| E marte, 25.01.2022, 08:26 PM |
Asgjë e re
Nga
Astrit Lulushi
Despotizmi
i Ri është një libër i shkruar nga Lordi Hewart, Kryegjykatës i Anglisë, dhe i
botuar në Londër gati 100 vjet më parë. Hewart e përshkruan këtë
"despotizëm të ri" si "për të nënshtruar Parlamentin, për t'iu
shmangur gjykatave dhe për të bërë vullnetin, ose kapriçon, e ekzekutivit të
pakufizuar dhe suprem”.
Ajo
që i jep despotizmit të ri efektivitetin e veçantë është ndërlidhja e tij me
humanitarizmin, thotë Robert Nisbet në librin Twilight of Authority, në vitet
1960.
Por
është edhe kapaciteti për të hyrë në detajet më të vogla të jetës njerëzore që
e bën të suksesshëm këtë lloj despotizmi.
Diçka
e tillë ka filluar hapur tashmë në procesin e kthimit të Shqipërisë në një
shtet të vërtetë socialist despotik siç ishte viteve më parë. Despotizmi i ri me
gënjeshtrat mashtruese që thuhen mjaft shpesh për t'u besuar, krimet e
legalizuara dhe çnjenjëzimi ndërhyrës (patronazhist) në jetën e individit
siguron djepin e tij deri në varr. Arsyeja e vetme që pranohet ky dado-statizëm
është premtimi i një bote më të mirë bazuar në parimet humanitare. Nëse
qeverisë i jepet carte blanche, ajo bëhet tepër ndërhyrëse dhe tepër e zellshme
në kauzat e saj, duke rezultuar në një formë totalitarizmi të mbajtur nga dhuna
dhe frikësimi, ndërkohë që duhet të jetë përgjegjësia individuale për mbajtjen
nën kontroll të fuqisë kolektive - sepse qëllimi nuk justifikon mjetin.
Despotët
e sotëm hedhin dyshime mbi humanitarizmin; ata skllavërojnë në mënyrë kriminale
secilin, cilindo dhe të gjithë, deri në detajet më të vogla të jetës njerëzore;
përdorimi i humanitarizmit si mbulesë për axhendën funksionon shumë mirë, i
lejon njerëzit të ndihen mirë ndërsa marshojnë pa e ditur drejt skllavërisë
socialiste. Fatkeqësisht, shumica mashtrohen lehtë.
Disa
nga mizoritë dhe shkeljet më të mëdha të lirisë kanë ardhur nga një zell i
tepruar ose një despot shtypës në emër të "humanitarizmit". Thuhet se
fjalët më të frikshme që mund të dëgjojë liria janë: "Unë jam nga qeveria
dhe jam këtu për të ndihmuar”, thoshte Ronald Reagan.
Dominimi
alternativ i një fraksioni mbi një tjetër, i mprehur nga fryma e hakmarrjes, e
natyrshme për mosmarrëveshje partiake, e cila në epokën e fundit solli kaq
shumë tmerre, është në vetvete një despotizëm i frikshëm. Çrregullimet dhe
mjerimet që rezultojnë gradualisht i bëjnë njerëzit të priren për siguri dhe
prehje në pushtetin absolut, dhe herët a vonë shefi i ndonjë fraksioni
mbizotërues, më i aftë ose më me fat se konkurrentët e tij, e kthen këtë prirje
për qëllimet e lartësimit të tij, mbi rrënojat e Lirisë publike. Vetëm për
shkak se diçka përkufizohet si njerëzore nuk e bën atë të tillë, ashtu si
përdorimi i vetëm i duhur i qeverisë është mbrojtja e jetës, lirisë dhe pronës
së individit.
Despotët
brenda qeverisë, që i përdorin postet për pasurim personal, kanë nxjerrë
mashtrimin dhe tradhtinë në dritë që njerëzit të shohin dhe të zgjedhin se cila
nga dy kauzat është e drejtë dhe fisnike; liria apo shtypja.