| E diele, 23.01.2022, 07:34 PM |
DETYRA NUMËR NJË E INTLEKTUALËVE TË SOTËM SHQIPTARË:
Të mësojnë, edhe
gjuhësisht, ku gjendet Shqipëria!
Nga Gjokë Dabaj
Këtë punë duhet ta
fillojnë të parët profesorët e gjuhës shqipe. Ata që kanë kryer në universitetet dhe në fakultetet tanë degën
Gjuhë Shqipe dhe Letërsi dhe që punojnë si pedagogë nëpër
fakultete, si studiues në institutet e gjuhësisë e të letërsisë shqiptare, apo
si mësimdhënës nëpër shkolla. Nëse ata nuk e dinë, edhe gjuhësisht, ku gjendet
Shqipëria, kush tjetër duhet ta dijë?!
Të dytët, fill
mbasi profesorët e gjuhës shqipe ta kenë shtruar dhe trajtuar këtë problem,
janë profesorët e gjeografisë, hartuesit e teksteve të gjeografisë, profesorët e historisë dhe
hartuesit e teksteve të historisë, gazetarët dhe të gjithë ata që e shkruajnë
apo e shqiptojnë emrin Shqipëri. Në libra, në gazeta, në hapësirat e në
organet mediatikë e deri edhe te muret e ndërtesave: Të gjithë duhet ta dimë si
përdoret, edhe gjuhësisht, emri Shqipëri!
Nuk është e lehtë
kjo punë!.. Me katrahurën që e kanë krijuar “shkencëtarët” e “politikanët”
tanë, miopë dhe skllevër të konjukturave, sot shqiptarët nuk dinë as
praktikisht ku gjendet Shqipëria! Nuk dinë cilët janë kufijtë gjeografikë të
Shqipërisë! I zëvendësojnë, fare pa të keq, kufijtë gjeografikë me kufijtë politikë!
I zëvendësojnë verbërisht! Janë jerm! Janë në mjegull, sado që u duket vetja si
dijetarë e si shkencëtarë!
Rrjedhimisht, ka
mbi 140 vjet që grekët thonë dhe shkruajnë për Janinën se gjendet në Greqi,
serbët thonë dhe shkruajnë, për Mitrovicën dhe për Preshevën, se gjenden në
Serbi! Sllavomaqedonët e kanë bërë kryeqytet njërin nga qytetet më të
rëndësishëm të Shqipërisë! Malazezët po ashtu e zhvendosën kryeqytetin nga
Cetinja, dikur arbërore, në Podgoricën shqiptare! Gjetën shesh dhe bënë përshesh!..
...Ta zëmë se në
ato kohë nuk kishim shkollim në gjuhën amëtare. (Sado që të parët tanë
analfabetë e dinin më mirë se ne, ku gjendet Shqipëria!) Ta zëmë se nuk kishim
mësues, nuk kishim profesorë, shkrimtarët i kishim si ujët e pakët. Në vend të
tyre, kishim bejlerë, pashallarë, vezirë. (Sado që disa nga bejlerët tanë të
atëhershëm e dinin ku gjendej Shqipëria, më mirë se shumë nga kryeministrat e
ministrat tanë të sotëm!)
...Sot i kemi
shkollat shqipe! Vërtet, në më pak se një të katërtën e kombit, por i kemi!
Kemi universitete, kemi institucione shqiptarë. Kemi dy shtete e gjysmë. Kështu
po shprehem unë: Shtete shqiptarësh, këtu në Shqipëri, dy e gjysmë!
...Të gjitha këto,
sigurisht, falë edhe profesorëve e mësuesve të gjuhës shqipe. Por më shumë falë
idealistëve atdhetarë, që hëngrën bukë burgjesh dhe që u vranë për liri, si dhe
falë disa rrethanave që na u krijuan. Nuk duhet harruar: Falë edhe disa
rrethanave.
Por tani ka ardhur
koha të shprehemi e të veprojmë subjektivisht shumë më fuqishëm. Secili shqiptar
që ka arritur diçka, që i ka fituar pesë lekë, pesë euro a pesë dollarë, secili
shqiptar që i ka kryer dy grama shkollë, duhet që një pjesë të shpirtit të vet
t’ua kushtojë kombit dhe atdheut.
...Ku gjendet
Shqipëria?! Ç’duhet të kuptojmë me emrin Shqipëri?! Këtë duhej ta dinim prej
kohësh, por të paktën tani t’i thërrasim mendjes.
Ç’kuptohet me
shprehjen vendi ynë?! Cili është vendi ynë?! Ku i ka kufijtë vendi ynë?!
Në ç’pjesë të Shqipërisë gjendet mali i Korabit?
Më vjen të uluras,
kur i lexoj tekstet tanë të gjeografisë! “Drini plak e përrallshëm”
a buron “mes për mes ndë Shqpëri”, apo rrjedh diku anash
Shqipërisë?! Ku buron Vardari?! Në ç’pjesë të Shqipërisë gjendet Prishtina?!
Apo ndoshta Prishtina nuk gjendet në Shqipëri! Lexo pak më poshtë! Po Tivari ku
gjendet gjeografikisht?!
Dublini, e dimë që
gjendet në Irlandë. Po Belfasti a nuk gjendet në Irlandë?! Dua të them, për
Shkodrën e dimë që gjendet në Shqipëri. (Sado që akademikët malazezë dhe
akademikët serbë shkruajnë ndryshe në librat e tyre.) Pra, të paktën për ne,
Shkodra gjendet në Shqipëri. Po Tivari, a nuk gjendet në Shqipëri?! Të paktën
aq sa gjendet Belfasti në Irlandë e jo në Angli!
Tajvani a gjendet
gjeografikisht në Kinë, apo është diku jashtë Kinës, meqë aktualisht nuk e
qeveris Pekini?!
Kur bëjnë ndeshje
futbolli ekipet e Tiranës, Korçës, Kavajës, Vlorës dhe Shkodrës, i themi kampionat
kombëtar. A është vërtet kampionat kombëtar ky lloj kampionati
kombëtarisht i cunguar?!
Gjergj Kastrioti
është hero i kombit shqiptar. Po Adem Jashari a është hero shqiptar?! Dua të
them: A e konsiderojnë korçarët dhe shkodranët hero të vetin Adem Jasharin?! A
shkruhet gjëkundi në gazetat e Shkodrës, Korçës apo Beratit: Adem
Jashari, heroi ynë?! A thuhet e shkruhet në Tiranë për Rexhep Qosen personaliteti
ynë ?!
Themi e shkruajmë
për Ismailin që është shkrimtari ynë. Po për Rexhepin?! Më gjeni një gazetë të
Tiranës ku të jetë shkruar: Shkrimtari ynë Rexhep Qosja, shkrimtari ynë
Agim Vinca, shkrimtari ynë Esat Mekuli!
Thuhet me të
drejtë se Pjetër Budi është shkrimtari ynë, sado që ai, asnjë ditë nuk ka
jetuar në shtetin shqiptar. Idriz Ajeti nuk cilësohet në asnjë revistë
shkencore të Tiranës si shkencëtari ynë. Ashtu si nuk themi askund dëshmorët
tanë për mijëra shqiptarë që dhanë jetën, në fund të shekullit XX, për
çlirimin edhe të një pjese të Shqipërissë.
Nën cilin flamur u
vranë ata mijëra luftëtarë në luftën tonë të fundit?! Përse politikanët e
Tiranës, gazetarët dhe shkrimtarët e Tiranës, po edhe të Gjirokastrës, të
Burrelit e të Durrësit, për shqiptarët që u vranë në radhët e UÇK-së, nuk thonë
asnjëherë dëshmorët tanë?!
Një tufë
profesorësh, të quajtur intelektualë, madje ajkë e inteligjencës sonë, shprehen
kështu mu në mes të Prishtinës: Na kanë ardhur mysafirë nga Shqipëria.
Dhe nuk e trazojnë fare trapin, për të kuptuar sa gabim kanë folur! Sa gabim
kanë folur dhe sa ua kanë bërë qejfin shovinistëve të Serbisë, që as profesorët
e këtij të quajturi shtet, nuk ia dinë emrin atdheut të vet. Sepse, kur thua në
Prishtinë “kanë ardhur nga Shqipëria”, e ke pranuar
vetë me gojën tënde që Prishtina nuk gjendet në Shqipëri!
A mund ta bënte
një të këtillë hajvanllëk cilido gjerman i Gjermanisë Lindore, qoftë edhe një
hidraulik, e të thoshte për gjermanët e Gjermanisë Perendimore: Na kanë
ardhur mysafirë nga Gjermania?!
…Do të mund të
vazhdonim kështu në dhjetëra faqe dhe konkluzioni do të ishte po ky: Inteligjenca
jonë e sotme, në aspektin gjuhësor, nuk e ka të formuluar, të kristalizuar dhe
të konsoliduar konceptin e atdheut e të kombit të vet.
Thënë, jo pa
ngarkesë ironie e sarkazme, profesotët shqiptarë të sotëm, nuk dinë ku e kanë
atdheun e vet. Nuk dinë gjuhësisht dhe kjo do të thotë se ata nuk dinë as
praktikisht cili është atdheu i tyre.
Është gjynah që
katundarët tanë, qytetarët tanë, studentët tanë dhe nxënësit tanë, të mos na
vrasin me bukë në gojë! Ne nuk meritojmë të quhemi inteligjencë kombëtare
shqiptare!
Pjezë, 21 janar
2022