| E hene, 24.01.2022, 08:54 PM |
QENËSIA ROMANORE E IDENTITETIT DHE E KUJTESËS NACIONALE
(Ramiz
Selimi, “Rrënjët e kujtesës”, vëllimi i parë, roman)
Nga
Prof. Prend BUZHALA
Vepra “Rrënjët e
kujtesës” është një roman social dhe historik, që i paraqet me realizëm
përjetimet e familjes së Ilirit. Rrëfimi thuret mbi rrjedhën e njëpasnjëshme të
ngjarjeve, por me ndërprerje në kohën e rrëfimit me episode retrospektive.
Koha, për të cilën rrëfen ky roman, është ajo e pas Luftës së Dytë Botërore,
deri më 1981, kurse linja narrative përmes retrospekcionit të ngjarjeve, është
edhe ajo e para kësaj lufte, përmes kallëzimeve të të moshuarve.
1.
Shtresimet tematike të romanit
Sado që në roman
rrëfehet për fatin e familjes së Ilirit dhe djalit të tij Dardanit, megjithatë
këta personazhe shndërrohen në personazhe emblematikë, duke paraqitur
përballjet e individit e të kombit shqiptar në situatat ekzistenciale e sociale
nën pushtimin serb, çështje të jetës e të vdekjes, të jetës nën tortura,
shtypje e vrasje. Tematika e luftës për mbijetesë, nga njëra anë, dhe kërkimi
për t'i ruajtur rrënjët e identitetit kombëtar e njerëzor, nga ana tjetër,
përbëjnë makrotemën e romanit. Janë të shumta edhe shtresimet tematike të
veprës, ku spikatet çështja e identitetit nacional, ai i traditës, si dhe
shtresimet tjera, siç janë mënyra e jetesës, e qëndresës dhe e emancipimit
arsimor e nacional të fshatit shqiptar në Kosovë. Familja patriarkale ka
paragjykimet e veta, ka qëndrimet e prapambetura ndaj femrës, ka edhe përçarjet
e brendshme, por ka në qenësinë e saj edhe solidarësinë me njëri-tjetrin.
Ndryshe nga romanet
familjare të letërsive të mëdha, ku jepen histori të familjeve në rënie, këtu
shquhet ideja e forcimit të familjes, ideja e trashëgimisë nga të parët, që e
përcakton fatin e mëtejmë të saj dhe të kombit përgjithësisht.
Personazhi kryesor
është i riu Dardan, ani se Iliri është i pranishëm deri te vdekja e tij, kur e
lë amanetin e fundit.
Brendia e këtij
personazhi më shumë paraqitet nëpërmes
përshkrimeve të jashtme të ngjarjeve e veprimeve, se sa nëpërmes botës së tij
të brendshme, psikologjike. Pothuajse dialogu është mjeti kryesor i
ballafaqimit të personazheve, monologu është tejet i rrallë. Rreth personazhit
të Dardanit dhe Ilirit sillen të gjitha ngjarjet, konfliktet, përplasjet,
qofshin ato në gjirin e familjes, apo edhe në atë të shoqërisë. Dardani është
përfaqësues i brezit të ri, hidhet n ë veprim për të arritur qëllimet e tij jo
vetëm familjare e jetësore, por edhe nacionale. Forcën e tij e gjen si në të
kaluarën, ashtu edhe në të tashmen, si burim energjish të reja veruese.
Përbirohet nëpër shumë situata të rrezikshme, pëson shpesh edhe situata
dramatike.
Në vepër Iliri
paraqitet me veshjen e tij kombëtare, të cilit i vdes gruaja e parë dhe
martohet me të dytën, me rugovasen Rina, pasi është miqësuar me Hero Malësorin.
Prija e rugovasve për lirinë e femrës, bie ndesh me paragjykimet patriarkale të
vendlindjes së Ilirit. Martesa e dytë gjithnjë kishte të bënte me qëndrimet e
pikëpamjet patriarkale të fshatit shqiptar për ta pasur medoemos një
trashëgimtar në familje; patriarkalizmi tradicional shqiptar mund edhe atë
fetar:
“Mungesa dhe
pritja e gjatë për lindjen e një djali, ja kishte sfilitur thellë shpirtin. Me
gjithë përpjekjet që bënte për ta fshehur mërzinë, ajo i lexohej çdoherë në
fytyrë... Edhe pse bindja dhe botëkuptimi i tij ideologjik i përkisnin besimit
islam, ai asnjëherë nuk dëshironte që në të njëjtën kohë të lidhte marrëdhënie
martesore me dy femra. Për grupin e njerëzve që e rrethonin kjo dukuri nuk
përbënte ndonjë problem, pasi feja në asnjë formë nuk ia ndalonte.
Prapëseprapë, edhe atëherë kur ndjenjat e shpirtit i thoshin se patjetër duhet
të kishte një trashëgimtar të vetin, ai përmbahej.”
Problemet për
trashëgimi barten edhe në familje, siç janë personazhet afër Ilirit, Shtatmiri,
një personazh shpesh nevrik, me veprime të pamatura, lakmitar, por edhe
solidar, kur kërkohet nevoja.
Skenat e dhunës së
pushtuesit zëvendësojnë njëra-tjetrën. Romani, pra, e shtjellon edhe temën e
ndjeshme të dhunës së pushtuesit, por dhunë bëjnë edhe shqiptarët lakmitarë
brenda familjes, edhe bandat plaçkitëse, edhe ato të policisë që bëjnë bastisje
të egra, arrestime e përndjekje, edhe eprorët ushtarakë. Madje romani përfundon
me dhunën ndaj të rinjve shqiptarë në shërbimin ushtarak jugosllav, që nis pas
vitit 1981 e ku dëshmitar vrasjesh e plagosjesh është vetë Dardani. Inskenimet,
kurthet, nxitja e përçarje e dredhitë e qarqeve sunduese janë të pafund e
makabre. Parakalojnë situata të ethshme shoqërore, siç janë ato të vitit 1981,
demonstratat, arrestimet, lëvizjet ilegale, plagosjet etj. parakalojnë
personazhe shqiptarë si dy vajzat e Ilirit, Zana dhe Nora, Dimali e gruaja e
tij, Gacani, Taulanti (me të cilin Dardani ndan të mirën e të keqen), MËSUES SI
Ndue Guxheli, Ramiz Pitja/Kasapi, mësuesja e matematikës, Genti, Coli, apo emra
të ilegales si Platoni e Olti etj. Parakalojnë protagonistë të taborit armik,
emra policësh, oficerësh e xhelatësh të tjerë.
2.
Vetëdija letrare
Vepra letrare
jetësohet dhe e bën jetën e vet nëpërmes lexuesit. Ky roman na i shtron edhe dy
çështje të problematizuara, siç janë personazhi, lexuesi dhe krijuesi i tipit puer
(i ri) dhe të tipit senex (i moshuar), së këndejmi na vijnë që në
titull dy fjalë-nocine të shtjelluara në roman: rrënjë dhe kujtesë.
Lexuesit të kultivuar
në rini, të pasionuar që i ri, ëndërron të ardhmen, si trashëgimtar. Marsel
Prust, shkrimtar i shquar frëng, ky shkrimtar i kujtesës proverbiale romanore,
thotë:
"Ndoshta në
ditët tona të fëmijërisë, të përjetuara me kaq shumë mbushullima, ngjajnë në
ato për të cilat kemi besuar se i kemi humbur në jetë, por që i kemi poseduar
dhe përjetuar nëpërmes librave të preferuar....si një kënaqësi hyjnore..."
Nuk është për t’u habitur,
prandaj, pse me Imagjinatën identifikohet Krijuesi i Ri, Protagonisti i Ri,
Trashëgimtari, Dardani, kurse me Kujtimin Krijuesi i Pjekur, protagonisti i
moshuar, Trashëguesi. “Jashtë nesh, në fushën e historisë, zhvillohet
pandërprerje procesi i polarizimit në senex dhe puer”, thotë James Hillman.
Kujtimet që i
ringjall leximi, janë dhe një triumf mbi kohën. Të duket sikur kohët i merr
përdore, si fëmijën, bashkëbisedon me to ngeshëm, duke e ringjallur me shpirt
të rinuar. Ato libra ringjalljesh, janë një përmendore e bukur e kujtesës,
përmendore e përjetimit dhe e kënaqësisë së leximit krijues...
Periudha e krijimit
të romanit në Letërsinë shqipe gjatë viteve ’90 e këndej, deri në dekadën e
parë të shekullit XXI, do të mund të karakterizohej si Letërsi e çlirimit
tematik, e atij artistik dhe e çlirimit estetik. Letërsia shqipe, në të dy
krahët e saj, në Shqipëri dhe në Kosovë; pati fatin e keq që të ndërlidhej
qoftë me dogmat komuniste shtetërore, qoftë me censurën politike që kufizonte
tematikën e me rrudhjet tjera artistike, për të mos thënë dhe me prirjet
anti-artistike e antihumaniste, si ndodhi në Shqipëri.
Mirëpo, në Kosovë,
letërsia shqipe pengohej nga politika sunduese antishqiptare serbe. Nëse flitet
për letërsinë shqipe të pas viteve të ’90-ta, flitet në kuadrin e ndryshimeve
politike, që sollën edhe lirinë e shprehjes e të botimit. Nëse ky çlirim ndodhi
si pasojë e rrethanave të reja që u krijuan me plasjen e rrathëve të
ekzorcizmave të shteteve totalitare, nën të cilat jetuan shqiptarët, atëherë
romani shqiptar i kësaj periudhe, gjithsesi, do ta ketë ndjerë këtë ndryshim të
horizontit të receptimit (term i H. R.
Jausit): do të hiqen ndalesat mbi shkrimtarët e anatemuar, do të shtohet numri
i shtëpive botuese dhe i firmave të reja të autorëve, do të botohen artikuj,
recensione, monografi studimore e madje edhe libra të tërë historiko-letrarë,
do të botohen një numër shumë më madh i veprave letrare, do të bëhen përkthime
të reja të veprave të letërsisë botërore, do të përhapet tregu i botimeve, do
të formohen klube, shoqata e forma të reja organizimi dhe do të botohen revista
të reja e faqe të reja për letërsi në shtypin ditor. Mbahen konferenca
shkencore që i kushtohen letërsisë.
Tashmë krijuesi do të
gjendet përballë sfidës estetike: si do të krijosh sa më shumë vlera artistike
apo si do të botosh libër, kur nuk e ke më përballë as censurën as vlerësimin
jashtëletrar të artit? Dhe, tashmë përgjegjësia i bie barrë më së shumti vetë
krijuesit, përballë shumë fenomeneve tjera që do të shfaqen gjatë këtyre
viteve. Larmia e madhe e tipologjisë së romaneve, ka shënuar gjithnjë një vijë
ngjitëse...
Ramiz Selimi nuk e ka
pretendimin që të ndërthurë prozë të tipit modern a postmodern, me kapërthurje
procedimesh të ndërliqshme narrative apo stilistike. Zaten, ai takon asaj
plejade prozatorësh që vëmendjen e përqendron te realiteti i drejtpërdrejtë
letrar, si kriter i përafrimit me tekstet letrare, për t’u distancuar nga epoka
që përjashtonte kriterin estetik.
Të gjitha këto
situata jetësore, historike, shoqërore të një kohe e periudhe të caktuar,
përpiqet t’i paraqesë si gjendje shpirtërore që ndryshojnë vazhdimisht, që
shënojnë ngritje e pjekuri të vazhdueshme të vetëdijes historike e jetësore.
Është personazhi i
këtij romani që gjithnjë e paraqet dhe synon ta shqiptojë të vërtetën në
kuadrin e një vizioni të mundshëm si në planin e filozofisë së jetës, si në
planin personal, si në atë të subjektivitetit krijues.
3.
Nga situatat atipike deri te personazhet emblematikë
Sigurisht që
personazhet e këtij romani aspirojnë lirinë, sigurinë e jetës, ecjen përpara,
megjithëse pengesat e jashtme siç është politika e shtypjes, apo pengesave të
brendshme, siç janë patriarkalizmi, mendësitë e paemnacipuara qofshin ata në
familje, në shoqëri e madhe edhe në arsim.
Sado që në vepër ka
atipizime, situata atipike aty-këtu, megjithatë personazhi i këtij romani i
zgjeron cilësitë e veçoritë e tij të karakterit, të natyrës së tij psikologjike
e enigmatike në përmasa të duhura; ashtu sikundër që begatohet përvoja njerëzore
në qenien e tij shoqërore, historike e shpirtërore; po ashtu pasurohet dhe
zgjerohet e thellohet edhe personazhi letrar, i cili pushton hapësira gjithnjë
e më të gjera të lirisë, të lirisë së shprehjes, formësimit e formimit, të
veprimtarive të tij të pakufishme njerëzore e shoqërore dhe të manifestimeve
tejet të pasura psikologjike e shpirtërore. Ç' është një situatë atipike a
karakter atipik? Emri i Ilirit, bie fjala... Gjenerata e tij nuk besohet të
ketë pasur ndonjë shqiptar këndej, në viset pa arsimin e duhur, me emrin Ilir,
sado që kanë ditur se kush janë ilirët. Këtë atipizim autori e bën për t'i
dhënë personazhit karakter shënjues, emblematik: që përfaqëson rrënjën e lashtë
të trungut shqiptar e si vazhdimësi, edhe emri Dardan, që shfaq prirjen
emancipuese identitare, reale dhe historike. Atipzime tjera janë raportet e
Kosovës me regjimin komunist në Shqipëri gjatë periudhës para vitit 1990.
Gjeneratat e reja nuk e kanë urryer Shqipërinë gjatë viteve '70 e '80, dhe nuk
kanë pranuar ta shajnë a sulmojnë Shqipërinë për shkaqe historike: përkundrazi,
janë identifikuar sa më shumë me Shqipërinë, sepse sulmet e fyerjet
drejtoheshin e vinin prej Beogradit; ani se historikisht (gjatë Luftës së Dytë
Botërore e disa vite pas), kishte një rezistencë antikomuniste këndej e andej
kufirit. Por edhe ky atipizim shfaqet si arketip autorial për ta
"arsyetuar" një kohë që do të vijë më vonë, si kohë e çlirimit
ideologjik, atij politik e çlirimit nga pushtuesi.
Nga kjo perspektivë
romanore, duket, pra, që rrënimtari i përzien këndvështrimet e tij: jeton në
një kohë reale, por ligjëron e përsiat nga perspektiva e një kohe tjetër!
Atipizimet janë të
njohura në artin letrar, për t'iu dhënë shtysë më shumë ideve të romanit,
ideologemave krijuese, se sa realitetit vetë. Megjithatë, autori e shikon jetën
ashtu si ka ndodhë, me gjithë rrjedhat e tij nacionale, familjare, shoqërore e
individuale.
Ky personazh, duke u
zgjeruar e duke i mbajtur lidhjet me karakterin tradicional të letërsisë që nga
Aristoteli e këndej; ai nuk e ka humbur identitetin e tij, por e ka formësuar e
forcuar këtë identitet letrar e artistik. Qëndresa shqiptare për të mos u
asimiluar as dhunshëm, jepet re ky pasazh romani:
“Sot do ta
ndryshojmë identitetin tuaj. Jeni turq dhe arnaut, ose çfarë dreqërish jeni?
Nëse dëshironi të jetoni edhe më tutje në këto treva, patjetër që do të merrni
të dhënat e reja personale. Në të kundërtën duhet të shpërnguleni në Turqi.
Refuzuesit do t’i vrasim, kurse femrat do t’i përdhunojmë, bërtiste me tone
kërcënuese komandanti i çetës së armatosur. E gjithë kjo po vinte pas asaj nate
të tmerrshme, ku frika akoma qëndronte brenda palcës kurrizore. Gjyshi për
veten e tij, nuk trembej fare, por i druhej ndonjë pabesie ndaj anëtarëve të
familjes, pasi ata në shumë raste përdhunonin gratë dhe vrisnin fëmijët. Nuk
vonoi dhe komandanti kriminel me zërin e lartë piskamë filloi t’i pyeste
familjarët, se si quhen.”
Mirëpo, kjo kategori
estetike (e personazhit), mund të jetë me funksion të përdorimit problematik,
më pak përshkrues, d.m.th. interpretues, (apo mbi-interpretues), kur ajo
(kategori), si e tillë, aplikohet për veprat e mëparshme që mbajnë shenjën e
paradigmës së romanit "realist" të shekullit të nëntëmbëdhjetë,
shpesh e favorizuar nga teoricienë me konceptimin: ajo përcjell një seri të
tërë të supozimeve, veçanërisht në aspektin e analizës psikologjike,
krejtësisht të huaj për letërsinë antike dhe klasike. Përmendja thjeshtë e
"karakterit" apo “personazhit”, mund të jetë, në fakt, një
anakronizëm për tekstet antike dhe klasike. Albert Thibaudet thotë: "Romancieri
i vërtetë krijon personazhet e tij me drejtime të pafund në jetën e tij të
mundshme, romancieri krijon model me një linjë të vetme nga jeta e tij e
vërtetë. Historia e vërtetë është një autobiografi e mundshme (...) gjeniu i
romanit na bën të jetojmë të mundshmen, pa e zbuluar të vërtetën."
4.
Semantema romanore e rrënjës dhe kujtesës
Ç’ është rrënja te ky
roman?
Është qëndresa e
fortë te identiteti shqiptar, me rrënjë të lashta ilirike, siç e emblematizon
edhe personazhi i Ilirit. Te Fjalori i shqipes, ndër të tjera, kjo fjalë ka
edhe këtë kuptim të figurshëm: “Burimi më i parë e më i thellë i një
dukurie, prejardhja; mbështetja e thellë, mbi të cilën rritet e zhvillohet
diçka, themeli.”
Ky edhe është ideali
narrativ i personazhit.
Po përse kujtesa?
Rrënjët qëndrojnë në kujtesë?
Si Iliri, ashtu edhe
Dardani, dinë për të kaluarën vetëm nëpërmes rrëfimeve gojore, oralitetit, në
mungesë të shkrimit. Në këso çastesh, ani se dëshmitë nuk janë shënuar askund,
ato janë kujtuar, kur Dardani e pëson, me shokun e tij Taulantin, nga një i
maskuar serb, Lubomiri, si gjoja i sëmurë psikik:
“-Në
vitet e shkuara biri im edhe ne kështu e kemi pësuar gjatë jetës, ndonëse brezi
ynë ka vuajtur edhe më shumë represionin dhe brutalitetin e armikut, - vijoi ai
duke i rrëfyer Dardanit vuajtjet nga e kaluara e tij.
-
Gjyshi im më ka rrëfyer fije e për pe, se si njëherë edhe unë kur isha foshnjë
gati e pata pësuar, nga një bandë kriminelësh serbë në shtëpinë që kishim ndërtuar
me purteka e të lyer me baltë. Isha me fat! Copa e drurit që kishin hedhur mbi
mua nuk më kishte qëlluar. Mirëpo unë akoma e mbaj të freskët në kujtesë një
ngjarje tjetër të shëmtuar shtatë vjet më vonë, atëherë kur gjyshi bënte
maksimumin ta ruante familjen nga bishat e egra.”
A do të ndërpritet ky
zinxhir vuajtjesh?
Dhe përse është
ushtruar i gjithë ky presion e kjo dhunë? Ja si rrëfen prindi të birit:
“Ne
shqiptarët brez pas brezi kemi pasur hasmëri me sllavët. Ata janë ardhacakë
biri im. Origjina e tyre e vërtetë është nga Karpatet, kurse ne këtu jemi
autoktonë. Duke lakmuar territoret tona
nuk pushuan asnjëherë konfliktet. Me epërsinë e tyre ushtarake na detyruan disa
herë të largohemi nga vatrat tona ilire, duke na zaptuar në çdo njëqind vjet
nga një pjesë të territoreve. Nuk është e largët koha, kur pas masakrave dhe
vrasjeve etnike, i detyruan shqiptarët të iknin nga shtëpitë dhe tokat e veta
në rajonin e Toplicës. Të gjithë fqinjët tanë që cilësohen si muhaxhirë, vijnë
nga ajo trevë. Është një territor i madh, përafërsisht sa Kosova sot, një trevë
me disa qytete. Popullatën e pambrojtur e masakruan, e përdhunuan dhe në fund e
zbrazën nga shqiptarët, duke i depërtuar për në Turqi.”
Edhe kur erdhi
“shkrimi” (arsimi i shqip pas Luftës së Dytë Botërore), e vërteta
shtrembërohej, paraqitej e deformuar. Kësisoj, ekzistonte edhe “historia
alternative”, Historia Tjetër, ajo e vërteta, e që mbijetonte përmes rrëfimit
gojor ose literaturës së fshehtë. Ajo përcillet nga brezi në brez.
“
-Ti je trashëgimtari im, kultivoje rrënjën tënde, mos e le të thahet, amanet
bir që kurrë të mos ikësh nga rrënjët e tua, - i përsëriti djalit këto fjalë në
çastet e fundit të jetës. Madje i kërkoi Dardanit të mos pikëllohej fare, meqë
një ditë të gjithë do të vdesin. Thoshte me mendjen e kthjellët dhe të qetë se
dhimbjet i kishte graduale dhe të buta, saqë nuk e demoralizonin. Si besimtar i
devotshëm, ai mbështetej besimplotë se gjendej në dorën e krijuesit dhe ishte
plotësisht i bindur në mirësinë e tij. Po ashtu ishte i mendimit se kishte një
jetë të përjetshme dhe pasi ishte lutur gjithë jetën qysh nga vegjëlia, thoshte
se po ia dorëzonte pjesën e pavdekshme të madhërishmit. Kur i thoshte këto
fjalë Dardanit i dukej i ati më i dashur se kurrë. Motra e vogël Nora i tha me
zë të ulët Zanës, se nëse ekziston parajsa, ishte e bindur se aty ishte i
rezervuar një vend për Ilirin. (f. 310)
Ngjarjet e përjetimet
e përshkruara në roman ringjallin edhe kujtesën e brezave të sotëm, meqë ato
kohë edhe i kanë përjetuar, secili në mënyrën e vet, pasi ata dëshmitarë kohe
ende janë gjallë.
Janë reminishencat e
njohura të faktografisë reale të atyre dekadave të errëta, që vijnë e marrin
formë nga kujtesa e gjallë e protagonistëve, nga ringjallja e imazheve të
ambienteve që nga errësirat e thella historike e deri tek pamjet e rënda të
vrasjes së ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave.
Nëse nëpërmes
personazhit të Ilirit, shpesh edhe si bartës rrëfimi e kujtese, shpalohen
histori, bëma, përshkime të bukura të jetës, të traditave, të solidarësisë e të mikpritjes në fshat, dhe, nga ana tjetër, shpalohen mall e nostalgji; nëpërmes bartësve
të tjerë të rrëfimit, si është Dardani, apo nëna e tij, Rina. Historia i
riaktualizon pamjet e kujtesës e të tragjedive të jetuara. Në vepër shpesh
gërshetohen tekste të lëndës psiko-etnografike që ndërkëmbehet me atë realiste
e psikike, kurse lënda e kujtesës me atë të një perspektive të jetës... Dhe
kudo nëpër faqet e romanit hasim dhe poentën etike deri te ajo etike. Etika e
këtyre personazheve është e fortë përballë furive të kohës. Trimëria, guximi,
heroizmi, përbëjnë një etos të veçantë kombëtar, virtyt e dije, mendësi të
veçantë të edukimit etnik, si një nga mënyrat më të sigurta për të realizuar e
për të bartur mesazhe tek ndërgjegjja kolektive, e memorizuar në kujtesën e
kombit, përmes kujtesës së personazheve. Nga edukimi i tillë estetik e etik,
edhe bota shqiptare e këtyre personazheve tashmë është ridimensionuar dhe ka
marrë formën e frymës epike e artistike
të rrëfimit.
5.
Aktet e mbijetesës dhe vizioni i ri historik
Aktet e kësaj
mbijetese janë të shumëfishta. Ato përpiqen të lëshojnë rrënjë në shumë
drejtime. Marcus Garvey, një nacionalist pan-afrikan, për lirinë e popujve,
shprehet se “Një popull pa njohuri për historinë, origjinën dhe kulturën e tij
të kaluar është si një pemë pa rrënjë.” Nuk është e rastit që këso përshkrimesh
paralele mes drurëve, natyrës dhe kujtesës, hasen shpesh te ky roman. Aty e
gjejnë kuptimin e vërtetë të ekzistencës së tyre vetëm tek etnia e tyre e lasht,
te identiteti i tyre. Kjo do të thotë se ata nuk aspirojnë vetëm mbijetesën,
por kapërcejnë këtë kuptim gjallimi, duan trashëgiminë, rrënjën, mbetjen gjallë
të asaj që ka shpëtuar nga zhdukja a po shuarje nën armiq të shumtë.
“Le të bëhet,
çfarë të bëhet! Nuk jam penduar aspak për veprën që bëra. Çdo pëllëmbë e këtyre
tokave është skuqur nga gjaku dhe lavdia jonë. Rrënjët tona këtu janë të thella
dhe të ushqyera me gjuhën që flasim unë e ti, kurse Lubomiri në këto toka do të
thahet shpejt, pasi rrënjët i ka diku tjetër. Ne patëm dyndje të njëpasnjëshme
nga shumë armiq i dashur vëlla, sulme, rrethime, shkatërrime, djegie, vrasje
por ne shpëtuam nga hiri e gërmadhat, të uritur në mungesë të bukës, pa veshje
e pa mbathje. E sigurt se edhe kësaj radhe do të mbijetojmë. (f. 52)
Ai bën përshkrime të
jashtme të natyrës së tillë burimore, por në të vërtetë, ai kërkon
përbrendësimin e saj, të etnisë, një shpirtëzim të saj. Ata përplasen nëpër
shumë stuhi jetësore, por sikur ato i forcojnë edhe më shumë, sikur ato rrënjë
nguliten edhe më thellë. Dardani gjendet në atë udhëkryqin historik përballë
disa shkollave të jetës: në atë të edukimit atdhetar e etnik familjar. Në atë
të arsimit (ideologjik) të kohës dhe në atë të ilegales atdhetare. Ai merr nga
të tria dhe shfaqet si personazh i vigjilencës, që arrin të dalë nga situatat e
ndërliqshme dhe përplot kurthe, jo vetëm me guximin e tij, por edhe me formimin
e dijen e tij. Ai lëviz drejt së ardhmes, sepse ka një njohje, formim e ndjesi
të mirë për të kaluarën. Nëntoka (rrënja, e kaluara, historia e vërtetë dhe e
fshehtë përballë armikut), e krijon dhe e mbëlton atë që është mbi tokë, njësoj
si pemët. Së këndejmi, ka një gërmim gjithnjë e më të thelluar në këtë
“nëntokë”, në vetëdijen e ndërdijen e personazheve për t’i përforcuar këto
ngulitje në thellësi të qenies e qeniesimit. Ata rezistojnë, sepse nuk pranojnë
të nënshtrohen, janë gjithnjë e më të fortë, ani se në vepër jepen edhe
karaktere të lëkundshëm, madje edhe të dobët... deri te ata që spiunojnë. Amanetet
e Ilirit për të birin sikur i ngjajnë asaj thënies së Goethe-s: “Ka vetëm dy
amanete të qëndrueshme që mund të shpresojmë t'u japim fëmijëve tanë. Njëra
prej tyre janë rrënjët, tjetra, krahët.”
Çfarëdo që të jetë
forma e romanit, personazhi është pika thjerrëzuese a motori i fikcionit, me
anë të të cilit e matim shkallën e vërtetësisë dhe të autenticitetit.
Karakterizimet e personazhit mund të jenë të qarta, eksplicite; shkrimtari
pikturon portrete, bën analiza psikologjike që portretizojnë një karakter, por
më shpesh nënkuptohet me konotacione që i referohen vetvete, apo kombinimit
narrativ të diskursit social dhe të marrëdhënieve shoqërore, të cilat, në
mënyrë të tërthortë, plotësojnë njohuritë tona mbi personazhin. Romancieri në
rolin e demiurgut, e përqendron vëmendjen në gjasat e botës që ai ka krijuar.
Në këtë mënyrë, edhe dy personazhet kryesore i nënshtrohen romansierit demiurg.
Ndërlidhjen e brezave autori e zhdrivillon nëpërmes metaforikes së rrënjëve:
“Nga entuziazmi
edhe Iliri atë ditë qe zgjuar me ndjesinë e të qenit i dërrmuar. Jo që e kishte
nga frika, por i dukej sikur pasardhësi i denjë që gradualisht po rritet dhe po
ngul rrënjët në vendin e tij do bëhet intelektual i respektuar. Gjatë qëndrimit
afër qelqit të tejdukshëm të dritares duke pritur bashkimin e Albanit dhe
shokëve të tij, ai vizatonte figura të ndryshme me gishtin e dorës në xhamin e
avulluar që e nxirrte me hukamë nga goja. Në këtë monotoni ishte e pamundur të
mos i ikte mendja tek mësuesit dhe tek enigma që e priste ditën e sotme.”
(f. 95)
Romancieri i jep
personazhit një identitet të cilin dëshiron ta bëjë të besueshëm dhe të
rëndësishëm. Përshkrimi këtu është një mjet i privilegjuar i karakterizimit
eksplicit: nga pozitat e gjithëdijshme - për të zbuluar të kaluarën e një
karakteri, për të zbuluar mendimet e tij, sintetikisht, e mandej për të
organizuar një tablo të detajuar. Nga aspekti fizik: personazhi paraqitet me
një trup e me tiparet e veta karakteristike të zgjedhura, piktoreske, por edhe
në aspektin e detajeve të veçanta që mund të sugjerojnë tipare. Nga aspekti
moral: romancieri fokusohet në shprehjen e ndjenjave, është i interesuar të
depërtojë në manifestimet e tyre, tek shfaqja e lotit, buzëqeshjes, apo në
gjeste të rëndësishme. Personalitetin e personazhit mund ta vendosë diku tek
një individ i veçantë, ose ta paraqesë si një hero, ai mund ta bëjë atë në vend
të kësaj një kopje e vetme e një specie sociale.. Nga aspekti social:
personazhi paraqet një mjedis, një veshje, një vend pune, paraqet gjuhën, ideologjinë...
Ai kështu bëhet një tip dhe, së këndejmi, buron një tipologji e pasur e
personazheve.
Baladat e jetës
përcjellin mesazhet e veta letrare dhe njerëzore. Aty këmbehen e bukura te një
episod dashurie, me fatin socio-ekzistencial. Ambiente janë ato rurale dhe ato
të urbane, ku mbisundojnë policia e ushtria.
Aty ligjëron, flet,
rrëfen, dëshmon, përjeton, përplaset, ballafaqohet e ecën tutje vetë jeta me
protagonistët e antagonistët e saj.
Ky roman, i
lexueshëm, e ruan fillin e komunikimit me lexuesin, pikërisht pse është i
drejtpërdrejtë, i prerë, ani se me stërzgjatje që e kërkon zhanri epik i
rrëfimit. Autori nuk reshtet të bëjë përshkrime lirike, siç ndodh te autorët
tjerë...
Ato rrënjëzime nuk
janë vetëm të mbetjes gjallë, por edhe të shpirtit, që dhurojnë fruta të pasura
të dijes, emancipimit, këndshikimit ndryshe të qëndrimit ndaj gruas e femrës
përgjithësisht.
Ky popull u gjend
përballë murit historik të shumëfishtë, murit pushtues dhe atij ideologjik e
diktatorial, por gjithnjë qartësia e vështrimit dhe e formimit të këtyre
personazheve vjen nga burime më të thella për të shikua përtej murit, pra,
përtej një kohe, me vizione të reja historike. Vetëdija e personazhit, Ilirit,
që një person që e di se nga është dhe cilat janë rrënjët e tij, ai jo vetëm do
të mbijetojë, por edhe do të ngjitjet gjithnjë e më lart. Autori këtë na e jep
përmes shembullit të jetës së Dardanit, nxënës i dalluar, i ri me pasion dhe
personazh vigjilent e vetëdije e zgjuar në jetë dhe mjaft frymëzues. Njohja e
rrënjëve të veta i jep vlerë njeriut. I dhuron thelbin e ekzistencës. Ato janë
fryma autoktone e jetës dhe e një kolektiviteti.