| E hene, 24.01.2022, 10:01 PM |
Heshtja dhe komunikata e tradhtisë ndaj Republikës së Kosovës
Nga Prof.
Dr. Eshref Ymeri
Para disa ditësh,
përmes internetit, qe bërë e ditur se Franca, Gjermania,
Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian “i kanë
bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të votojnë në
referendumin kombëtar të Serbisë, në një deklaratë të përbashkët të tyre, për
ratifikimin e ndryshimeve kushtetuese në Serbi” (Citohet sipas: “QUINT-i i
kërkoi Kurtit ta lejojë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë”. Faqja e
internetit “Portalb”. 14 janar 2022).
Ishte fjala për referendumin e 16 janarit. Madje
theksohej se shtetet në fjalë “kanë mirëpritur këtë referendum, duke shtuar se
reformat janë hap para drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane” (po
aty).
Ky informacion ishte “interesant” deri në befasi. Po si
shpjegohet që kryepolitikanëve të shteteve në fjalë nuk u paskej shkuar ndër
mend absolutisht që, të paktën, para se t’i drejtoheshin qeverisë së Republikës
së Kosovës me thirrjen e mësipërme, meqenëse Beogradi paskej menduar të bënte
ndryshime kushtetuese, t’i kërkonin atij prerazi të shfuqizonte paraprakisht
nenin me përmbajtje shoviniste, në të cilin Kosova vlerësohet si pjesë e
Serbisë?
Do të ishte mirë që ndaj thirrjes së Brukselizmit dhe të
Vashingtonit, Prishtina zyrtare të reagonte dhe të njoftone se do të bëjë
regjistrimin e të gjithë minoritetit serb, me qëllim që të nxirrte në pah se sa
janë dhe cilët janë ata serbë që janë vendosur me banim në Kosovë pas qershorit
të vitit 1999, duke theksuar se nëse ka të tillë, atëherë ata janë sjellë
qëllimisht aty si kolonë, me aprovimin e kryetradhtarit Thaçi, i cili largoi me
dhunë nga Veriu i Mitrovicës 14 500 shqiptarë rrënjës. Pra, nëse ka serbë, të
zhvendosur nga Serbia dhe të vendosur me banim në Kosovë pas qershorit të vitit
1999, atëherë ata duhet të rikthehen në
vendin e tyre dhe 14 500 shqiptarët të
cilët kryetradhtari Thaçi i pati shpërngulur me dhunë nga Veriu i Mitrovicës në
shkurt të vitit 2000, të rithehen në vatrat e tyre. Sepse vetëm në këtë mënyrë
vendoset drejtësia.
Të gjithë qytetarët shqiptarë me ndërgjegje të lartë
kombëtare, në mbarë trojet tona etnike, me siguri që e ndiejnë veten shumë
krenarë me treshen udhëheqëse Vjosa Osmani, Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe me
Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili, në mbledhjen e datës 15 janar 2022,
me 76 vota pro, mori vendimin në vijim:
“Kuvendi i
Republikës së Kosovës, si përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Kosovës,
shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Serbisë në
Republikën e Kosovës, cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së
Kosovës, është në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me
normat e praktikat ndërkombëtare… Kuvendi shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të
vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serbë
të Kosovës në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Republikës së
Kosovës.” (Citohet sipas: “Miratohet nga Kuvendi rezoluta kundër
referendumit të Serbisë në Kosovë”. Faqja e internetit “Drini”. 15
janar 2022).
Partia e
kryetradhtarit Thaçi, me urdhrin e marrë prej tij, e braktisi Kuvendin para
marrjes së vendimit, duke e prezantuar veten në sytë e popullit shqiptar të
Republikës së Kosovës, si një formacion politik kokë e këmbë në shërbim të
serbosllavizmit, si një tradhtare e pështirë e mbarë kombit shqiptar.
Megjithatë, nuk ka
asgjë për t’u habitur nga kërkesa e shteteve të Bashkimit Evropian, drejtuar
Prishtinës zyrtare për zhvillimin e referendumit të serbëve të Kosovës. Sepse
Brukselizmi vazhdon ende të jetë nën ndikimin e “hashashit” të tradhtisë së
Hashim Thaçit, i cili ka më shumë se një vit që prehet në qelitë e Hagës. Gjatë
një periudhe 12-vjeçare (2008-2020), dialogu i kryetradhtarit me damkë Hashim
Thaçi me Serbinë, i pati interesuar kryekëput Serbisë. Sepse atë dialog me
kastën politike të bandës së Thaçit, Serbia, me mbështetjen dhe përkrahjen e
gjithanshme të Brukselizmit, e pati kthyer në “pëlhurë të Penellopës”, me të
vetmen arsye që Kosovën, në përputhje me kushtetutën e Serbisë, të vazhdojë ta
konsiderojë pjesë të territorit të saj. E theksoj përkrahjen e gjithanshme të
Brukselizmit për Serbinë, sepse kam parasysh deklaratën e ish-Shefit të
UNMIK-ut Lamberto Zanieri, i cili, këtu e shumë vite më parë, në një intervistë
për agjencinë gjermane të lajmeve, pati deklaruar:
“… pas ndërhyrjes
ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë” (Citohet
sipas: Lamberto Zanieri. “Kosova ka mbetur në mes të rrugës”. Faqja e
internetit “Radio Evropa e Lirë”. 16 prill 2011).
Sigurisht që ajo
bashkësi ndërkombëtare evropiane, me kryeqendër sot Brukselizmin, ka pas qenë
tradicionalisht armike e betuar e kombit shqiptar, prandaj edhe trojet etnike
na i copëtoi në mënyrën më kriminale në vitin 1878 dhe në vitin 1913, kurse në vitin 1915, me Traktatin e
fshehtë të Londrës, dhe në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919, pati
hartuar plane edhe më kriminale, për fshirjen e tij krejtësisht nga harta e
Evropës. Dhe ato plane të egra shoviniste, kryesisht për paaftësinë skandaloze
të shqiptarëve për vetorganizim mbarëkombëtar, do t’i kishte vënë në jetë me siguri,
sikur të mos kishte qenë ndërhyrja vendimtare e Presidentit amerikan Uilson
(Woodrow Wilson - 1856-1824).
Brukselizmi dhe
Vashingtoni mirë bëjnë që theksojnë se “reformat janë hap para
drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane”. Por ama duhet pranuar
haptazi se ky qëndrim i tyre është krejtësisht i pamoralshëm, është flagrant
antishqiptar. Kjo për arsye se me lejimin e zhvillimit të referendumit të
lartpërmendur, po kërkohej që, me përafrimin e Serbisë me Brukselizmin, të
bëhej kurban sovraniteti i Republikës së Kosovës dhe, tërthorazi, të hidhej një
hap më tepër drejt krijimit të bashkësisë së komunave serbe, çka, siç është
përmendur shpeshherë, s’është gjë tjetër, veçse krijimi i një mikroshteti serb
brenda shtetit të Republikës së Kosovës.
Kuvendi i Republikës së Kosovës bëri shumë mirë që
mbrojti sovranitetin e vendit, duke e hedhur poshtë kërkesën e sipëcituar, për
të mos lejuar që ai të bëhet “parcelë eksperimentale” e kujtdoqoftë.
Por shumë i
habitshëm, madje tronditës, është qëndrimi i politikës amerikane ndaj
Republikës së Kosovës, një politikë që ishte rreshtuar kryekëput përkrah
Brukselizmit me thirrjen drejtuar Prishtinës zyrtare për lejimin e zhvillimit
të atij referendumi.
Dihet që Republika e
Kovës arriti të bëhej e pavarur dhe sovrane falë kontributit të jashtëzakonshëm
të Shteteve të Bashkuara për çlirimin e
saj nga fashizmi serb. Por kohët ndryshuan. Me ardhjen në pushtet të Trampit
(Trump) dhe të administratës së tij në vitin 2016, busulla e politikës
amerikane, në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, mori një kahje tjetër. Ajo u
rreshtua përkrah Moskës dhe Beogradit, dy kështjellave tradicionalisht tejet
armiqësore deri në ditët tona ndaj kombit shqiptar.
Kështu, i kapluar
keq nga afshet e fushatës zgjedhore të vitit 2016 për postin e presidentit,
Trampi qe shprehur publikisht se për të gjitha fatkeqësitë e Serbisë,
fajin e paskej administrata e
Klintonëve. Domethënë Trampit nuk i patën bërë pështypje absolutisht masakrat,
vrasjet dhe shkatërrimet barbare që bisha fashiste serbe kishte kryer në Kosovë
në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit që
kaloi. Prandaj ai pati
deklaruar:
“Pikërisht ata
(Klintonët - E.Y.) organizuan kaosin në Ballkan dhe në Kosovë. Shikoni
se çfarë bënë ata në Serbi me bombardimet nga lartësi të mëdha. Për mua
personalisht, bombardimi i serbëve është një turp i vërtetë. Ndërkohë,
Klintonët këtë e vlerësojnë si një sukses të paparë. Kërkoj ndjesë para
popullit serb për të gjitha gabimet e politikës amerikane. Në qoftë se unë do
të vij në krye të Amerikës, atëherë ka për të ndryshuar kursi i politikës së
jashtme, i cili deri tani shpeshherë ka qenë i gabuar” (Citohet sipas:“Trampi
i kërkoi falje Serbisë… për Klintonët”. Marrë nga faqja e internetit “stihiya.org”.
25 dhjetor 2015).
Këtë informacion e ka pasë transmetuar edhe Radiostacioni
“Zëri i Amerikës”, në datën 13 tetor 2016.
Dhe me të vërtetë:
Trampi, si mik i Putinit, e ndryshoi krejtësisht kursin e politikës amerikane
në raport me kombin shqiptar në tërësi dhe me Republikën e Kosovës në veçanti.
Faktin që Trampi ishte pozicionuar përkrah politikës së
rusoserbizmit në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, e dëshëmon edhe një tjetër
informacion, në të cilin shprehet hareja
e Moskës për zgjedhjen e tij president. Në atë informacion thuhej:
“Deputetët e Dumës
Shtetërore (parlamentit E.Y.),
gjatë mbledhjes plenare, lajmin për fitoren e Donald Trampit në zgjedhjet për
president në SHBA, e pritën me duartrokitje. Për këtë njofton “Interfaks””
(Citohet sipas: “Në Dumën Shtetërore duartrokitën për fitoren e Trampit”. Faqja
e internetit “Novosti”. 09 nëntor 2016).
Por dale, se ka edhe
më:
“Udhëheqësi i
partisë liberal-demokrate ruse, Vladimir Zhirinovski, në Dumën Shtetërore
shtroi një banket me rastin e fitores së Trampit në zgjedhjet presidenciale në
SHBA. Gjatë pushimit të seancës, në tryeza u mblodhën deputetë dhe gazetarë.
Për qerasje u paguan 100 mijë rubla. Për gostitje u shtruan sallam, mish pule,
sallatë, çokollata, shampanjë. Zhirinovski ngriti dolli për politikën e re të
brendshme dhe të jashtme të SHBA dhe për përmirësimin e marrëdhënieve me
Rusinë”. (Citohet sipas: “Zhirinovski shtroi banket në Dumën Shtetërore me
rastin e fitores së Trampit në zgjedhje”. Faqja e internetit “RBK
Group”. 09 nëntor 2016).
Tani shikojmë se
edhe politika amerikane e Presidentit Bajden (Biden), për fat të keq, është e
rreshtuar në krah të Serbisë. Me sa duket, Departamenti i Shtetit, i kryesuar
nga Blinkeni, po ecën në shinat e Sorosit, çka dëshmohet si më poshtë:
“Për Blinken-Soros dhe lidhjet e tyre të vjetra mund t’i
gjeni të pasqyruara më mirë në “World Tribune”, të datës 21 Qershor
2021, nën titullin “Lidhjet Familjare të Sekretarit të Shtetit Anthoni
Blinken dhe George Sorosin”, ku në vazhdim thuhet:
“Blinken, më shumë se punën e Departamentit të Shtetit,
po bën atë të Sorosit…”.
Po kështu, flitet edhe për lidhjet e ngushta familjare të
Donald Blinkenit, ish-ambasador i Amerikës në Hungari, lidhje që reflektohen
edhe në gazetën hungareze “Hungarian Spectrum”, e cila ka publikuar se
në vitin 2015, arkivës së “Shoqërisë së Hapur” të Universitetit Qëndror
Evropiann (një nga universitetet e Sorosit), iu dha emri “Vera dhe Donald
Blinken” (pra, i prindërve të Anthoni Blinkenit), në vlerësim të kontributit
financiar që ky çift i ka dhënë këtij universiteti. Ndërkohë, së shpejti do të
publikohet libri i autorit të mirënjohur Matt Palumbo, me titullin “The man
behind the curtain” (inside the secret network of the George Soros), pra: “Burri
prapa perdes” (në brendësi të lidhjeve sekrete të George Sorosit)” (Citohet
sipas: Dr. Zekri Palushi. “Foltoret një ringjallje shpresash për Kombin
Shqiptar”. Gazeta “Nacional”. 16-23 tetor 2021).
Në këto kushte, normalisht, duhej që atdheu amë,
Republika e Shqipërisë, të dilte publikisht në mbrojtje të sovranitetit të
Republikës së Kosovës, duke e kundërshtuar haptas thirrjen e Brukselizmit dhe
të Vashingtoni. Por, fatkeqësisht, Tirana zyrtare, me Ramën në krye, bëri të
paditurin, zgjodhi variantin e heshtjes
tradhtare dhe para Brukselizmit dhe Vashingtonit u struk si miu në ferrë. Dhe
s’kishte se si të ndodhte ndryshe, përderisa Rama, duke ndjekur shembullin e
kryetradhtarit Enver Hoxha në marrëdhëniet me Beogradin gjatë viteve 1944-1948,
në marrëveshje me kriminelin e Kosovës Aleksandër Vuçiç, me Ballkanin e Hapur
ka për qëllim shndërrimin e Republikës së Shqipërisë në koloni ekonomike të
Serbisë dhe as që i bëhet vonë fare për sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Madje vetë Rama, i rreshtuar përkrah Moskës dhe Beogradit, e ka vënë në
pikëpyetje sovranitetin e Republikës së Kosovës. Në këto kushte, duhen
vlerësuar si të arta fjalët e shkrimtarit dhe të publicistit të njohur Kim
Mehmeti, i cili, në një bisedë që zhvilloi pak ditë më parë me disa të rinj për
Çështjen Kombëtare të Çamërisë, deklaroi se Rama ka më shumë kënaqësi kur
takohet me Vuçiçin sesa kur takohet me Albin Kurtin.
Ky qëdrimi i heshtur, prej servili të neveritshëm i Ramës
dhe i kastës së tij tradhtare, për të mos dalë në mbrojtje të hapur të
sovranitetit të Republikës së Kosovës, dëshmon se Tirana zyrtare është zhveshur
kokë e këmbë nga dinjiteti kombëtar, ka rënë në bark para Beogradit, para
Brukselizmit dhe para Blinkenit, si mik i ngushtë i Sorosit. Ky qëndrim servil
i Ramës ndaj Vuçiçit është kopje e qëndrimit servil të kryetradhtarit Enver
Hoxha ndaj Titos dhe ndaj Bashkimit Sovjetik, i cili, sipas trurit të tij të
mykur ng tradhtia kombëtare, ishte uji, ajri dhe dielli për popullin shqiptar,
siç pati deklaruar në fillim të viteve ’50.
Por servilizmi i Ramës ndaj Blinkenit të Departamentit të
Shtetit, mbart në vetvete një komedi të lezetshme, sepse ky lloj servilizmi, i
shpalosur me aq “afsh përvëlimtar ndaj Amerikës”, në thelb, nuk përmban në
vetvete as edhe një shkëndijë të vetme të simpatisë dhe të respektit të vërtetë
për Tokën e Premtuar. Sepse Rama dhe banda tradhtare rreth tij, si pasardhës të
partisë kriminale të punës dhe të
kryeargatit të serbosllavizmit Enver Hoxha, në të vërtetë, në heshtje, janë
antiamerikanë të thekur. Por “afshin e dashurisë për Amerikën” ua do puna ta
shfaqin me një komedi të shpëlarë, për të vetmen arsye se Departamenti i
Shtetit e shpalli “non grata” Prof.dr. Sali Berishën. Se në këndvështrimin e
bandës në fjalë dhe të të gjithë bandës sorosiste në Shqipëri, armiku kryesor i
tyre është Prof.dr. Sali Berisha. Sigurisht. Se Prof.dr. Sali Berisha dhe baza
e partisë demokratike në përkrahje të tij, mund t’i hedhë në erë themelet e
narkoshtetit kriminal që Rama po e mban në këmbë që prej shtatorit të vitit
2013. Prandaj Rama dhe eunuku i tij politik Basha, po bëjnë ç’është e mundur
që, në ligjin për dekriminalizimin, të bëjnë një shtojcë, ku të thuhet se atyre
që janë shpallur “non grata” nga një shtet tjetër, t’u hiqet e drejta për t’u
zgjedhur deputet, duke theksuar se kjo shtojcë ka edhe fuqi prapavepruese.
Sigurisht, Rama mund ta bëjë këtë shtojcë në ligj, se
dihet që ai e ka edhe mbështetjen e deputetëve të eunukut politik Basha,
meqenëse të dy e kanë tmerr praninë e Prof.dr. Sali Berishës në Kuvend. Por në
këtë mes lind një pyetje thjeshtë: agai i politikës Rama dhe eunuku tij politik Basha a do të jenë në gjendje që
Prof.dr. Sali Berishën, po ia hoqën mandatin e deputetit, ta detyrojnë të
tërhiqet nga politika përfundimisht, të shkojë në shtëpi dhe të merret vetëm me
lexime librash që ka në bibliotekën e tij të pasur? Po sikur të ndodhë e
kundërta, sikur edhe pas heqjes së mandatit të deputetit, përkrahja, respekti
dhe simpatia e bazës demokratike të vijnë duke u shtuar edhe më shumë për
Prof.dr. Sali Berishën? Sepse, siç është bërë e ditur publikisht, ai gëzon
përkrahjen e jo pak senatorëve dhe kongresistëve amerikanë që janë shprehur
kundër shpalljes së tij “non grata” dhe Departamentit të Shtetit i kanë kërkuar
fakte dhe prova.
Pra, urrejtja e egër e Ramës edhe e Bashës ndaj Prof.dr.
Sali Berishës, është arsyeja e vërtetë e “miqësisë aq të madhe” të tyre, të
bandës sorosiste rreth tyre dhe të të gjithë vulgut të servilizmit gazetaresk
ndaj ambasadores Yuri Kim, e cila po e përkrah Lulzim Bashën me një zjarr të
papërmbajtur. Por kjo ambasadore, të cilën Blinkeni me Sorosin e kanë vënë të kryejë
misionin e një kukulle mjerane, nuk është në gjendje ta kuptojë se çfarë roli
qesharak po luan në Shqipëri në sytë e shumicës së opinionit publik. Asaj i
punon truri keq deri në atë shkallë, saqë s’është në gjendje të kthjellohet dhe
t’i thërrasë mendjes se po bën një marrëzi, po përkrah Lulëzim Bashën, një
njeri të tredhur dy herë politikisht: herën e parë e trodhi Rama politikisht
natën e 17 majit të vitit 2017, herën e dytë e trodhi politikisht foltorja e
Prof.dr. Sali Berishës dhe vulën përfundimtare ia vuri Kuvendi i Partisë
Demokratike i 11 dhjetorit dhe referendumi i 18 dhjetorit. Pra, ambasadorja
Yuri Kim nuk është në gjendje të arsyetojë dhe të vijë në përfundimin se
Blinkeni dhe Sorosi e kanë vënë në rolin e një dordoleceje diplomatike, sepse
ajo është duke përkrahur një eunuk politik të dyfishtë, si Lulzim Basha. Asaj
dikur do t’i përfundojë mandati dhe shqiptarët kanë për të sajuar për të
lloj-lloj anekdotash zbavitëse. Madje që tani shqiptarët i kanë vënë nofkat teze
Kimetja dhe teto Kimetja.
Po të kishte sadopak respekt për vetveten, Yuri Kim duhej
të jepte dorheqjen, duke ndjekur shembullin e ambasadorit aq dinjitoz amerikan
në Bjellorusi në vitet 1992-1994, David Shvarc (David Heywood Swartz - 1942). Ky ambasador me
aq dinjitet të lartë, burrëror, për të cilin e vërteta, autoriteti i politikës
së jashtme amerikane ishin shenjtëri mbi të gjitha shenjtëritë në shërbimin
diplomatik, dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj qeverisjes diktatoriale të
presidentit Lukashenko, ndaj të cilit Vashingtoni mbante një qëndrim të
heshtur.
Një rast tjetër i mercenarizmit dhe i servilizmit të
kastës tradhtare në udhëheqjen e politikës shqiptare me Ramën në krye, u vu re
edhe në ditën e parë të këtij viti, kur ministria e jashtme, më 01 janar 2022,
botoi një komunikatë, në të cilën theksohej se vendi ynë do të fillonte
zyrtarisht mandatin dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në atë komunikatë deklarohej në mënyrë idiote se mandatin Shqipëria do ta
përdorte, demek, për avancimin e “çëshjes së Kosovës”. Kjo deklaratë është një
idiotësi me brirë, se “çështja e Kosovës” është zgjidhur që më 17 shkurt të
viktit 2008. Por Rama, si kryetradhtar i kombit shqiptar dhe argat i verbër i
Vuçiçit, kërkon të jetë në një gjatësi vale me shovinizmin serbomadh dhe
rusomadh, dy armiq të egër tradicionalë të kombit shqiptar, të cilët nuk e
njohin pavarësinë e Kosovës.
Nënkuptohet që në krah të Ramës, në heshtjen e tij ndaj
thirrjes së Brukselizmit dhe të Vashingtonit, drejtuar Prishtinës, si edhe për
komunikatën e ministrisë së jashtme që vinte në pikëpyetje sovranitetin e
Republikës së Kosovës, qe radhitur edhe Lulzim Basha, që ende po e mban veten
për “kryetar” të opozitës, i cili, me përkrahjen e gjithanshme që po i jep
ambasadorja Yuri Kim, është trimëruar tej mase, çka e dëshmoi më së miri më 08
janar në selinë e Partisë Demokratike që e kishte shndërruar në bunker. Por
Basha harron që këto muajt e fundit e dëshmoi shkoqur fare para opinionit të
shëndoshë mbarëshqiptar se s’është gjë tjetër, veçse një brashnjë e neveritshme
politike që kundërmon vetëm erë pabesi, erë tradhti.
Së fundi, dëshiroj të theksoj se në marrrëdhëniet me një
shtet tjetër, qoftë ai edhe supershtet, si Kina, India, Shtetet e Bashkuara apo
Rusia, pavarësisht se mund të jesh një shtet i vogël, pa kurrfarë ndikimi në
politikën botërore, nuk do të thotë absolutisht se duhet të jesh i zhveshur
kokë e këmbë nga dinjiteti kombëtar. Dihet shumë mirë, për disa arsye të
njohura tashmë, që Shqipëria Londineze dhe përgjithësisht mbarë kombi shqiptar,
kanë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqejnë një simpati dhe respekt të veçantë ndaj
Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por kasta politike e Ramës në pushtet, këtë
simpati dhe respekt e ka degjeneruar deri në nivelet e një servilizmi të
gërditshëm, me nota të theksuara vetëposhtërimi kombëtar. Madje puna pati
arritur deri në atë derexhe, saqë ambasadorja Yuri Kim shkoi në selinë e
Partisë Demokratike dhe kërkoi haptas se po nuk u përjashtua Berisha nga grupi
parlamentar, kërcënoi me fjalët “keni për të ngrënë bar”. Mendoj se ky
ka qenë skandali më i rëndë dhe më poshtërues diplomatik që një ambasadore e
huaj ka mbajtur në qëndrimin ndaj mbarë kombit shqiptar, si kombi më dashamirës
ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Normalisht, po të kishim në pushtet një
klasë politike me dinjitet të lartë kombëtar, ambasadorja Yuri Kim do të merej
me punët e veta brenda ambasadës dhe nuk do të sillej në Tiranë jo vetëm si
guvernatore faktike, por edhe si një anëtare e asamblesë së partisë
neokomuniste të Ramës. Kërcënimi i ambasadores Yuri Kim ishte një shpërdorim
shumë i rëndë që ajo i bënte kodit të etikës diplomatike dhe sidomos simpatisë
dhe respektit të popullit shqiptar ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra,
po e përsëris, po të kishim një klasë politike qeverisëse me vetëdije kombëtare
shembullore, pas atij kërcënimi poshtërues që ajo ambasadore i lejoi vetes ta
bënte ditën në drekë para selisë së Partisë Demokratike, ajo e meritonte
plotësisht të shpallej e padëshirueshme dhe të kërkohej largimi i saj nga vendi
ynë. Yuri Kim kërcënoi Partinë Demokratike në opozitë. Por opozita është pjesë
e pandarë e popullit shqiptar. Ajo është kundërshtare politike e Ramës, por nuk
është armike e Ramës. Heshja e Tiranës zyrtare para kërcënimit të ambasadores
Yuri Kim, vërteton pa mëdyshjen më të vogël se Rama ka shkelur rëndë traditën e
kodit moral të shqiptarëve, në të cilin
thuhet “mikun nderoje, por mos e bëj zot shtëpie”. Pra, Rama, duke qenë
vetë i zhveshur kokë e këmbë nga dinjiteti kombëtar, me heshtjen e tij, ka cenuar
rëndë dinjitetin kombëtar të shqiptarëve.
Kur qeverisja e një vendi të vogë nuk respekton
dinjitetin kombëtar, ajo bëhet objekt nëpërkëmbjeje nga ana e shteteve të tjerë
dhe sidomos e supershteteve.
Në nderim të lexuesve, po përmend dy raste kuptimplotë që
lidhen pikërisht me nëpërkëmbjen e dinjitetit të Republikës së Shqipërisë nga
ana e ambasadës amerikane. Të dy rastet kanë ndodhur në kohën e qeverisjes së
partisë neokomuniste me mbulojë socialiste. Rasti i parë ka ndodhur këtu e 20
vjet të shkuar dhe lidhet me ish-ambasadorin amerikan Limprecht. Në
një informacion nga një faqe interneti, thuhet:
“Limprecht mbahet
mend për atë se vdiq në 2002, në Shqipëri, gjatë një feste në Lurë… Qeveria
amerikane nuk i pagoi as shpenzimet e funeralit të ambasadorit të saj. Ishte
Qeveria e Shqipërisë, e kryesuar në atë kohë nga Pandeli Majko, që pagoi
shpenzimet e arkivolit të Limprechtit dhe të transportit të tij në SHBA”
(Citohet sipas: Kastriot Myftaraj. “Cila është ambasadorja e re e Shqipërisë
në SHBA”. Faqja e internetit “Thasari”. 23 shkurt 2015).
Lexuesi ka të drejtë
të dyshojë vetvetiu se Pandeli Majko, si një kryeministër i formatit të
servilit shembullor, pa kurrfarë shtylle kurrizore, me siguri që i ka kërkuar vetë ambasadës amerikane që
shpenzimet e arkivolit dhe të transportit të kufomës t’i përballonte qeveria
shqiptare. Megjithatë, ambasada amerikane nuk duhej ta lejonte një gjë të
tillë. Me sa duket, i ka pasë ardhur shumë për zemër servilizmi i shpifur i
Pandeli Majkos. Por kur një shteti të madh i vjen në osh servilizmi i
kryepolitikanëve të një shteti të vogël, kjo do të thotë se ai ka nëpërkëmbur
dinjitetin e gjithë popullit të këtij të fundit.
Rasti i dytë lidhet
me vizitën e Eskobarit në Tiranë në dhjetorin që kaloi. Gjatë asaj vizite u vu
re një shkelje e çuditshme e protokollit diplomatik. Në informacionin që u dha
për atë vizitë, thuhet:
“Si fillim ishte
renditja që iu bë Bashës në axhendë, kur iu la i pari një takim me Eskobarin.
Zakonisht, gjatë vizitave të tilla, zyrtarët e lartë planifikojnë takimet me
krerët e institucioneve dhe në fund kalojnë nga selitë e partive të opozitës.
Këtë radhë ndodhi e kundërta” (Citohet sipas:“Vizita
e Eskobarit. Pse Bashës nuk i mjaftojnë përkëdheljet e amerikanëve në prag të
11 dhjetorit”. Faqja e internetit “Lapsi.al”. 09
dhjetor 2021).
Por Eskobari nuk u mjaftua vetëm me shkeljen e
protokollit diplomatik të vizitës së tij. Prandaj në informacionin e
lartpërmendur theksohet:
“Eskobari artikuloi
publikisht ftesën për ta pritur Lulzim Bashën në Vashington. Një tjetër shkelje
syri për kreun e Partisë Demokratike, tregues i zemërgjerësisë me të cilën
ambasada në Tiranë kishte vendosur ta trajtonte atë sot” (Po aty).
Pra, Blinkeni i
Departamentit të Shtetit, përmes Eskobarit, opinionit publik shqiptar i la të kuptojë
se Vashingtoni përkrah Bashën fuqimisht,
çka do të thotë se ai përkrah Ramën po aq fuqimisht, sepse Basha, siç u theksua
më lart, është faktikisht eunuku politik i Ramës, i mikut të Sorosit. Ajo ftesë
e Eskobarit ishte një sfidë e hapur për bazën e gjerë të Partisë Demokratike, e
cila, gjatë zhvillimit të foltoreve, e demaskoi me fakte Bashën si tradhtar dhe
si argat të bindur të Ramës.Vetvetiu del
përfundimi se Departamenti i Shtetit na qenka çifligu i Sorosit. Nuk do ta
besoja kurrë një gjë të tillë, por kjo qenka një e vërtetë e kulluar, çka
dëshmohet fare shkoqur nga një burim amerikan
Në njërin nga mjetet
e informimit masiv amerikan - “Creative Destrucion Media, CD”, thuhet:
“CD media ka
kronizuar vazhdimisht korrupsionin e Departamentit të Shtetit të SHBA në të
gjithë Evropën Lindore. Shqipëria është një nga rastet më të këqija të
ndërhyrjes në politikën lokale, për të cilën ishte i famshëm ish-ambasadori i
SHBA, Donald Lu” (Citohet sipas: “Media amerikane: Yuri Kim po
zbaton axhendën e Sorosit, mbështet Bashën dhe Ramën, lufton Berishën”. Faqja
e internetit “Syri”. 10 dhjetor 2021).
Madje ndodhi edhe
diçka tjetër, jo më pak e çuditshme. Ambasadorja Yuri Kim e ngriti shumë lart
stekën e vetëveprimit dhe në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në internet,
mashtroi, deklaroi të kundërtën, sikur Eskobari gjoja i pati filluar takimet me
krerët e institucioneve dhe në fund me kryetarin e opozitës. Pra, ajo i dërgoi
Departamentit të Shtetit një informacion të rremë. Për t’u njohur më me hollësi
me rolin e dyfishtë të vizitës së Eskobarit në Tiranë, edhe si i dërguari i
Departamentit të Shtetit, edhe si i dërguari i Sorosit, si edhe me mashtrimin e
ambasadores Yuri Kim, lexuesit e nderuar le të
ndjekin në youtube emisionin e analistit dhe të publicistit të njohur
Kastriot Myftaraj, të titulluar: “Ju flet Moska - Sekreti i vizitës së z.
Eskobar, i zbuluar pa dashje nga ambasada amerikane”. Kanali tv “Ora”. 10
dhjetor 2021.
Tani nuk e dimë se
cila është e vërteta. Po të kemi parasysh atë çka ambasadorja Yuri Kim ka
pasqyruar në njoftimin zyrtar të ambasadës në faqen e internetit, duhet të
mendojmë se Blinkeni e pati dërguar Eskobarin për ta kryer vizitën në Tiranë në
përputhje me protokollin diplomatik. Por kur dihet që ambasadorja dhe Eskobari
nuk e zbatuan protokollin diplomatik për shkak të simpatisë së madhe që
ushqejnë për Bashën, atëherë vetvetiu del përfundimi se në Departamentin e
Shtetit s’e marrka vesh qeni të Zotin, se atje qenka më i rëndë bishti se
sqepari.
Në mbyllje e quaj të arsyeshme të nënvizoj se në
marrëdhëniet ndërkombëtare, faktikisht, nuk ekziston kurrfarë miqësie midis
shteteve. Miqësia “e flaktë” që kryeservili Enver Hoxha reklamonte me
Jugosllavinë titiste, me Bashkimin Sovjetik apo me Kinën Popullore, ishte një
shfaqje e theksuar vetëpërulësie dhe servilizmi të krupshëm, që ia ulte keq
dinjitetin vendit tonë. Sepse marrëdhëniet mes shteteve të ndryshme, në mbarë
botën, kanë në themel jo miqësinë, por interesat e ndërsjellë. Në qoftë se ndonjëherë në Tiranë do të vijë
në pushtet një klasë politike me autoritet kombëtar, ajo duhet të ketë parasysh
se edhe në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përparësi kanë
vetëm interesat, kurrfarë miqësish. Prandaj ajo klasë, po erdhi në pushtet, le
të mbajë shënim fjalët e veteranit të politikës së jashtme amerikane Henri
Kisinger (Henry Alfred
Kissinger - 1923), i cili ka deklaruar:
“Amerika nuk ka as
miq as armiq të përhershëm! Amerika ka vetëm interesa të përhershme!”.
Kaliforni, 24 janar 2022