe borxh pa larë. Së paku moralisht, doja ta qetësoja
ndërgjegjen time të rënduar.”
“
Eh të jetosh në errësirë apo në dritë, në ngricë apo në vapë, në luks
apo mjerim, në liri apo skllavëri, nuk është as e papranueshme, as e pamundur.
Veç kur i përjetojmë këto, atëherë mësojmë se kjo është filozofia e jetës, e
cila e gjen shprehjen në realitet përmes metaforës dhe sarkazmës. Përmes tyre
tregoj thëniet e pathëna, tinguj që nuk dëgjohen nga çdo vesh, këmborë që nuk i
lenë tingujt e zileve të dëgjohen nga të gjithë. Edhe pse tingujt e tyre janë
më të fortë, por...askush nuk dëgjon se çfarë duhet dëgjuar, as nuk shijon se
çfarë duhet shijuar dhe nuk e jeton jetën, ashtu si duhet jetuar.”
Vilhelme Vrana Haxhiraj
Vlorë, 25.1.2022