| E marte, 18.01.2022, 08:08 PM |
Edhe nji herë mbi politikën e jashtme të Shqipnisë
Nga
Romeo Gurakuqi
Në
vitin 1991 menduem se Shqipnija jonë e shkundi zgjedhën komuniste dhe së bashku
me ate, u largue nga endja e papërcaktueme, duke dalë në dritë për të ba pjesë
në radhën e popujve të vetqeverisun, me shtet serioz, qi ka nji rrugë të ardhme të përcaktueme kjartë.
Menduem
se shpëtuem, por s’kishte pas qenë e thanun, të jetojmë në qetësi, në liri, në
nji vend normal me identitet të shënuem që në lindjen e fëmijeve në tokën tonë
dhe të gezojmë ma në fund, frytin e përpjekjevet të të Parvet, të cilët u
flijuen për nji copë Shqipni të lirë, qytetare dhe europiane. Pak për
indifference e mungese ekspertize të të huejvet ndaj këtij vendi të çuditshëm
dhe me vektorë të përkundërt formativë e ma shumë për faj të atyne qi e kanë
marrë peng sferën publike në këto dekada, Shqipnija ka pa pak ditë të mira dhe
me shpresë orientimi të kjartë, qendrueshmërie e prosperiteti.
E
sundueme prej mujsharisë, babëzisë, diletantizimit, servilizmit, demagogjisë të
ngritun në kod sjelljeje dhe standard për t’u ndjekun dhe për të ba hajr në
politikë dhe drejtim, horizonti i qiellit shqiptar mbeti gjithnji i errësuem,
orientimi i popullit i ç’akorduem, sipas interesave të momentit të individëve
qi zotnojnë, toka shqiptare nji hapësinë e lirë ku mund të luajnë si u vjen për
mbarë, organizatave që s’kanë të bajnë me programin testamentar të Arbnisë.
Së
fundmi, kena ardhë në ditën kur urdhnohemi mu në organin Sovran, me ba atë qi
nuk e mendojmë dhe e arsyetojmë si te drejte. Madje, përmes të zgjedhunve,
detyrohemi të heshtim, kushtëzohemi me traktate të përhershme, imponohemi a
priori edhe në strategji dhe aleanca qi nuk ua njohim përmbajtjet dhe thelbet,
ndërlikohemi në mënyrë të kushtëzuem edhe në marrëdheniet me fqinjët e
drejtpërdrejtë.
Dje,
të gjithë së bashku, socialistë, të vetëquajtun sovranistë dhe demokratikas të
zyrtarizuem nga qeveria, pjesëtarë të nji faji të kahershëm, “arkitektë” të
lanies së vendit pa binarë strategjikë, mëkatarë të lanies të rinisë pa formim
kombëtarist dhe albanianist, në ditën e 554 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë
kombëtarë, u përkulen pa bzá dhe duartrokiten Presidentin e Republikës së
Turqisë, tek u jepte urdhnat ultimativë gjatë fjalës së rastit në Parlamentin e
Shqipërisë. Nuk mund të ndodhte ndryshe: bashkarisht, dëgjuesit janë autorë të
lanies së Shqipërisë pa nji strategji të zbatueshme të politikës së jashtme, pa
nji kontroll të strukturuem mbi programin e organizatave të huaja kinse
kulturore, pa nji autoritet të mjaftueshëm institucional, qi u lejon zotnive të
Lindjes ta nënrendisin vendin e Arbënve, në një satelit të rrotullueshëm sipas
interesave të tyne.
Kjo
nuk do të thotë se shqiptarët nuk e pranojnë miqësinë dhe ndihmën e ofruar nga
populli punetor dhe i urte turk, bashkëpunimin e gjithanshëm në fusha me
interes reciprok të Republikës së Turqisë Qemaliste, dorën e shtrirë të mikut
që sheh nga e ardhmja, duke lanë pas të kaluemen shkencërisht të
pakorigjueshme. Por në asnji rast, në kodin e ekzistencës sonë shtetnore, nuk
asht e shkrueme, se vendimarrja mbi Aleancën Strategjike dhe Miqësinë e
Përjetshme vjen prej ndonji traktati të fshehtë të nënshkruem ndër darkat e
brigjeve të Bosforit, përkundër të drejtave referendare të popullit dhe doktrinës sonë kombëtare të hartueme prej
Rilindasve. Askund ndër ne nuk asht e shënueme dhe e lejueme, qi në sferën
publike të cënohet laicizmi, qoftë edhe në ligjërim; askund të kodet qi rregullojnë
marrëdhaniet ndërkombëtare mes shteteve sovrane, nuk asht e shkrueme qi shtetet
e huaja mund të ndërhyjnë në punët e brendshme të njani- tjetrit dhe aq ma pak
të vendosin kushte ultimative, afate kohore ndaj "nxanesve"
politikane shqiptare.
Asht
e kuptueshme qi gradualisht, me kalimin e kohës, te shekullit, ndër vendet
normalizueme, modernizueme e perëndimizueme, armiqësitë e dikurshme kalohen në
analet e historisë, udhëheqësit shohim nga e ardhmja, bashkëpunojnë edhe me ish
shtetet sunduese, korigjojnë sjelljet, përmirësojnë klimen, duke respektue
ligjet ndërkombëtare dhe paqen globale. Por gjithsesi, kjo nuk do të thotë që
caqet e reciprocitetit dhe sovranitetit të shkelen, kujdeset ndaj forcimit të
unitetit të vendit të mos mbahen parasysh, interesat edhe të fqinjëve të tjerë
të mos respektohen me shumë kujdes, aq ma teper qe çeshtje te diskutueshme dhe
debatueshme jane ne zhvillim e siper.
32
vjet mbas britmave mbarëpopullore për Europën në Shkodër dhe Tiranë , shohim se
kapluesit e sferës së drejtimit politik të vendit, ata qi zotnojnë kompetenca
kushtetuese për ruajtjen e pozitës së Shqipërisë në sistemin ndërkombëtar, në
pajtim me qellimin qi na kanë caktue paraardhësit shteformues, Desidenca
Europianiste, janë shndërrue në shkelës së premtimit dhe lajkatarë të
buzëqeshun të autoritarëve të Lindjes, qi nuk kanë asgja të përbashkët me
lirinë, demokracinë, laicizmin dhe republikanizmin e Ataturkut të madh,
krijuesit të vertetë të Turqisë moderne, mikut të popullit shqiptar.
Për
fat të keq, ende ndër ne, njilloj si në kohën kur Faik Konica nuk i duronte dot
marrëzitë e të paktëve, disa, që gabimisht sot janë udhëheqës dhe aspirantë për
udhëheqje, përfaqësues të sovranit, nuk e kanë të zhvillueme mjaftueshëm frymën
e indipendencës arbnore, ndjenjën e detyrës dhe përgjegjesisë kombëtare, kapacitetin
shtetdrejtues dhe me njëmijë mënyra duan sërish ta shndërrojnë Shqipninë në nji
provincë të bindun perandorake, nji liman për ankorim, nji vend për t’u
etiketue definitivisht si jo miqësorë nga fqinji ynë e drejtpërdrejtë jugor,
Greqia, ku jetojnë, bijtë, bijat dhe vllaznit tone, mbi 1 milion shqiptarë të
sodit të trajtuem njerëzisht atje.
Posaçërisht
në nji vend si i yni, për shkak të veçantive formative, çdo vendimarrje në
fushën e politikës së jashtme do të duhet të kalojnë përmes nji konsensusi të
rreptë mes faktorëve kulturorë shtetformues, identifikimi i të cilëve vjen nga
përfaqësia reale dhe jo nga të emnuemit e kryetarëve të partive pa anëtarë, qi
shpesh herë bien viktimë e ndërhymjeve të aktorëve të jashtëm jomiqësorë, qi
operojnë të lirë në vend, sipas raporteve të shërbimit tonë informativ.
Vetëm
në Shqipni gjen vendimarrës në politiken e jashtme qi mendojnë, se janë të lirë
për me dhanë verdikte themelore, pa respektue kufizimet dhe rregullat e
përcaktueme brenda vendit nga konventat e brendshme themelvanëse të shtetit.
Politika
e brendshme e një vendi të mbushun në polet e saja partiake me kurthe, intriga,
urrejtje, të denja për t’u përshkrue dhe analizue nga shkrimtarët, mbasi ka
ndalun integrimin e Shqipërisë në Europë, sot po ban haptas hapa rrënimtarë drejt prishjes së
konsensusit mbarëkombëtar në aspektin e politikës së jashtme.
Aspirantë
të hartimit dhe implementimit të
politikës së jashtme, të rrethuar nga frika e mëkateve, të izoluar nga Europa
dhe SHBA, që kushtëzon me lirinë, ligjin dhe drejtësinë, po shohin si të vetmen
rrugë shpëtimi, shndërrimin e Shqipërisë si nji zgjatim të shtetit të dikurshëm
sundues, duke hapun rrugën të panjohurës dhe prishjes së unitetit tonë të
brendshëm. Rama dhe kinse konservatorët, mbase dojnë me e kthye Shqipërinë
serish në nji gur rrokullisës në lojën e madhe të tavlles ballkanike, por Shqipnia e jonë e ngratë, populli ynë,
arbnorët, nuk kanë asnjë lidhje me frikërat e tyne, nevojat e tyne per
vendstrehime dhe botkuptimet e tyne të kufizueme.
https://www.facebook.com/romeogurakuqi